VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
LUFTA, VRASJA DHE KTHIMI I KOLONELIT NË KOSOVË Nga BAJRUSH MORINA E Premte, 09.24.2010, 05:49pm (GMT1) Dy krisma në Tiranë - Në shtator të vitit 1998 kanë ndodhur dy vrasje. Që të dy vrasjet kanë ndodhur në terr, në mbrëmje të territ. Që të dyja vrasjet janë bërë pas shpine, vrasje tinëzare. Që të dy të vrarit kanë qenë shqiptarë, njëri pishtar i demokracisë e tjetri strateg i luftës për liri. Edhe Azem Hajdari edhe Ahmet Krasniqi janë vrarë në shtator të vitit 1998. Mes këtyre dy vrasjeve ka vetëm një dallim. Vrasësit e Azem Hajdarit po "kalben" në burg ndërkaq vrasësit e Ahmet Krasniqit janë ende në liri. Vrasja e kolonelit - Në flakën e luftës në Kosovë, në kohën kur makineria serbe ia kishte vënë flakën pothuaj krejt Drenicës, Dukagjinit e pjesëve të tjera të Kosovës, në kohën e ofensivës së fundit të gushtit e fillimit të shtatorit të vitit 1998, një vrasje në Tiranë ka prekur thellë shqiptarët kudo që jetonin, në tmerret e luftës në Kosovë dhe në ethet e luftës jashtë Kosovës. Një vrasje papritur. Për kolonel Ahmet Krasniqin janë shkruar e janë thënë shumë artikuj e fjalë. Përveç atyre që kanë madhëruar figurën e këtij strategu të luftës për liri, ka pasur edhe asish që kanë bërë përpjekje ta baltosin këtë emër të veçantë të fushës së strategjisë ushtarake për liri të Kosovës. Kur sekuencat e pakta të TVSH-së së vitit 1998 dhanë lajmin për emërimin e kolonel Ahmet Krasniqit për ministër të Mbrojtjes së Qeverisë së Kosovës në ekzil, shumica e shqiptarëve që ëndërronin lirinë edhe në frontin e luftës, e pranuan këtë lajm si një shpresë më shumë se liria nuk është larg. Me shumicën bashkëpunëtorëve të Ahmet Krasniqit me të cilët kam biseduar, e kanë përshkruar kolonel Krasniqin si një njeri të dashur, të sinqertë, patriot që kishte vetëm një qëllim, çlirimin e Kosovës nga okupatori serb. Askush prej bashkëbiseduesve të mi nuk më ka thënë as edhe një fjalë të pathënë për Ahmet Krasniqin. Gjithçka që kam dëgjuar e lexuar për Ahmet Krasniqin më ka shtuar dhembjen për atë burrë, për atë strateg të luftës dhe për atë shqiptar patriot. Kjo dhembje pastaj më është shtuar me një lloj mllefi që shpërthente atëherë dhe herë pas here edhe sot: kush e vrau Ahmet Krasniqin? Pse e vranë Ahmet Krasniqin? Pse nuk arrestohen vrasësit e Ahmet Krasniqit?
BAJRUSH MORINA
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |