VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TË DALIM PËRFUNDIMISHT NGA INERCITË E TRASHËGUARA PREJ LUFTËS SË FTOHTË

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ


E Premte, 06.18.2010, 07:59am (GMT1)

 

Në një emision bisedor televiziv në Kosovë, tema ishte përafërsisht kjo e shkrimit tim, bashkëpunimi kulturor ndërshqiptar, rritja e komunikimit të gjithanshëm ndërshqiptar, në mënyrë të veçantë rritja e këtij bashkëpunimi dhe komunikimi në relacionin Kosovë-Shqipëri.

I pranishëm në bisedë ishte edhe një diplomat i Shqipërisë në Prishtinë, me sa duket ai që i mbulon në ambasadë marrëdhëniet kulturore. Në debat, ku merrnin pjesë personalitete të shquara kulturore të Kosovës, u ngritën probleme të qëndrueshme të këtyre marrëdhënieve, ndonëse kryesisht në frymën e ankimeve. Këto ankime m'i kujtonin gati pikë për pikë ankimet e anëtarëve të delegacioneve apo ekipeve kulturore të Kosovës që e vizitonin Shqipërinë në vitet 1970. Ankimet atëherë ishin jopublike, bëheshin në takimet dhe bisedat me zyrtarët e Shqipërisë. Atëherë kolegët kulturorë nga Prishtina ankoheshin se Tirana pak troket në Beograd për të krijuar më shumë hapësirë në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e komunikimeve kulturore. Nga ana tjetër, në Prishtinë, nga nivelet e rëndomta kulturore deri te nivelet më të larta politike, përjetohej ndjesia se Shqipëria ushtronte paternalizëm ndaj Kosovës dhe ndaj hapësirave shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme.

Detyrat e ambasadave sot janë mjaft të ndryshme nga ato të kohës së Luftës së Ftohtë, kur Shqipëria ishte vend diktatorial, ndërsa Kosova e trojet e tjera shqiptare në ish Jugosllavi ishin të robëruara dhe nën një shtet diktatorial. Në kushtet e hapjes së ndodhur pas Luftës së Ftohtë dhe në kushtet kur Kosova është vend i lirë, shtet i pavarur dhe sovran me njohje thelbësore ndërkombëtare, marrëdhëniet ekonomike, kulturore, ndërnjerëzore ndërtohen në mënyrë të drejtpërdrejtë. Këto marrëdhënie i lehtësojnë sistemet demokratike të vendeve përkatëse, marrëveshjet ndërshtetërore, i lehtëson në mënyrën më të pakufishme përkatësia kombëtare e përbashkët.

Në rastin e ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, si njohëse e thellë e realitetit të të dy vendeve dhe si përfaqësuese e Shqipërisë, e ka për detyrë të ofrojë të gjithë informacionin e kërkuar të fushës përkatëse nga palët e interesuara apo nga individët e interesuar, nga të dyja vendet. Ajo e ka për detyrë të kërkojë dhe të japë informacione shtesë nëse nuk i disponon momentalisht, qoftë kur këtë ia kërkojnë të interesuarit në Kosovë, qoftë kur këtë ia kërkojnë të interesuarit në Shqipëri. E ka për detyrë t'i lehtësojë komunikimet dhe realizimet e tyre në nivel sa më të përkryer, duke e çuar problemin deri në instancat më të larta të të dyja vendeve. Ambasada, në kushtet e marrëdhënieve normale të ndërsjellëta, i ka dyert e hapura si në vendin të cilin e përfaqëson, si në vendin ku akreditohet.

Siç thashë, në rrethanat e hapjes së pas Luftës së Ftohtë dhe në rrethanat e Kosovës së pavarur e sovrane, marrëdhëniet ndërmjet të interesuarve nga të dy anët e kufirit mund të jenë të drejtpërdrejta, pra pa përfshirjen dhe rolin e diplomacisë së dy vendeve. Atëherë detyra e ambasadës përkatëse mbetet që ta ketë pasqyrën e plotë të të gjitha këtyre marrëdhënieve, të mbarëvajtjes së tyre, të ngecjeve, pengesave, mosrealizimeve, në mënyrë që, kur ta ketë të nevojshme, të përfshihet kur ia kërkon rregullorja e brendshme e ministrisë së Jashtme ose të kërkoj autorizim në nivelet e kërkuara të qeverisë dhe të shtetit të vet për t'u përfshirë në këto procese të marrëdhënieve.

