VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KUTELI - MJESHTËR I FJALËS SHQIPE

Kujtime dhe kritikë letrare nga NAUM PRIFTI


E Djelë, 05.30.2010, 01:47pm (GMT1)

Shkrimtarët e talentuar zbulojnë dhe ruajnë bukurinë e gjuhës amtare, vërteton historia e çdo kombi. Lasgushi me të drejtë i quante shkrimtarët "artistë të fjalës." Një prej këtyre mjeshtërve të fjalës në letërsinë shqipe, Kuteli, la pas një trashëgim të çmuar në prozë, në poezi, në kritikën letrare dhe në letërsinë për fëmijë.

Çuditërisht Mitrush Kuteli nuk përmendet ndër autorët e letërsisë për fëmijë, ndoshta për shkak të mungesës së vëmendjes nga studiuesit e letërsisë. Duket sikur krijimet e tij për fëmijë janë eklipsuar nga veprat letrare për të rritur, prozë e poezi.

KRIJIMTARIA E TIJ PËR FËMIJË

 

 

Në mënyrë të thjeshtësuar krijimtaria e tij e kësaj fushe përbëhet prej dy blloqesh. Në të parin hyjnë veprat e mirëfillta për fëmijë, ku renditen respektivisht "Pylli i gështenjave" (1958), "Xinxifillua" (1962) dhe "Tregime të moçme shqiptare" (1965), ndërsa në të dytin tregimet e rrëfenjat me ngjarjet dhe kujtimet e vegjëlisë së autorit, të shkruara midis viteve 1925-1944. Sadoqë këto rrëfenja nuk janë shkruar posaçërisht për fëmijë dhe nuk u adresohen atyre, ato gjenetikisht i përkasin atij trungu. Mitrush Kuteli ecën në tragën e autorëve klasikë, Leon Tolstoi, Mark Twain, Alfons Dode, Maksim Gorki, Turgeniev, Sadoveanu, etj, të cilët duke introspektuar fëmijërinë e tyre, u zbuluan lexuesve një botë të mahnitshme, plot njomështi e freski, duke ruajtur poetikën e papërsëritshme të moshës, të kohës dhe të vendit të cilit i përkasin. "Lettres de mon Moulin" dhe "Contes du Lundi" A. Dodeja nuk i shkruajti për fëmijë, se atëherë kjo gjini ende nuk ishte ndarë më vete, por tregime si "Papa vdiq" dhe "Mësimi i fundit" nuk harrohen kurrë pasi i ke lexuar njëherë. Letërsia e mirëfilltë për fëmijë zuri vend në librat e leximit dhe antologjitë e shkollave duke spostuar letërsinë didaskalike që zotëronte në botimet shkollore.

"NETË SHQIPTARE"

Shkrimet e bllokut të dytë u botuan herët, në një kohë kur letërsia për fëmijë nuk ishte mëvetësuar, dua të them nuk veçohej nga letërsia për të rritur. Madje asnjë nga librat klasikë për fëmijë të përkthyer e të botuar gjatë pavarësisë si "Pinoku," i Kolodit, "Liza në botën e çudirave" e Lewis Carrol, "Djemtë e rrugës Pal" e Ferenc Molnar, etj., nuk përmbajnë qoftë edhe shënimin më të vogël se cilës moshe i adresohen. Të drejtën e qytetarisë si gjini e veçantë për fëmijë, libri artistik e fitoi shumë vonë, së paku tek ne. Si traditë, edhe në vendet e tjera, kujtimet për fëmijërinë ose shkrimet mbi fëmijët u adresoheshin të rriturve. "Tom Sojeri" dhe "Hekëlberi Fini" i Mark Twain u botuan jo për fëmijët. Natyrisht edhe Kuteli nuk mund të vepronte ndryshe nga parardhësit e njohur.

Te vëllimi i parë me rrëfime "Netë shqiptare" botuar në Bukuresht më 1938, autori përmblodhi veprat e djalërisë, të shkruara midis viteve 1925-1930. Qysh atje skicohet shtrati i temave të tij të preferuara, qëndrimi ideo-emocional ndaj problemeve të botës shqiptare, prirja ndaj gjuhës së folur dhe frazeologjisë popullore, interesi për folklorin, mitologjinë dhe besëtytnitë. Struktura e vëllimit është mjaft e thjeshtë. Secili nga të mërguarit rrëfen një ngjarje dhe kësisoj jepet një tablo mjaft e gjerë historiko-shoqërore e Pogradecit dhe rrethinave të tij, gjatë kapërcyellit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX.

Skenat përshkruhen në mënyrë filmike, aq sa na duket sikur mërgimtarët i shohim ulur rreth zjarrit, duke ngrënë darkën e duke biseduar. Ndiejmë afshin e zjarrit që u përskuq fytyrën dhe një afsh tjetër më të fortë e më të thellë, afshin shpirtëror për vendlindjen në atë tokë të huaj. Duket si një ishull shqiptar që vegjeton këmbëngulshëm ndaj asimilimit e shpërbërjes. Në atë rreth shoqëror çdo gjë është pjesë e pandarë e botës shqiptare, gjuha, zakonet, mënyra e të ndenjurit pranë zjarrit, psikologjia e personazheve. Të krijohet mbresa se autori ka qenë vetë midis tyre, mërgimtar si gjithë të tjerët, ose udhëtar që e ka shpënë rruga rastësisht, i ftuar nga bashkëpatriotët të bujtë me ta, të hanë bashkë atë që u ndodhet, sipas traditës "bukë, kripë e zemër." Ngjan sikur nuk i është dashur asnjë përpjekje letrare të sendërtojë tregimet, por veç të dëgjojë e të shkruajë ato që rrëfejnë kurbetqarët, t'i regjistrojë në kujtesë dhe t'i hedhë të nesërmen në letër. Kjo ndodh nga që rrëfimet kanë vërtetësi e sinqeritet, aq sa lexuesi i beson plotësisht rrëfimtarit duke e harruar autorin.

