VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Si e vrau Enver Hoxha Mustafa Gjinishin
E Djelë, 04.05.2009, 05:00pm (GMT1)

Intervistë me Xhemile Gjinishin, motrën e Mustafa Gjinishit

 

Mustafa Gjinishi është njëri prej autoriteteve madhorë të Luftës II Botërore antifashiste në Shqipëri. Shumë fjalë janë thënë nga dëshmitarë okularë dhe nga bashkëkohës të tij. Së bashku me Aqif Selimin, një nga bashkëpunëtorët e këtij personaliteti martir të antifashizmit, shkuam në shtëpinë e Xhemile Gjinishit, e cila jetonte vetëm me nipin e saj. Mustafa Gjinishi mbeti si shenjë e dëshmisë se PKSH po merrte rrugën e nënshtrimit para jugosllavëve, për të cilin i persekutuari me rreth 32 vjet burg nga regjimi i Enver Hoxhës, Aqif Selimi, flet me superlativa për figurën e njeriut që ai e cilëson si idhull në bindjet e tij. E ndarë nga jeta para disa kohësh, Xhemile Gjinishi shprehet me sinqeritet dhe dashuri prej motre, kur bie fjala tek Mustafai, siç e quan ajo vëllain e saj të dashur e të pafat, ndaj dhe kjo intervistë është siguruar që në vitin 2003. Fillimisht, ne vajtëm në varrezat e Peqinit, ku ishte edhe varri i Mustafa Gjinishit. Ishtë ky njeriu që kishte ndikime të mëdha në rrethet intelektuale dhe politike të kohës për shkak edhe të kulturës që kishte dhe gjuhëve që dinte, duke qenë edhe një ndërlidhës i përfaqësusve të Fuqive të Mëdha gjatë kësaj lufte në Shqipëri. Vrasja e Mustafa Gjinishit në Dibër ishte e hidhur për familjen e tij dhe për të gjithë ata që e njihnin si personaliteti më i rëndësishëm i Luftës.

- Jeni motra e një personaliteti si Mustafa Gjinishi. Çfarë i kujtoni vëllait tuaj?

Mustafai iku që fëmijë nga Peqini, pasi mbaroi shkollën fillore. Vazhdoi shkollën amerikane të Harri Fulsit. Mbaroi shkollën me rezultate të shkëlqyera. Për këtë ai e mbajti magazinier. Mustafai ishte i shkëlqyer në mësime dhe u bë përfaqësues i ideve komuniste dhe Fulsi nuk e dënoi, por e mbajti afër se ai thoshte të vërtetën gjithmonë. Pastaj doli nga shkolla dhe u bë gazetar e më pas shkoi me vëllanë e madh në Itali e më pas në Vienë se u sëmur vëllai i madh. Pasi u kthye prej andej, erdhi me broshura kundër politikës, si antizogist, kurse babai ka qenë zogist. Pas asaj u diktua, kur erdhi nga Italia dhe e burgosën menjëherë. Këtu e burgosën. Doli lëvizja e Fierit 1935. Atje në burg i kishin futur një pseudo të burgosur dhe kur ai gjoja do të dilte, atij i shkruan gjithë adresat e miqëve dhe shokëve të tij në këmishë që mund të ishin në Durrës, Kavajë, Berat dhe më pas i arrestuan të gjithë miqtë e tij. Mustafanë e çuan në burg në Fier, nga burgu në burg, e torturuan sa nuk dihet më, e torturoi një shoku i vet, që sot është përsëri oficer. Nuk e di në është gjallë apo jo. Prej atij burgu e çojnë në Portopalermo në Durrës. Aq i torturuar ishte, sa në Durrës e sollën shokët me çarçaf nga plagët, se nuk qëndronte dot në sedilie. Mustafanë e dënuan me vdekje me varje. Populli i Peqinit kërkoi falje se kishte një motër të vetme pa asnjë mbështetje. Zogu bëri një falje dhe e caktoi me 101 vjet burg. Edhe prej atij burgu Mustafai iku, u arratis dhe shkoi në Jugosllavi bashkë me ca shokë të tjerë. Nuk i mbaj mend emrat, disa nga ata janë gjallë edhe sot. Nga Jugosllavia, kur u bë falje, Mustafai kthehet bashkë me Shyqyri Pezën, me të vëllanë e Myslym Pezës. Kur kthehet edhe Myslymi në Pezë, bëjnë një shtab atje, ku Mustafanë e caktuan edhe sekretar, edhe financier. U formua çeta e parë në Pezë nga Myslymi.