Diplomati i Shqipërisë që merrte pjesë në debatin televiziv të përmendur më lart, e kishte këtë pasqyrë me vete dhe ua shpalosi bashkëdebatuesve si dhe publikut të ekranit të vogël. Natyrisht, marrëdhëniet kulturore, komunikimet ndërshqiptare në përgjithësi, midis Kosovës dhe Shqipërisë në mënyrë të veçantë, nuk kanë të krahasuar me të kaluarën. Megjithatë, është e drejtë të ketë ankime dhe të ngulmohet që këto marrëdhënie të jenë aq të natyrshme dhe aq të përditshme sa marrëdhëniet brenda një kombi e një vendi të vetëm. Pra marrëdhëniet midis Shkodrës e Gjakovës, midis Prizrenit e Gjirokastrës të jenë po aq të lehta sa marrëdhëniet midis Shkodrës dhe Gjirokastrës, sa marrëdhëniet midis Gjakovës dhe Prizrenit. Mundësisht kjo dukuri të shtrihet sa më shpejt edhe në marrëdhëniet me hapësirat shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Kosovën Lindore (Luginën e Preshevës). Dhe kjo ta bëjë të mundur që, për shembull, Shkodra t'i ketë shumë më të lehta marrëdhëniet me Ulqinin, të cilin e ka në prag të derës se me Lezhën që e ka pak më larg. Apo Prizreni t'i ketë shumë më të lehta marrëdhëniet me Tetovën që e ka nga ana tjetër e Malit të Sharit se me Mitrovicën. Ashtu si Korça me Manastirin, Pogradeci me Strugën e tjerë e tjerë.

Infrastruktura fizike, duke filluar nga autostrada Durrës-Morinë, natyrisht që do të ndikojë pa masë në këtë drejtim. Mirëpo duhen përshpejtuar në maksimum ndryshimet e mendësive në anët e ndryshme të kufijve ku ndodhen shqiptarët, në radhë të parë midis Shqipërisë dhe Kosovës, pa i nënvlerësuar asnjëherë marrëdhëniet e këtyre dy vendeve me hapësirat e tjera shqiptare.

Përkundër ndryshimeve që nënvizova këtu, në të vërtetë tejet thelbësore dhe tejet vendimtare, mund të konstatohet jo aq me kënaqësi se marrëdhëniet, komunikimi ndërshqiptar në nivele institucionale vazhdon të përcaktohet shumë nga ato relativisht pak komunikime që janë trashëguar midis nesh prej periudhës së Luftës së Ftohtë.

Në kushtet e Luftës së Ftohtë dhe të veçorive specifike midis Shqipërisë e Jugosllavisë, midis Kosovës së kohës së kushtetutës së vitit 1974 dhe Shqipërisë, midis hapësirave të tjera shqiptare të ish Jugosllavisë dhe Shqipërisë viheshin në komunikim kryesisht elitat zyrtare të të dy anëve të kufirit. Elitat zyrtare gati asnjëherë nuk përkojnë me elitat e mirëfillta, aq më tepër në kushtet e diktaturave që sundonin në Shqipëri e në Jugosllavi dhe veçorive të hapësirave shqiptare atje që ndodheshin nën robërinë e dyfishtë pushtuese dhe nën shtypjen diktatoriale.

Një mënyrë tjetër e ndërtimit të marrëdhënieve ishte ajo e komunikimit me segmente të caktuara të shqiptarëve të ish Jugosllavisë nëpërmjet ambasadave të Shqipërisë dhe formave të tjera inteligjente, pjesë të infrastrukturave shtetërore të Jugosllavisë titiste e post titiste dhe të Shqipërisë komuniste.

Këto dy skema strukturore, mendësitë mbi të cilat janë ndërtuar, kanë funksionuar e funksionojnë ato, duket se vazhdojnë të veprojnë për inerci edhe në marrëdhëniet aktuale të tranzicionit të Shqipërisë së pas Luftës së Ftohtë dhe të Kosovës së pavarur e sovrane në proceset e shtrirjes së njohjes ndërkombëtare.

Nuk është e pamundur, për shembull, që organizimet e shkrimtarëve, të botuesve, të kineastëve, të artistëve të skenës apo të ekranit, të producentëve televizivë, prodhimet e tyre të jenë mbi baza kombëtare, sidomos të mos ndihet më kufiri kulturor midis Kosovës dhe Shqipërisë. Nuk është e pamundur që kjo të shtrihet në fushën e kërkimeve shkencore jo vetëm kulturore, por edhe ekonomike, edhe politike, diplomatike, sociologjike e tjerë e tjerë. Nuk është e pamundur që organizimet të bëhen mbi bazën e interesave të përbashkëta, prirjeve, përkatësive në drejtimet apo rrymat artistike, estetike, filozofike, mbi bazën e interesave të tregjeve kulturore apo më gjerë brenda hapësirës shqiptare apo në konkurime me tregjet e huaja në kinematografi, në botime, në kërkime shkencore, në një mori fushash të tjera.

Nuk është e pamundur që shqiptarët të kenë tekste të përbashkëta shkollore kudo që të ndodhen, nuk është e pamundur që shqiptarët të kenë abetare të përbashkët kudo që ndodhen, nuk është e pamundur që libri shqiptar, kudo që botohet të qarkullojë lirisht në gjithë hapësirën shqiptare, gazeta, revista, botimi shqiptar, prodhimi shqiptar i industrisë kinematografike apo muzikore të qarkullojë lirisht në gjithë hapësirën shqiptare e kështu me radhë.

Dalja nga strukturat e trashëguara të marrëdhënieve të kohës së Luftës së Ftohtë është një detyrë imediate e institucioneve në Kosovë, Shqipëri dhe kudo që jetojnë shqiptarët. Kjo dhe vetëm kjo do t'i bënte të pashpërfillshëm dhe të panevojshëm kufijtë midis shqiptarëve.

SKËNDER BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.