VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - POLEMIKË ME IDE DHE KËNDVËSHTRIMENga VISAR ZHITI

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 07:17am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

POLEMIKË ME IDE DHE KËNDVËSHTRIME

Nga VISAR ZHITI


E Premte, 10.01.2010, 10:13am (GMT+1)



PËRPLASJE ...Krahas vlerësimit të përgjithshëm që iu bë letërsisë së dënuar, risive të saj, vepra të veçanta etj., ka pasur dhe sprapsje e mohime të shpallura publikisht. Intelektualë të socializmit shfaqën mosbesim, kurse shkrimtarë të socrealizmit të braktisur nuk u dhanë atë solidaritetin e domosdoshëm kolegëve të mbetur gjallë nga ferri dhe atë përkujdesjen që ta jep profesioni për letërsinë e tjetrit. Mbas mënjanësisë fshihej smirë për fatin dhe veprat. Në përpjekje për të rivendosur vetveten, larg përgjegjësive, interesi i palëve përgjithësisht ka qenë me ngarkesë negative. Duke mësuar nga metodat e njëri-tjetrit (shkrimtarët e ardhur nga socrealizmi janë më të suksesshëm), është arritur të përhapen dhe opinione të dëmshme ndaj letërsisë në tërësi. Pasi u sha metoda e realizmit socialist duke u mohuar çdo vepër e menduar si e saj, ndërkaq tekstet shkollore të letërsisë vazhdonin siç kishin qenë, pa bërë ndryshime në koncept, ajo që e pësonte, duke u goditur tinëzisht, ishte letërsia e dënuar, edhe pse në kohën e saj.
Po mundohem të rendit disa çështje:


ARDHJA DHE ZËVENDËSIMI(!?)
Ndoshta nisi me një alarm. E dha shkrimtari i njohur Dritëro Agolli, kryetari i fundit i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve shqiptarë në diktaturë. Letërsia e të burgosurve erdhi të zëvendësojë letërsinë shqipe, tha ai. Të tjerë e përforcuan aq sa dukej se po kërkohej rritje e vigjilencës dhe e gatishmërisë ndaj një revolte të re të të burgosurve. Mendoj se në letërsi nuk veprojnë kështu ligjet e rrotacionit dhe askush nuk vjen të zëvendësojë aksh shkrimtar apo letërsi, sidomos atë të socrealizmit. Letërsia që doli nga burgjet, nuk erdhi të bëjë ndërrimin dhe as si alternativë e asaj që ishte, aq më tepër të shembë a të përmbytë. Këto do të ndodhnin dhe pa të. Letërsia e burgjeve vjen, sepse është dhe sjell vetveten. Kaq të drejtë e ka. Alarmi duhej dhënë, nëse ajo do të mungonte.


SASIA


Menjëherë u përfol dhe iu dha edhe medias një dyshim që u vulgarizua, që, duke qenë jashtëletrar, po ngjante me arsyetim detektivësh, do të thosha, sipas të cilit "s'mund të ishte shkruar aq shumë nëpër burgje".
Dhe nisën llogaritë për vitet e dënimit për autorë të ndryshëm (Shqipëria, e pamë, ka bërë burg me mijëvjeçarë), dhe u pjesëtuan me sasinë e titujve të veprave dhe u dilte... e pamundura. Si mund të ishte shkruar aq shumë, thanë. S'duhet të jetë e vërtetë. Megjithatë veprat ishin, e zeza mbi të bardhë. Po dilnin dhe pritej të dilnin të tjera. E si mund të zgjidhet kjo, me ç'gjyq? Autorët e dalë nga burgjet heshtnin. Pritej të flitej për vlera, morale dhe estetike. Të jetuarit nën diktaturë e kërkonte një debat të tillë.
Dhe mosbesuesit iu përgjigjën po vetë pyetjes së tyre, se ish-të burgosurit politikë do t'i kenë shkruar më vonë veprat, në postdiktaturë, dhe u kanë vënë data të dikurshme, të kohës diktatoriale. Edhe të vdekurit ta kenë bërë këtë gjë, me realizëm magjik? Se, sipas tyre, kjo mund të zbulohet dhe nga gjuha e përdorur, nga fjalët e tanishme. Pra, morën rëndësi zotëruese: burgu dhe koha brenda tij. Kur koha dhe vendi s'kanë pasur rëndësi ndonjëherë për vlerat e njëmendta të letërsisë.
Mos ishim të dënuar prapë që veprat tona nuk duhet të prekeshin më? Gati ishim t'i nënshtroheshim një akt-ekspertize të re, si dikur. Ndërkaq lexuesi gjithnjë e më tepër rrëzonte nga sasia e librave të realizmit socialist, duke i nxjerrë nga letërsia.


