VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NATA SHQIPTARE

Nga ELIDA BUÇPAPAJ


E Martë, 04.27.2010, 04:21pm (GMT1)

 

"Unë isha akuzuesi, Zoti i akuzuari. Sytë e mi ishin të hapur dhe unë isha i vetëm në një botë ku mungonte Zoti dhe Njeriu". Këto fjalë janë shkëputur nga Nata, vepra e Elie Wiesel, hebre dhe Nobelist i Paqes, i cili gjatë Holokaustit arriti të mbijetojë Aushvicin dhe Buhenvaldin. Më tutje ai thotë: "Unë desha të tregoja se si ishte fundi, akti final i asaj që po ndodhte. I kishte ardhur fundi gjithçkaje - njeriut, historisë, letërsisë, fesë, Zotit. Asgjë nuk kishte mbetur. Dhe ne filluam përsëri duke nisur prej natës..." Nata, e Elie Wiesel është libri i parë i trilogjisë, që pastaj vazhdon me vëllimin e dytë që titullohet Agimi dhe më pas të tretin Dita - ku Wiesel na sjell reflektimet e tij gjatë dhe pas Holokaustit.

Holokausti ishte produkt i indiferencës së Perëndimit ndaj të keqes, ku njeriut i kishte humbur koshienca. Pa koshencë njeriu është vetëm një copë gur. Të më falë guri. Sepse shoqëria njerëzore e ka nisjen e saj prej epokës së gurit. Njeriu pa ndërgjegjen është asgjë, ku lëkura e trupit ështe vetëm një shtjellë virtuale.

Diktaturat komuniste mund të krahasohen dhe barazohen me Holokaustin, të cilat po ashtu shfarosën elitat dhe bashkë me të edhe fenë dhe kulturën, ndërsa historinë e shkruan me gjakun e viktimave.

Ne shqiptarët e Shqipërisë nuk kemi përjetuar Holokaustin, por kemi përjetuar diktaturën e cila shfarosi elitën kombëtare, ashtu si Stalini në Katin elitën polake dhe nëpër Gulagët elitën ruse. Sot Stalini shihet si burim i stalinizmit, ndërsa në Shqipëri diktatura si sistem që nuk guxon ta cënojë askush. Dëgjojmë pallavra, fjalë që i merr era dhe kaq.

Këtë realitet makabër e ka krijuar klasa politike e këtij sistemi pluralist që ka hipoteka nga e shkuara dhe për hir të interesave të ngushta nuk po e lejon ardhjen e Ditës në Shqipëri, pas Natës gjysmë shekullore të diktaturës. Në Shqipëri, në Tiranë, edhe pas 20 vitesh të rrëzimit të regjimit komunist nuk kemi asnjë Yad Vashem shqiptar.

Sepse bijtë dhe nipat e ish-nomenklaturës së kuqe në Partinë Socialiste që kanë marrë pushtetin politik, jo vetëm nuk janë distancuar prej etërve dhe gjyshërve të tyre, por krenohen me ta. Ndërsa qendra e djathtë gjithnjë mbetet e papastruar nga infiltrimet e ish-eksponentëve në shërbim të regjimit.

Në Shqipëri nuk kemi asnjë përpjekje për të rehabilituar elitën e shfarosur nga diktatura dhe për të krijuar elitën e re. Nuk ekziston asnjë strategji kombëtare për të rilindur si komb. Ringjallja ekonomike nuk po shoqërohet me një ringjallje të kulturës. Ka një ripërtritje të mediokritetit, ka një ripërtritje të valorizimit të antivlerës, ku mendimi kritik barazohet sot me mendimin e militantit partiak.

Tranzicioni shqiptar po vazhdon t'i mbajë të burgosura të vërtetat. Të vërtetat shqiptare të kohës së diktaturës komuniste janë sot të burgosurit e ndërgjegjes. Kultura dergjet në stanjacion. Nderohen vetëm ata që i kanë kontribuar lulëzimit të realizmit socialist apo ata që kanë qenë pjesë e superstrukturës, të tjerët nuk ekzistojnë.

Nuk kemi romane të mëdhenj, nuk kemi poezi të madhe, nuk kemi filma rrënqethës, nuk kemi lançim të humanizmit, kemi vetëm një show që nuk merr kurrë fund.

Veprat e mëdha shkruhen kur tregohet e vërteta, ndërsa në Shqipëri të vërtetat fshihen. Veprat e mëdha shkruhen kur ringjallen veprat e atyre që i shfarosi diktatura. Jo me fjalë, jo me disa fjali nëpër fjalime konformiste postume, por konkretisht.

Kujtohen vetëm ikonat e së majtës dhe ata që i kanë shërbyer regjimit. Të gjithë ata që i janë kundërvënë diktaturës sot janë të mbuluar me heshtje. Ikin njëri pas tjetrit. Të harruar nga njeriu. Vetëm kur vdesin dikush kutohet të derdhë disa lotë krokodili dhe kaq. Dhe kjo heshtje të kujton "Natën" e frikëshme të Elie Wiesel.

Këto rradhë mora shkas t'i shkruaj pas lajmit se piktorja Safo Marko, bashkëshortja e Petro Markos, dergjet e sëmurë nën kujdesin e së bijës Arianita Marko, piktore e talentuar e papunë dhe e të birit Jamarbër Marko, i burgosur gjatë diktaturës, sot i sëmurë, në vetmi dhe me minimumin e mjeteve financiare. Atëhere i bëra vetes pyetjen retorike: ku jemi, ku do të shkojmë po të vazhdojmë kështu. Jemi në terr dhe do të shkojmë në askund.

Ne do të rilindim si Komb, ne do të kemi Agimin dhe Ditën tonë, kur të fillojmë të rizbulojmë dhe të rigjejmë rrënjët e identitetit tonë, të cilat lidhen me kulturën, me historinë, me ato figura që kanë ndikuar në mbijetesën tonë nëpër Natën e pafund.

Ky tranzicion në Shqipëri, nuk është gjë tjetër veç kontuiniteti i territ, sepse lejfenizimi i njeriut nuk po ndalet, dhe njeriun po e habisin me lluksin e borgjezisë së re, duke ia mohuar të drejtën e njohjes së vetvetes, për të zbuluar gjeninë e tij.

Elida Buçpapaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.