Nga kjo përhumbje e këndshme na zgjon po vetë autori me shënimin "kujtim fëmijërie" nën titullin "Xha Brahoja i Shkumbanores." Këtu është autori që rrëfen ngjarjen duke i dhuruar letërsisë shqipe një nga tregimet më tronditëse për plagën e rëndë të mërgimit. Kuteli e trajton problemin në plan moral, çka na befason edhe sot nga mprehtësia dhe thellësia e këndvështrimit, duke na sjellë dy botë me mendime të kundërta që doemos do të përplasen. I ndërtuar mbi kontraste të forta midis botës patriarkale të brezit të vjetër dhe shthurjes morale të brezit të ri, i mbrujtur me lirizmë e dhembshuri, tregimi shënon një nga kulmet e krijimtarisë së Kutelit.

Afeksioni i autorit është tërësisht në anën e Xha Brahos, mullisit plak, i cili pret me mall kthimin e të birit nga mërgimi. Ai e sheh Qamilin si shtyllën e vetme të shtëpisë, si mashkullin që do të sigurojë vazhdimësinë e fisit, si shpresë për mirëqenien e familjes, përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe rindërtimin e mullirit të plakur si i zoti. Qamili vjen për të zhgënjyer të atin përfundimisht dhe për t'i hapur plagë më të thella se të parat. Nga Evropa e qytetëruar Qamili kthehet kumarxhi, alkoholist dhe lapërdhar. Ai nuk ka forca të dalë nga rrethi vicioz i veseve të këqia që ka përvetësuar dhe për më tepër, synon ta vazhdojë atë mënyrë jetese edhe në vendlindje. Rruga më e lehtë për të siguruar të hollat, - shitja e mullirit, prandaj ushtron presion mbi të atin. Xha Brahoja, afërmendsh, nuk pranon, mbasi e ka të vetmen mbështetje për të përballuar jetën. Shitja, a humbja e mullirit, do të ishte vdekje për të, prandaj, sado me dhembje, e arrnis të birin. Pas kësaj ndarje, ndihet disfata e afërt. Forcat e errta të natyrës e rrezikojnë mullirin. Skenën e shohim me sytë e fëmijëve. Xha Brahoja, besnik i një bote ngarkuar me paragjykime, mundohet ta presë rrebeshin duke zbrazur dyfekun drejt qiellit, por mbasi e sheh se furia e natyrës vazhdon njëlloj, futet mes valëve të egërsuara të mbrojë mullirin me trupin e tij. Mundim i kotë. Mulliri shëmbet dhe në kujtesën tonë tingëllon thirrja e hidhur e fëmijëve: "Obobo, o xha Braho!" ndërsa në imazh na mbetet figura e një plaku mjekërbardhë që duket e zhduket midis valëve.

MJESHTËR QË RREZATOI NDËR BREZAT E ARDHSHËM

Sa herë lexojmë tregimet e para të Kutelit, mahnitemi nga bukuria stilistike dhe gjuhësore, nga magjia e tingullit të fjalës shqipe, nga qartësia dhe muzikaliteti i saj. Në këtë anë ai rrezatoi me mjeshtërinë e tij te brezat e ardhëm të shkrimtarëve, duke pasur ithtarë besnikë, ndër të cilët kritikët renditin Jakov Xoxën, Sotir Andonin dhe autorin e këtyre radhëve në fillimet e krijimtarisë së tij letrare.

Po marrim një pasazh nga tregimi i lartpërmendur për të ilustruar harmoninë midis mendimit dhe fjalës, renditjen e fjalive me kadencë muzikore e mbi të gjitha ndërtimin e përkryer sintaksor brenda natyrës së gjuhës sonë. "S'di se qysh, besa, por edhe sot e kësaj ditepas një gjëme mërgimikur i kujtoj gjithato vise: mullirin e vjetër të Shkumbanores të kërrusur ndën hijen e arrës, myshkyn e gjelbër të remës, shkumbën e bardhë si dëbora dhe ujin e rrahur të pendës që e pinim e nuk ndienim të nginjur, vjen e më rëndon në shpirt një mallëngjim i vogël, pa krye e pa fund."

Mendimi kryesor që do t'i përçojë autori lexuesit, është ndjenja e mallit e sigurisht mund ta thoshte më shkurt, mirëpo ai me qëllim ta mbajë vëmendjen tonë më gjatë mbi objektin kryesor, e fokuson vështrimin te mulliri duke na dhënë një sërë detajesh, që do të kenë zhvillim të mëtejshëm gjatë shtjellimit të subjektit. Stilistika këtë lloj përshkrimi e quan retardacion, ose vonesëzim, po qe do të krijonim një kalk shqip. Vonesëzimi a ngadalësimi është e kundërta e përshpejtimit dhe kombinimi midis të dyjave krijon ritmin e brendshëm të prozës, i cili nuk vihet re lehtësisht si në poezi, por gjithsesi ndihet. Te ky pasazh, ndajshtimet e futura me mjeshtëri nga autori, krijojnë një imazh të gjallë, gjithë ngjyra e lëvizje për të konkretizuar ndjenjën e mallit, duke na dhënë cilësimet më shprehëse.

Muzikalitetin e frazës shkrimtari e arrin me fjali të përbëra secila me nga pesë fjalë, të alternuara me fjali dhjetë fjalëshe, të cilat ruajnë bukuri poetike pa rënë në shtratin prokust të poezisë. Ai e ndien ritmin e brendshëm të prozës në mënyrë intuitive, ndryshe nuk kishte pse të shkruante në fjalinë e parë një ndajshtim bisedor, sikurse "besa," që mund të mos ishte, sepse nuk shton asgjë, por nga ana tjetër tamam kjo fjalë i jep frazës së tij ngjyrën e dialogut, duke e siguruar lexuesin me besë, se ka qenë pikërisht ashtu e jo ndryshe, e njëheresh ruan muzikalitetin dhe ritmin e fjalisë në harmoni me gjithë ndërtimet që vijnë më pas.

DËSHMI ETNOGRAFIKE E ÇMUAR

 

Kuteli e ndien rrezikun e monotonisë dhe të shtampimit, prandaj ndërton e përdor masa të tjera duke ruajtur gjithmonë harmoninë dhe ritmin e brendshëm, pa mbetur skllav i një skeme të vetme. Mbaj mend një sentencë nga Mitrush Kuteli: "Poezia është e bukur vetë, ndërsa proza duhet bërë e bukur, prandaj është e mundimshme." Nuk e di nëse sentencën e kishte të huajtur nga ndonjë estet, por unë besoj se përkufizimin e kishte nxjerrë nga përvoja e vet letrare.