- Desha të dija nga ju diçka më shumë se ç'lidhje kishte Mustafa Gjinishi me Çetën e Pezës?

Njohja me Myslymin ka qenë që më parë, se babai im me familjen e Myslymit kishin miqësi të hershme. Me formimin e Çetës së Pezës, miqësia u forcua më shumë. Myslymi thoshte "Mustafai dhe mbaroi", se ia dëgjonte shumë fjalën. Por më vonë Myslymi na doli ndryshe. Unë se besoja, por prapëseprapë është një pikëpyetje. Myslymi, nëse e ka bërë atë (që nuk e mbrojti Mustafanë), e ka bërë nga frika (e komunistëve). Mendimi i thënë nga Myslymi pas vdekjes së Mustafait ishte se, ai ka qenë për t'u vrarë, se nuk e donte më në fund. Këto thuhen edhe në një libër, por ky libër ka dalë pas vdekjes së Myslymit. Unë do t'ia thoja në sy.

- Ç'lidhje kishte Mustafai me Enver Hoxhën?

Në konferencën e Pezës, Enver Hoxha u caktua si komandat. Këta të tjerët kishin detyrat e tyre. Mustafai ishte sekretar. Ata ishin familjarë të njohur dhe u bënë edhe partizanë të njohur.

- Si është e mundur që nga kjo miqësi të vijë puna që Mustafai të vritet, si e quan vrasjen e tij?

Mustafai u vra tradhtisht. Ai shkoi në fund fare në një mbledhje se e hoqën prej detyrës dhe do ta dërgonin në një detyrë tjetër. Ishte koha që Jugosllavi dhe Myslymi u bënë miq bashkë. Në mbledhje ishin edhe jugosllavët. Mustafai kërkonte Kosovën, kurse jugosllavi e urrente, kërkonte ta zhdukte Mustafanë. Nuk e di se kush e dha urdhërin, por kuptohet jugosllavi me Myslymin.

- Kush mendoni ju se e ka vrarë Mustafa Gjinishin tradhtisht, pse donte Kosovën, si mendoni ju?

Derisa jugosllavi shoqërohej me Myslymin, këtu ishte puna. Mustafai i tha Myslymit se mua nuk më çojnë për burrë të mirë në veri. Kur Mustafai po nisej, Myslymi i tha që ta kërkojë këtë gjë dhe kaq.

- Po me Enver Hoxhën ç'marrëdhënie kishte Mustafa Gjinishi?

Që të dy e urrenin Enver Hoxhën, edhe Mustafai, edhe Myslymi. Kur Mustafai ishte i plagosur (është plagosur tre herë) Enver Hoxha vajti në një familje ku ishte Mustafai, as ishte fare i interesuar. Vetëm se i dha dorën dhe s'e pyeti fare. Kur kishte nevojë Enver Hoxha dhe Mustafai ishte i plagosur në dorë, i çoi haber se nëse ke mundësi, ne kemi nevojë për ty. Ishte koha kur luftohej në veri.

- Po për Marrëveshjen e Mukjes çfarë mbani mend?

Nuk mund të them shumë gjëra. Di se thuhej që Mustafai ishte i lidhur me amerikanët, ishte antijugosllav. Ai ishte në Jugosllavi veç për çështjen e Kosovës. Enveri gjithmonë e urrente Mustafanë, se kishte influencë të madhe Mustafai. Ai ishte pluralist, nuk ishte vetëm me një palë. Të gjithë ç'ishin pa dallim, Mustafanë e kapnin për qafe, e donin shumë. Nuk e njihte shumë politikën, por ishte vetëm për Shqipërinë, për Shqipërinë dhe iku për Shqipërinë.

- Kur e ke marrë vesh vrasjen e Mustafait?

- Of! (Rënkon). Jam me dyshime. Në kohën që isha partizane, flija në çadër me Myslymin dhe të shoqen e Myslymit, më duket se Myslymi kishte radio transmetuese, u dëgjua se Mustafai u vra. Ngrihet Myslymi nga çadra dhe thotë se kush e vrau Mustafanë, unë do ta çoj gjakun në gju të kalit.

- A e çoi gjakun në gju?

