VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TONI BLER, LIDERI QË ZURI VEND NË ZEMRËN E SHQIPTARËVE

NGA ELIDA BUÇPAPAJ


E Premte, 07.09.2010, 06:23pm (GMT1)

Tony Blair, kryeministri i Anglisë për dhjetë vjet, nga 1997-2007, ishte transformuesi i partisë Laburiste përmes "New Labour", që e bëri të majtën tradicionaliste drejt një socialdemokracie centriste liberale duke përshtatur një Vijë të Tretë, dhe duke dhënë një kontribut të jastëzakonshëm në reformimin e së majtës europiane.

Tony Blair, solli një fytyrë të re në politikë, përmes Blerizmit me të cilin u identifikua, duke mbajtur qëndrime krejtësisht të reja, që nga përkrahja për integrimet e reja të Europës, tek pozicioni Antlantist, term që derivon nga Oqeani Atlantik, si lidhës i dy kontinenteve, rol që e kryen më së miri NATO-ja. Qëndrimi Atlantist i Tony Blair u shpreh si përqafim i filozofisë të bashkëpunimit mes Europës Perëndimore dhe Amerikës Veriore, (ku futen SHBA dhe Kanadaja) për sa i përket problemeve që lidhen me ekonominë, politikën dhe çështjet e mbrojtjes, përmes sloganit "demokraci, liri individuale dhe shtet ligjor" .

Tony Blair solli një erë të re në marrëdhëniet e Britanisë të Madhe me SHBA, duke i forcuar dhe rigjeneruar lidhjet e vjetra. Si frut i këtij bashkëpunimi ishte edhe qetësimi i Irlandës së Veriut përmes Marrëveshjes të së Pretmtes së Mirë arritur më 1998, një vit pasi kishte ardhur në pushtet.

Tony Blair për dhjetë vjet rresht ishte krahu i djathtë i SHBA, atje ku e lypte nevoja, prej luftës së Kosovës deri në Luftën kundër Terrorit, në ndërhyrjet ushtarake në Afganistan dhe Irak.

Tony Blair ishte nga liderët e parë të Europës që kërkonte ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Kosova ishte provë për NATO-n dhe Perëndimin. Kosova u kthye në vendin ku provoheshin vlerat e Perëndimit dhe vlerat e aftësitë e burrashteteve. Kush e kalonte provën e Kosovës mbetej në historinë e Europës moderne të shekullit XXI.

Dhe Tony Blair ishte nga të parët që e kaloi këtë provë bashkë me Bill Clinton, duke u kthyer në fytyrat më karizmatike të politikës botërore.

Tony Blair, ndonëse në kahe të ndryshme, ishte pasuesi i denjë i Winston Churchill-it, por një Churchill i ri, plot energji dhe vitalitet, me një dëshirë dhe vullnet të zjarrtë për të ndryshuar botën.

Tony Blair, duke krijuar profilin e tij të veçantë ka krijuar një zbrazëti në politikbërjen e Europës dhe të Anglisë, sepse ishte një lider karizmatik që e kuptonte rëndësinë e të vepruarit në çastin e duhur, sepse tragjeditë që kanë ndodhur në Europë iu dedikohen vonesave të politikanëve të kohës, të cilët kanë gabuar në llogaritje.

Qëndrimi i Tony Blair në mbështetje të Luftës të Irakut, u shfrytëzua nga kundërshtarët e tij, por largimi i tij nga politikat vendimmarrëse, sollën një mangësi të zëshme, i cili do të ishte një fytyrë brilante kur u propozua të zgjidhej si President i Këshillit të Europës, një post i krijuar nga Marrëveshja e Lisbonës, por që nuk u pranua nga Gjermania, dhe në vend të tij u zgjodh Herman Van Rompuy, ish-kryeministri i Belgjikës.

Tony Blair është nga ato figura, që të paktën duhen dekada për të ardhur prapë, në mos shekuj. Për të parën herë Partia Laburiste e Britanisë të Madhe, në historinë e saj, arriti që të fitonte zgjedhjet në tre mandate rresht, kur kryetar i kësaj partie ishte Tony Blair. Dhe karizma e Tony Blair ishte unike midis liderëve më karizmatikë të Europës.

Tony Blair bën pjesë në listën e atij grushti njerëzish të cilët i duhen njerëzimit dhe Zoti i ka krijuar që të mbajnë peshën e përgjegjshmërive, midis burrashtetasve më të fuqishëm të planetit, të destinuar që të ndyshojnë për të mirë faqen e planetit.

Për vlerat e tij si politikan, për rolin e tij në Luftën e Kosovës, për meritat e tij si një njeri me vizion, duke e konceptuar të rrezikuat lirinë dhe demokracinë, kur populli i Kosovës përballej me shfarosjen dhe çrrënjosjen e tij; për ndjeshmërinë e tij të lartë për ta ndjerë deri në palcë dhimbjen dhe dramën që ishte duke përjetuar populli i Kosovës, Tony Blair ka zënë një vend të posaçëm në zemrën e popullit të Kosovës, i cili dallohet si vendi me moshën më të re në Europë, ku të rinjtë dhe fëmijët përbëjnë shumicën.

E të hysh në zemrën e popullit të Kosovës, do të thotë të thotë të hysh në zemrën e historisë së Perëndimit si vigan liberator. Politikanë si Tony Blair meritojnë të japin kontributin e tyre të përhershëm në politikbërjen, sepse janë të aftë të kryejnë vetëm vepra të mira, pasi disponojnë energji pozitive, pa të cilën bota mbetet e rrezikuar të përpihet nga energjia negative që pjell indiferenca.

Për të kuptuar rolin dhe peshën që ka një politikan, mjafton që të shikosh se ç'vend ka ky politikan në zemrën e popullit të Kosovës. Sepse kur të do Kosova e vuajtur, të do Zoti. Dhe Tony Blair është padyshim njëra nga ato figura që Kosova e do me shpirt, sepse Tony Blair politikën e ka bërë me zemër, duke i parë shqiptarët e Kosovës me atë përkushtim si të ishin shtetas britanikë, sepse në fund të fundit Kosova është pjesë e Europës. Dhe demokracia europiane nuk mund të quhet e bërë pa u integruar në të çdo pëllëmbë tokë e Europës.

ELIDA BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.