VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PROJEKTUES I GJUHËS NDËRKOMBËTARE ME SHENJA - "JET ERA GLYFS" NGA TOMOR ZAVALANI

Essé nga NAUM PRIFTI


E Martë, 06.29.2010, 09:20am (GMT1)

Më 8 maj të vitit 2004 vdiq në një azil të San Marko, (qytet i vogël në veri të San Diegos), Kaliforni, Tomor Zavalani, autor i një projekti sa madhështor, aq dhe utopik, sikurse krijimi i një gjuhe ndërkombëtare me shenja grafike. Nisur nga qëllimi fisnik të mundësonte komunikimin midis njerëzve me kombësi dhe kultura të ndryshme, ai iu përvesh punës me zell e durim. Në erën moderne, megjithë shtimin e madh të mjeteve të masmedias, të fjalorëve dy-gjuhësh e shumë gjuhësh, problemi i ndërkomunikimit vazhdon të jetë pengesë për përvetësimin e kulturës së popujve të tjerë dhe sidomos për emigrantët, që jetojnë në mjedise të huaja dhe duhet t'i përshtaten vendit. Me problemin e komunikimit ndeshen jo vetëm emigrantët, por edhe turistët, biznesmenët, sportistët. As fjalorët elektronikë, të përdorshëm dhe të lehtë për t'u mbajtur me vete, mjaft praktikë se kanë edhe shqiptimin, nuk e zgjidhin përvetësimin e gjuhës dhe të komunikimit, sepse çdo gjuhë veç fjalëve, ka sistemin e saj gramatikor dhe sintaksor.

Tomor Zavalani lindi më 1921 në Korçë, te një familje me tradita patriotike të shquara. Ai mbaroi me sukses Liceun francez, një nga shkollat e mesme më serioze të paraluftës. Gjatë viteve të luftës mori pjesë aktive në anën e Ballit Kombëtar, mirëpo pas vrasjes së partizanit Qako Bulka, shokut të tij të Liceut, ai i braktisi radhët e tyre, i dëshpëruar që vendi po shkiste drejt luftës civile. Tomori e shihte luftën si tragjedi të popullit shqiptar dhe nuk u drojt t'i stigmatizonte si komunistët, si nacionalistët për vëllavrasje. Pas lufte u arratis në Austri e më vonë në Itali. Në të dy vendet, Tomori i etur për gjuhë e kulturë, vazhdoi fakultete të ndryshme. Më 1957, ashtu si shumë emigrantë të tjerë politikë, erdhi në Amerikë. Një kohë punoi si kamarier, pa iu ndarë studimeve. Shokët e miqtë e tij dëftejnë se Tomori ishte poliglot, ai dinte frëngjisht, gjermanisht, italisht, anglisht, veç shqipes. Pasioni për gjuhët e shpuri te projekti i krijimit të një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme për të gjithë, të cilën e quajti "JET ERA GLYFS" (Glifet e epokës supersonike).

Përpjekje për të krijuar një gjuhë të vetme ndërkombëtare mbishtetërore, ka patur kohë pas kohe nga individë me ideale të larta, në vende të ndryshme, por përpjekjet e tyre nuk u kurorëzuan me sukses, se autorët niseshin nga parimi i gabuar, të krijonin fjalë të reja, të paqena, si bazë e një gjuhe për të gjithë, mirëpo si kalonin disa javë e muaj, fjalët e krijuara i harronin edhe vetë. E vetmja gjuhë artificiale që pati sukses dhe vazhdon të gjallojë edhe sot, është ESPERANTO, e shpikur nga polaku Zamenof, me profesion okulist, njeri i pasionuar pas gjuhëve. Ai vetë zotëronte 11 gjuhë kryesore. Zamenofi pati sukses se nuk shpiku fjalë të reja, por i mori të gatshme nga gjuhët neolatine, e ndërkohë e thjeshtoi sistemin gramatikor në maksimum, duke huajtur nga gjuhët e tjera sistemet më të thjeshta. Për shembull: zgjedhimin e foljeve e bazoi te anglishtja, (duke e njësuar edhe veten e tretë të njëjësit), gjinitë e emrave te latinishtja, përemrat nga gjuhët sllave. Zamenofi e ndërtoi gjuhën Esperanto, mbi një sistem logjik të përsosur, prandaj quhet ndryshe edhe "gjuhë logjike." Kushdo që di frëngjisht, italisht dhe ndonjë gjuhë sllave, mund ta përvetësojë esperanton brenda 15 orësh, sikurse pohon shkrimtari i madh rus LeonTolstoi.

Tomor Zavalani iu kushtua me mish e me shpirt idesë së krijimit të një gjuhë të lehtë e të thjeshtë për të gjithë, të kuptueshme, të shprehur me anë shenjash. Me anë të saj mund të komunikohet lehtë me policët, kamerierët, hotelierët, me punonjësit e bankave, të turizmit, etj. Nga ana tjetër ajo do të ndihmonte fëmijët me zhvillim mendor të ngadalshëm të përvetësonin njohuri elementare të shkrim-këndimit dhe komunikimit. Këtij projekti ai i kushtoi të gjitha energjitë mendore dhe financiare. Sot për sot ne e përdorim gjuhën e shenjave pa qenë te vetëdijshëm për karakterin e saj. Ajo ka gjetur zbatim praktik në disa fusha, si për shembull në komunikacion, te tabelat apo shenjat figurative anës rrugës, te ashensorët, etj. Një njeri me lopatë në dorë, u kujton vozitësve se rruga po rikonstruktohet, një "U" me vijë të kuqe në mes, tregon se nuk lejohet kthimi, tre vija paralele që afrohen, paralajmërojnë kujdes se korsitë shkrihen a bashkohen, dy fëmijë që rendin me vrap dëftejnë se afër ndodhet një shkollë, etj. Nëpër hotelet a restorantet banjat e burrave e të gravet dallohen nga figurat simbolike te dyert e tyre. Një lugë e një pirua tregon se aty afër ka një restorant.

