VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

EMRI NDËRKOMBËTAR I KOSOVËS

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ


E Martë, 06.08.2010, 06:49am (GMT1)

 

Çështja nëse Kosova do të afirmohet në arenën ndërkombëtare me a apo me o ka qenë vija ndarëse e dilemës se a do të triumfojë e vërteta apo e kundërta e saj, qysh kur në horizont përvijohej lëvizja kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, lëvizje që mban emrin e Ibrahim Rugovës.

Deri tash e për kohë më vonë, ajo që do të quhet lufta për një zanore, mbetet në themel të frontit mediatik dhe atij intelektual midis dy linjave deri në triumfin e plotë dhe përfundimtar të së vërtetës së Kosovës dhe asaj shqiptare në tërësi.

Statistikisht, thjesht duke kërkuar në motorët e internetit, është e lehtë, brenda sekondash, të gjesh se versioni i parë, ai me a, është katër herë më pak i afirmuar në botë se versioni me o.

Një ish vartësit tim në RTSH duket se i ka mbetur peng i një jete të tërë, se rreth 18 vjet më parë, një folësi a folëseje në ekranin e vogël i ka dalë nga goja zanorja o në fund të emrit të Kosovës.

Duhet pranuar, në mediat e Shqipërisë, aq më tepër në televizion, Kosova ishte një fjalë tepër e rrallë, prandaj edhe jo lehtë e përtypshme prej tyre. Lajmet për Kosovën vinin nga agjenci të huaja, edhe kur mbanin nistoret e agjencive botërore të lajmeve, ato ishin të huazuara nga agjencia jugosllave e lajmeve dhe ishin gati krejt perifrazime të asaj agjencie.

Për të ardhur deri tek mediat e tjera, lajmet filtroheshin përfundimisht në ATSH, ku në përkthim askush nuk e vriste mendjen për ta përkthyer në shqip edhe vetë emrin e Kosovës, tashmë në radhën e toponimeve të mëdha politike. Dhe nuk ishte për t'u habitur që edhe në ekranin e televizionit të vetëm të Shqipërisë, vendit të fundit evrolindor të nisur në rrugën e demokracisë t'i shkiste gjuha, duke rënë pré e besnikërisë ndaj azhanseve të ATSH.

Fonetikisht, për shkak se ndodhen shumë pranë njëra tjetrës në aparatin e të folurit, zanoret e mësipërme janë më kollaj të ngatërrueshme mes tyre se me të tjerat. Ndaj, falë edhe kësaj hollësie, duhen veshë të stërvitur që të kapen në eter, sidomos në një kohë kur ndjeshmëria ndaj Kosovës në Shqipëri ishte ende gati e papërfillshme.

Ja që veshët e mirëstërvitur nuk mungonin në Shqipëri dhe prirja për të kapur çdo shibël të tij, për ta vënë nën çdo lupë atë, ishte tejet e tepëruar në një Shqipëri ku zeja gati e vetme e qytetarëve të republikës ishte ajo e dëgjuesit dhe shikuesit të RTSH. Për këtë ne duhej të kishim durim dhe ta shikonim më shumë se gjithçka si një privilegj. Me rëndësi do të ishte se prej asaj kohe institucioni kryesor mediatik shqiptar do të merrte në dorë dhe do të vinte në qendër të punës së tij, në qendër të shqetësimeve shqiptare, në qendër të shqetësimeve të kohës çështjen e Kosovës, çështjen më të mprehtë shqiptare.

Kjo kujtesë e të lartshënuarit, më ka sjellë në mendje një editorial të Enver Malokut në gazetën Bota Sot më 1998. Strategu i lajmeve për Kosovën atje përshkruante pikërisht luftën që i ishte dashur atij dhe agjencisë së lajmeve të themeluar e të drejtuar prej tij për t'ia dhënë të drejtën e qytetarisë edhe versionit Kosova në mediat botërore të asaj kohe. Aq shumë ishte ngulitur deri atëherë versioni me o, sa vënia në qarkullim i versionit me a shihej si një sakrilegj i vërtetë.

Në këtë kuptim, në fillim të viteve 2000, natyrisht krejt pa qëllime provokative, iu kërkoja ndërkombëtarëve të Kosovës, atëherë një dukuri e re, që ta jepnin ndihmesën e tyre për afirmimin e emrit të Kosovës në atë mënyrë siç e shqipton dhe e shënon shumica absolute e atyre që e banojnë Kosovën. Kjo, theksoja, do të ishte edhe një shenjë mirësjelljeje ndaj qytetarëve të Kosovës, do të bënte përshtypje më shumë se kushedi sa fjalë të mira thënë atyre.

Realiteti, nga dita në ditë, do ta bëjë të veten dhe emri i Kosovës do të afirmohet në trajtën si e shqiptojmë ne shqiptarët. Kjo nuk do të thotë që përshpejtimi i afirmimit t'iu lihet rrjedhave të pakontrolluara të fatit. Prej kur Kosova ka hyrë në radhën e atyre toponimeve që zënë vend në hartën politike të botës, atëherë edhe sjellja jonë, e qytetarëve të thjeshtë, e shqiptarëve të thjeshtë, veçanërisht - e mbi të gjitha - e shtetarëve shqiptarë, politikanëve shqiptarë, dijetarëve shqiptarë, të jetë qëllimisht e përgjegjshme dhe qëllimisht e përcaktuar.

Dhe mbetet gjithnjë detyrë mbi detyrat e mediave shqiptare për ta pasur në majë të gjuhës e në majë të penës përmbushjen e kësaj strategjie. Pa e vënë në dyshim se të drejtën e afirmimit të emrit ndërkombëtar të Kosovës e kemi në duart tona. Dhe është një mundim, një investim gati simbolik thjesht, nëse për shembull e krahasojmë, me investimin që kanë bërë e bëjnë shtetet e tjera të reja pranë apo larg Kosovës për imponimin e mëtejshëm politik të tyre, çka nis dhe përmbyllet pikërisht tek emri i tyre ndërkombëtar.

SKËNDER BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.