Te vëllimet e mëvonshme kujtimet e vegjëlisë dhe imazhet me skenat e fëmijërisë do të zenë një vend më të madh. Disa prej tyre nuk janë tregime, në kuptimin që ka marrë fjala sot, por skenëza nga jeta e fëmijëve të një fshati me fizionomi të veçantë, me gjolin e me pyje gështenjash pranë, që edhe pa ia përmendur emrin, kuptohet se flet për vendlindjen e tij, Pogradecin. Rrëfimet përgjithësisht nuk kanë subjekt, aty nuk zhvillohet ndonjë ngjarje, por ato pasqyrojnë besnikërisht kohën e fëmijërisë së autorit, besëtytnitë, ritet e festave pagane, të cilat të gjitha bashkë sot përbëjnë një dëshmi etnografike të çmuar.

Mitrush Kuteli e pikturon me ngjyra të gjalla jetën te rrëfenjëzat "Për kumbulla," "Papu," "Vendosa të shkoj në kurbet," "Unë, Çuli dhe Marinëza," "Rusa Papusa," "Bobolja" etj. Nga detajet e dhëna kuptohet se autorit, duke i kujtuar larg vendlindjes, i fërgëllon zemra nga nostalgjia për atë lloj lumturi rustike. Bota e fëmijëve gëlon e gjallë mes dyndjeve të ushtrive të huaja, mes dhunës e pasigurisë, duke mbetur si oaz i vetëm ku shpresa, gëzimi e optimizmi ruhen të paprekura.

Kuteli pohon se lumtëria e kishte cakun të njëjtë me moshën e fëmijërisë në kohën e tij. Sapo dilnin nga ajo periudhë, do të provonin mbi kurriz hallet e jetës, mërgimin në dhera të largëta, punën e rëndë, shegertin e përulur, padrejtësitë shoqërore, dhunën e të fuqishmëve.

Rrëfenjëza "Vendosa të shkoj në kurbet" tregon si pasqyrohen hallet dhe shqetësimet e të rriturve në shpirtin dhe psikologjinë e fëmijëve. Në këtë rrëfenjë, fëmija tetë-vjeçar që do të shkojë në kurbet, ndien dhembje në shpirt se duhet të ndahet prej shoqes së tij të lodrave, nga Marinëza e bukur. Disa detaje që kritika e cekët i cilëson si erotizma të parakohëshme e të pajustifikuara, brezi i moshuar që ka njohur plagën e mërgimit midis dy luftërave botërore, i kundron realiste, pjesë përbërëse të jetës. Në fshatin tim, fëmijët ndërtonin planimetri shtëpish me zaje lumi a guriçka dhe luanin "mikezira" (vizita miqsh). Djali dhe vajza që luanin rolin e të zotërve të shtëpisë nënkuptoheshin si bashkëshortë, që imitonin ceremonialin e qerasjes së miqve. Ajo ishte lojë dhe njëkohësisht edukim për sjellje etike.

Te "Papu" dhe "Bobolja" vizatohen njerëz altruistë, të cilët duke ndërtuar me duart e tyre vepra publike, si çezma, ura, ose rrugë në vende të thyera a midis shkëmbinjve, lenë pas kujtime të mira dhe emrin e tyre. Të tilla dëshmi filantropike gjenden anë e kënd vendit tonë. Kjo traditë e trashëguar nga kohët pagane, u përvetësua nga besimet fetare në formën e porosive etiko-morale të pëlqyera nga Zoti.

Te "Hanet e karvanet" përftohet mbresa sikur autori ekzalton karvanet në kohën e automobilit, sikur ka nostalgji për ta, ndaj e sheh qytetërimin me neveri. Ky gjykim do të ishte sa i çalë, aq edhe i padrejtë. Kuteli e shkroi tregimin në vitin 1943, pas tragjedisë që i ndodhi në familje. Fashistët italianë i vranë babain dhe ia dogjën shtëpinë në Pogradec. Gjendja psiko-emocionale e autorit s'kishte si të mos ishte e rëndë tek shihte të vozitnin nëpër arteriet e atdheut kamiona ushtarakë italianë, autoblinda dhe tanke me zinxhirë, çka e shtyn autorin të shpërthejë me duf: "Haneve u ra zjarri i llatinit dhe vreshtave sëmundja. Sepse qëkur u hap rruga me rrota dhe qëkur zbriti llatini këmishëzi e shpirtdreq, me qerre e hekura, u mbush vendi me kujë e vaj..." Njëlloj si arbëreshët edhe Kuteli italianët i quan llatinë.

Në rrëfimet e tjera ka vizatime të larmishme të botës shqiptare në kapërcyell të shekujve XIX-XX. Zotëron tema e luftës për liri e pavarësi, përpjekja për të mbrojtur nderin, pronën dhe dinjitetin personal nga dhuna e bejlerëve dhe agallarëve të mbrujtur me moral otoman.

Te Kuteli ndihet e fuqishme protesta kundër feudalizmit dhe përfaqësueve të tyre, bejlerëve të vendit, që s'ka të krahasuar me asnjë autor tjetër të Pavarësisë. Ajo është britmë e mprehtë dhembjeje që i del nga çdo qelizë e trupit, protestë qytetare për gjithë të këqiat që ka pësuar shtresa e zanatçinjve dhe e fshatarëve nga arroganca e dhuna e tyre.

Në rrëfimet e tij, M. Kuteli e ka sjellë botën shqiptare ashtu siç qe. Aty gërshetohen e bashkëjetojnë për bukuri epizmi dhe lirizmi, teosofizmi dhe mitologjia. Lugetërit, djajtë, kanxhallozët, hijet, yshtjet, magjitë, janë të pranishme në kozmosin kutelian dhe ai e pikturon besnikërisht, ashtu sikurse gjallonte e trashëguar nga kohët më të lashta. Autori shpesh mjaftohet ta shprehë qëndrimin ideo-emocional me ironi, me një buzagaz përdëllimtar, shprehje e karakterit të tij.

