VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SREBRENICA ME VERSIONIN E TRAGJEDISË NË SHQIP

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ


E Hënë, 07.12.2010, 06:50am (GMT1)

 

Po të kërkosh fjalën Srebrenica, përkatësisht masakrën që mban emrin e saj, në Wikipedi, enciklopedinë virtuale, do ta gjesh atë të pasqyruar tejet gjerësisht, me të dhëna të përditësuara sipas risive të ndriçimit të tragjedisë, në të gjitha gjuhët e botës dhe në të gjitha alfabetet e botës, që nga alfabeti latin te hieroglifet arabe, perse e ato kineze dhe japoneze.

Në versionin e saj në shqip tragjedia përshkruhet vetëm me katër rreshta gjithësejt, ndërsa Srebrenica, komuna dhe qyteti, përmban nja dhjetë rreshta gjithësejt, edhe këto 4 dhe 10 rreshta janë shkruar më 5 korrik 2010, pra nja pesë-gjashtë ditë para këtij shkrimit tim.

Srebrenica është krimi më i madh kundër njerëzimit në Evropë pas atyre të Luftës së Dytë Botërore, është një krim i përmasave planetare, si çdo krim edhe ai me autorët e tij dhe me viktimat e tij. Klasifikimi i tij, si i çdo krimi, mbetet në kujtesën e njerëzimit jo aq nga shifrat, aq tronditëse, sa nga neni e kryeradha ku e vendos drejtësia ndërkombëtare, sa nga fakti se kush i vuan pasojat e ndëshkimit të krimit, në çfarë përpjesëtimesh dënohet viktima dhe në çfarë përpjesëtimesh dënohet autori, pra xhelati, në çfarë fromulash ngatërrohet autorësia e krimit.

Më 11 korrik 1995, Beogradi ndërmerrte Srebrenicën, duke bërë çmitizmin përfundimtar dhe të pandreqshëm të rolit të bashkësisë ndërkombëtare në luftërat e ish Jugosllavisë, në revanshin e Beogradit kundër ish anëtarëve të ish federatës, për të arkitekturuar një Serbi të Madhe të re.

Nga 11 korriku 1995, bashkësia ndërkombëtare do të përpiqej të shpëtonte pjesën e mbetur të fytyrës së saj, përballë rrokullimës së pandalshme. Mospengimin ushtarak të kryerjes së masakrës, bashkëveprimin nëpërmjet mosveprimit, pra të qëndruarit pasiv kur duhej zbatuar të qëndruarit aktiv, Beogradi i mori si dritë jeshile për ta realizuar projektin e tij millosheviçian.

Zhbirja e komunës së Srebrenicës dhe e qytetit të Srebrenicës, pra shfarosja me rrënjë e vendësve, bëhej nga Beogradi për të realizuar integrimin e plotë të Republikës Serbe të Bosnjës. Sot kjo hapësirë është pjesë pikërisht e kësaj republike.

Marrëveshja e Dejtonit do të ndalonte përhapjen e mëtejshme të Srebrenicës, në Bosnjë dhe në Kroaci. Beogradi i Millosheviçit projektin srebrenicas do ta zbatonte me një shfrenim të paparë në Kosovën e viteve 1998-1999, madje do ta zbatonte edhe nën predhat e aviacionit të NATO-s, përkatësisht fushatës së bombardimeve ajrore 78 ditore të pranverës së atij viti.

Edhe Srebrenicat tona së paku të ishin të plota në gjuhën shqipe. Mundësisht të ishin në sa më shumë gjuhë.

Srebrenica, prej 11 korrikut 1995, vazhdon të mbetet një krim pjesërisht i ndriçuar, prandaj edhe me drejtësi pjesërisht të shqiptuar. Përveç kurthit të fajësimit të viktimës, bashkësia ndërkombëtare u shtyt nga Beogradi edhe në kurthin e autorësisë së paplotë dhe autorësisë së papërcaktuar të krimit. Mbeti një krim me gjysmë ADN-je. Kjo do të çonte në lojërat e derisotme midis Beogradit dhe bashkësisë ndërkombëtare, duke mos u guxuar asnjëherë t'i tregohet vendi i merituar Beogradit.

Duke ua hedhur një shikim sot marrëdhënieve të Beogradit me fqinjtë e vet, ne detyrohemi të konstatojmë se vetëm Kroacia dhe kroatët i kanë zgjidhur përfundimisht çështjet e kontestuara mes tyre. Nuk është kurrkund për t'i zgjidhur Bosnja dhe boshnjakët. Nuk është më mirë Kosova, nuk janë më mirë shqiptarët.

Prandaj Srebrenica, kujtesa e saj, janë terapia më e mirë për çdo komb me shqisën e së ardhmes. Kroacia dhe kroatët kanë zbrapsur në mënyrë vendimtare revanshizmin e Beogradit. Srebrenica e 11 korrikut 1995 e Bosnjës, Srebrenicat e tjera anonime apo me emër gjithandej në hapësirën ku ndodhën luftërat e atyre viteve, Srebrenicat tona të viteve 1998-1999, si kulmin i Srebrenicave 100 vjet rresht të Kosovës, na e kujtojnë se revanshizmi mbetet kërcënues. Ashtu si ekziston modeli Srebrenicë, modeli revanshist i zbatuar nga Beogradi, ashtu ekziston edhe modeli antirevanshist. Nëse nuk parandalohet do përballur me sukses.

SKËNDER BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.