VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PA E BËRË REGJISTRIMIN E SHQIPTARËVE, MAQEDONIA NUK E KAPËRCEN YLBERIN

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ


E Djelë, 10.17.2010, 09:06am (GMT1)

Më 2002, dihet në çfarë konteksti, Maqedonia bëri regjistrimin e popullsisë. Sipas tij, në atë vend kishte 64,18% maqedonas, 25,17% shqiptarë, ndërsa përqindjen e mbetur (mbi 10%) e përbënin popullsitë e tjera. Në pranverën e vitit 2011 Maqedonia bën regjistrimin e ri. Ky regjistrim i ri mund të përdoret kundër shqiptarëve. Kështu të paktën dyshojnë partitë opozitare shqiptare. 20 përqindëshi është ndërkaq pragu kushtetues që një popullsi në këtë vend të konsiderohet shtetndërtuese dhe pjesëtarët e saj të kenë të njëjtat të drejta themelore kushtetuese si pjesëtarët e popullsisë më të madhe.

Në fillim të vitit 2001 Maqedonia nënshkruante Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian. Dukej qartë se Brukseli e merrte me hatër, në mënyrë që ky vend të orientohej drejt Evropës. Nga çdo këndvështrim objektiv, megjithatë, nuk mund të thuash se ka bërë më shumë përpara se ka bërë mbrapa në këtë drejtim. Edhe në vitet 2001-2001, si në vitet 1991-2001, Maqedonia i ka kushtuar shumë më tepër energji zvogëlimit të peshës së shqiptarëve në shtetndërtim se anëtarësimit në NATO e në BE. Madje, aq sa e ka lënë pas dore anëtarësimin në këto dy organizma perëndimore, po aq e ka pasur në plan të parë kurorëzimin e një statusi sa më të ulët të shqiptarëve në këtë vend, duke i zbritur ata në një rend qytetarësh të një dore sa më të fundit.

Radha e punëve për politikën maqedone duket se ka qenë kjo: 1. zbritja e nivelit kushtetues të shqiptarëve, 2. rregullimi i emrit kushtetues të vendit në një kompromis me Greqinë, 3. anëtarësimi në NATO, 4. anëtarësimi në BE. Gjithkush e sheh qartë se Maqedonia ka zgjedhur kapjen e buallit nga bishti. Dhe nëpërmjet regjistrimit të ri të popullsisë, në mënyrë revanshiste, - kështu dyshojnë partitë opozitare shqiptare - kjo filozofi mbrapakthyese e Maqedonisë do të japë frutet e kërkuara prej saj.

Brukseli dhe Uashingtoni, natyrisht, nuk janë pajtuar dhe nuk do të pajtohen me këtë logjikë të përmbysur të Shkupit. Një Maqedoni, siç quhet sot, apo një diçka tjetër, çfarë do të quhet nesër, pas pajtimit të Shkupit me Athinën, do t'i kishte themelet në ajër, nëse ajo nuk do të mbështetej në realitetin e mirëfilltë të saj, praninë dhe peshën e madhe vetëm në rritje të shqiptarëve. Vetëm duke e njohur përfundimisht faktorin shqiptar, Maqedonia do ta kapërcente ylberin dhe do të shndërrohej në një shtet me identitet të qartë sllavomaqedono-shqiptar. Një shtet i Maqedonisë me identitet vetëm sllavomaqedon nuk mund të qëndrojë.

Ligji natyror mbi kë bazohet vitaliteti i një popullsie, përpjesëtimet moshore, përpjesëtimet e shëndetit aktiv dhe atij pasiv, në kuadrin e vet dhe në raport me popullsitë e tjera shtetpërbërëse, është absolutisht në favor të shqiptarëve në Maqedoni. Kështu që shqiptarët kanë një rritje të vazhdueshme, të pandërprerë në përqindje në krahasim me popullsitë e tjera dhe sidomos me popullsinë sllavomaqedone, çka do të thotë se, edhe bazuar në rezultatet e regjistrimit të vitit 2002, përqindja e shqiptarëve vetëm sa është përmirësuar në raport me sllavomaqedonasit.

Ndonëse Maqedonia më 2011 i bën njëzet vjet pavarësi, ajo ende nuk ua ka dhënë nënshtetësinë një numri të madh të shqiptarëve të atjeshëm. Brez pas brezi në atë vend, ata vazhdojnë të mos kenë asnjë të drejtë kushtetuese. Në njëzet vjet kjo popullsi e të panënshtetësuarve është gati dyfishuar. Është e natyrshme, prandaj, që partitë opozitare shqiptare, Partia Demokratike Shqiptare, më e madhja e tyre, si dhe Demokracia e Re të këmbëngulin që të mos ketë regjistrim të popullsisë, të mos ketë as fillim të procedurave për ndryshimet e ligjit të regjistrimit të populslsisë pa bërë dhënien e shtetësisë të gjithë shqiptarëve të cilëve Maqedonia nuk ua ka dhënë deri më sot. Këto parti, thuhet në media këto ditë, ngrenë shqetësime serioze edhe për mënyrën se si do të regjistrohen ata shtetas të Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit, duke kërkuar që regjistrimet të bëhen në verë, kur emigrantët janë me pushime në Maqedoni dhe jo në pranverë.

Mediat gjithashtu bëjnë të ditur se PDSH, parti opozitare që bojkoton parlamentin, propozoi këto ditë që "të gjitha vendimet nga organet kompetente që do zbatojnë regjistrimin e popullsisë të merren me konsensus, të rregullohet çështja e atyre personave që ende nuk kanë nënshtetësi", ndërsa nga aspekti pragmatik kjo parti propozoi që "të ketë nga dy kopje të fletëve të regjistrimit, formularët të jenë në dy gjuhë, të ketë nëpunës shqiptar edhe në vendbanimet ku nuk ka shqiptarë, si dhe procesin e monitorimit dhe të përpunimit të të dhënave ta mbikëqyrë jo vetëm EUROSTAT, por edhe OSBE dhe byroja amerikane e regjistrimit". Përndryshe këto parti do t'i ftojnë shqiptarët të mos marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë. Një këmbëngulje e fortë e faktorit shqiptar, atij politik dhe qytetar, do ta sensibilizonte përfundimisht bashkësinë ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë Perëndimin, për ta bërë regjistrimin e plotë të shqiptarëve në Maqedoni dhe kështu ky vend përfundimisht të ketë identitetin e vet funksionues, pa të cilin nuk mund të flitet as për integritet të brendshëm, as për integritet të jashtëm.

SKËNDER BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.