Te tregimi "Kryengritje për lugat" ai rrëfen se bota shqiptare filloi të ndahej nga paragjykimet dhe besimet e kota në vitet '30, për hir të mendimit shkencor që çante rrugë me përfaqësuesit e vet, sikurse Çuni i Qipros. Djaloshi pohon haptas mendimet e veta, edhe pse merr mbi vete mërinë e të tjerëve, madje e quajnë shkaktar për fatkeqësitë e rastit a të fenomeneve të natyrës.

Kuteli sjell përfytyrimin e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë fshatarë për Zotin. "...Perëndia ishte një plak i lashtë, i plotë nga shtati që rrinte diku atje lart këmbëkryq e qepte me gjëlpërë shajak të bardhë..." Sipas konceptit rustik, as Zoti nuk mund të rrinte pa punuar.

Në tregimet e Kutelit fshihet me mjeshtëri kufiri midis autorit dhe rrëfimtarit, sa nuk dallohen. Atij i vjen kurdoherë më mbarë ta rrëfejë ngjarjen vetë, madje edhe kur e vë rrëfimin në gojën e një personazhi, edhe atje ai është "rrëfimtari," që ruan të njëjtin intonacion, konceptim, botëkuptim duke përdorur të njëjtat mjete stilistike.

Frika se mos po harronte gjuhën e se mos nuk po shprehej shqip, e zuri autorin qysh kur ishte në mërgim. Ai pohon: "duke jetuar larg Shqipërisë, po ndiej dendur e me dendur qysh kuvendi e pena më rëndohen fort e më fort." (Netë Shqiptare "Shpjegim për lëçitësin, f. 178). Ka të ngjarë që frika e shtyri të punonte me durim për ta mësuar sa më mirë gjuhën, duke i vënë veshin gjuhës së folur, frazeologjisë, leksikut, lokucioneve, folklorit dhe këngëve. Meraku i tij i përhershëm ka qenë të mendojë, të flasë dhe të shkruajë shqip, ta kapërcejë barrierën që ndante gjuhën e folur nga gjuha e shkruar, respektivisht nga letërsia. Ky proces kishte ngjarë edhe në vende të tjera të Ballkanit. Në Greqi diskutimi midis tradicionalistëve, që mbronin gjuhën e vjetër letrare "katharevusa" (e pastër) dhe shkrimtarëve të kohës moderne, të cilët prireshin drejt së folur popullore "dhimotiqi," (popullore), vazhdoi gjatë me argumente pro e kundër. Diskutimi mori fund në çerekun e parë të shek. XX, kur gjuha popullore fitoi përfundimisht mbi greqishten klasike mesjetare.

Kuteli i ka shprehur pikëpamjet e veta rreth konceptit të gjuhës me pohimin: "mua më duket se vdekja e një shkrimtari si shkrimtar, fillon atëherë kur pushon të flasë me vetveten në gjuhën e tij. Nis atëherë përleshja e shprehjeve dhe veshja e mendimeve me petka të huajaose me petka balashetë cilat ai vetë, i errësuar nga pikëpamja e gjuhës, s'ka qysh t'i dallojë se janë të huaja." (Sulm e lotë, f. 23).

Tregimet me kujtime nga fëmijëria lexohen me ëndje, mbasi sjellin skenëza jete, përshkrime ritesh e lodrash. Ato kanë vulën e kohës, janë të sinqerta, ekspresive dhe sot përbëjnë dëshmi etnografike me vlerë për disa rite pagane popullore të lëna mënjanë.

Pas lufte Dhimitër Paskoja ishte nga nismëtarët për krijimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe veprimtar i shquar i revistës letrare "Bota e Re," 1945-1947. Në faqet e saj u botua "Vjeshta e Xheladin beut," një nga tregimet e tij më të bukura, që pati jehonë të favorshme ndër rrethet letrare. Autori e fokuson problemin te shthurja morale e klasës së bejlerëve, te humbja e virtyteve, të cilat shpien në drama të rënda familjare. Protagonisti përfundon me krizë psikologjike; ai çmendet kur zbulon se ka dashur të përdhunojë vajzën e vet, fund krejt i natyrshëm, larg kërkesave dogmatike të realizmit socialist.

Përjashtimi i Sefulla Malëshovës nga Byroja Politike më 1947 u pasua edhe shkarkimin e tij nga posti i Ministrit të Arsimit dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Pushkatimi i S. Totos me dhe i një sërë intelektualësh të tjerë, dënimi i deputetëve të quajtur oportunistë, kishin krijuar një klimë të ashpër mbushur me frikë e dyshime. Me urdhër të partisë u mblodh Konferenca e III e Lidhjes së Shkrimtarëve, me qëllim të përjashtonte Sefulla Malëshovën nga Lidhja. Dr. Ymer Dishnica nuk pranoi të bënte autokritikë për parathënien me nota të larta lavdëruese të librit "Vjersha" të Lame Kodrës (pseudonim i S. Malëshovës), përkundrazi me guxim qytetar e burrëri deklaroi se nuk u hiqte asnjë presje atyre që kishte shkruajtur. Ymer Dishnica dhe Skender Luarasi që mbrojtën Sefullahun, u etiketuan pasues të tij dhe u përjashtuan nga Lidhja. Kryesia kaloi në duart e atyre që gëzonin besimin e udhëheqjes. Ndërkohë Dhimitër Paskoja, ish drejtori i Bankës, u burgos për shkak se kundërshtoi konventat skllavëruese midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. U lirua pa e kryer plotësisht dënimin, pas demaskimit të Titos dhe udhëheqjes jugosllave nga Bashkimi Sovjetik, se kishin shkarë në pozita nacionaliste, (korrik 1948). Shpejt Tirana u prish me Beogradin.

Byroja Informative që zëvendësoi Internacionalen Komuniste, nisi të botonte gazetën me titullin kilometrik "Për një Paqe të Qëndrueshme Për një Demokraci Popullore." Gazeta shtypej në Pragë anglisht, rusisht, frëngjisht, italisht dhe në gjuhët e demokracive popullore, rumanisht, çekisht, polonisht, hungarisht, etj., me përjashtim të shqipes. Diskriminimi ndaj PKSH dukej qartë, por udhëheqja shqiptare e kapërdiu poshtërimin duke vendosur ta përkthente komplet gazetën dhe ta ribotonte në Tiranë. Dhimitër Paskoja u emërua në ekipin e përkthyesve të asaj gazete.

