VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Teknologjia e propagandës      Nga Skënder BUÇPAPAJ

                                                                                      

E Enjte, 04.18.2024, 07:41am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

Teknologjia e propagandës     

Nga Skënder BUÇPAPAJ
E Hënë, 03.30.2009, 07:05am (GMT+1)

Për të ardhur tek ne ajo, më e dlira dhe më e përdala, haptas dhe tinës dashnorja e të gjithëve, më zhburrëruesja dhe më çnjerëzuesja e të gjithëve, më e pashterrëshmja dhe hirplotja, më joshësja dhe tunduesja, më e tejpashmja dhe më e errëta, ajo që i depërton edhe gjokset më koracuara, edhe kokat më të blinduara dhe veshët më të dyllosur, ka bërë jetën e vet dhe ka përshkuar historinë e vet, domosdo, më të veçantën.

Pasaporta e qytetarisë daton më 1622, kur themelohej Grigja për përhapjen e fesë (Congregazione per la propagazione della fede), një institucion papnor, një komitet kardinalësh përgjegjës për misione jashtë vendit. Pagëzimin në trajtën me të cilën ka hyrë në të gjitha gjuhët më të kultivuara të botës, tek përbën edhe një nga familjet më të mëdha leksikore, e mori në vitin 1797, kur depërtonte së pari në italishte nëpërmjet trajtës përcjellore (gerund) të frëngjishtes, "propaganda".

Kuptimin zanafillor, si me thënë atë që përkon me periudhën e saj të vajzërisë, do ta kishte, siç e japin edhe fjalorët e sotëm: "Veprimtari me qëllim për të përhapur në opinionin publik ide të caktuara politike e të tjera." Ose tek përkufizimi i formës së kulluar, enciklopedik të saj: "Propagandë është çdo organizim apo plan për të përhapur një doktrinë të veçantë ose një sistem parimesh."

Por trajtën e saj më të matëshme propaganda e merr në fushën komerciale. Sipërmarrjet prodhuese gjithmonë vënë një dispozicion të propagandës një përqindje të caktuar të fitimeve të përvitshme. Kësaj fushe të veprimtarisë i përgjigjet edhe struktura përkatëse, ajo e marrëdhënieve publike. Në të vërtetë asgjë nuk tingëllon më ëmbël për veshët tanë se fjala prej rrokjesh të dy nistoreve Piar, domethënë PR, public relationships, shqip: marrëdhëniesh publike. Në këto struktura punojnë njerëzit më të talentuar në fushën e ideve, prodhohen me teknologjitë absolutisht më moderne reklamat më të bujshme, fytyra të prodhimeve janë njerëzit më të famshëm të artit, sporteve, gossipeve e tjerë. Në fushën komerciale aq sa janë të matëshme shpenzimet për propagandën, aq janë të matëshme rezultatet e kësaj propagande në suksesin e prodhimeve në tregje. Kështu propaganda shndërrohet në një mall të pazëvendësueshëm tregu për të shitur në tregjet e tjera mallrat e përditshmërisë.

Do të kishte rol thjesht dekorativ sjellja e këtij shembulli nëse ai nuk do të kishim parasysh faktin se modeli i propagandës komerciale është transplantuar gjithnjë në propagandat e tjera, në radhë të parë në propagandën politike. Nuk ka jo vetëm institucion po as zyrë që të mos ketë sektorin e marrëdhënieve publike, që nuk ka ushtrinë e zëdhënësve, ushtrinë e instrukturorëve, regjisorëve, idedhënësve. Ky sektor udhëheq çdo paraqitje publike të personaliteteve, institucioneve, të zyrave. Përcakton nivelin e paraqitjeve publike, masën dhe tonalitetin e paraqitjeve publike. Përcakton shkallën e transparencës, vendin, kohën, cilësinë e paraqitjes së transparencës ndaj publikut. Përcakton mjetin apo mjetet më frutdhënëse përhapës të kësaj transparence. Njerëzit tek të cilët bashkohen më së përkryeri talentet në diplomaci, gazetari, në drejtësi, në zotërim të gjuhëve të huaja, në komunikim të rrjedhshëm trupor janë më bindësit për publikun, prandaj janë edhe më të kërkuarit në të quajturin sektor të marrëdhënieve publike. Duke qenë sektori më informues, natyrisht sektori i marrëdhënieve publike është edhe më i informuari. Është njëkohësisht njohësi më profesional, më i pagabuar i konkurentëve më të rrezikshëm në fushën përkatëse.

