VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PA ZBARDHJEN E HISTORISË DISIDENCA SHQIPTARE NUK DO TA FITOJË QYTETARINË

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ


E Martë, 08.24.2010, 04:59pm (GMT1)

Teksa i shkruaj këto radhë, Bashkimi Evropian po shënon, për të dytin vit rresht, më çdo 23 gusht, ditën e kujtimit ndaj viktimave të të gjitha regjimeve totalitare dhe autoritare, me një fjalë, ditën e të përndjekurve dhe të burgosurve politikë. Dhe nuk vë re asnjë shenjë që diku në hapësirat shqiptare t'i bëhet jehonë kësaj dite qoftë edhe nga vetë viktimat politike, në një kohë kur dihet mirëfilli se asnjë komb nuk ka kaluar përmes aq pushtimesh dhe diktaturash sa kombi ynë.

Jemi kështu një komb me përndjekje dhe burgosje politike, me tortura, pushkatime, varje, genocid të zyrtarizuar politik, me të përndjekur, të burgosur, të varur, të pushkatuar, të përçudnuar politikë dhe, mjerisht, një komb, sipas mendimit zyrtar të të cilit, pa disidencë dhe pa disidentë.

Fjalën disident dhe disidencë mund ta gjesh në fjalorët e çdo gjuhe të botës, por ende atë nuk e gjen në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, në botimin më aktual të tij. Ndërkohë që në parathënien e këtij botimi thuhet se fjalori "është pasuruar me fjalë dhe kuptime të reja... sidomos ato që pasqyrojnë zhvillimet e ndryshimet në shoqërinë shqiptare pas vitit 1990". Edhe tek fjalët "përndjek" dhe "përndjekje" pasqyrohen vetëm kuptimet "përndjekje nga inkuizicioni" apo "përndjekje raciale", por nuk jepet kuptimi "përndjekje politike".

Disident, sipas fjalorëve, është personi që i kundërvihet politikës zyrtare, ndërsa disidencë veprimi që shkon kundër politikës zyrtare, lëvizja përkatëse. Në Shqipëri këto 20 vite është ngulitur mendimi zyrtar se nuk ka pasur disidentë shqiptarë dhe disidencë shqiptare, ngaqë kundërvënia ka qenë në nivelin e pakënaqësisë dhe është mbytur qysh në embrion, pa marrë trajtën e disidencës dhe pa dhënë disidentë. Në këta fjalorë rrënja "dissent" dhe dy trajtat e prejadhura andej, "dissident" dhe "dissidence" përbëjnë një nga familjet më të mëdha të fjalëve.

Përpjekja për ta futur në suaza sa më të imta dhe, në atë mënyrë, për ta përjashtuar nga qytetaria disidentin dhe disidencën në historinë dhe në jetën shqiptare nuk është aspak e paqëllimtë. Nga njëra anë, synon ta paraqesë realitetin sikur viktimat shqiptare të diktaturave dhe të regjimeve pushtuese kanë qenë thjesht viktima të një llotarie. Nga ana tjetër, synon të mos lejojë kulturën e disidencës në shoqërinë e sotme shqiptare. Nuk është e mundur që një komb i cili ka dhënë Mandelët e tij të panumërt, me në krye Adem Demaçin, Pjetër Arbnorin, Osman Kazazin, të mbetet një komb pa kujtesë.

Triumfi i një mendimi të tillë zyrtar ndër shqiptarët, e lë kombin tonë pa histori. Duket se kështu pranohet të ridënohen ata që nuk u pajtuan me luftën e klasave të zbatuar nga diktaturat, nuk u pajtuan me shtypjet kombëtare dhe shoqërore të zbatuar nga regjimet pushtuese. Duket se kështu ridënohen pse ata, me të dy sytë në ballë, me tru në kokë, u bënë të pakënaqur dhe ua hëngrën kokën, ua nxinë jetën pushtimet dhe diktaturat.

Gjithashtu, triumfi i një mendimi të tillë zyrtar ndër shqiptarët synon ta cungojë shoqërinë shqiptare nga kuptimi i gjerë dhe i plotë i disidentit dhe disidencës, i cili gjen shtrirje edhe në kuadrin e demokracive në zhvillim apo të zhvilluara, në segmente të caktuara të tyre apo ndaj dukurive të caktuara të tyre. Disidentë dhe disidencë për barazinë racore, fetare, gjinore, për zgjerimin e së drejtës së fjalës së lirë e të tjera, ka pasur në shkallë të ndryshme dhe ka në shkallë të ndryshme edhe në vendet me demokracitë më të përparuara.

