E Djelë, 09.15.2019, 05:19pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

DEMOKRAT I ANATEMUAR - PROFESOR SEFULLA MALËSHOVA

Nga NAUM PRIFTI


E Shtunë, 06.05.2010, 10:00am (GMT+1)

Sefulla Malëshovën nuk pata rast ta takoja asnjëherë, por qëkur lexova poezinë "Si e dua Shqipërinë," në antologjinë e klasës I të shkollës unike, kisha simpati të madhe për të. Poezinë e mësova përmendësh, pa na e dhënë detyrë mësuesi.

Më vonë, nga mesi i viteve ’50, dëgjova se Sefulla Malëshova ndodhej në Patos dhe punonte si magazinier te një nga depot e ndërmarrjes së naftës. Këtë ma tha kunati im Dhori Çaushi, i emëruar ndihmësmjek-dentist në Patos. Në fakt Sefullain e kishin internuar në Patos dhe sipas rregullit duhet të flinte në dhomë më vete, po për ngushticë strehimi, e rrasën tok me 5-6 djem të rinj beqarë. Kjo ishte një tjetër shëpërfillje për të. Flinin si në konvikt, me shtrate druri ala-marinarçe, një poshtë, tjetri sipër. Dhori më tregonte se në stinën e ftohtë të dimrit, profesori mbështillej me batanie dhe kërrusur mbi shtrat lexonte ose shkruante.

Në foto: Sefulla Malëshova

Në periudhat e shkurtëra të zbutjes së luftës së klasave, Sefullai erdhi disa herë në Tiranë për punë personale, sigurisht duke marrë lejë nga Dega e Brendshme e Fierit. Zbutjet ishin si pranvera të hershme, të cilat pasoheshin gjithmonë nga acare dimri më të hidhura.

Një ditë, ndërsa ndodhesha përpara Liceut Artistik duke biseduar me Prof. Skënder Luarasin, pashë të kalonte te ana tjetër e trotuarit një burrë i moshuar, me ecje të qetë, paksa i ngadalshëm, i përqëndruar, pa shikuar as majtas as djathtas.

- E njeh atë burrë? – më pyeti profesor Luarasi.

- Më duket se jo, - i thashë.

- Profesor Sefulla Malëshova. – më tha ai. E thërriti me emër dhe Sefullai ktheu kokën e përshëndeti me dorë, buzëqeshi hijshëm me mirësjellje dhe vazhdoi rrugën e vet. – Në Tiranë ai u mënjanohet takimeve se dyshon që e gjurmojnë. Tregohet i kujdesshëm, për të mos vënë asnjeri në pozitë të keqe, - më tha ai.

Prof. Luarasi që shquhej për guxim qytetar, nuk druhej ta takonte e të bisedonte me të internuarin Lame Kodra, pseudonimi letrar i S. Malëshovës. Madje disa herë ngacmonte edhe kolegët e tij, që kalonin pranë tyre dhe bënin sikur nuk i shihnin. "I dashur mik, a nuk po e njeh Prof. Sefulla Malëshovën?" Paksa të turpëruar, kolegët i kërkonin të falur, këmbenin dy fjalë formalisht dhe largoheshin me vrap, nga frika se mos i shihte kush që po takoheshin me një person të damkosur nga partia.

Prof. Sefulla Malëshova u përjashtua nga Byroja Politike qysh në vitin 1947, i akuzuar si oportunist dhe properëndimor. Këto cilësime të PPSH janë të mjaftueshme për ta ngritur figurën e tij në piedestalin e demokratëve.

