VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

HEQJA E VIZAVE PËR SHQIPËRINË - MË MIRË VONË SE KURRË

Nga ILIR HYSA, Ph.D. Candidate, City University of New York


E Martë, 11.09.2010, 08:05am (GMT1)

Në ditët e ftohta të Dhjetorit 1990 kur bashkë me shokët e mi studentë, nga sheshi që më vonë do të merrte emrin "Demokracia" në qytetin studenti në Tiranë, kërkonim "Shqipërinë si gjithë Europa" ishim plotësisht të bindur se rruga për në Europë do të ishte e vështirë por jo e pamundur. Koha ka provuar që një udhëtim i tillë është i mundur dhe sot Shqipëria e meriton të festojë. Ajo që ka tejkaluar parashikimet e çdonjërit nga ne është kostoja e këtij udhëtimi të dhimbshëm.

Në këtë moment, Shqipëria nderon guximin e atyre që e kaluan kufirin shqiptar për të kërkuar botën e lirë kur nuk ishte e modës, madje shumë i rrezikshëm. Ata e sfiduan regjimin gjakatar komunist, pavarësisht nëse ia dolën mbanë ose jo në përçapjen e tyre për të shijuar pak liri.

Në këtë moment feste Shqipëria gjithashtu përkulet me nderim para atyre që demokracia si sllogan nuk u solli atë që prisnin dhe kur e prisnin. Të zhgënjyer nga zhvillimet në vend, ata vendosën të vihen në kërkim të një jete më të mirë duke kaluar kufinjtë dhe thyer kështu tabutë e asaj kohe pa iu bindur dhe pa pritur vendimet e burokratëve të Europës apo atyre të Tiranës. Me guximin e tyre ata hapën rrugën për qindra të tjerë të etur për pak liri të kalojnë kufirin. Më pas qindrat u bënë mijëra dhe bota dëshmoi nga afër virtytet më të mira të një populli liridashës dhe punëtor.

Respekt dhe mirënjohje u takon edhe atyre që me punë e sakrifica arritën të bëhen të suksesshëm në botën e lirë dhe krijuan një të ardhme më të mirë jo vetëm për vete por edhe për familjet e tyre në atdhe.

Dhe pa dyshim, nderimi më i madh u takon atyre që humbën jetën në fundin e detit, në deborën e bardhë të një pylli të errët, në duart e disa fqinjëve shovinistë dhe barbarë, birucave të dënuar si liridashës, dhe sa e sa rrethanave të tjera të kobshme. Mjerë nënat që morën lajmin e zi se djali apo vajza nuk është më gjallë! Mjerë familjarët që përveç dhimbjes për humbjen e njeriut të tyre të dashur kaluan orë të tëra në telefon dhe ditë të tëra duke trokitur në dyer zyrash burokratësh për të sjellë trupin e pajetë në atdhe! Mjerë ata që i kanë plagët ende të pambyllura! Aq e thellë është dhimbja e tyre saqë as një lajm, qoftë ky edhe ai i heqjes së vizave, nuk ua lehtëson dhimbjen.

Ndërsa ne shqiptarët festojmë, dhe kjo ditë e shënuar duhet festuar, analiza e udhëtimit tonë 20-vjeçar duhet bërë objekt studimi për të nxjerrë mësime për të ardhmen. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për sakrificat dhe brengat e së shkuarës dhe rolin e tyre në identitetin tonë kombëtar. Ne kemi fituar një betejë dhe shija e rëndësia e fitores bëhen më kuptimplotë kur beteja është fituar përmes sakrificash, madje shpesh edhe jetësh të ndërprera në mes në kohën më të bukur kur ëndrrat ishin gati të merrnin krahë.

Demokracia që kërkuam me brohoritje në sheshe dhe protesta në rrugë ka nisur të na japë frute të cilat para 20 vjetësh vetëm kemi mundur t'i ëndërrojmë. Liria e fjalës së lirë na ka lejuar që shpesh të kemi mendime të ndryshme për çështje të caktuara dhe ky është lajm i mirë. Në fakt, ky është thelbi që përcakton nëse një shoqëri është e demokratizuar apo jo.

Megjithë diversitetin e mendimeve tona, duket se në një pikë shqiptarët arrijnë në konsensus. Shpesh në këto dy dekadat e fundit, ne kemi bërë një hap përpara dhe dy apo më shumë mbrapa. Mjafton të përmendim ngjarjet e vitit 1997 për të ilustruar argumentin. Aspekti më tragjik i këtyre kthimeve mbrapa është se ato kanë ndodhur kur shqiptarët jane ndodhur para sprovave të mëdha. Këtu do të vlente të përmendej klima e tensionuar politike para dhe pas zgjedhore që shoqëroi zgjedhjet e përgjithshme të Qershorit të vitit 2009.