CILËSIA


Pa dalë ende mirë letërsia e burgjeve, që prapë s'është e tëra e me llavën të nxehtë, u pa e arsyeshme që, pas sasisë së pabesueshme, të goditej më e rëndësishmja: cilësia. Goditja ishte e profesionistëve. U ranë kambanave se gjithsesi s'ishte parë ndonjë gjë e madhe, ndonjë kryevepër a hatá. Pra, na zhgënjyen, thanë, prisnim më shumë.
Prisnit më shumë? Por duhet të prisnit, vërtet. Dhe nuk duhet ta harroni që nëpër burgje nuk u çuan që të krijonin, por që të mos krijonin, me forcë, deri në asgjësim. Burgu s'ishte leje krijuese, as njohje me bazën, me jetën, por marrje e jetës. Prangat ua vunë ndër duar, që të mos shkruanin më, natyrisht dhe me ndihmën tuaj si kolegë.
Prandaj ajo që bënë, e pamundura, duke tejkaluar pengesat deri edhe vdekjen, mbi të gjitha duhet të çmohet si akt, ka brenda rrezikun dhe ankthin e dufin e krijimit, që e ndihmojnë krijimin, mrekullinë e tij në skëterrë, idenë e së pamposhturës. Përveç kësaj është realisht prurje, duhet parë dhe kështu, që përgatit ardhjen e më së mirës.
Por kur lexuesi ka mendim tjetër, vlerësues për letërsinë e dënuar? Edhe kritika. Sado profesionist qoftë, është më vështirë t'i mbulosh vlerat e letërsisë, se sa t'i shpallësh ato. Mjafton dhe një roman, por edhe një tregim, dhe vetëm një poezi, pse jo, dhe vetë akti i të shkruarit...
Në fakt zhgënjyes janë shkrimtarët e realizmit socialist, që, me të rënë diktatura që e mbante me dhunë atë metodë, na zhgënjyen: ata jo vetëm që nuk bënë dot vepra më të mira, me gjithë hedhjet e herëpashershme tek tema e burgjeve dhe e internimeve, por, përkundrazi, treguan se dhe përmasa e lirisë, e dashurisë, s'ishte e mjaftueshme tek ata, as e fshehur. Metoda e socrealizmit kishte pasur shkrimtarët që meritonte.
Gjithsesi sovran është lexuesi. Mund të ndikohet te i tanishmi. Pas tij pret i ardhshmi.

VJEDHJET


Do të doja të ndalesha te vjedhjet në letërsinë shqipe, gjatë periudhës së sundimit të realizmit socialist, që çuditërisht nuk janë trajtuar kurrë si çështje, nuk janë bërë hulumtime dhe as është menduar të ketë dënime, edhe pse ka institucion të mbrojtjes së të drejtave të autorit.
Së pari u vodh letërsi sovjetike, por edhe nën shembullin e asaj letërsie. U përdorën po ato skema, u përsëritën personazhe e ndodhí, gjithmonë më shëmtueshëm e më neveritshëm, aq sa letërsia jonë jo vetëm po qante si e përkthyer, por dhe e tjetërsuar.
Ndërsa mërmëritej, p.sh., që romani epope "Doni i qetë" i Shollohovit nuk ishte i tij - edhe shtypi francez e kishte hedhur këtë dyshim - por i qe marrë tjetërkujt, ndoshta nga të vrarët si kundërshtarë, te ne, nën llogjikën e marrjes së pasurisë së tjetrit, floririt dhe tokave, u grabitën autorë. Dihen që është marrë Fjalori i madh i Mustafa Krujës - Mërlikës. Janë përvetësuar vepra të Mitrush Kutelit, Lef Nosit, Gjergj Komninos, Justin Rrotës, Hekuran Zhitit etj. Është fjala për vjedhje fizike të veprave të tyre, tregime, studime, deri edhe romane. botuar me pas me emra të shkrimtarëve të realizmit socialist.
Bilal Xhaferri falte poezi të vetat, kur s'botoheshin dot me emrin e tij. Janë vjedhur dhe përkthime...
Ndërkaq është vënë re se nëpër dosjet e të dënuarve gjenden krijime, të ngjashme me botime të shkrimtarëve zyrtarë, të atyre që u lejoheshin ato me gjithë dosjet.
Vjedhja, me forma të ndryshme tani, me plagjiatura të rafinuara apo flagrante, po vazhdon, shpesh e mbrojtur nga fama e dikurshme, e shndërruar në siguri e diktat, por sidoqoftë meriton një trajtim të kritiko-ligjoro-penal......


