VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KUÇEDRA SHMANGET VETËM NË ASAMBLENË E PËRGJITHSHME

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ


E Djelë, 08.08.2010, 07:34pm (GMT1)

Se kërkesa për zëvendësimin e rezolutës tashmë famëkeqe 1244 nuk ishte vetëm një replikë, fjalë e hedhur në një çast, për të mos u zënë ngusht në një tryezë, (praktika të tilla, shfaqje e sjellje të tilla elokuente nuk janë aspak të përjashtueshme, nuk janë aspak të paragjykueshme në diplomaci) e vërtetoi përsëritja përforcuese e kësaj teze edhe në Prishtinë.

Skënder Hyseni, në cilësinë e përfaqësuesit më të lartë të diplomacisë së Kosovës, ngulmoi në mbledhjen e radhës, të para do ditëve, të Këshillit të Sigurimit me temën e Kosovës, se rezolta 1244 duhet zëvendësuar, ngaqë kësaj rezolute i ka ikur koha prej më shumë se një viti e gjysmë, ngaqë kjo rezolutë është kthyer në pengesë për proceset e Kosovës, ngaqë kjo rezolutë pas 17 shkurtit 2008 nuk mund të ketë më kurrfarë vlere.

Vetë Hashim Thaçi, Kryeministri i Kosovës, njeriu më i fuqishëm i Prishtinës, theksoi në vijim se "Qeveria ka qëndrime unike ndaj idesë për zëvendësimin e rezolutës 1244 me vendosjen e një rezolute të re për Kosovën". Deklarimi i Thaçit erdhi pas kritikave nga shoqëria civile se Qeveria e Kosovës nuk ka pse merret me rezolutën 1244, ajo vetëm duhet ta forcojë bashkëpunimin me praninë ndërkombëtare në vend dhe të shtojë numrin e njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës, në atë masë sa shteti më i ri në botë të ketë vendin e saj në Kombet e Bashkuara.

Paraqitja në Këshillin e Sigurimit e një projekt-rezolute për ta zëvendësuar rezolutën 1244 është diçka e lehtë. Nëse Prishtina këmbëngul, cilado prej vendeve mike dhe aleate, anëtare në instancën më të lartë të përditshme të Kombeve të Bashkuara, do ta përfshinte këtë projekt-rezolutë në punët e Këshillit të Sigurimit. Dhe gjithçka do të përfundonte me vënien e vetos nga ana e Rusisë. Kjo edhe mund të përsëritej në kuadrin e një loje nervash me kundërshtaren më të fuqishme të pavarësisë së Kosovës, por varet sa do t'ia vlente.

Institucioni ku shmanget vetoja e Rusisë është Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Kosova mund ta ketë gati ose mund ta bëjë gati projekt-rezolutën për zëvendësimin e rezolutës së vjetër brenda afatave ligjore të përfshirjes së saj në debate dhe miratim nga ana e organit më të lartë të Kombeve të Bashkuara.

Rëndom, një dokument hidhet për miratim në këtë institucion pasi të jenë siguruar votat e nevojshme për të pasur suksesin e kërkuar. Mungesa e suksesit ka pasojë, e pakta, shijen e hidhur. Më e keqja, ndërkaq, është se shënon zbrapsje të fuqishme në procesin e Kosovës dhe shndërrohet në frymëzuese të kundërmësymjes së diplomacisë Serbe ndaj këtij procesi. Do të bëhej kështu një dëm i përmasave vështirë të ndreqshme.

Kryeministri Thaçi tha se "diplomacia kosovare ka përfaqësuar vendin në mënyrë të shkëlqyer në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe në Këshillin e Sigurimit" e mbi këtë bazë "Qeveria do të vazhdojë edhe më tej me agjendën e saj shtetërore, për integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare".

Tekstin e kryeministrit, hapësirat mes rreshtave të këtij teksti, unë prirem t'i kuptoj kështu: Qeveria e Kosovës do t'i përmbahet të njëjtit stil, të punës pa bujë e pa zhurmë, për të arritur të njëjtat suksese. Dhe: Qeveria e Kosovës po punon për arritjen e synimeve të reja, ku përfshihet edhe anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Një infrastrukturë e përkryer, e pajisur tashmë edhe me përvojën e suksesshme të përfaqësimit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, është plotësisht e natyrshme, plotësisht e pritshme që, me të njëjtën metodikë, me një racionalitet sa më ekstrem, të shkojë drejt një fitoreje të re, tashmë e cilësisë epokale, drejt një fitoreje të sigurtë. Dihet, në ndeshje të tilla shkohet vetëm për të fituar. Dhe fitorja, miratimi i rezolutës së re në vend të të vjetrës, është e mundshme vetëm nëpërmjet Asamblesë së Përgjithshme.

Unë nuk e radhit vet ndër ata optimistë se kuçedra do të zbutet, se kuçedra do ta mbyllë njërin sy e njërin vesh kur tek burimi i drejtësisë do të jemi ne shqiptarët, do të jetë çështja jonë kardinale, anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara. E radhis veten ndër ata optimistë se verdikti historik i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka krijuar momentin më optimal që ne ta kurorëzojmë epërsinë tonë absolute ndaj kundërshtares më të fuqishme të procesit të Kosovës edhe në Kombet e Bashkuara. Dhe nuk bën kurrsesi ta lëshojmë dore këtë moment.

SKËNDER BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.