PARASHIKIM GJENIAL. Në Plenumin e Beratit tetor 1944, Sefullai e kritikoi ashpër Enver Hoxhën për lëkundje të vijës së partisë midis dy ekstremeve, oportunizmit dhe sektarizmit. Vrasjet e kundërshtarëve politikë nga njësitet guerrile a nga atentatorët, në rrugë e nëpër lokale, të kryera me urdhër të Partisë, ai i cilësoi akte terroriste. Parrulla e përdorur prej tyre "në emër të popullit," nuk kishte asnjë bazë ligjore. Paralajmërimi i tij se po të vazhdonte partia në këtë rrugë, do të katandisej në një grup vrasësish e kriminelësh, të cilat Enver Hoxha i servir si akuza te një nga veprat e tij, doli se ishte parashikim gjenial, të cilin e vërtetoi koha. Ndërkohë Prof. Malëshova po në vit bëri gabimin e pafalshëm taktik të propozonte krijimin e postit të kryetarit të Partisë. Askush nuk mund ta pretendonte atë post, veç Sefullait, që kishte të gjitha premisat e mundshme në bagazhin e vet: aktivitet të gjatë patriotik që nga 1924 me Fan Nolin, veprimtar i KONARE-së, (Komiteti i Çlirimit Nacional) e krijuar në Vienë më 1925 nga emigrantët e majtë, universitar me diplomë, pedagog filozofie në Bashkimin Sovjetik, njohës i gjuhës ruse, aktivist me përvojë revolucionare, shkrimtar me krijimtari të pasur letrare e publicistike. Kjo iu duk sfiduese Enver Hoxhës, sepse detyrimisht sekretari do të spostohej në plan të dytë, prandaj e hodhi poshtë si të panevojshme dhe të parakohëshme.

Në politikën e jashtme Sefullai tha se duhej mbajtur distancë e barabartë midis Bashkimit Sovjetik, Amerikës dhe Anglisë, mirëpo vënia e Aleatëve të Mëdhenj në të njëjtin plan, sfidonte Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik, çka i dha rast Enver Hoxhës ta damkoste si oportunist. Në politikën e brendshme S. Malëshova kërkonte përkrahje për zhvillimin e tregut privat, gjë që mjaftoi të kritikohej si liberal.

Historikisht të gjithë ata që guxuan ta kritikonin Enver Hoxhën në plenumin e Beratit, e pësuan më vonë dhe u eliminuan njëri pas tjetrit nga mjeshtri i "prapaskenave" Enver Hoxha. I pari e pësoi intelektuali Sefulla Malëshova. Për ta mënjanuar, Enver Hoxha kërkoi përkrahjen e Koçi Xoxes, Pandi Kristos, Tuk Jakovës, Kristo Themelkos, Gogo Nushit, Hysni Kapos, Manush Myftiut, njerëz me shkollë fillore, ose të mesme, ose e shumta me një a dy vite arsim të lartë. Kështu të pashkolluarit dhe gjysmë të shkolluarit, e hoqën qafe me gëzim e lehtësim profesorin e nderuar, para të cilit ndiheshin të bezdisur nga kultura dhe horizonti i tij. Kompleksi i inferiotetit mori shpërblimin e merituar me përjashtimin e tij.

Pas përjashtimit nga Byroja Politike, filloi e tatëpjeta e përjetshme e Prof. Malëshovës. E shkarkuan edhe nga posti i Ministrit të Arsimit, madje nuk e lanë as kryetar të Lidhjes së Shkrimtarëve. Në gusht 1947, u provokua Konferenca III e Lidhjes së Shkrimtarëve. Dr. Dishnicës iu kërkua të bënte autokritikë për parathënien e tij në librin "Vjersha" të Sefulla Malëshovës ku ai i jepte atribute të çmuara si poet e mendimtar. Ndryshe nga ç’pritej, Dr. Ymer Dishnica deklaroi se nuk i hiqte asnjë presje parathënies që kishte shkruar. Kjo i zëmëroi autoritet dhe si pasojë Sefulla Malëshova, e po ashtu Ymer Dishnica dhe Skënder Luarasi që dolën në mbrojtje të tij, u përjashtuan nga Lidhja dhe u hoqën nga detyrat që kishin. Sefulla Malëshovën e degdisën (internuan) në Patos me detyrën poshtëruese magazinier te një depo me hekurishte, Ministrin e Shëndetësisë Dr. Dishnicën e dërguan mjek të thjeshtë në Spitalin e Tiranës, pastaj e "transferuan" në Berat, ku punoi gjithë jetën, deri sa u shemb diktatura, ndërsa Luarasin e hoqën nga drejtoria e teksteve, pranë Ministrisë së Arsimit dhe e emëruan mësues në Shkollën Pedagogjike.

Në Patos Malëshova qëndroi i internuar disa vjet, pastaj e transferuan në Fier. Dy herë ditën, mëngjes e mbrëmje, duhet të paraqitej te Dega e Brendshme në Fier, për të vërtetuar që ishte aty. Kureshtarët e shihnin profesorin të kalonte para sportelit te dezhurni i Degës Brendshme, duke ngritur dorën lart, si t’i thoshte: "jam këtu!" Ky ritual i pandryshueshëm vazhdoi derisa vdiq më 1971.