NËPËRKËMBJE, DYSHIME, ALIBI DHE...


Njëri nga ish krerët e Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Partisë, partizan dikur, Dh. S. Shuteriqi, në intervistën e tij më të fundit, u shpreh pak a shumë kështu, se nuk kishte qenë aq budalla sa të binte në burg, por nuk shpjegonte se ç'mençuri përdori për të mos rënë. As krijimtaria e tij letrare nuk e kënaq këtë kërshëri, përkundrazi, na bind në të kundërtën, që s'kishin pse e ta dënonin atë vepër dhe atë autor. Ndërkaq bagazhi i tij kulturor, dija si volum, puna studimore kanë vlera dhe kanë lënë gjurmë. Ndodh që në përurime librash të poetëve të persekutuar, diskutuesit, ndoshta jo pa qëllim, thonë, duke e theksuar dendur se u dënuan për ca "poezi të pafajshme", trille të diktaturës, që dikë e dënonte e dikë jo, etj., etj.
Jam ngritur dhe kam thënë me bindje se nuk janë "të pafajshme" ato poezi, ajo krijimtari, por mbartin brenda kundërshti, emocion tjetër dhe vizion tjetër, nga ato që diktatura nuk i honepste. Dhe, për të parandaluar, ajo dinte të qëmtonte se kë duhej të dënonte.
Shpesh janë dënuar dhe për atë që mund të bënin. Unë di emrin e një kritiku letrar, që i jepeshin hartimet e gjimnazistëve dhe shikonte si ishin shtjelluar dy temat e dhëna: njëra festive, për partinë, dhe tjetra "revolta migjeniane", p.sh. Pastaj ndaheshin nxënësit e temës së parë, si me prirje për karrierë partiake, dhe ata të temës së dytë, e mëpastajmja e të cilëve duhej vëzhguar, se i tërhiqte revolta, mjerimi.
Diktaturat kanë një inteligjencë djallëzore, ndryshe s'do të rrinin aq gjatë dhe për këtë gjë kanë nevojë të përhapin injorancë, jo vetëm nëpërmjet injorantëve, por dhe nëpërmjet intelektualëve të tyre perfidë.
Është arritur të thuhet se diktatori Enver Hoxha dënonte të patalentuarit, kurse të talentuarve s'u bënte gjë. Vërtet? Kujt s'u bënte gjë, të talentuarve për diktatorin?
Dhe përsëritej andej-këndej se diktatura e kishte pasur të vështirë të burgoste shkrimtarë të njohur. Por, jo të pamundur. E kush e pengonte? Njohja që ai ua kishte dhënë e që mund t'ua shkulte si gradat? Por edhe mund t'i zhdukte, madje duke u bërë dhe një varrim madhështor si shkrimtarë të denjë të realizmit socialist. Diktaturat veprojnë pa mëshirë e skrupull, si t'u duhet. Iu deshën këta ose ata shkrimtarë, i mbajti, i la të shkruanin, u dha paga e lavdi, madje edhe ndonjë që e kishte futur në burg a që e kritikonte, për të qenë më i saj. Kë s'donte, e rroposte. Kurse ata që s'e deshën, që e kundërshtuan dhe e luftuan, i trajtoi si të rrezikshëm edhe si kujtim, prandaj mbytte edhe kujtimin për ta dhe lajmin e mbillte ku të donte e si të donte.
Përvoja sovjetike nuk mungonte. Maksim Gorki, babai i realizmit socialist, helmohet në vitin 1936, me Stalinin në pushtet. Mandelshtam vdes në burg. Isak Babel vritet. Anna Ahmatovnas i burgosin të birin. Dramaturgu Vsevolod Emiloviç Mejerchol'd pushkatohet më 1940 si kundërshtar i realizmit socialist e plot të tjerë. Vladimir Majakoski vret veten. Po Sergej Esenini? Preu venat dhe me gjakun e tij shkroi poezinë e lamtumirës. Janë gjetur prova se ai është torturuar nga policia sekrete në hotelin ku u dha lajmi se vrau veten. Pse? Duke qenë poeti i bukur i zhgënjimeve, Partia edhe mund ta burgoste e ta vriste, por duhej zhdukur dukuria e eseninizmit, si një rrugë pa krye. Pra, ai duhej të vriste veten medoemos. Dhe ia organizuan, e detyruan, e masakruan. Gjaku i derdhur dhe poezia e tij e lamtumirës, e shkruar me gjak, natyrisht, ishin të tijat.
E diktatura shqiptare e Enver Hoxhës kujt i druhej brenda? Cilës vdekje dhe cilit lajm? Ajo që dënonte kundërshtarë dhe bashkëluftëtarë, të qenë e të paqenë, të gjallë e të vdekur, histori, popull dhe botë, s'përmbahej nga asgjë, jo më nga librat që botonte vetë. Dhe nga autorët e tyre, që i mendonte pronë të vetën, i kishte dhe bënte ç'të donte.
Por le të dëgjojmë dhe përgjigjen që jep fare shkurt nobelistja angleze, Doris Lessing: diktaturat gjithmonë vrasin më të mirët.


