VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TEORIA DHE PRAKTIKA

Nga PATRICK MOORE


E Premte, 05.28.2010, 06:09pm (GMT1)

Kadetët duke dëgjuar fjalimin e presidentit Barak Obama në akademinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara, në Uest Point.


Presidenti Barak Obama posa e ka mbajtur një fjalim madhor të politikës së jashtme para studentëve të diplomuar në akademinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara, në Uest Point. Njeriu i papërgjegjshëm, që po e udhëheq Korenë Veriore, mund t'i japë rast zotit Obama që idetë e tij t'i testojë shumë shpejt.


Rëndësia e aleatëve

Më 22 maj, presidenti Barak Obama edhe një herë iu drejtua studentëve të akademisë kryesore ushtarake në Shtetet e Bashkuara, Uest Point. Vetëm tri javë më parë, ai u tha të diplomuarve civilë në Universitetin Miçigen, se ata duhet t'i shmangen cinizmit politik dhe të bëhen aktivë në jetën politike.

Mesazhi i tij te kadetët e Uest Pointit ishte diçka më ndryshe. Ai përsëri bëri ftesë për traditat idealiste të kulturës politike amerikane, por, kësaj radhe, mesazhi i tij ishte për politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Kjo, për shkak se publiku përbëhej nga burrat dhe gratë, që do të jenë elita e oficerëve udhëheqës të ushtrisë së SHBA-ve gjatë dekadave të ardhshme.

Komentatorët menjëherë kanë theksuar se pika kryesore e presidentit Obama ishte për ta shënuar ndarjen e qartë me disa nga strategjitë bazike të politikës së jashtme të paraardhësit të tij, Xhorxh W. Bush.

Sipas zotit Bush, Amerika duhet të jetë e përgatitur për të lëvizur vetë, nëse është e domosdoshme, për t'i arritur qëllimet e saj.

Në praktikë, kjo, në të shumtën e rasteve, do të thotë se administrata Bush nuk ishte e gatshme t'i dëgjojë dhe t'i marrë seriozisht mendimet e të tjerëve, përfshirë edhe mendimet e aleatëve të afërt tradicionalë, siç është Britania e Madhe.

Xhorxh Bush, shpeshherë, shihej se si vepronte i vetëm ose nga instinkti, e pastaj e pranonte mbështetjen nga aleatët vetëm sipas parimeve të tij. Kjo ndoshta ishte praktikë shumë efikase, por nuk ishte e mirë për mbajtjen e aleancave të rëndësishme.

Mesazhi i presidentit Obama në Uest Point ishte mjaft i ndryshëm. Ai theksoi se Amerika, jo vetëm që është e gatshme të punojë me aleatët, por këta aleatë i duhen në mënyrë që t'i arrijë qëllimet e politikës së jashtme amerikane.

Presidenti theksoi se "ngarkesat në këtë shekull nuk mund të bien vetëm në ushtarët tonë dhe po ashtu nuk mund të bien vetëm mbi supet e Shteteve të Bashkuara".

Ai gjithashtu i vuri në pah disa pika të tjera për aleancat që Bushi shpeshherë i harronte, ose së paku harronte t'i respektojë. Obama tha se "ne jemi me sy çelur për mangësitë e sistemit tonë ndërkombëtar. Por, Amerika ende nuk ka arritur që të largohet nga rrymat e bashkëpunimit".

Për këtë arsye, Obama shpejtoi në vitin 2009 t'i shërojë marrëdhëniet me aleatët tanë tradicionalë, gjatë një turneu në Francë, në Gjermani dhe në Republikën Çeke.

Duke pasur parasysh këtë, ai u tha kadetëve në Uest Point se "ne do të jemi të palëkundur në forcimin e këtyre aleancave të reja, që na kanë shërbyer aq mirë, përfshirë ato që do të shërbejnë në anën tuaj në Afganistan dhe në gjithë globin".

Derisa ndikimi zgjerohet në më tepër vende dhe kryeqytete, ne po ashtu duhet të ndërtojmë partneritete të reja dhe të krijojmë standarde më të fuqishme ndërkombëtare dhe institucione.


Bota myslimane


Presidenti Obama, në fjalimin e tij në Uest Point, tha se "ekstremistët dëshirojnë luftë ndërmjet Amerikës dhe Islamit, por myslimanët janë pjesë e jetës sonë kombëtare".

Pajtohem me këtë deklaratë tërësisht, pasi jam lindur dhe rritur në Detroit, që është qendër kombëtare e komunitetit arabo-amerikan dhe është po ashtu qytet ku jetojnë shumë shqiptarë myslimanë nga i gjithë Ballkani. Ne të gjithë jetojmë së bashku.

Menjëherë pas sulmeve të 11 Shtatorit, 2001, ish-presidenti Bush e vizitoi xhaminë kryesore në Uashington, por nuk mendoj se ai tregoi kujdes të duhur pozitiv ndaj myslimanëve brenda dhe jashtë, pas kësaj.

U tregua vetëm nëpërmjet fjalimit të presidentit Obama në Kajro, vitin e kaluar, se Shtëpia e Bardhë synon me të vërtetë t'i afrohet botës myslimane.

Presidenti i përkujtoi kadetët në Uest Point se lufta në Irak, për Shtetet e Bashkuara pothuajse ka përfunduar - një poentë kjo që shumë njerëz në botë nuk e dinë ose e kanë harruar.

Ai tha se "për shumë vite, fokusi ynë ishte në Irak. Dhe, vit pas viti, trupat tona u ballafaquan me një mori sfidash atje, që ishin sa të frikshme, aq edhe të ndërlikuara. Ndonjë armatë më e vogël mbase do ta kishte parë shpirtin e saj të thyer".