Firma e Kutelit si shkrimtar, humbi disa vjet me radhë, pa ndonjë vendim gjyqi a dekret. E drejta e botimit hiqej nga zyra e shtypit pranë K.Q. duke u dhënë urdhër gojor organeve të shtypit të mos pranonin shkrime nga i anatemuari.

Në rrethet partiake letrare Dhimitër Paskoja akuzohej si shqiptari i vetëm që kishte kryer mëkatin e pafalshëm të luftonte kundër Ushtrisë Sovjetike në frontin e Lindjes. E vërteta është se ndërsa ndodhej në Bukuresht, e mobilizuan padrejtësisht, por ai asnjëherë nuk kapi armë me dorë. Dhimitri shërbeu në prapavijë, nozullim, e cila kishte detyrë të furnizonte ushtrinë me ushqime. U kthye në Shqipëri pas një rruge të mundimshme. Vrasja e të atit dhe djegia e shtëpisë nga italianët lanë gjurmë të thella në shpirtin e tij. Njeri me bindje antifashiste, qëndroi mënjanë luftës, duke u marrë me studime letrare dhe ekonomike. U bashkua me Lëvizjen në vjeshtën e "˜44, mori pjesë në mbledhjen e Këshillit NAÇL në Berat, ku u formua qeveria demokratike shqiptare. Për një kohë të shkurtër shërbeu edhe si këshilltar i Ministrisë së Financave. Sipas dekretit të qeverisë, të gjithë ata që dolën malit, qoftë edhe një ditë para 29 Nëntorit 1944, nderoheshin me Medaljen e Çlirimit. Pati njerëz që e morën edhe me mashtrime, ose kot. Nuk di t'i jetë akorduar ndonjë medalje e tillë Dhimitër Paskos, madje pjesëmarrja e tij në radhët partizane nuk përmendej kurrë. Veç armiqësisë politike, të rritur artificialisht në shkallë të lartë nga kolegët e tij, Kutelin e mënjanuan nga sfera letrare ambiciet dhe zilitë e forta brenda Lidhjes.

KTHIMI NGA LETËRSIA PËR FËMIJË

Dhimitër Paskoja punoi me përkushtim vite me radhë, në redaksinë e përkthimeve te Shtëpia Botuese "Naim Frashëri." Ai i fali letërsisë shqipe disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si "Shpirtëra të vdekur" të Gogolit, "Tregimet e një gjahtari" të Turgenievit, "Vajza e Kapitenit" e Pushkinit, "Tregime të zgjedhura" nga shkrimtari klasik kinez Lu Sin, trilogjinë e Gorkit, novela nga Sadoveanu, poezi nga Eminesku dhe nga një sërë autorësh të tjerë.

Puna me normë ishte rraskapitëse, por ai me durim dhe këmbëngulje e plotësonte e ndërkohë vazhdonte edhe punën e tij krijuese letrare për romanin "Në një cep të Ilirisë." Mitrush Kuteli renditet ndër përkthyesit më të suksesshëm të pasluftës së bashku me Sotir Cacin, Vedat Kokonën, Skender Luarasin, Bujar Dokon, Petro Zhejin, Spiro Çomorën, Robert Shvarcin, Jorgo Bllacin, Halit Selfon, të cilët e pasuruan traditën e krijuar nga Fan Noli dhe Konica.

Mitrush Kuteli i ktheu sytë nga letërsia për fëmijë, si fushë ku mund ta siguronte më lehtë të drejtën e botimit. Vepra e tij e tij e parë "Pylli i gështenjave" u botua më 1958, çka na lejon të arrijmë në përfundimin se iu deshën më shumë se dhjetë vjet që t'i dilte emri në vetrinat e librarive.

Poema hapet me parathënien e autorit për dobinë e pyjeve. Poema s'ka bosht ngjarjesh, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por autori ka ditur ta ndërthurë me pasazhe historike. Pyllin e gështenjave ai e shihte si stoli të rrallë të natyrës fizike të Pogradecit, pa përmendur vlerat ushqimore e drusore, prandaj atij i dhemb zemra nga dëmtimet që i shkaktuan pushtuesit. Në tri këngët e para uniteti ruhet me anë të personifikimit të gështenjës, ndërsa dy të fundit qëndrojnë paksa të veçuara. Autori e ka ndërtuar poemën në bazë të modeleve të këngëve të vjetra, shartuar me këngët rituale të fëmijëve. Hasen shpesh prapashtesat zvogëluese me -zë, -za, -thë dhe -ë, duke i kthyer fjalët nga paraoksitone në preparaoksitone si dallgëtë, gështenjëza, gjumëthin, të ëmbëlthin, liqenitë, për t'i dhënë vargut muzikalitet. Duket sikur Kuteli përpiqet të rindërtojë tiparet e lashta të gjuhës shqipe, e cila dikur ka patur theksa muzikorë, ndërsa theksat tonikë janë dukuri e vonshme. Natyrisht Kuteli e dinte këtë tezë të shfaqur e të përkrahur nga disa albanologë të shquar. Sidoqoftë tradita popullore i ka ruajtur prapashtesat zvogëluese te "britmat," sikurse i quan Kuteli këngët rituale të fëmijëve. Ja dy shembuj: "Pty, ty, ty, legëza,/ vajta për purtekëza,/gjeta zogjtë e malitë,/ia ngarkova kalitë," ose te kënga humoristike "Cili, vili, vilëza,/kush pret motovilëza,/i vdes gruaja dhe fëmijëza..." Te ky vëllim gjinden edhe disa poezi të bukura për luftën e njeriut me natyrën, si "Peshkatari" dhe një peisazh lirik për vendlindjen "Ndajnatë në Poradec."

