VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

AZEMI, DISIDENTI I LINDUR

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ


E Djelë, 09.12.2010, 04:41pm (GMT1)

 

Një nga ish shefat partiakë të tij, në një intervistë të këtyre ditëve, thotë se Azem Hajdari nuk ishte nga ata që i bindej lehtë disiplinës së partisë, nuk ishte nga ata që iu përshtatej lehtë klisheve të partisë.

Nga ana tjetër, Azem Hajdari ishte një nga motorët më të fuqishëm të partisë, ishte një nga motorët më të fuqishëm të jetës së Shqipërisë dhe të jetës së kombit. Tjetër se forca e tij lëvizëse, e prirur ta shtyjë përpara jetën e partisë së tij, të vendit të tij dhe të kombit të tij ishte në shpërpjesëtim të madh me energjitë e brendshme të këtyre dhe në shpërputhje të hatashme me kahjet e tyre lëvizëse.

Azemi ishte figura tipike e disidentit të lindur. Nuk e duronte sistemin e kalbur komunist. Dhe, në momentin e parë të mundshëm, iu kundërvu në mënyrë të papajtueshme. Nuk i duronte qëndrimet vendnumëro, nuk i duronte amullitë, nuk i duronte kënetëzimet. Nuk i duronte kthimet prapa. Nuk i duronte riciklimet e mbeturinave të regjimit komunist, nuk i duronte revanshizmat e asnjë lloji të të kaluarës.

Nga ana tjetër, Azemi i kuptonte koniunkturat, i kuptonte stepjet e momentit (ngurimet), i kuptonte kompromiset, i kuptonte zbrapsjet e momenti, i falte edhe gabimet me prejardhje nga dobësitë e falshme njerëzore, qoftë edhe të atyre që i adhuronte më shumë. Azemi nuk pajtohej me dogmat, nuk përshtatej me klishetë, nuk mësohej me disiplinën e partisë, por asnjëherë nuk binte në dogmatizëm. E adhuronte partinë e tij, i adhuronte liderët, por asnjëherë nuk binte në iudhjtari. E pranonte çastin, por asnjëherë nuk ia nënshtronte atij perspektivën.

Ndër veprimet e tij disidente mbeten të paharrueshme marrja në dorë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, një organizim sindikalist me rol të madh në përmbysjen e diktaturës, e cila mbytej në një pikë ujë të qelbur të interesave meskine korruptive të disa bashkëpunëtorëve të kreut sindikalist. Kjo është edhe një pikë tjetër e jetëshkrimit të tij, harruar nga enciklopedistët.

E tillë ishte edhe futja e tij në grevën e ish të burgosurve politikë, duke i dhënë zgjidhje, më në fund, një greve që nuk duhej të kishte ndodhur, një greve që do të përbënte një sukses për forcat regresive. Azemi kishte nuhatje të jashtëzakonshme politike dhe e kuptonte se ish Sigurimi i Shtetit po manifestonte grushtin e tij brutal pikërisht në njërin prej segmenteve më aleatë të forcave demokratike antikomuniste në Shqipëri.

Edhe protestat që Azemi organizonte përpara disa institucioneve qendrore shtetërore të atëhershme të qeverisë demokratike, të cilat edhe në gjumin e tyre më të thellë, edhe në kërratjet e tyre më të potershme, nuk e pushonin për asnjë grimcë kohe korrupsionin. Këto protesta ishin një sensibilizim i thellë i pjesës më të përparuar të politikës dhe të shoqërisë, për të mos rënë kurrsesi në amullinë e korrupsionit.

Një veprim i tillë ishte edhe marrja në dorë prej tij e këshillit botues të gazetës Koha Jonë. Duke përfituar nga disa gabime krejtësisht të panevojshme dhe vetëdiskredituese shpesh herë të qëllimshme të praktikës së atëhershme qeverisëse, kjo gazetë po arrinte të manipulonte opinionin e brendshëm kundër demokracisë, si dhe t'iu shërbente faktorëve të jashtëm të prirur negativisht për zhvillimet në Shqipëri dhe për zhvillimet shqiptare në tërësi.

As kundërshtarët më të egër në parti, as armiqtë më të mëdhenj jashtë saj nuk mundën dhe nuk mund ta akuzonin Azemin për prirje anarshiste. Azemi, për hir të dukjes së jashtme të partisë së disiplinuar, nuk pajtohej kurrë me anarshinë e brendshme. Ai ishte i vetëdijshëm se disiplina nuk ka asgjë të përbashkët me vendnumërimin, vendqëndrimin, plogështinë, konformizmin. Ishte i vetëdijshëm se vetëm partitë moniste të vetmin ligj të shoqërisë kanë disiplinën partiake. Ishte i vetëdijshëm se vetëm mafia është e interesuar sa për anarshinë në shoqëri, aq për disiplinën e brendshme të çeliktë.

Sot bëhen 12 vjet nga rënia e Azem Hajdarit. Azemi është një fenomen i pashoq i politikës shqiptare në tërësi. Askush nuk e ka studiuar ende këtë fenomen (të paimitueshëm) në raport me armiqtë e tij politikë: regjimin komunist dhe mbeturinat e këtij regjimi. Do të ishte me shumë interes të ishin studiuar edhe raportet e këtij fenomeni me kundërshtarët brenda partisë së tij. Kështu do të dilte edhe kuptimi i kulluar i disidentit në shoqëritë demokratike, pazëvendësueshmëria e rolit të tij në shoqëritë demokratike.

SKËNDER BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.