Është në natyrën e një shoqërie në demokratizim e sipër ose të demokratizuar që të mirëpresë debatin për çështje të rëndësishme të shoqërisë. Kjo tendencë për respektin ndaj debatit e ngadalëson zgjidhjen e problemeve edhe kur ka një prirje positive për t'i zgjidhur ato nga të gjitha palët. Sikur kjo të mos mjaftonte, fatet e shqiptarëve shpesh kanë qenë në duart e disa kolltukofagëve që kanë vënë interesat e tyre personale mbi ato të shqiptarëve. Ata me sjelljen e tyre kanë provuar ose arrogancë ose paaftësi për të zgjidhur problemet. Nuk do të konsiderohej cinizëm po të supozohej se shumë prej tyre nuk e kanë filluar politikën se duan ti shërbejnë vendit por për të vjelur sa munden prej saj. Ata diskutojnë gjithçka në të gjitha forumet e fjalës së lirë, përveç problemeve me të cilat ballafaqohen çdo ditë shqiptarët. Ata i shikon të krekosen në parlament, televizione, gazeta, ceremonira etj., dhe gjithmonë i dëgjon të ankohen se si kunati i filanit apo vajza e fistanit (kuptohet akuzat u drejtohen kundërshtarëve politikë) janë përfshirë në afera korruptive, dhe janë vetë ata që korruptohen çdo ditë. Pak prej tyre i dërgojnë ankesat në organet përkatëse të drejtësisë që do të tregonte respektin dhe besimin e tyre dhe të qytetarëve tek institucionet e drejtësisë. Ata që çirren duke u marrë me thashetheme e kaluar kohën si parazitë harrojnë që rrogat e tyre të majme vijnë nga qytetarët që presin zgjidhje konkrete dhe jo akuza dhe kundërakuza.

Ata e dinë mirë se sikur ata të kishin menduar më pak për vete dhe më shumë për Shqipërinë, lëvizja e lirë e shqiptarëve do të kishte ardhur vite më parë. Një nëne që iu refuzua viza dhe nuk mori pjesë në dasmën e djalit në Francë do të kishte mundur të shihte gëzimin para se të paralizohej, për të mos lëvizur kurrë nga shtrati. Një nënë e përmalluar do të kishte mundur të shihte para së të mbyllte sytë përgjithmonë nipin e porsalindur të djalit pa dokumenta në Itali. Një nënë tjetër do të kishte mundur të shihte vajzën e sëmurë në një spital të Athinës, para se t'ia dërgonin në arkivol pas një lufte të gjatë me kancerin.

Por gjithsesi, sot është dita për të festuar. Le të festojmë! Gjyqin e politikanëve e fillojmë kur të mbarojë festa. Pastaj, le të kujtojmë që kemi edhe politikanë që kanë punuar me devotshmëri. Disa prej tyre e kuptojnë që t'u lësh trashëgimtarëve të holla apo pasuri nuk është gjithçka. Disa prej tyre shqetësohen realisht për cilësinë e shkollave, spitaleve, infrastrukturës dhe realitetin gjithmonë e më kompetitiv në ekonominë globale. Ata e dinë vetë se cilët janë. Edhe ata që e kanë mizën nën kësulë e dinë se cilët janë. Atyre që e shfrytëzuan tranzicionin për të grabitur pronat e pronarëve, privatizuar pronën shtetërore me farefisin dhe jo shqiptarët, trajtuar të ish-persekutuarit politikë si qytetarë të dorës së dytë, atyre që tani shkojnë për pushime egzotike dhe nënqeshin me shqiptarët viktima që vuajnë, një ditë do t'u bëhet një gjyq i madh, gjyqi i opinionit publik. Drejtësia vonon por nuk harron! Europën pa viza na e sollën vonë, por më mirë vonë se kurrë.

Por sot le të festojmë! Tani shqetësimi ynë nuk do të jetë si do të lëvizim të lirë nëpër Europë. Sfida e radhës është ruajtja e krenarisë, dinjitetit dhe identitetit tonë kombëtar në këtë botë të trazuar. Le ta gëzojmë Europën pa viza!

Ilir Hysa

Ph.D. Candidate

City University of New York

ILIR HYSA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.