VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

HAJDUTËT E KOHËVE MODERNE

Nga MIMOZA DAJÇI


E Martë, 10.05.2010, 09:14am (GMT1)

 

Aferat korruptive, e përfitimet marramendëse në privatizimin e objekteve të ndryshëm shtetërorë në Shqipëri, njihen tashmë si fenomene të modës, e kush nuk peshkon nëpër këto ujra të turbullta "quhet de mode", ose jashtë mode. Largimi i deputetit Prifti nga posti i ministrit e lëvizje të tjera administrative të këtij lloji, apo abuzimet në Bashkinë e Tiranës nga kryetari i saj, janë pasqyrë e qartë e kësaj situate tepër kritike të krijuar në vend.

Sigurisht që fajet e një individi apo grupi njerëzish përfshirë në skandale të tilla financiare, e veprime antiligjore, nuk mund t'i faturohen të gjitha kreut të qeverisë, por me keqardhje mund të themi se vendi ka akoma probleme serioze përsa i përket përparimit e zhvillimit të tij. Shumë të rinj, intelektualë, puntorë e fshatarë kanë lënë atdheun e me sakrifica të mëdha po adaptojnë jetën e tyre në një atdhe të dytë. E kësaj arratisje të popullatës që ka filluar qysh para viteve 90-të duke vënë jetën në rrezik, e deri më sot, akoma nuk po i dihet fundi. Fakti që edhe rinisë që po kryen studimet e larta në europë e perëndim, nuk po i jepen shanse për t'u punësuar, përsëri në Shqipëri do të kemi largim të trurit, eksod-e masive, e pakënaqësi. Pra të gjitha këto ngjarje që mësojmë në shtyp, e që ndodhin çdo ditë në vendin tonë, janë hallkat kryesore për pengimin e kthimit të gjeneratës së re shqiptare në atdhe.

Vjedh e përvetëson me të padrejtë biri apo bija e botës pronën e pasurinë e shtetit, sikur ta ketë trashëgim nga babai, e nuk mendon se sa ka vuajtur e ka hequr ky popull për 50 vjet nëpër burgje, pushkatime e internime në masën e gjerë të tij, kur dihet se një pjesë e mirë e tyre akoma nuk sigurojnë dot qiranë mujore, e bukën e gojës. Sapër rehabilitim fizik - shëndetësor, e strehim as që bëhet fjalë fare.

Dihet se bota me ligjet e vjetra i priste duart hajdutit, ndërsa në Shqipëri është per t'u çuditur, pasi hajduti e ndjen veten atje, më të fortë se ligji, e vjedh pa doreza fare.

Përse nuk ndalen këta deputetë, ministra, kuadro të lartë të politikës e shtetit, si dhe biznesmenë, e të thonë; Ato prona që janë për t'u privatizuar ti afrohen së pari shtresës së persekutuar politike, që vuajti mizorisht nga diktatura e atij rregjimi të egër, e që akoma nuk është kompesuar financiarisht nga shteti, por vendosin lugën në brez, sikur deti të jetë kos, e o burra kush të vjedhë e privatizojë më shumë. Njerëz të ndershëm, të ditur e patriotë Shqipëria ka e do të ketë gjithmonë, por kur atyre nuk u hapet dera, e kur letrat me vlerë të ish të përndjekurve po i zverdh koha nga mos vënia në përdorim e tyre, përsëri vendi do të vuajë për një demokraci të mirëfilltë.

Tetor 2010

MIMOZA DAJÇI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.