"BASHKËPUNËTORËT"


Dhe kalohet në sulm, deri edhe në media, përfliten se mjaft nga intelektualët, jo vetëm shkrimtarë të realizmit socialist, por dhe nga të persekutuari, kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit diktatorial dhe dalin herë pas here emra, por pa u hapur dosjet.
Jo s'e s'ka të thyer në radhët e të persekutuarve, mbase dhe mjaft, për fat të keq, por të drejtën morale për t'i akuzuar e kanë Ligji që mungon, dhe bashkëvuajtësit e tyre dhe jo ata që ishin pjesë e diktaturës dhe i vunë me dhunë nën shërbimin e tyre e tani i flakin, duke i ridëmtuar.
Lexojmë në shënimet postume që botohen, se edhe studiuesit të shquar Injac Zamputti, me origjinë italiane, i ishte kërkuar të informonte fshehurazi për kolegun e vet, dijetarin Eqrem Çabej. (Që thoshin se kishte qenë në burg, por jo, kishte pasur të shoqen). Profesor Injaci nuk pranoi kurrsesi, por u vetëmbyll e bënte jetë murgu mbi libra, gjithë ankth në pritje të arrestimit, me vite.
Edhe unë bëj pjesë në ata që e refuzuan me shkrim atë bashkëpunim katil, por e di ç'sakrificë e rëndë është dhe, e theksoj, janë përdorur tortura të llahtarshme, fizike dhe psikologjike, uri e rrahje çmendurake, thesi në kokë si në mesjetë, varje nëpër çengela etj., deri te përdhunimet e grave e të vajzave të familjes së atij që i kërkohej bashkëpunimi dhe ku: në prani të tij! Turpi, rënia dhe degjenerimi më parë janë të atyre që ua kërkuan bashkëpunimin me dhunë viktimave, sesa të vetë viktimave, dhe ndëshkimi që vonon, duhet të nisë tek ata.
Jam për hapjen e dosjeve, duhej bërë me kohë, qofshin të politikanëve, shkrimtarëve e njerëzve të artit, dhe jam i pari që kam shtuar që në anë të emrit të çdo bashkëpunëtori, në listë të vihet dhe emri i atij që e bëri ata të tillë, si, me ç'torturë.
Shkrimtari nobelist Hermann Hesse thotë në një poezi të vetën: më mirë të të vrasin komunistët, sesa të jesh komunist.
Atëherë kemi ç'të nxjerrim më parë e ç'përgjegjësi. Dhe kurajën e ndëshkimit sipas fajit. Por shoqëria shqiptare të jetë e aftë që të nxjerrë vlerat e larta morale deri në heroizëm tronditës, edhe aty ku janë mbuluar me gjak e baltë. Bëni listën e të pamposhturve, që të vetedukohemi dhe që të edukojmë të ardhmen.