Piar, e ngjashme me një cicërimë kanarine, është në fakt eufemizmi më i fundit i fjalës propagandë. Famën më të sofistikuar (të rryer), por edhe më të keqe, sa të mbulohej pastaj me gjithfarë sofrabezësh, me gjithfarë amballazhesh e etiketash, që prej Inkuizicionit, propaganda e mori në kohën e nazizmit hitlerian. Funksioni i saj, strategjia e realizimit të këtij funksioni shprehet më së qarti se në çdo thënie tjetër të tij në këtë thënie të Adolf Hitlerit: "Nëpërmjet përdorimi të zgjuar dhe sistematik të propagandës, ne mund t'i bëjmë njerëzit ta shikojnë parajsën si ferr ose një jetë tejkajshmërisht të tmerrëshme ta shikojnë si parajsë." Me fjalë të varfëra, të tjerët shpesh e thjeshtëzojnë këtë thënie kështu: T'i trullosim njerëzit sa t'iu duket e bardha e zezë, ndërsa e zeza t'iu duket e bardhë. Ose: t'ua bëjmë të zezën të bardhë dhe të bardhën të zezë.

Strategjinë propagandistike Hitleri e ndërtoi teorikisht në librin "Mein Kampf" (Lufta ime). Për ta vënë në praktikë doktrinën atij i duhej sa një strateg ushtarak si Heinrich Himmler, aq edhe një strateg propagandistik si Joseph Göbbels. I doktoruar në Universitetin Heidelberg, gojëtar i rrallë, ndër të tjera botues i gazetës së partisë, ai është autor i mitit të Führerit tek personi i Hitlerit. Prandaj, me ardhjen në pushtet atë Führeri do ta caktonte në krye të makinerisë propagandistike. Tek shembulli dhe fati i Göbbelsit mund të kuptohet se propaganduesin e shoqëron pandashëm bindja. Në këtë rast, propaganduesin e verbër e shoqëron pandashëm bindja e verbër.

Termi "makinë propagande" është përdorur ndaj një propagande tjetër tejet të sofistikuar e të njëkohëshme me atë të Hitlerit, ndaj propagandës së Stalinit. Presidenti Harry S. Truman thoshte atëherë kështu: "Trupat e Marinës janë një forcë policore e Marinës dhe për sa kohë të jem President ato do të mbeten të tilla. Ato kanë një makinë propagande që është pothuaj e barbartë me atë të Stalinit." Trupat e Marinës të Shteteve të Bashkuara (United States Marine Corps UMSC) janë një shërbim ushtarak i veçantë brenda Departamentit Amerikan të Marinës. Ndër të tjera, janë përgjegjës edhe për të siguruar misionet diplomatike të SHBA në vendet e huaja.

Nga kjo kuptojmë po ashtu se propaganda shndërrohet në domosdoshmëri edhe si kundërpropagandë, si mjet vetëmbrojtës përballë një imazhi të shpërfytyruar që krijon kundërshtari për ty. Kështu shpjegohet edhe përmasa propagandistike e veprimtarive dhe fushave të tjera. Sa i jepet rëndësi kësaj përmase shprehet edhe nga buxheti që shpenzohet për propagandën. Vendet komuniste i jepnin shumë rëndësi propagandës në eter. Një vend si Shqipëria, për shembull, ia kushtonte eterit një radio të posaçme në gjuhët e huaja, ku paralel, ditët e natë, në dhjetëra gjuhë e dialekte të botës, në shpërpjesëtim absolut me mundësitë ekonomike të Shqipërisë, propagandoheshin të ashtuquajturat arritje të komunizmit në Shqipëri dhe e ashtuquajtura drejtësi e vijës marksiste leniniste përballë dështimeve dhe humbjeve e padrejtësive të botës.

Përvoja e deritanishme e njerëzimit e ka bërë gati të pamundur t'i jepet përgjigje pyetjes që shtronte Bertrand Rusell: "Pse propaganda është shumë më tepër e suksesshme kur nxit urrejtjen se kur përpiqet të nxisë ndjenja miqësore?" Ta mendosh se këtë pyetje e shtron një matematikan logjicist i tillë aq shquar dhe filozof aq i përkushtuar ndaj pacifizmit dhe çarmatimit bërthamor.

Shembulli më i kulluar i propagandës së ndërtuar mbi bazën e urrejtjes është propaganda serbe kundër shqiptarëve. Kështu, në librin "Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha", autori Vladan Gjorgjeviç, kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Serbisë arrin deri aty sa t'ua përshkruajë shqiptarët fuqive të mëdha të kohës (thënie që e kam përmendur edhe herë të tjera) si njerëz me bisht të cilët kacavaren në bishtat e vet nëpër pemë aty ku i zë nata dhe flenë të mbrojtur kështu nga egërsirat e tjera të pyjeve.