Nisur nga mendimi se shenjat mund të përdoren më gjerësisht në jetën e përditshme, në aeroporte, hotele, restorante, komisariate policie, Tomor Zavalani iu përvesh punës duke hartuar sistemin modern të glifeve. Vetë e daktilografonte tekstin me makinë shkrimi, vetë vizatonte shenjat piktografike e simbolike, pastaj shaptilografonte fletët, i lidhte me kapakë dhe ua postonte gjuhëtarëve, fakulteteve të gjuhësisë, autoriteteve shkencore, shtëpive botuese, gazetave, revistave, agjensive te masmedias, me qëllim ta njihnin veprën e tij, ta vlerësonin dhe ta përkrahnin. Duhej punë kolosale dhe shpenzime të mëdha. Varianti i vitit 1994, që kemi në dorë ka 277 faqe dhe paraprihet nga katër shtypje të tjera, 1980, 1983, 1984, 1991. Tani mendoni punën fizike për të shtypur 277 faqe në 50 a 100 kopje. Këtij projekti Tomori i kushtoi më se dyzet vjet të jetës së tij, duke punuar e ripunuar, duke krijuar variante pas variantesh, gjithmonë më të përsosura, dhe duke harxhuar mijëra e mijëra dollarë, për ta shtypur, lidhur e shpërndarë.

Tomori thekson në parathënie: "Glifet do të plotësojnë dy synime. Nga njëra anë do t'u mundësonin memecëve të komunikonin dhe nga ana tjetër, do të shërbenin si mjet për të ndihmuar komunikimin global në përshtatje me nevojat e jetës së përditshme." Që lexuesi të krijojë një ide për veprën e tij, po sjellim disa shembuj. Shigjeta me drejtim në krahun e djathtë me vizë prapa ka kuptimin → (go) shkoj; në krahun e kundërt ← (return) kthehem; një tortë me disa qirinj tregon ditëlindje, një bredh brenda një rrethi, Krishtlindjen, një glob tregon Botën, një glob dhe disa yje mbi të, universin. Për projektin ai ka marrë lavdërime nga Mbretëresha e Anglisë, nga profesorë universitetesh dhe nga individë të tjerë, ndërsa institucionet dhe shtëpitë botuese nuk shfaqën kurrfarë interesimi. Më 1989 gazeta e madhe "Los Angeles Times" botoi një shkrim rreth projektit të tij me glife, (simbole). Me qëllim a pa qëllim, gazetari shkruante: "Një ish kamarier, Tomor Zavalani, thotë se simbolet e shpikura prej tij mund të shërbejnë si gjuhë universale." E shoqja e Tomorit, Nelly Hellman, (nga e cila ai u nda më vonë), protestoi për cilësimin ish-kamarier si prirje për ta nënvleftësuar dhe diskredituar autorin.

Tomor Zavalani gjithë jetën ia kushtoi metodës së gjuhës me shenja piktografike, duke ëndërruar të bëhej i lavdishëm dhe i pasur, pa arritur as njerën, as tjetrën. Asnjë shtëpi e madhe botuese amerikane nuk u tregua e gatshme të blinte të drejtën e autorit dhe të shiste librin e tij me simbole.

Pse dështoi ky projekt që në pamje të parë duket i arsyeshëm, i dobishëm, madje marramendës? Në radhë të parë se kthimi në shkrimin piktografik, shënon anakronizmë, ka kufizime të shumta dhe lejon interpretime të ndryshme. Piktografia shënon stadin fillestar të shkrimit në historinë e kulturës së njerëzimit. Objektet e pikturuara lexoheshin lehtë, si te librat për fëmijë ku syri tregon syrin, peshku peshkun, zogu shpendin fluturak, mirëpo shkrimi piktografik ishte i paaftë të shprehte koncepte abstrakte si fjala vjen "mendim," "dashuri," "fitim," "humbje," prandaj u pasua nga forma më të ndërlikuara si shkrimi kuneiform, hieroglifet, etj. Fenikasit shpikën simbolet fonetike, alfabetin e sotshëm, që përdoret thuajse nga gjithë bota. Kthimi te glifet, një formë e shkrimit piktografik, kundrohej si gjuhë memecësh, si kthim prapa, prandaj shihej me skepticizmë si nga gjuhëtarët, edhe nga institucionet e profilizuara. E dyta nga radha, por jo nga rëndësia: shtetet me gjuhë hegjemone, (Amerika-Anglia, Franca, Rusia, Gjermania, Spanja,) kurrë nuk i kanë përkrahur projektet e mbigjuhëve, apo të gjuhëve artificiale ndërkombëtare, të cilat i shohin si pengesa për përhapjen e gjuhëve dhe të ndikimit të tyre kulturor.

E kujtojmë me mirënjohje bashkëatdhetarin tonë, të ndjerin Tomor Zavalani, për projektin e tij madhështor për ndërkomunikim global, për zellin e treguar duke punuar vite e vite me radhë si idealist i paepur dhe për veprimtaritë patriotike në shërbim të komunitetit shqiptar në Amerikë.

NAUM PRIFTI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.