Dallimi rrënjësor midis këtyre shoqërive dhe atyre ku sundojnë regjimet totalitare e autoritare është se shoqëritë me demokraci të përparuar ngrihen mbi prapambetjet e tyre dhe i vënë në piedestal disidentët e shquar dhe lëvizjet të cilat ata i kryesojnë, duke kristalizuar dhe fuqizuar qytetarinë e disidencës në gjirin e tyre. Shoqëritë e mëdha e të përparuara e bëjnë këtë me hapa të mëdhenj, me hope të fuqishme. Shoqëritë e vogla e të prapambetura, siç mund të jetë shoqëria jonë, mund t'i bëjnë me hapa të vegjël, por të pandërprerë.

Në opinionin italian këto kohë cilësohet disident numri dy i partisë më të madhe dhe disidencë lëvizja e përfaqësuar nga ai. Ai është disident ndaj numrit një të partisë. Dhe nëse partia apo kryetari i saj nuk e pranojnë disidencën brenda saj, shoqëria italiane është sovrania e vërtetë. Me votën e saj ajo e shpeh qëndrimin vlerësues ndaj disidencës në gjirin e partisë më të madhe. Rëndësi ka që disidenti dhe disidenca në atë shoqëri e kanë qytetarinë dhe kjo vjen e forcohet në çdo fazë të re të demokracisë së zhvilluar e të përparuar të asaj shoqërie.

Faqja e Internetit america.gov, nën parullën Speak Up! (Fol me zë të lartë!) ia kushton një rubrikë të posaçme disidencës. Dhe kjo konsiderohet si një përbërës themelor i demokracisë, ndërsa fjala e lirë shikohet si katalizator për ndryshime e reforma. Në këtë faqe renditen momente domethënëse të disidencës kundër qeverisë në historinë e njerëzimit, që nga viti 1215, kur baronët anglezë, të provokuar nga ajo që e konsideronin keqpërdorim pushteti të Mbretit Xhon, e detyruan mbretin të nënshkruajë Magna Carta Libertatum (Kartën e Madhe të Lirive), ku përcaktohet që çdo monark duhet t'i nënshtrohet ligjit.

Karta e Madhe e Lirive, duke garantuar të drejtën e habeas corpus, dërgimit para drejtësisë, dhe duke ndikuar më vonë në përpjekjet angleze të zbatimit të ligjit kushtetues, shënoi një hop të madh në drejtësi, sidomos në shmangien e autoritarizmit dhe të çdo keqpërdorimi të pushtetit.

Akti më i freskët historik, i shënuar në këtë faqe të Internetit është viti 1989, kur një grup studentësh, sindikalistësh dhe intelektualësh kinezë bënë një protestë në mbarë vendin, duke kulmuar në Sheshin Tienanmen të Pekinit, ku iu kërkua Partisë Komuniste Kineze zgjerimi i lirive qytetare dhe vendosja e plotë e demokracisë. Përgjigja e përgjakëshme do të vinte me mjete ushtarake më 4 qershor të atij viti.

Në këtë faqe të Internetit më tej shkruhet: "Përgjatë historisë, zëra trima të ngritur kundër politikave të padrejta e kanë çuar përpara kauzën e demokracisë. Shumë prej tyre u përballën me rreziqe serioze; disa vuajtën pasoja të tmerrëshme; të gjithë ndihmuan për të hedhur dritë në mendjen e publikut, ndonjëherë të botës, ndaj padrejtësive, shtypjeve dhe keqpërdorimit të pushtetit."

Sa mund të ngrihet zëri në shoqërinë tonë kundër politikës? A kundërvepron politika ndaj çdo zëri kundërshtues duke u përpjekur me të gjitha mjetet e mundshme për t'ia nxirë jetën sa më shumë? Përgjigja ndaj këtyre pyetjeve e jep realitetin e demokracisë në shoqërinë tonë. Dhe zbardhja, më në fund, e historisë së viktimave politike shqiptare të diktaturave e regjimeve pushtuese, do t'ia jepte qytetarinë disidencës, duke shënuar një hap të madh drejt demokracisë të cilën e gëzojnë sot shoqëritë e përparuara.

SKËNDER BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.