Propaganda ndaj kundërshtarit apo armikut është shoqëruar njëherësh edhe me terrin informativ ndaj tij. Fqinjët e shqiptarëve e kanë përdorur këtë përparësi në bashkësinë ndërkombëtare për ta ruajtur ekskluzivitetin e propagandës ndaj shqiptarëve. Kjo iu ka shërbyer atyre për ta shfajësuar misionin qytetërues ndaj nesh nëpërmjet fshirjes sonë nga faqja e dheut.

Në këtë kontekst është edhe vendosja e censurës dhe imponimi i vetëcensurës. Në epokën e Internetit, kur këto dukuri janë më jashtë mode se kurrë, tingëllon, për shembull, absurde përpjekja e tillë e gjigantit kinez për të ushtruar censurën e për ta detyruar vetëcensurën në gazetarinë online.

Në të njëjtin rrafsh me terrin informativ ka vepruar edhe shuarja e kujtesës. Kjo është mishëruar në zhdukjen e ndërtimeve kulte, në zhdukjen e dokumenteve dhe të çdo gjurme tjetër që paraqet, dokumenton, provon të kaluarën e dikujt. Një përkryerje kulmore gjeti propaganda e urrejtjes, terri informativ, ekskluziviteti i propagandës tek rasti i fundshekullit të kaluar në Beogradin e Millosheviçit.

Kjo tregon mirëfilli edhe se propaganda nuk bëhet asnjëherë sa për retorikë. Nuk bëhet për të mos lënë gjurmë. Ajo iu paraprin dhe iu bën shoqëri praktikave përkatëse.

Nga ana e saj, propaganda ka shfrytëzuar deri në pikën e fundit arritjet e shkencave, si të atyre shoqërore edhe të atyre natyrore. Hilteri, për shembull, e ndërtoi dhe e përhapi doktrinën e tij duke u bazuar në arritjet e Darvinit, posaçërisht në kapitullin e "Seleksionit natyror". Ndërsa Gjorgjeviçët, Çubrilloviçët e tjerë e mbështetën atë deri edhe në Akademinë e Shkencave, në institucionet fetare, në letërsinë, deri edhe në mbledhësit e bartësit e foklorit.

Prej lindjes së saj zyrtare, ndoshta kurrë më shumë se në shekujt e fundit propaganda nuk e ka komprometuar vetveten. Prej këndej do të ishte i pashmangshëm ai përshkrim që ia bën aktualisht Enciklopedia Britanike: "Manipulim i informimit për të ndikuar në opinionin publik. Propagandistët i fryjnë elementet e informimit që mbështetin pozicionin e tyre dhe i shfryjnë apo i përjashtojnë elementet ato që nuk e bëjnë këtë. Deklaratat keqorientuesee madje gënjeshtrat mund të përdoren që të krijojnë një ndikim të dëshiruar në audiencën publike. Lobimi, reklamat, veprimtaritë misionare janë të gjitha forma të propagandës, por termi më rëndom përdoret në arenën politike. Deri në Shekullin XX pikturat dhe mediat e shkruara ishin instrumentet kryesore të propagandës; radioja, televizioni dhe kinematografia iu janë bashkuar më vonë atyre. Regjimet autoritariste dhe totalitariste e përdorin propagandën për të fituar dhe ruajtur përkrahjen e popullsisë; në kohë lufte ngre moralin e civilëve dhe ushtarakëve, ndërsa propaganda që ka për synim armikun është një element i luftës psikologjike."

Për t'i ikur këtij nami, përdoren tani në shoqëritë e hapura terma të tillë si informim i paanshëm, media të paanshme, informim i pavarur, media të pavarura, burime të pavarura informimi, burime të pavarura mediatike, përkatësisht informim, media, burim objektiv, të cilat priren të jenë antitezë e informimeve, burimeve, mediave partiake, subjektive e tjerë. Cilësime të tilla janë tejet relative dhe përcaktohen nga financuesit e tyre. Bëhet fjalë nëse është shteti financuesi i tyre. Bëhet fjalë nëse janë biznese të tilla apo të atilla financuese të tyre. Bëhet fjalë për shkallën e pavarësisë së këtyre bizneseve nga këto apo ato politika, nga këto apo ato realitete. Bëhet fjalë për një mori lidhjesh të tjera që i karakterizojnë mediat, financuesit, publikun përkatës e tjerë e tjerë.