Shpesh njerëzit pyesin si shpëtoi Sefullai? Si ngjau që Enver Hoxha nuk e pushkatoi, madje as nuk e burgosi, ndërsa figura të tjera më pak të njohura e më me pak peshë i capërleu? Përgjigja është e thjeshtë. Enver Hoxha nuk shihte kurrfarë rreziku prej tij, as imediat, as në potencë, mbasi Sefullai ishte tip meditativ, i mbyllur në vetvete, njeri i letrave, pa shokë, pa shoqëri, i vetmuar si asket.

PERKTHYES I TALENTUAR. Lame Kodra ka përkthyer poezi të zgjedhura nga një sërë autorësh me famë botërore, "Ançari-n" e Pushkinit, "Punëtorët e Avlemendit" të Heinrik Haines, "Mbreti i Tulës" nga Gëte, tufë poezish nga Nekrasovi, prozë nga Bokaçio dhe F. Argondica, dramën "Kopshti i qershive" të Çehovit, prozat poetike të periudhës romantike të Gorkit, "Zgalemi" dhe "Stuhija." Te prozat poetike ai shpesh i nxierr mbiemrat para emrave, "mbi të thinjin shesh të detit," ose "si e zezë vetëtimë," formë disi e huaj për natyrën e gjuhës shqipe, por këtë e bën me qëllim të ruajë kadencën dhe ritmin si në origjinalin rusisht. Thyerja e rregullit u jep vargjeve bukuri dhe elegancë të veçantë pa krijuar kurrfarë disonance.

"Mbi të thinjin shesh të detit, era fryn dhe mblidhen retë. Midis detit edhe reve, kryelartë shkon Zgalemi si e zezë vetëtimë. Prek me krahë ai valët, si shigjetë ngjitet reve, dhe këlthet dhe retë gjegjin gazin-klithmë të asaj shpese."

Në periudhën e zbutjes së tensionit, në kohën e Hrushovit, Malëshovës iu lutën të përkthente nga origjinali dramën e Çehovit "Kopshti i qershive." Ai e përktheu, por u zhgënjye keq kur nuk e pa emrin e përkthyesit në frontespic. Protestoi te drejtoria e Shtëpisë Botuese "Naim Frashëri," se e kishin mashtruar, se nuk ishte e drejtë të mos figuronte emri i tij, por ankesa humbi si zë në shkretëtirë, nuk u përfill. Duket se urdhëri për t’ia fshirë emrin, kishte ardhur nga lart. Shtëpia Botuese iu lut të përkthente edhe vepra të tjera, me kusht që të mos i vihej emri, por Lame Kodra, edhe pse kishte kurdoherë nevoja të ngutshme të kompensonte rrogën e tij qesharake si magazinier, nuk pranoi. Për të dinjiteti personal kishte më shumë vlerë se shpërblimi material.

RISIA QË PRURI MALËSHOVA. Në shtypin letrar shqiptar të viteve ’60-70 u ndez një diskutim interesant midis estetëve dhe kritikëve se kur e si filloi realizmi socialist në Shqipëri, se kujt i takon nderi të jetë bartësi apo nismëtari. Mendimi se themelet i vuri Migjeni, u kundërshtua me argumentin se krijimtaria e tij artistike, nuk dilte jashtë shtratit të realizmit kritik. Dhimbja, mjerimi e protesta ishin të modës në vitet ’30. As kryeveprat e Fan Nolit "Anës lumenjve," "Marshi i Barrabait," nuk u përshtateshin kallëpeve të realizmit socialist. U permendën Qemal Stafa e Veli Stafa, këngët partizane, poema satirike "Epopeja e Ballit Kombëtar" e Shevqet Musarait, por asnjë krijim nuk përmbante elementët bazë të realizmit socialist. Ndërkohë bartësin e vërtetë të kësaj metode të re letrare, Sefulla Malëshovën, nuk guxoi ta përmendte askush. Poezitë e tij të shkruara në prag të luftës dhe gjatë luftës dhe të mbledhura në vëllimin "Vjersha" më 1945 çelën shtegun drejt metodës së realizmit socialist, duke sjellë motive dhe një këndvështrim etik të ri, pavarësisht se më vonë metoda degjeneroi duke u bërë shtesë e politikës së partisë. Poezitë e Malëshovës "Si e dua Shqipërinë" "Punëtori," "Si e dua Shqipërinë," janë modele të shkëlqyera të një konceptimi të ri për artin, nga këndvështrimi proletar.