KUNDËR TEMËS


Por ja që dalin edhe kundër kësaj teme. Gjendet rasti dhe lavdërohen, edhe në media, ai ose ata shkrimtarë që, megjithëse ishin burgjeve, nuk shkruan dhe nuk shkruajnë asgjë për të, për atë qëndresë mbinjerëzore. Dhe ua theksojnë si meritë, si tejkalim, si lartësi, mospërbaltje e mospërgjakje e artit, mosulje e tij në nivelet e... kujt, Ferrit? Do të guxonin t'ia thoshin Dantes këtë?
Në fund të fundit, nuk janë të lehta as burgu dhe as të shkruarit për burgun. Por, sipas meje, s'ka asnjë meritë të veçantë ai autor që s'trajton një temë të veçantë, qoftë dhe atë të burgut, gjithashtu, edhe ai që e trajton, nuk bën ndonjë mëkat, as faj letrar dhe as zgjidhje. Është zgjedhje e autorit për të mos qenë me temën atje ku mund të ketë qenë me jetën, dhe të rrokë atë vend e të bëjë atë trajtim, ku mund të mos ketë qenë ndonjëherë. Metaforat e ikjes janë nga më të ndryshmet e nga më të papriturat. Edhe pse unë besoj se vepra që në një mënyrë ose tjetrën s'mbart jetën e autorit, e ka të vështirë të bëhet jetë e të tjerëve.
Shkrimtari që di ta bëjë jetën e vet poezi, cilado qoftë ajo, do të thotë se edhe poezinë mund ta bëjë jetë të të tjerëve, dhe kjo për mua është më sipërania. Romani i burgut i Dostojevskit është dhe poemë, ashtu siç janë roman edhe poemat e burgut të grekut Janis Ricos. Mjafton të kujtojmë që shkrimtarë që kanë qenë në kampet e përqendrimit dhe burgjeve - jo vetëm Sollzhencini - dhe kryesisht shkruajnë vetëm për këtë përvojë, nuk i ka penguar tema, përkundrazi, janë vlerësuar dhe me çmimin "Nobel".
....
DISIDENCA
DHE INSTITUCIONI I SHKRIMTARIT