Kuteli arriti lartësi të lakmueshme letrare duke ritreguar, më sakt rikrijuar, motive të foklorit. Këtë rrugë ai e nisi herët, qysh te "Netë shqiptare" me rrëfimin për Bendo Shapërdanin, luftëtar komit kundër Turqisë, për t'iu kthyer më vonë te "Xinxifillua" me pjekuri më të madhe letrare. Te ky vëllim ai qëmtoi përralla popullore dhe i ritregoi për t'i bërë të kuptueshme dhe të asimilueshme për fëmijët. Mënyra limpide e rrëfimit, pasuria e madhe leksikore dhe frazeologjike, mesazhet e qarta që përcjell, e bënë "Xinxifillon" një nga librat më të dashur jo vetëm për fëmijët. Kjo i dha krahë autorit të vazhdonte rrugën e filluar me një ndërmarrje sa të vështirë, aq dhe fisnike, duke kthyer në prozë disa nga epet më të bukura të Ciklit të Kreshnikëve dhe të këngëve arbëreshe për Skënderbeun, të cilat i botoi te vëllimi tashmë klasik "Tregime të moçme shqiptare." Autori shprehet: "Aty bashkohen në një njësi të plotë epika dhe lirika, humori dhe tragjedia, tregimi dhe përshkrimi e dialogu, mençuria e madhe e popullit, trimëria dhe qëndresa e fortë në çaste vështirësie."

Te të dy qerthujt ai sheh të derdhura në poezi anët artistike të shpirtit të popullit gjatë shekujve. I vetëdijshëm për barrën e rëndë që ka marrë përsipër, ai e mban në dorë veprën disa vjet duke e ripunuar vazhdimisht, madje dhe kur e dorëzon për botim shprehet me drojtje: "të kthesh këngën në tregim është gati e pamundur, njësoj si të përpiqesh të ngjeshësh tërë pranverën brenda në trastë."

Megjithatë ai i doli mbanë asaj pune të vështirë, duke u falur lexuesve ajkën e folklorit, trashëgimin artistik të shpirtit të popullit. "Tregime të moçme shqiptare" lexohet me ëndje nga të vegjël e të rritur, duke mbetur si model e pikë referimi për përpunimin e epeve dhe të mitologjisë sonë, dëshmia më e lashtë e identitetit tonë kombëtar. Synimi i tij ka qenë modest, t'i njihte fëmijët me bukurinë e folklorit që t'i nxiste të lexonin foklorin origjinal, sapo të kapërcenin vështirësitë dialektore të gjuhës. Mirëpo me punën dhe talentin e tij, ai shkoi përtej synimit fillestar.

Kuteli i mbetet besnik subjektit të këngës, rapsodisë a baladës, respekton me përpikmëri ndërtimin kompozicional, ruan radhën e episodeve, karakteret e personazheve dhe asnjëherë nuk i shton diçka nga vetja mesazhit a idesë që ngërthehet në to. Megjithatë, po të krahasojmë dy vëllime të afërta nga tema dhe përmbajtja, sikurse "Tregime të moçme shqiptare" dhe "Trimat e Jutbinës" do të vëmë re ndryshime të theksuara. Arif Gjyli te "Trimat e Jutbinës" i ktheu rapsoditë e kreshnikëve në prozë, me një lloj konvertimi mekanik, ad literam, ose fjalë për fjalë, ndërsa Kuteli tek "Tregime të moçme Shqiptare" kryen konvertim artistik, duke mbushur boshllëqet me sensin prej prozatori me përvojë dhe kapërcimet që janë karakteristike për krijimtarinë gojore, duke ndërhyrë me pasazhe të kursyera, por të domosdoshme aty ku ia diktonte intuita artistike. Ai arriti të jepte edhe në prozëçka është e admirueshmebukurinë artistike të poezisë. "Tregime të moçme shqiptare" renditet ndër vëllimet më të mira të trashëgimisë artistike gojore të popullit, një majë e cila është vështirë të arrihet dhe ca më e vështirë të kapërcehet.

NJOHJA ME KUTELIN

Si autor Kutelin e njoha herët, qysh më 1945-46, kur lexova vëllimin e tij me tregime "Ago Jakupi dhe rrëfime të tjera" dhe novelën "Fshati im e pi rakinë." Atë kohë vazhdoja shkollën unike dhe interesi për librat më ishte rritur falë disa shokëve të mi që kishin trashëguar libra nga prindët e tyre. Zakonisht librat bliheshin në Korçë, ose në Tiranë, mbasi në Ersekë s'mbahej mend të kishte patur ndonjë librari. Librat i qarkullonim dorë më dorë, me huajtje. Mbaj mend se novela humoristike "Fshati im e pi rakinë," na befasoi të gjithëve me episodet e jashtëzakonshme, aq sa edhe kur ia rrëfenim njëri-tjetrit, vazhdonim të qeshnim. Natyrisht veprat me mjedise shqiptare ishin më tërheqëse për ne se romanet e përkthyera "Zonja me Kamelie," "Ura e psherëtimave," "Bija e mallkuar," "Maska e zezë," etj të cilat përshkruanin një botë shumë të ndryshme nga bota dhe psikologjia jonë.

Në vitet '50, ndërsa vazhdoja Politeknikumin Mjekësor në Tiranë, shoku im i klasës Dhimitër Xhuvani më tha se gjatë liridaljeve shkonte për vizitë te Paskot, me të cilët kishte miqësi familjare nga e ëma. Njëherë Dhimitri u kthye nga vizita shumë i gëzuar, me një pako librash në dorë. Paskoja i kishte falur nga një kopje të librave të botuara deri në atë kohë. Nga ajo dhuratë përfitova edhe unë, duke lexuar me ëndje të gjitha vëllimet e tij. Më pëlqeu veçanërisht përmbledhja me tregime "Kapllan Aga i Shaban Shpatës."

E njoha Kutelin personalisht dhjetë vjet më vonë, ndërsa punoja redaktor te revista "Ylli." Veç rubrikave të tjera, duhet të siguroja për çdo muaj një tregim origjinal prej autorëve tanë dhe një tregim nga autorët e huaj. Njëherë m'u desh të shkoja në shtëpinë e Dhimitër Paskos dhe t'i lutesha ta përkthente tregimim e s'di kujt autori brenda javës. Ishte mbrëmje. E gjeta duke punuar në kuzhinë, e cila shërbente edhe si dhomë ndenjje, edhe si dhomë pritje. Mbi tryezë disa libra të hapura. U bëra kureshtar dhe e pyeta me se po merrej. Më tha se po krahasonte përkthimin e "Iliadës" së Homerit me variantet e përkthimeve italisht, rumanisht, frëngjisht, rusisht. Rreshtat apo fjalët ku përkthimi nuk përkonte me origjinalin, i kishte nënvizuar me kalem. Më vuri në dijeni disa pasaktësi që kishte pikasur. E pyeta nëse atë detyrë ia kishte ngarkuar redaksia e përkthimeve e Shtëpisë Botuese, apo ndonjë redaksi. "Jo, m'u përgjegj, e shoh për qejfin tim, nga kureshtja profesionale." Vetëm një njeri me pasion të madh e kulturë të gjerë mund t'i vihej një pune aq të mundimshme krahasuese të të njëjtit tekst në tre katër variante.