"S’kam çiflik, e s’kam pallate,

S’kam dyqan me katër pate,

Po e dua Shqipërinë,

Për një stan në Trebeshinë,

Për një gardh e për një mur,

.......................................

Unë e dua Shqipërinë,

Për tërfilin mbi lëndinë,

Për një vajzë gjeraqinë,

Dhe për ujët që buron

Nga një shkëmb e gurgullon

Nëpër lisat gjethe-shumë,

Edhe zbret përposh në lumë...

Unë e dua Shqipërinë

Si poet i dhëmshëruar.

Vëreni sa bukur e jep portretin e dokerit te poezia "Punëtori."

"Ku hamalli nëpër skela,

Ngarkon hekur e varela,

Këmbëzbathur bythëçjerrë

Punon vetëm për të tjerë."

Nuk mungojnë as poezitë me motive shoqërore, të cilat shquhen për muzikalitet me bukuri të jashtëzakonshme. Për këtë arsye ato mbaheshin mend me lehtësi dhe recitoheshin nga njerëz që as nuk e dinin se të kujt ishin ato vargje. Njëherë, gjatë një stërvitje ushtarake në vitet ’70, dëgjova një oficer të recitonte vargjet:

"Këmbëkryq përmbi selishte

Po nis këngën pleqërishte,

Ndez çibukun dhe kujtoj

Djalërinë që më shkoj."

E pyeta nëse e dinte se të kujt ishin vargje.

- Nuk e di, tha, por më pëlqejnë.

Nuk e quajta të arsyeshme t’ia zbuloja autorin, se ndofta do të skandalizohej, por u gëzova që poezia e Sefullait vazhdonte të jetonte në formën e vargjeve popullorë, ose anomimë, e pëlqyer nga të rinj e nga të moshuar.

PARADOKSI: Partia e eleminoi Sefulla Malëshovën duke e dënuar me vdekje civile të ngadaltë, të harruar, të mënjanuar. Por krijimtaria e tij rronte. Në mbyllje të çdo kongresi të PPSH, Byroja Politike dhe delegatët këndonin bashkarisht "Internacionalen," e poetit francez Eugjen Potje, përkthyer shqip nga liberal-oportunisti Sefulla Malëshova. Internacionalja tingëllonte paradoksale në gojën e komunistëve superdogmatikë shqiptarë, të vetëizoluar prej gjithë botës, që bërtisnin vazhdimisht për bllokadë e rrethim të egër imperialisto-revizionist, ndërkohë që shumë shtete perëndimore u ofronin ndihma, të cilat i kthenin mbrapsht, për ego politike dhe kryelartësi boshe.

Lame Kodra me mendimet e tij demokratike, me krijimtarinë letrare, me përkthimet e shkëlqyera, ka vendin e tij në historinë shqiptare, në kulturën dhe në letërsinë shqipe.

NAUM PRIFTI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KOSOVA DHE NJOHJET - GJEOPOLITIKA TJETËRNga SKËNDER BUÇPAPAJ (06.05.2010)
ME RASTIN E DITËS TË SHTYPIT NË KOSOVË NUK KUJTOHET BARDHYL AJETI !Nga ELIDA BUÇPAPAJ (06.04.2010)
MË TEPËR SE NJË GJETJE FORMULE, NJË THYERJE TABUJENga SKËNDER BUÇPAPAJ (06.03.2010)
KUR MIQTË PRISHENNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times (06.02.2010)
DËSHTIMI I FLOTËSEditoriali i Washington Post (06.01.2010)
MË PAK SHTET MË SHUMË SHOQËRINga PIERO OSTELLINO, Corriere della Sera (05.31.2010)
KUTELI - MJESHTËR I FJALËS SHQIPEKujtime dhe kritikë letrare nga NAUM PRIFTI (05.30.2010)
MARRËDHËNIET ME NDËRKOMBËTARËT SHPREHIN AFTËSINË SHTETËRORE TË KOSOVËSNga SKËNDER BUÇPAPAJ (05.29.2010)
TEORIA DHE PRAKTIKANga PATRICK MOORE (05.28.2010)
EsseNAUM PRIFTI, NE DHE PANAIRI I LIBRIT NË BRONX NË NEW YORKNga ELIDA BUÇPAPAJ (05.25.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Shtator 2019  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30          
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]