Si përfundim, disidencë kishte apo jo? Ishte e mundur në Shqipërinë diktatoriale? Nëse do ta pranojmë - arsyetohet me të drejtë dhe nga shkrimtari i madh Ismail Kadare - pranojmë se diktatura paskësh qenë e butë, e mëshirshme, e arsyeshme, tolerante, etj., aq sa na paska lejuar edhe disidencën. Jo, kurrë! Disidencën politike, nëse tentonte të shfaqej, sadopak, ajo e pushkatonte në vend, menjëherë, sistematikisht, edhe pa u bërë dot e tillë.
Po disidencë letrare? A ishte dot e mundur?
Disidencë që mbytej, rroposej qysh në shpallje, zhdukej dhe nuk lejohej të flitej për të, heshtej me dhunë dhe bëhej e mosqenë. Se dhe kështu ajo mbetej mundësi e rrezikshme. Pra, zotërinj, kishte disidencë, por ilegale, e paorganizuar, që krijoi traditën dramatike, të individëve, tipar ky që, siç e përmendëm, është i letërsië shqipe, por i individëve që zhduken.
Krahas të përgjegjshmëve të mëdhenj, që me ideal e botëkuptim ishin kundërshtarë e disidentë me sistemin politik dhe metodën e realizmit socialist, shfaqeshin pakënaqësi të ndryshme, të cilat arrinin në lartësinë e kundërshtarëve të vetëdijshëm, e shpirtrave që guxuan, sidomos me guximin e brendshëm, dhe mbas çdo shfarosjeje qëndresa rivinte si ujërat e nëndheshme.
Pastaj, vonë, kur do të binte Muri i Berlinit, do të detyroheshin të lejohej edhe shtypi i lirë opozitar, që rinisi me gazetat "Rilindja demokratike", "Republika", "Liria" etj., ku do të shkruanin në emër të atyre që u dënuan, por dhe ata që arritën të dilnin nga burgjet, madje do të shkruanin dhe ata që futën nëpër burgje, do të ribotoheshin libra të ndaluar dhe do të botohej letërsi tjetër.
Dhe shkrimtarët po duan të jenë pjesë e letërsisë tjetër. Nga totalitarizmi në totalin e letërsisë së lirë. Ndërsa me vështirësi pranohet disidenca e kolegut ose quhet e gënjeshtërt, te vetja kërkohet sa më e mjaftë.
Pas rënies së diktaturës, nga letërsia shqipe botohen jashtë vendit vepra, ku në ballinën e pasme vihet shënimi se ishin disidente a të ndaluara, kurse nga ana tjetër vazhdon të thuhet se ishte e pamundur të kishte disidencë, për arsyen se kështu do të pranonim që diktatura shqiptare paskësh qenë e mirë, por diktatura të mira s'ka, thotë Ernesto Sabato, kurse demokraci të keqe po.
Dhe nën këtë të dytën është e mundur dyfytyrësia e letërsisë dhe jo vetëm e saj.
Diktatura, me anë të realizmit socialist të vet të dhunshëm, krijoi shkrimtarë profesionistë, që i paguante si të tillë. Dhe investonte për ta si dhe për të burgosur shkrimtarët kundërshtarë. Pra ekzistonte institucioni i shkrimtarit, me simetrinë: i vlerësuari dhe i dënuari, si në një pasqyrim makabër.
Sot, kur realizmi socialist është flakur dhe leckurinat e tij, të rrëmbyera nga shtjellat eoliane të letërsisë që erdhi nga dënimet, treten larg, teksa shpërbëhet e shpërfytyrohet ashtu siç ishte vërtet, institucioni i shkrimtarit sikur është braktisur. Nuk duhet të jetë më? Nëse për shtetin mund të hapen probleme, shoqëria, përkundrazi, me institucionin e shkrimtarit, më shumë se me atë të avokatit të popullit ose me gjykatat, policinë, mund të krijojë atë qytetari që të kuptojë se problemet janë, duhen përballuar dhe prej kulturës duhet marrë ajo mendje dhe qëndrim, që të bëhet më e mira.
Shkrimtarët e burgjeve, me pagën ende të papaguar të punës si të burgosur politikë, s'po flas për dëmshpërblimin e tyre, do të mund ta mbanin vetveten, të mbijetonin duke shkruar të lirë, pa diktaturën e varfërisë.
Dhe vërtet herë pas here, vit për vit, diskutohet për dëmshpërblimin e të burgosurve politikë, nis nëpër biseda shoqatave dhe klubeve dhe kalon në media, ngjitet në Kuvend, pastaj zbret nga Kuvendi, zbrazet në media, nëpër biseda klubeve dhe shoqatat shpërthejnë nëpër protesta rrugëve, në përleshje me policinë a në greva urie. Pastaj deputetët votojnë se cila do të jetë dita e kujtesës së viktimave. E viktimave apo e qëndrestarëve, e atyre që luftuan me të keqen dhe u dënuam me burgje e pushkatime?
Ka nga ata që shkruajnë se dëmshpërblimi i të burgosurve është një barrë e rëndë për shoqërinë, janë pará që do t'u merren taksapaguesve dhe kështu ata duan të vënë përballë ish-të burgosurin politik me shoqërinë.
Dhe bëjnë sikur harrojnë atë që thamë edhe më parë se shumë e shumë vepra të mëdha në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore, si tharje kënetash, themele uzinash, kombinatesh, rrugë, brezare, pallate banimi, stadiume, diga hidrocentralesh, hapje dhe shfrytëzim minierash etj., janë bërë me të burgosur dhe një pjesë e tyre vazhdon t'i japë shoqërisë të ardhura materiale, pra është një kapital që i grabitet ende investitorit të parë, që s'ka vënë paratë, por, përveç punës së papapaguar, jetën dhe lirinë.
Aeroporti që mban emrin e shenjtë "Nënë Tereza", nisi me të burgosur dhe aty s'ka një pllakë që ta shenjojë këtë gjë. Një fjalë mirënjohëse që çdo udhëtari që ikën apo vjen nga qiejt, do t'i kumtonte diçka të vyer. Se aty ëndrra e burgosur merr krahë, fluturon dhe bashkohet e lirë me ëndrrën e Evropës e të botës mbarë.
Jemi në sistemin që paraprinë të burgosurit politikë. Të gjallë e të vdekur, ata janë pararendësit e demokracisë.
Por, siç e thamë, atyre prapë u përvetësohen idetë dhe vuajtja, azili politik, aleancat... Evropa e Bashkuar, SHBA... dëmshpërblimi, vegimet, librat, emrat e gazetave...
...
Në brezin tjetër:


Po vazhdojnë të shkruajnë për dënimin, si një vazhdim i dhembshëm, bijtë e atyre që ishin burgjeve edhe andej ku kanë mërguar, në vend tjetër e gjuhë tjetër. Siç duket, për vuajtjet tona s'mjafton një gjeneratë, një vend, një gjuhë.
Kanë botuar romanet e tyre Ornela Vorpsi dhe Ron Kubati, që e shohin burgun si një fantazmagori nga jashtë, si atëhere kur shkonin, fëmijë, në takimet. me policin në mes. Po i shkruajnë italisht ashtu si poeti Gëzim Hajdari, që shpalos fatin-uliks të emigrantit, një si antiburg ravgues tek tjetri.
Jozef Radi, pasi boton kolanën e veprave të të atit, Lazër Radit, nxjerr edhe poezi të vetat. Po kështu dhe Leka Ndoja sikur vazhdon në ese dhe përkthime Mark Ndojën. Jamarbër Marko është poet si Petro Marko, që trashëgoi dhe burgun, dhe shkatërrimin që vjen prej tij, më shumë nga të gjithë. Edhe poetet Luljeta Lleshanaku, Mimoza Ahmeti, poeti Ferdinand Laholli, etj., u ngritën mbi persekutimet e familjeve të tyre.
Loredan Bubani kreu atë që la përgjysmë me të vëllanë shkrimtar, Dionisin, botimin e Gjergj Bubanit. Ka dhe shembuj të tjerë. Uran Butka, Mërgim Korça etj. Edhe unë. Po dalin libra dhe për gjyshërit e dënuar. Shkrimtarët Faruk Myrtaj, Lazër Stani, etj., zbulojnë tragjiken dhe absurdin dyzues të vendeve të dënimit. Edhe shkrimtari Agron Tufa, me babanë në burgun e Spaçit, merr dhe sjell nga ato peizazhe dhembjeje, me vështrimin e Akcilit në rritje. Vazhdimet e letërsisë sot kanë në themel letërsinë e dënuar. Dhe po kërkohet të rishkruhet historia e letërsisë shqipe. Pa letërsi të mirë, nuk ka histori të mirë letërsie. E cila mund të jetë edhe pa emra. Por jo pa plagë. Qëllimi është që ta lexojë e ardhmja. Por a po mendohet për atë lexues? E kam fjalën për brezin gjithmonë tjetër. Sikur s'ka letërsi për fëmijët. Dhe ky është një dënim. Nuk kujdesemi aq shumë se si të rritemi, por si të plakemi. Veçse lexuesi është i pa moshë dhe i pamëshirshëm, të jep sa i ke dhënë. Dhe del kur të dojë nga burgu i librave.

VISAR ZHITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
A DO TË VAZHDOJË NJOHJET EDHE GJATË DIALOGUT?Nga SKËNDER BUÇPAPAJ (10.01.2010)
RADIO EVROPA E LIRË ME RASTIN E 60 VJETORITPërgatitur nga FRANK SHKRELI (09.29.2010)
EVROPA MPOSHTI FRIKËN DHE NGJALLI SHPRESËNNga Dr. ALBAN DACI (09.29.2010)
MBYLLJA ME NDER E MISIONEVE NDËRKOMBËTARENga SKËNDER BUÇPAPAJ (09.28.2010)
A MUND ERDHËT PREJ NJU JORKUNga SKËNDER BUÇPAPAJ (09.28.2010)
TË DREJTAT E NJERIUT NË POLITIKËN NDËRKOMBËTARENga FRANK SHKRELI (09.26.2010)
AD-HOC DIPLOMACIA E KOSOVËSNga FATON BISLIMI (09.26.2010)
Pavarësia e Kosovës në shërbim të paqes dhe stabilitetit afatgjatë të të gjithë  EvropësJO PROFILIT KONTRAVERS TË Z. KATHY ASHTON !NGA ELIDA BUÇPAPAJ (09.25.2010)
ISA MUSTAFA, NJË ZË REFORMUES I LDK-SË NGA ELIDA BUÇPAPAJ (09.25.2010)
LUFTA, VRASJA DHE KTHIMI I KOLONELIT NË KOSOVËNga BAJRUSH MORINA (09.24.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]