Më 1962 u botua te revista "Nëntori" novela e tij "Net me përralla në fshatin e qepëve," e cila pasqyronte Pogradecin në kohën e pavarësisë, duke gërshetuar mjeshtërisht anët e hidhura e komike të jetës. Edhe sot i kam parasysh karakteret e spikatura, nënën me halle familjare, krushkun e pasur "trambaluqin," dhe sidomos Fijen, vajzë e zgjuar, e bukur, punëtore dhe djallushkë. Ia shfaqa admirimin Kutelit për këtë figurë duke i thënë se kisha dashur ta shkruaja edhe unë një karakter të tillë, por tani do të hiqja dorë, sepse nuk shpresoja të arrija tipizimin e tij. Më këshilloi të mos stepesha. "Kur të vjen për të shkruar , shkruaje, se krijimi është tekanjoz, kërkon punë, por edhe frymëzim, ngarkesë emocionale, pa të cilin proza tingëllon e thatë."

Megjithëse e dija që vuante nga zemra, nuk më vinte ta besoja, mbasi fytyra e tij e mbushur dhe e qetë, të krijonte idenë e gabuar se gëzonte shëndet të mirë. Nga ana tjetër ai kurrë nuk ankohej. Sa herë takoheshim rastësisht në rrugën e Dibrës, me që banonim afër njëri-tjetrit, e shihja të hapte një kuti të vogël, të mirrte një kokërr dhe ta fuste në gojë. "Rroj me trinitrina," më tha një ditë. "Sa herë ndiej vështirësi në frymëmarrje a ndonjë pickim në zemër, fut një hapje në gojë dhe e mbaj nën gjuhë."

Bisedat tona vërtiteshin rreth letërsisë dhe autorëve, duke mënjanuar temat dhe komentet politike. Por njëherë gjatë vitit 1967, disa muaj pasi shkrimtarët dhe artistët ishin shkartisur nëpër provinca, ferma e fshatra, gjasme "për të njohur jetën" më pyeti se ku ndodhesha e me se merresha. "Mësues i shkollës tetëvjeçare në Divjakë të Lushnjës," i thashë. U interesua të dinte sa kohë do të qëndroja atje. "Nga tre deri në pesë vjet, kështu na premtoi Kryesia jonë kur na nisi poshtë në bazë." "Për ç'arësye? Dua të them cili është qëllimi i këtyre transferimeve?" më pyeti. "Për t'u freskuar," iu përgjegja me termin burokratik të kohës. E dalloi ironinë, se pas pak shtoi: "Ai që rri nën dush pak kohë freskohet, ai që rri shumë, ftohet." Sentenca e tij e shkëlqyer për qarkullimin, më pëlqeu aq shumë, sa ua thosha të besuarve, pa përmendur kurrë emrin e tij. Vitet e ekzilit të detyruar ishin të vështira dhe të trishtuara. Ç'mund të përfitonte një artist i mbërthyer në kufijtë e një fshati a të një qyteti të vogël?

Një ditë, papritur, pashë në shtyllat e telefonit dhe në kuadratet e mureve të afishimit, lajmërimin e vdekjes së papritur të Dhimitër Paskos. Edhe tani e kam parasysh fotografinë e tij në lajmërimin e vdekjes. Dhimitri buzëqeshte me dashamirësi si t'u linte lamtumirën që po ndahej prej tyre. Edhe ne fotografi spikaste karakteri i tij. Ishte i butë, i arsyeshëm dhe i shkueshëm me të gjithë njerëzit. Nuk ndodhesha në Tiranë kur e varrosën dhe më mbeti peng që nuk mora pjesë në funeralin e tij. Nga Dr. Misto Markoja, nipi i tij që jetonte në Pogradec, mësova se u nda nga jeta duke lënë të papërfunduar një roman për lashtësinë dhe vepra të tjera. Mitrush Kuteli për mua ishte një nga mjeshtrit e tregimit, prej të cilit jam ndikuar dhe kam mësuar. Ai dhe Ernest Koliqi kanë qenë udhërrëfyesit e mi shpirtërorë të letërsisë, sadoqë drejtimet e tyre ishin të ndryshme. Të dy janë mjeshtër të pikturimit të mjediseve dhe karaktereve shqiptare.

Në vitin 1990, Sh.B. "Naim Frashëri" nisi botimin e serisë me autorë të traditës, ku renditej edhe Kuteli. Shkrimtari Teodor Laço dhe unë u ngarkuam nga redaktorja Rozeta Uçi të recensiononim krijimtarinë e Kutelit. Me Laçon patëm pikëpamje identike në përzgjedhjen e veprave të Kutelit. Lamë mënjanë disa artikuj publicistikë që s'kishin më vlerë. Për ato nuk na erdhi aspak keq, kurse novelën "Pranvera në Transilvani" edhe pse e pëlqyem të dy, e sakrifikuam duke e lënë jashtë botimit, ngaqë nuk donim të ngacmonim folenë e grerëzave, duke përmendur mobilizimin e tij në frontin e Lindjes, me pasoja aq të hidhura. Por sidoqoftë ajo vepër ishte botuar dhe veprat e botuara rrojnë më shumë se kriteret e imponuara nga sistemet dhe qeveritë. Nga Kuteli u botuan rreth dymijë faqe në katër vëllime me kopertinë të fortë.

Nuk më kujtohet të kem lexuar poemën e tij "Poem Kosovar." Ka të ngjarë që redaksia ta ketë hequr nga recensionimi. Me udhëzim nga lart mënjanoheshin botimet që mund të shkaktonin protesta diplomatike nga ana e Jugosllavisë për nxitjen e irredentizmit në trojet shqiptare. Shpesh shkrimet me subjekte nga Kosova liheshin mënjanë nga shtëpitë botuese dhe shtypi periodik. Fakti që këtë poem nuk e përmend as Nasho Jorgaqi në parathënien e gjatë biografike-kritike që hap serinë e botimeve Mitrush Kuteli, Vepra letrare 1, le të dyshohet se harresa nuk është aksidentale.