Nga shkalla e përkrahjes së mediave, nga cilësia e kësaj përkrahjeje, nga besueshmëria e këtyre mediave në momentin e dhënë varet shumë herë suksesi i një kandidati apo një partie në garat zgjedhore. Kjo dukuri është e matëshme nëpërmjet sondazheve, diagrama e të cilave luhatet sipas përkrahjes që japin mediat e caktuara. Kur një media prestigjioze shpall se në politikën e saj botuese (editoriale) është përkrahja ndaj dikujt, duke shpallur edhe arsyet pse e bën këtë, menjëherë sondazhet e pasqyrojnë ndikimin e tyre tek votuesit. Duke i identifikuar mediat me propagandën Rita Mae Brown thotë: "Pasioni moral pa art është propagandë, arti pa pasion moral është televizion.

Shumëkush e ka quajtur dhe e quan propagandën art. Ose art më vete. Artistë të mëdhenj kanë këmbëngulur të mos bëhen ngatërrime të tilla që do të ishin fyese dhe poshtëruese për artin, pasi janë dy gjëra krejt të ndryshme e krejt të kundërta. E vërteta është se propaganda, ashtu siç i shfrytëzon të gjitha arritjet e fushave të tjera, i shfrytëzon edhe arritjet artistike, deri i shfrytëzon talentet e regjisorëve, aktorëve, skenaristëve. Në regjimet totalitare kjo shkon në tejskaj, duke i përdorur artistë si propagandues të vijës së partisë.

Në të mirë të përcaktimit të propagandës si art më vete janë edhe ata që e identifikojnë propagandën thjesht si art të gënjeshtrës. "Propaganda është ajo degë e artit të gënjeshtrës që konsiston pothuaj në mashtrimin e miqve tu më shumë se në mashtrimin e armiqve tu," thotë Frances Cornford. "Paradoksi tinëzar i propagandës është se ajo e cila në fyt është gënjeshtër, nëpërmjet përsëritjes, bëhet e vërtetë në zemër," thotë John Grierson. "Propaganda është një armë e butë; mbajeni në duart tuaja tepër gjatë dhe ajo do të lëvizë pothuaj si një gjapër e do të godasë në mënyrën e saj," shkruan Jean Anouilh.

Dikush thotë më tej se me televizionin propagandën e kemi armatosur me armën më të llahtarshme. Dikush tjetër do të thoshte se, në të vërtetë, kjo armë tashmë është interneti. Të tjerë do të thoshin se në jetën e sotme gjithçka është propagandë. Ndërsa më në fund ka edhe nga ata që përpiqen ta pajtojnë propagandën me realitetin si dy domosdoshmëri që nuk bëjnë dot pa njëra tjetrën.

Duke u pajtuar se propaganda është dukuria që e përmban pashmangshëm dëmin karahas dobisë, le t'i përmbyllim për momentin përsiatjet tona me një thënie të Hubert H. Humphrey, drejtues i famshëm i fushatës së Franklin Delano Ruzveltit, më vonë bipartizanist i kulluar në Senatin amerikan, për të qenë pastaj nënpresident i Lindon Xhonsonit, deri kandidat për president i demokratëve, i mundur nga Riçard Niksoni. Ai thoshte: "Propaganda për të qenë frutdhënëse duhet besuar. Për t'u besuar, duhet të jetë e besueshme. Për të qenë e besueshme, duhet të jetë e vërtetë."
Skënder Buçpapaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Editorial: 24 marsi 1999 është një datë e pazëvendësueshme në historinë e njerëzimit (03.23.2009)
Editorial Ushtarakët spanjollë nuk do të ndihen në Spanjë më mirë se në Kosovë (03.21.2009)
Editorial Politika në Shqipëri pa vonesë të kërkojë kandidimin e vendit për në BE (03.17.2009)
Editorial Një vit pas Gërdecit (03.15.2009)
Takimi eventual me Tadiqin është i dëmshëm për Kosovën (03.13.2009)
Editorial: Pse nuk votojnë shqiptarët (03.10.2009)
UNË VIJ NË PREKAZ -   NGA ELIDA BUÇPAPAJ (03.05.2009)
Uashingtoni dhe Prishtina rikonfirmuan të njëjtin vizion për Kosovën (02.28.2009)
17 Shkurti dhe Ëngjëlli Mbrojtës i Shqiptarëve Nga Elida BUÇPAPAJ (02.18.2009)
Në Shqipëri kemi demokraci pa integritet apo demokraci pa demokratë ? Nga Elida BUÇPAPAJ  (02.11.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]