"Por, ushtria e Shteteve të Bashkuara është shumë më e qëndrueshme. Trupat tona adaptohen, janë të qëndrueshme, ato kanë partneritet me koalicionin e me irakianët dhe nëpërmjet kreativitetit të tyre, përgjegjësisë dhe guximit, ne jemi të gatshëm ta përfundojmë misionin tonë luftarak në Irak këtë verë".

Këto janë fjalë të krenarisë, por të vërteta.

Afganistani, padyshim, ishte në qendër të mesazhit të presidentit, pasi ky është vendi ku këta kadetë të ardhshëm, me gjasë, do ta shohin aksionin e tyre të parë ushtarak.

Obama theksoi se "ne e kemi sjellë shpresën te populli afgan; tash ne duhet të shohim që vendi i tyre të mos bie në duart e armiqve tanë të përbashkët. Kadetë, do të ketë ditë të vështira përpara. Ne do t'iu përshtatemi, ne do të qëndrojmë dhe nuk kam dyshim se së bashku me partnerët tanë afganë dhe ndërkombëtarë, ne do të kemi sukses në Afganistan".

Shpresoj se ai ka të drejtë, por nuk jam 100% i sigurt. Për një kohë të gjatë kam pasur dyshime se arsyeja përse Rusia e mbështet involvimin e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s në Afganistan, është se rusët e dinë nga involvimi i tyre në vitet e 80-ta, se luftërat në Afganistan janë të vështira dhe kushtojnë shumë për të jashtmit.

Prandaj, Rusia është e lumtur duke i parë Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n duke e shpenzuar fuqinë.


Frontet e tjera

Obama ka theksuar se siguria nuk është vetëm çështje e ushtrisë. Ai ka nënvizuar rëndësinë e shkencës dhe fitimin e pavarësisë së energjisë nga nafta e jashtme. Ai ka theksuar rolin e institucioneve tona të brendshme demokratike dhe nevojën për përmirësimin e ekonomisë sonë.

Ai po ashtu iu kthye edhe çështjes së sigurisë në vendet e tjera, duke thënë se "forcat e armatosura të Amerikës po u adaptohen ndryshimeve të kohës, por përpjekjet e juaja duhet të plotësohen. Ne duhet të kemi angazhime të ripërtërira të diplomatëve tanë, nga kryeqytetet e mëdha e deri te postblloqet e rrezikshme".

"Ne duhet të zhvillojmë ekspertë, të cilët do ta mbështesin bujqësinë afgane dhe t'i ndihmojnë afrikanët që të ndërtojnë kapacitete për ta ushqyer vetveten. Neve na duhen agjenci të inteligjencës, që punojnë së bashku me partnerët e tyre për zbulimin e komploteve, që nisin nga malet e Pakistanit e deri në rrugët e qyteteve tona".

Këto gjithashtu janë fjalë të mençura. Por, sa do të ndihmojnë fjalët e mençura dhe intencat e mira, kur bota reale është pak më tepër e komplikuar?

Javën e fundit, ne pamë ushtrinë e Koresë Jugore që solli prova konkluduese se Koreja Veriore, në mars, me torpedo e fundosi luftanijen e Koresë Jugore, duke vrarë 46 marinarë. Sipas së drejtës ndërkombëtare dhe gjykimit normal, ky ishte qartas një akt i luftës.

Por, çfarë ishte përgjigjja e Koresë Jugore dhe e aleatëve të saj? Seuli i ndërpreu marrëdhëniet tregrate me veriun dhe premtoi që ky incident të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shtëpia e Bardhë shpalli se Obama "i ka urdhëruar komandantët e tij ushtarakë të koordinohen për së afërti me kolegët e Koresë Jugore, për të siguruar gatishmëri për zmbrapjen e agresionit të ardhshëm". Asgjë nga kjo nuk tingëllon me shumë vendosmëri.

Pyetja përfundimtare mbetet: si do të merreni ju me Phenianin, kur jugo-koreanët nuk kanë forcë për luftë, ndërsa kinezët nuk do ta marrin përgjegjësinë e tyre, si njëra nga fuqitë kryesore botërore, për t'i përdorur masat ekonomike dhe të tjerat, për të "ndikuar" në Korenë Veriore, e cila mbase nuk do të mund ta mbijetojë bllokadën ekonomike kineze?

A është mënyra më e mençur e aksionit për t'i lënë liderët e Koresë Veriore që të ndërmarrin akte të luftës, e pastaj ata të injorohen, me shpresa se veri-koreanët nuk do të bëjnë diçka edhe më agresive e serioze?

Dhe, si do të merreni ju me probleme potencialisht edhe më të mëdha, siç janë ambiciet atomike të Iranit? Si do të bashkëpunoni me vendet, siç është Rusia, lidhur me Iranin, kur Moska vetëm jep premtime boshe, ndërsa, në anën tjetër, vazhdon shitjen e raketave për Iranin, së bashku me reaktorin bërthamor.

Këto nuk janë çështje të lehta për përgjigje, nëse ajo ekziston. Por, ato janë lloje të çështjeve që tregojnë se është një gjë që të formulohet strategji e mençur dhe inteligjente e politikës së jashtme, por është çështje tjetër për t'u marrë me zhvillimet e rrezikshme, që nuk mund të injorohen.

* * *

Patrick MOORE ka shkruar për zhvillimet në Ballkan për më shumë se 35 vjet. Ai ka qenë edhe analist i Radios Evropa e Lirë nga viti 1977 deri më 2008.


Lexoni edhe këto:
Autogoli i Serbisë
Jeta normale në një vend normal
Politika dyfytyrëshe
Biznes apo politikë?
Tri pyetje për euron
Një fillim i jashtëzakonshëm  (http://www.evropaelire.org)

www.voa-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.