Qysh në verën e vitit 1944 Kuteli e ndieu shtypjen e madhe që ushtrohej mbi shqiptarët, po ashtu edhe rrezikun e emigrimit me forcë në Anadoll, gjasme se ishin turq, prandaj e ngriti zërin duke mbrojtur të drejtat e tyre, duke theksuar se ishin autoktonë në tokën e tyre. Dashuria për liri e pavarësi është filli që përshkon poemën. Nga fryma patriotike ajo zë vendin e nderit ndër krijimet letrare të botuara para lufte për Kosovën, duke tingëlluar si pamflet politik. Do të mjaftonte të sillnim disa pasazhe nga pesë këngët e saj për të vërejtur frymën epike, brendinë dhe forcën protestuese.

Jam shqiptar

e Kosovar

Zot e krenar

-Zot e bujar-

mbi këtë dhe

Q'e kam si fe

E përmbi fe:

E kam Vatan!

E kam atdhe!

"Jam eshtër madh,

i vrazhdët jam

e bojalli.

Jam si më sheh

E si më njeh:

kësul-bardh e krye-lith,

krye-lith me një shami,

me tri shami

Për trimëri!"

Dhe më tej:

Më thanë të ik

Ku qelli puthet me dhenë:

Në Stamboll,

Anadoll,

E më tej,

Se vetëm andej

Ka dhé për ne

-Popull pa zot-

Vend boll.

Mirëpo kosovari është i vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për të drejtën e tij legjitime historike, prandaj vikat:

Unë jam këtu nga moti

Kur vetë Zoti

E bëri fushën"”fushë

E malin"”mal.

Unë jam këtu

E do të jem

-dem baba dem-

sa mali të bëhet hi

e hiri mal përsëri!

Petraq Ktona, miku familjar i Dhimitër Paskos, i cili erdhi pas lufte nga Rumania në SHBA, e ribotoi "Poem Kosovar" më 1980, si libër më vete, me shpenzimet e tij, duke kryer një gjest fisnik ndaj autorit, çështjes së Kosovës dhe letërsisë shqipe. Libri hapet me shkrimin e tij In Memoriam, "Si e njoha Dhimitër Paskon," ku ai jep të dhëna me interes nga jeta dhe veprimtaria shkencore e Paskos në Rumani. Në atë kohë Petraqi ndodhej me familjen e tij në Bukuresht, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë nga Korça e Pogradeci. Midis të tjerash ai hedh dritë mbi të ashtuquajturin "mëkat mortor" të Dhimitër Paskos. Pasi e mori fuqinë Antonesku, me prirje diktatoriale fashiste, pohon ai, "si shumë intelektualë të tjerë edhe Dhimitër Pasko që nuk pajtohej me drejtimet politike të qeverisë, u pushua nga puna dhe u dërgua me forcë në frontin Rus, ndonëse nuk ishte nënshtetas rumun... Më në fund, miqtë dhe disa personalitete rumune mundën të bindin autoritetet ushtarake që të mos sakrifikonin një dijetar kaq të vlefshim." (faqe iii-iv). Prof. Sami Repishti në Mbasthanie-n që mbyll librin shpreh konsiderata të larta për poemën duke e cilësuar "një pjesë e pandashme e ciklit epik ilirian." Ai shpjegon se Paskoja u dërgua në Kosovë për të zbuluar "kush vjedh e si vjedh," por atje me vetëdijen e intelektualit atë e preokupon një problem tjetër më i rëndësishëm, qëndresa e kosovarëve në tokën e tyre amtare kundër politikës sllave të shpërnguljes drejt Anadollit. Ky shqetësim e nxiti të merrte penën e të shkruante me vrull "Poem Kosovar," dy nga pesë këngët e të cilit mbajnë titullin kuptimplotë QËNDRESA. Në komentin për cilësitë artistike të poemës, prof. Repishti vëren: "Zanoret e gjata fundore tingëllojnë si zanet e bariut që kërkon bagëtinë e humbun ose frikëson bishën mishngranëse. Ato zane rrokullisen me vrullin e nji orteku, në fraza të shkurta, si mallkime, me pasthirma, si klithma zemrash të plagosuna, ndjekin njeni tjetrin si shkambij qiklopikë epopeshë..."

Interes të veçantë paraqet për lexuesin diskutimi i Dr. PAS me vetveten: "Një fjalë mbi dy shokë e mbi veprëzën e tyre" ku ekonomisti Pasko, diskuton me Izedin Jashar Kutrulinë dhe Mitrush Kutelinshkrimtarin, poetin, eseistinpse iu desh të merrej me letërsi. Kuteli aty shpalos pikëpamjet e tij estetike, duke zbutur rivalitetin midis shkencëtarit dhe artistit si pasojë e detyrimeve morale. Ai i zbulon lexuesit se Izedin Jashar Kutrulia, pseudonimi i tij i pëlqyer, e ka zanafillën prej Kosovës, se ai është person fizik, të cilin e njohu në Prizren në maj të vitit 1943. Shënimet e Dr. Pas mbajnë datë 21 shkurt 1944.

E lexova me ëndje poemën e fuqishme të Mitrush Kutelit dhe e kam dëgjuar të recitohet disa herë në aktivitetet politike dhe festive të komunitetit shqiptar në Amerikë, sidomos gjatë vitit 1999, kur ziente lufta në Kosovë.

Dr. Nasho Jorgaqi vëren: "Poezia e Kutelit është kënga e një këngëtari të sinqertë, këngë e mbrujtur me ndjenja të pastra dhe mendime fisnike."

Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, Mitrush Kutelit iu botuan veprat, u rivlerësua si shkrimtar duke zënë vendin e tij të merituar në letërsinë shqipe. Por ai është si një minierë e pasosur dhe brezat e ardhshëm do të gjejnë te veprat e tij vlera të tjera të çmuara. Kuteli është një liman i qetë plot hijeshi, ku udhëtari mund të çlodhet e të soditë me përmallim peisazhin duke ndierë puhinë e duhmën e tokës amtare nëpërmjet gjuhës së tij të pasur e të pastër.

NAUM PRIFTI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.