VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

FUQIA RUSE ËSHTË E KUFIZUAR

Nga MELIK KAYLAN, Wall Street Journal


E Premte, 08.13.2010, 02:08pm (GMT1)



Dy vjet më parë, shihja tanket ruse që hynin në Gjeorgji. Rusët pretendonin se po mbronin banorët e Osetisë së Jugut, por, në fakt, gjeorgjianët po mbronin veten nga separatistët që mbështeteshin nga Rusia.

Jam kthyer në këtë zonë dy vjet pas luftës. Rusët tani kanë pushtuar jo vetëm Osetinë e Jugut, por një territor që shkon 20 milje larg nga Tbilisi, kryeqyteti i Gjeorgjisë.

Ata kanë filluar të ngrenë një pengesë me thasë rëre, baltë, pajisje ushtarake, ndërkohë që po ndërtohet edhe baza ushtarake ruse. Është e qartë se planifikojnë një qëndrim të gjatë.

Pushtimi rus zhvendosi 100 mijë gjeorgjianë, të cilët mbeten larg shtëpive të tyre edhe sot e kësaj dite.

Presidenti rus, Dimitri Medvedev, vizitoi Abkazinë, rajonin tjetër të Gjeorgjisë që kërkon shkëputje. Vizita e Medvedevit ishte në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë nga Abkazia, pavarësi që është pranuar nga Moska.

Një perde e hekurt, natyrisht më e vogël se ajo e mëparshmja në Evropën Lindore, po ngrihet në dy rajonet separatiste të Gjeorgjisë. Padyshim që kjo perde duhet hequr, ndonëse do të marrë kohë.

Zonat e ngritura artificialisht, e që varen nga ndihmat e Moskës, historikisht kanë qenë vrima të zeza. Në ato zona nuk zhvillohet biznesi normal dhe konkurrenca, vetëm korrupsioni, trafikimi, kumari, alkoolizmi dhe përdorimi i armëve.

Për dallim, Banka Botërore e rendit Gjeorgjinë si vendin e 11-të në botë për nga lehtësia e të bërit biznes. Dy vjet më parë, gjeorgjianët u ankuan se administrata Bush nuk pranoi t'i shiste armë anti-tank dhe sisteme për mbrojtjen ajrore.

Moska ka qenë dhe mbetet një lojtar shumë i rëndësishëm në izolimin e Iranit dhe në rrugët e Azisë Qendrore, përmes të cilave bëhet furnizimi i trupave në Afganistan.

Në këto kushte shtrohet pyetja se a ka më shumë shpresë për Gjeorgjinë sot se në vitin 2008?

Padyshim që ka. Zyrtarët rusë kanë thënë në vazhdimësi se qëllimi i tyre ishte ndryshimi i regjimit në Tbilisi. Kjo nuk ndodhi. Gjeorgjianët vazhdojnë të mbështesin presidentin Mihail Sakashvili dhe nuk do t'i shtrijnë dorën Moskës si çmim për brutalitetin e treguar.

Abkazët dhe osetianët e jugut do të mësojnë se liria nga Tbilisi dhe varësia nga Moska nuk është liri. Ata do ta shohin vetë se si amerikanët, evropianët, turqit, kazakët apo izraelitët do të investojnë në ekonominë gjeorgjiane të stilit perëndimor, ndërkohë që ekonomitë e tyre do të mbeten në vend pas telave me gjemba.

Në këto kushte, procesi do të zhvillohet vetvetiu. Pasaportat ruse dhe zgjedhjet e menaxhuara nga Moska nuk janë bazë reale për të ardhmen.

Ministri gjeorgjian i Riintegrimit, Temuri Jakobashvili, thotë se "pushtimi vërtetoi kufizimet e fuqisë ruse". "Rusët nuk mundën ta vinin nën kontroll vendin tonë apo të largonin qeverinë, ashtu siç dështuan edhe në synimin për të na futur në sferën e tyre të ndikimit".

Jakobashvili beson se Rusia nuk ka fuqi për të fituar. Pushtimi ishte përpjekja e fundit. "Ata pushtuan rajone strategjike dhe dëmtuan qytetarët tanë, por shumë shpejt do të jenë po ata njerëz që gjoja Rusia i shpëtoi, që do të ndihen të pushtuar".

Shumë prej tyre vetëm sa kanë filluar të ndihen si të tillë. Ndihmat ruse nuk arrijnë deri te popullata e gjerë.

Stili sovjetik i Moskës aktuale nuk duket i ndryshëm nga variantet e mëhershme dhe do të dështojë për të njëjtat arsye si paraardhësi i vetë Për sa kohë që Perëndimi është perëndim dhe Rusia Rusi, fundi i lumtur do të na takojë neve, thotë Jakobashvili.

(http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.