VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ESHTON NUK MUND T'I GJUNJËZOHET TADIÇIT
Nga ELIDA BUÇPAPAJ

E Premte, 09.17.2010, 07:08am (GMT1)


Takimi i sotshëm midis Baroneshës z.Eshton (Catherine Ashton ), Përfaqësuese e Lartë e Politikës të Jashtme e Sigurisë të  Bashkimit Evropian dhe presidentit të Serbisë Boris Tadiç është një takim rutinë që nuk do të sjellë asnjë zhvillim të ri.

Nuk jam në Bruksel dhe nuk po e ndjek live takimin midis zyrtares më të lartë të politikës së jashtme të BE-së me presidentin e Serbisë, por mund të bëj bast me cilindo, për t'i shprehur konkluzionet e takimit tani, disa orë përpara mbajtjes së tij.

Takimi Eshton-Tadiç mbahet dy ditë para debatit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku Serbia është e përgatitur që të paraqesë një projekt-rezolutë për Kosovën, e cila bie kryekëput ndesh me qëndrimet e vendeve kryesore të BE, ku përfshihet Britania e Madhe prej nga vjen z.Eshton, Gjermania, Franca, plot 22 vende të BE që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Gjatë javës që shkoi Beogradin e vizituan dy shefat e politikës të jashtme të Gjermanisë dhe Britanisë të Madhe, përkatësisht Guido Westerwelle dhe William Hague, ku të dy shprehën të njëjtin qëndrim mosaprovues ndaj projektrezolutës serbe, duke i kërkuar Serbisë që ta tërheqë atë dhe të mos e paraqesë në Asamblenë e Përgjithëshme, por Beogradi me arrogancë nuk  lëshoi pe as për Westerwelle dhe as për Hague.

Të njëjtën kërkesë si Guido Westerwelle dhe William Hague,  pritet ta bëjë sot edhe z.Eshton, me tone më diplomatike, pasi ajo nuk shpreh as qëndrimin vetëm të Britanisë të Madhe dhe as vetëm të Gjermanisë, por të një institucioni me një përfaqësim prej 27 anëtarësh, pesë prej të cilëve ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithëse zëra nga BE thonë se qëndrimi i z.Eshton do të jetë i frymëzuar nga deklarata e saj e 22 korrikut mbajtur në emër të 27 vendeve anëtare të  BE-së.

Nga ana e tij Tadiçi do t'i përsërisë z.Eshton në kuintesencë të njëjtin refren që i pësëriti në Beograd  Westerwelle-s dhe Hague. Kjo nuk është fare sekret, pasi pak para nisjes së tij në Bruksel, mediat serbe kanë bërë me dije qëndrimin e Beogradit. Sipas tyre Tadiçi do të shprehë gatishmërinë e tij për bashkëpunim me BE, por duke vënë theksin se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Të gjitha thashethemnajat se midis Brukselit dhe Serbisë është arritur në prag të takimit Eshton-Tadiç një marrëveshje sa i përket termave të përdorura në projekt-rezolutë, ndaj të cilave mendohet se është bërë një lustrim apo make-up, këto lustrime nuk e ndryshojnë aspak qëndrimin serb ndaj Kosovës dhe as luftën diplomatike të Beogrdit kundër pavarësisë së shtetit që synon të marrë ndejtësen e 193-të në OKB. Sepse marrëveshje midis Brukselit dhe Beogradit mund të kishte vetëm nëse Serbia, për hir të anëtarësimit të saj në BE, çka mund t'i vihet si kusht nga BE, do të hiqte dorë nga paraqitja e projekt-rezolutës pasnesër në Pallatin e Qelqtë.

Pra megjithë make-up-in e pritur nga ana e Serbisë në tekstin e projekt-rezolutës, në mënyrë permanente kemi një refuzim konstant dhe moskokçarje të saj ndaj qëndrimit për Kosovën të vendeve kryesore të BE-së. Por kjo kokfortësi e Serbisë nuk mund të shkojë deri aty sa të ketë fuqi diktuese tek BE, pasi Serbia nuk është vend anëtar i saj. Po ashtu as pesë vendet e BE-së që deri tani nuk e njohin pavarësinë e Kosovës nuk mund t'i diktojnë qëndrimet e tyre shumicës të vendeve anëtare të BE-së. Pasi Greqia, Rumania  apo Qiproja e mbështesin Serbisë për arye fetare si shtete ortodokse, ndërkohë që BE është një institucion sekular, laik.

Sepse nëse do të vazhdojë kjo valle, nëse Serbia arrin t'i diktojë BE-së ato çka nuk mund t'ia diktojë 22 vendeve anëtare të saj, që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, atëhere kjo do të thotë se Serbia do të gjunjëzojë BE-në. E z.Eshton nuk mund t'i gjunjëzohet Tadiçit e Serbisë. As si baroneshë që është, (aq më tepër kur këtë titull ia dedikon Toni Blerit), vendi i të cilës ka një politikë shumë të qartë ndaj Kosovës, dhe as si zyrjarja më e lartë e politikës të jashme të BE-së. Në të kundërtën duhet të jetë Tadiçi që t'i gjunjëzohet z.Eshton, sepse është Serbia ajo që pretendon se dëshiron të integrohet në BE.

Por problemi emergjent i politikës së jashtme të BE-së ndaj Serbisë është që të dalë sa më shpejt nga rutina, e cila është joproduktive dhe aspak në favor të stabilitetit afatgjatë të rajonit, si pjesë integrale e Evropës.
Nëse Serbia vazhdimisht ka fantazi për të krijuar barriera kundër Kosovës, atëhere i bie edhe BE-së të tregojë aftësinë, inteligjencën dhe fantazinë e saj për t'i rrëzuar këto barriera. Dhe këto barriera nuk i rrëzon rutina, por antirutina. T'i bësh make up projektrezolutës serbe do të thotë  të vazhdosh rutinën, të kesh fuqi për të mos lejuar paraqitjen e kësaj projekt-rezolute në Ansamblenë e Përgjithëshme të OKB-së, siç kërkoi Sekretari i Jashtëm britanik dhe Ministri i Jashtëm gjerman do të thotë të jesh antirutinë. Dhe nëse Baronesha Eshton nuk mund ta bëjë e vetme këtë, për të dalë jashtë diplomacisë rutinore dhe stanjative atëhere le të thërrasë ndihmën e William Hague, Guido Westerwelle, Bernard Kouchner, e me rradhë, të cilët si xhentëllmenë që janë nuk duhet t'ia refuzojnë ndihmën. Pasi këtu bëhet fjalë për të mbrojtur nderin dhe parimet e BE-së, të cilat nuk mund t'i marrë nëpër këmbë një shtet me një të kaluar të afërt tepër rrënqethëse, duke shkaktuar trauma në ish-Jugosllavi, të cilat i shëron vetëm integrimi i rajonit në BE dhe NATO.

(Komenti është botuar edhe tek Bota Sot më 8 Shtator 2010)

ELIDA BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.