VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MBYLLJA ME NDER E MISIONEVE NDËRKOMBËTARE

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ


E Martë, 09.28.2010, 08:08am (GMT1)

Të premten u bë e ditur se Ministria e Mbrojtjes e Sllovakisë kishte propozuar t'i tërheqë të 140 trupat sllovake nga Kosova. Këto trupa në përbërje të KFOR.it, misionit ushtarak ndërkombëtar të udhëhequr nga NATO, do të duhet të rikthehen në atdhe në mbarim të këtij viti. Pritet që propozimi i këtij dikasteri të miratohet në qeverinë dhe parlamentin e Bratislavës. Kjo tërheqje, siç e tha edhe zëdhënësi përkatës, do ta mundësojë Sllovakinë për të dërguar më shumë trupa në Afganistan, ku ajo ka në shërbim 300 veta në kuadër të INSAF-it (Forcës Ndihmëse Ndërkombëtare të Sigurisë) të udhëhequr gjithashtu nga NATO.

Një ditë më parë, të enjten, Ministria e Mbrojtjes e Çekisë kishte bërë të ditur se dëshiron të ta tërheqë në mbarim të këtij viti një pjesë nga të 400 trupat e saj të pranishme në Kosovë në të njëjtin mision ndërkombëtar. Numi i trupave të tërhequra nga Kosova do të vendoset po ashtu në Afganistan. Zëdhënësi përkatës tha në Pragë se "përkeqësimi i situatës së sigurisë" në Afganistan e ka bërë të detyrueshme këtë lëvizje, edhe kjo në pritje për miratim nga qeveria dhe parlamenti çek. Trupat çeke që largohen nga Kosova do të jenë 200 dhe do t'iu shtohen 535 trupave të tjera çeke që ndodhen në Afganistan, plus 55 instruktorë të tjerë që parlaajmëroi Çekia të dërgojë për stërvitjen e trupave afgane, gjithnjë në përmbushje të kërkesave të NATO-s.

Për t'i përmbushur detyrat e tyre në Afganistan, edhe vende të tjera kanë bërë më parë kërkesa për zvogëlim të pranisë në Kosovë dhe kanë paralajmëruar mundësinë e tërheqjes, në shkallë të ndryshme, të trupave prej këndej. Ishte në kontekst thirrja e Sekretarit të Përgjithshëm Rasmusen bërë vendeve anëtare të NATO-s, që tërheqjet të mos jenë të njëanshme, por të jenë të bashkërenduara mirë midis këtyre vendeve. Largimet e njëanshme, të pabashkërenduara, të paorganizuara, do ta krijonin një zbaztësirë të mundshme të menjëhershme në Kosovë dhe një mbyllje kaotike të misionit ndërkombëtar më të hershëm të Kosovës, KFOR-it.

Vënia e Afganistanit në vëmendje të plotë dhe ekskluzive ndërkombëtare, duke përmbledhur atje trupa të tërhequra nga Kosova, Iraku, Bosnja, Çadi e vende të tjera, detyron domosdonë e reduktimit të KFOR-it, saqë nga fundi i vitit 2001, këtu të ketë KFOR të përfaqësojë një prani simbolike. Kjo do të shënonte edhe hapin e parë e vendimtar të mbylljes së kapitullit të pranisë së çfarëdo misioneve ndërkombëtare në Kosovë. Përkimi me momente ndërkombëtare të ndikimit ende të madh të krizës botërore, këtë fat do të kenë edhe misionet civile, përfshirë UNMIK-un.

Falë mirënjohjes së rrallë dhe mikpritjes së dinjitetëshme shqiptare të Kosovës, misionet ndërkombëtare kanë pasur këtu gjithë kohën një terren miqësor. Dhe janë të gjitha të dhënat që misionet ndërkombëtare të shkojnë drejt një mbyllje relativisht sa më të shpejtë. Krahas terrenit miqësor, gjithnjë në këtë kontekst, bashkësia ndërkombëtare, me në krye miqtë dhe aleatët tanë të mëdhenj perëndimorë, nuk do të ketë rrugë tjetër veçse t'ia sigurojë një fqinjësi sa më konstruktive e sa më pozitive Republikës së Kosovës, shtetit më të ri të botës.

Kosova ka një kontekst të shkëlqyer bazë në fqinjësinë me Republikën e Shqipërisë, me të cilën ka një atdhe dhe komb të përbashkët, ka një kontekst të qetë në përmirësim të vazhdueshëm me Republikën e Maqedonisë dhe me Republikën e Malit të Zi. Këto vende të cilat ndodhen në prag të integrimeve të plota në Bashkimin Evropian do të kenë detyrë që të bëjnë investime të gjithanshme secila më vete e të tria së bashku për ta ndihmuar përparimin e Republikës së Kosovës.

Bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tashmë do të përqëndrohen për t'ia krijuar Republikës së Kosovës një kontekst sa më të pranueshëm të fqinjësisë veriore. Qetësimi i marrëdhënieve me Serbinë do të kërkojë ndryshimin rrënjësor të politikës së Beogradit ndaj Kosovës fqinje të pavarur dhe sovrane. Ky është objektivi kryesor dhe domethënës i çfarëdo bisedimeve të reja midis Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshimi rrënjësor i politikës së Serbisë ndaj Kosovës, çka do të thotë dhënie fund e çdo politike ngrirëse ndaj fqinjes jugore të pavarur dhe sovrane, do të ngrohë klimën në Ballkan në të gjitha drejtimet, si dhe do të sjellë njohjet e reja të nevojshme ndërkombëtare të Kosovës. Vetëm me ardhjen e këtyre njohjeve, me anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, me futjen e plotë në proceset integruese perëndimore, do të konsiderohet i mbyllur me sukses kapitulli i misioneve ndërkombëtare në Kosovë. Perëndimi, bashkësia ndërkombëtare në tërësi, duke u përqëndruar pastaj sa më plotësisht në Afganistan, do t'i kenë në Ballkan dhe në Evropë shpatullat e sigurta.

SKËNDER BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.