VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

A ËSHTË MË E LEHTË TË FITOJMË BETEJËN PËR NJOHJE APO ATË PËR ZHVILLIM ?

NGA FATON BISLIM

E Hënë, 08.09.2010, 02:20pm (GMT1)



Në një shkrim editorial të botuar në të përditshmën prestigjioze Wall Street Journal para pak dite, Ministri serb i Punëve të Jashtme Vuk Jeremiq, u përpoq të paraqiste vendimin e GJND-së si krijimin e mundësisë për hapjen e kutisë së Pandorës duke aluduar në "të drejtën" që ky vendim u ka thenë grupeve tjera etnike anekënd botës për të shpallur pavarësinë dhe për të ndryshuar kufijt e shteteve sovrane.

Mirëpo, vetëm një ditë më vonë, shkrimi i Jeremiqit u godit fuqishëm nga një letër e mikut tim, kryeredaktorit të gazetës shqiptaro-amerikane Illyria të Nju Jorkut, Ruben Avxhiu. Letra e Rubenit u botua në WSJ dhe argumentoi fuqishëm arsyet bazike që kundërshtonin tezën e Jeremiqit. Ai tha se mosnjohja e Kosoves nga Serbia hap kutinë e Pandorës dhe se të njejtën gjë do të bënte GJND sikur të mos e vlerësonte drejtë cështjen e Kosoves. Po ashtu, populli i Kosovës nuk paraqiste një grup etnik brenda një shteti sovran, por një popull të tërë që kishte jetuar nën tmerr, torture, vrasje, masakra, dhe diskiminim kombëtar të paparë ndonjëherë në Evropën e post-Holokaustit. Andaj, Rubeni vazhdoi, çeshtja e Kosovës ishte rast i veçantë!

Gjerësa lexova me kujdes të dyja këto shkrime, e pash të arsyeshme për të elaboruar edhe pak më shumë këto argumente nga një perspektivë tjetër. GJND e tha fjalën e vet. Ajo legjitimoi ndërkombëtarisht pavarësinë e Kosovës. Ne i ofruam argumentet e duhura për të fituar gjyqin dhe i kemi edhe sot argumentet e duhura për të hedhur poshtë tezën e Beogradit se vendimi i GJND-së e hapi kutinë e Pandorës.

Mirëpo, ajo që është më e rëndësishme për Kosovën në këto momente është udhëtimi i saj drejtë zhvillimit. Prishtina nuk duhet të humbet as edhe një minutë duke u marrë me të kaluarën dhe me shantazhet e Beogradit për të kaluarën. Normalisht, kjo nuk do të thot që Prishtina duhet të tregohet e shurdhër apo e verbër kundrejtë Beogradit, por që Prishtina betejën kryesore me Beogradin tani e ka në fushën diplomatike dhe ne OKB e jo më në lidhje me GJND-në. Për këtë, unë kam elaboruar në shkrimin tim të fundit.

Në të njejtën kohë, janë edhe disa probleme të brendëshme që ka Kosova që ndikojnë negativisht në zhvillimin e saj. E, zhvillimi i Kosovës dhe qendrueshmëria e saj ekonomike është argumenti më i fuqishëm për shtetësinë e saj. Përtej betejës diplomatike në arenën ndërkombëtare, Kosova ballafaqohet edhe me një sër problemesh të brendëshme të cilat u bien për barrë institucioneve vendore për t'i zgjidhur.

Ndër kryesoret në ketë mes problemesh është çështja e Mitrovicës. Tani më që Kosova ka marrë bekimin e GJND-së për shtetësinë e vet, cdo vonesë e Prishtinës për të vënë sundimin e plotë të ligjit në veriun e Kosovës është minus për shtetësinë e vendit dhe funksionalizimin e plotë të shtetit të ri. Përtej çështjes politike të vendosjes së rendit dhe ligjit, veriu paraqet edhe vrimën e zezë ekonomike të Kosovës. Kjo e dëmton buxhetin e Kosovës konsiderueshëm dhe si rezultat stërgjatë tejkalimin e barrierave të zhvillimit ekonomik të vendit. Andaj, problemi i veriut të Kosovës është jo vetëm politik, por ndoshta mbi të gjitha edhe ekonomik për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Dhe, gjerësa me këmbëngulje kërkohet si nga bashkësia ndërkombëtare e si nga Prishtina që fokusi qeveritar të jetë në zhvillimin e vendit, atëherë po me këtë këmbëngulje duhet kërkuar dhe punuar në drejtim të vendosjes së plotë të sundimit të ligjit edhe përtej Ibrit. Sa më shumë të prolongohet zgjidhja e problemit të veriut, aq më shumë do të thellohet ky problem, dhe sa më shumë të thellohet, aq më vështirë do të jetë të zgjidhet.

Përveç veriut të Kosovës, problem tjetër mbetet korrupsioni i shumëpërfolur. Ka qytetarë të Kosovës që me të vërtetë besojnë se nuk ka as institucion e as nëpunës në këto institucione që nuk janë të korruptuar. Mirëpo, ka edhe të tillë që besojnë se nuk ka korrupsion në Kosovë dhe gjithëçka që flitet për të është më shumë thashethëme.

Normalisht, në Kosovë ka korrupsion, dhe kjo nuk është veçanti vetëm e Kosovës. Korrupsion ka edhe në vendet tjera. Por, ajo që e dallon Kosovën nga vendet tjera është se korrupsioni në këtë vend mund të jetë i nivelit më të lartë dhe më gjerë i shtrirë. Edhe ky problem konsiderohet si cështje politike, mirëpo realisht është problem bazik ekonomik. Korrupsioni dëmton ekonominë e tregut të lire, pengon ndërmarrësinë, dhe zmbrapsë investimet. Kurse, zhvillimi ekonomik i Kosovës ka nevojë për të gjitha këto, e veçanërisht për investimet e huaja. Andaj, përgjerësa ky problem vazhdon të ekzistojë në Kosovë, të kota do të jenë përpjekjet për projekte zhvillimore në këtë vend.

Marrë së bashku, problemi i veriut të Kosovës dhe korrupsioni janë dy probleme kancerogjene të shtetit të Kosovës që thellësisht dëmtojnë të ardhmen e vendit. Andaj, cfarëdo fitore diplomatike e Kosovës në arenën politike ndërkombëtare dhe në OKB nuk do të ketë efektin e duhur përgjerësa brenda Kosovës ekzistojnë këto probleme serioze. Të fitosh betejen diplomatike kundër Serbisë në OKB është më e lehtë sesa të fitosh luftën kundër korrupsionit dhe të zgjidhesh çështjen e veriut në Kosovë.

Të bindësh Tanzaninë apo Argjentitën të njohë Kosovën është më e lehtë sesa të bindësh një zyrtar të korruptuar të mos vjedhë më. Të bindësh Meksikën apo Angolën për të njohur Kosovën është më e lehtë sasa të bindësh Serbët e veriut të pranojnë Kosovën si shtet të tyre dhe të njohin e respektojnë autoritetin zyrtar të Prishtinës.

Përfundimisht, gjerësa këto dy probleme (edhepse ka edhe shume të tjera) vazhdojnë të rëndojnë Kosovën, Kosova do të vazhdojë të mbetet larg zhvillimin të domosdoshëm ekonomik. Dhe, përgjerësa Kosova vazhdon të mos ketë qëndrueshmëri të plotë ekonomike, skepticizmi rreth pavarësisë së saj do të vazhdojë. Prandaj, gjerësa Prishtina tanimë përpiqet të fitojë betejën diplomatike kundër Serbisë, në të njejtën kohë ajo duhet të ecë me hapa të sigurtë dhe të fuqishëm drejtë zgjidhjes së këtyre problemeve të brendëshme që ka. Moszhvillimi i Kosovës do t'i shkonte për shtati argumenteve të Beogradit për mosnjohje të pavarësisë së saj. E kutia a Pandorës do të mund të hapej atëherë kur ky shtet të mbetej i pavarur në letër, por i varur në praktikë. Kosova e meritoi pavarësinë ashtu sic e meriton zhvillimin, dhe me resurset që ka, me politika të mirëfillta, me vullnet të mirë, dhe me vision shtetndërtues, Kosova do të zhvillohet dhe do ta pavarësohet edhe praktikisht në terme ekonomike.
FATON BISLIM


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.