VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SERBIA NUK MUND TË KETË FAT MË TË MIRË SE KOSOVA

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ


E Enjte, 08.05.2010, 05:22pm (GMT1)

Pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë absolute të pavarësisë së Kosovës, Serbia dhe përkrahësit e saj janë duke lëshuar sërish në tregun ndërkombëtar të delireve dhe halucinacioneve idenë se serbët e pranishëm në Kosovë nuk do të lejojnë asnjëherë që Kosova e pavarur dhe sovrane të jetë shtet funksional.

Kështu ata nuk po bëjnë asgjë tjetër veçse po ringjallin tezën me të cilën Sllobodan Millosheviçi erdhi në pushtet dhe ndërmori luftërat kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës, kundër sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve, luftëra me të cilat Serbia e mbylli shekullin e kaluar dhe e filloi shekullin e ri.

Detyrohemi kështu t'ia rikujtojmë Serbisë, t'ua rikujtojmë atyre që bien viktimë e miteve të saj dhe parodive millosheviçiane të këtyre miteve, se Serbia ka më shumë pakica të pranishme në shtetin e saj se çdo fqinj i saj, pra ka më shumë pakica se Kosova, Bosnja, Kroacia, Hungaria, Rumania dhe Bullgaria. Madje kur i është dashur të krenohet me multietnicitetin e saj Serbia ka vënë në pah se në shtetin e saj jetojnë me dhjetëra pakica.

Logjika e thotë vetvetiu se, nëse Serbia përdor pakicën e saj në Kosovë apo në një pjesë të Kosovës, atë të veriut - për shembull, që të mos e lejojë Kosovën të jetë një shtet funksional, atëherë automatikisht, është e sigurt se Serbia vetë nuk do të lejohet të jetë shtet funksional. Nuk do të lejohet jo vetëm në një pjesë të saj, por në shumë pjesë të saj, jo vetëm atje ku pakicat ekzistojnë në mënyrë kompakte, por edhe atje ku janë jokompakte. Jo për gjë tjetër, por destruktiviteti është një sëmundje që përhapet më kollaj se çdo sëmundje tjetër. Jo për gjë tjetër, por ngaqë është e pavdekëshme filozofia se çfarë do të mbjellësh do të korrësh, se po mbolle erën do të korrësh furtunën - e tjerë. Nëse të korrat apo të vjelat e atyre që ka mbjellë dhe kultivuar Serbia duken të vonohen, aq më keq për të.

Serbia dhe përkrahësit e saj hedhin më tej tezën se prania serbe në Kosovë, përkatësisht prania e kësaj pakice në veriun e Kosovës do të përdoren për ta shndërruar Kosovën në konflikt të ngrirë, të paktën për ta shndërruar veriun e Kosovës në konflikt të ngrirë. Edhe kjo përpjekje do t'i shndërrohet në bumerang, sepse shumë pjesë të Serbisë do të ktheheshin në zona të konflikteve të ngrira, dhe vetë Serbia do të shndërrohej në konflikt të ngrirë.

Nëse Serbia nuk nguron që t'i përdorë të gjitha infrastukturat e saj në marrëdhëniet ndërkombëtare për ta mbytur kauzën e Kosovës dhe kauzën shqiptare, atëherë fqinjët e saj nuk ka pse të ngurojnë aspak që ta përdorin infrastrukturën e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare për ta mbytur kauzën millosheviçiane apo neomillosheviçiane.

Askush nuk ka pse t'ia fshehë Serbisë se koha, për më shumë se këdo tjetër në rajon dhe në kontinent, punon për shqiptarët. Kjo jo vetëm për faktin se ndaj shqiptarëve janë bërë padrejtësitë më të pafalshme në dy shekujt e kaluar dhe ato duhen ndrequr pashmangshëm, por edhe për faktin e thjeshtë se shqiptarët janë kombi më vital në gadishull dhe në kontinent, kombi në lulëzimin më të plotë në gjithë këtë hapësirë.

Serbia, duke u zhytur në humbjen e logjikës së saj, edhe më keq se në periudhën e Millosheviçit, tregon se ndodhet në krizën më të gjithanshme, më të thellë dhe më të pakthyeshme. Ajo që, deri para pak vjetësh, donte të zotëronte gjithë pjesën perëndimore të gadishullit, tash e shikon të qartë, me sytë e saj, se nuk mund ta zotërojë as vetveten. Nëse absurdi millosheviçian ishte një çmenduri, absurdi postmillosheviçian është një vetasgjësim.

Kur i filloi luftërat kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës, Serbia mendonte për një fat më të mirë të saj - ku e ku - se të fqinjëve. Historia dha verdiktin e saj dhe sot fati i Sllovenisë dhe Kroacisë fare qartë është - ku e ku - më i mirë se i Serbisë. Verdikti i historisë është që edhe Kosova të ketë të njëjtin fat si Sllovenia dhe Kroacia. Me verdiktin e saj, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk bëri gjë tjetër veçse konfirmoi verdiktin e historisë.

Kush nuk e ka kuptuar këtë verdikt, kush vazhdon të mos e kuptojë këtë verdikt as pas kaq ditësh, do të katandiset në bashkautor të pashpresë të Serbisë. Dhe historia do ta dënojë për të pasur të njëjtin fat me Serbinë. Pa të keqen e asnjërit prej kombeve fqinje të Serbisë.

Më e mira që do të bënin për Serbinë përkrahësit e saj, do të ishte ta frenonin Serbinë në revanshin e saj të mëtejshëm kundër Kosovës, t'i frenonin - po ashtu - tundimet e veta dhe të distancoheshin përfundimisht nga theqafja ku ndodhet Serbia.

SKËNDER BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.