Jo, nuk e bëri më atë se erdhi korrieri nga Tirana, nga Gogo Nushi, që i tha mos bëj zë se Mustafanë e kanë vrarë shokët. Mos u ndjej, i tha. Heshti dhe Myslymi duke na lënë vetëm. Frika bën gjithçka. Myslymi iku dhe i la porosi të shoqes që Xhemilen ta kesh kujdes si motër. S'mund ta mohoj se Myslymi më ka trajtuar vërtet si vajzë shtëpie, por kjo është e vërteta. Më pas, kur po çlirohej Shqipëria, se ishte çliruar deri në Berat, vajtëm të gjithë, vajti shtabi i Pezës, gjithë ç'ishin, vajta edhe unë. U bë Kongresi i parë i burrave. Më lajmëruan edhe mua të shkoja, se ishin dy anglezë me Mustafanë, kur u vra. M'u tha se edhe anglezi kishte rënë mbi Mustafanë dhe plumbat kishin rënë mbi beretën e anglezit. Ajo ishte hapur tashmë se Mustafai ishte vrarë nga shokët, mbaroi puna.

- Ti vetë e ke takuar Enver Hoxhën?

Po, e kam takuar kur shkova në Berat, se më tha Myslymi. Kur më lajmëroi herën e parë, nuk vajta. Duke gjetur shkak se kam rrobat pa larë dhe nuk vij. Herën e dytë këmbënguli Myslymi që të shkoja me domosdo. Desha, s'desha, u vesha dhe shkova. Enveri ishte me dy anglezët, Smithin dhe një tjetër, s'e mbaj mend se si e quanin. Sa më panë, u kthyen nga unë se ishin në tavolinë dhe fliste Enveri, se ata siç duket nuk dinin shqip. Por ata ishin marrë vesh mes tyre. Më thanë që të mos të dëshpërohesha se motra e Mustafait ke qenë dhe motra jonë je. Enveri u kthye dhe më tha se, e shikon se ç'thonë këta, që janë shokët e Mustafait. Anglezi heq beretën dhe më tregon dy plumbat që kishin rënë mbi beretën e tij, kur kishte rënë përsipër Mustafait, pasi plumbi kishte kapur Mustafanë dhe më pas beretën e tij. Gjoja sikur u ka thënë Mustafai që "ikni nga unë se unë mbarova". Kur ikën me vrap këta se mos i qëllonin edhe këta, ata siç duket nuk dinin se kush ishte vrarë. Liri Gega që ishte partizane, gjoja kalonte andej për Peshkopi, se ishte një brinjë me kthesë. Rojen e Mustafait e heqin nga Mustafai dhe e çojnë tek Liria dhe atë që ishte tek Liria e çojnë tek Mustafai. Ai që shoqëronte Mustafanë, një djalë i ri, pyet se kush u vra. Ishte një pritë e organizuar nga Enveri, 11 vetë të veshur me rroba gjermane ishin në pritë për të vrarë Mustafanë. Në këtë kohë ky djalë e të tjerë pyesnin se kush u vra. Ky që ishte afër, Mustafai, ktheu automatikun me kokë poshtë, se vinte prej andej. Ai, thotë Mustafai, është vrarë, por s'e di kush e ka vra, nuk e di.

- Pra ti mendon se vrasja e Mustafai është një tradhti?

Po, tradhti është. Njeriu kryesor i kësaj tradhtie ishte Enveri, se po të mos donte Enveri nuk vritej Mustafai. Kam bindjen se Enverin e kan shtyrë të tjerët.

- Mendoni se Enverin e kishin shtyrë jugosllavët për ta vrarë Musfanë pse kërkonte Kosovën?

Po, po po. Apostafat, Enveri e dinte se jugosllavët donin ta vrisnin Mustafanë.

- Kush ishin idealet e Mustafa Gjinishit?

Mustafai ishte pro-perëndimor, por vetëm luftën e bënte për Shqipërinë. Vetëm të çlirohej Shqipëria. Këtë e dinë të gjithë shumë mirë. Anglezët i kanë mbajtur gjallë me qeska me flori partizanët. I kam parë me sytë e mi. Mos ta mohojë njeri.

- Po pasi ju ikët nga Berati, kemi marrë vesh se ju u internuat. A pyeti njeri më për ju?

Jo, s'pyeti njeri për mua. Mora Myslymin. Vajta te një familje afër Dajtit. Të gjithë ikën, unë ndejta me të fejuarën e Baba Fajës. Edhe atë e vranë më pas. U futa në makinën e saj e ndejtëm të dyja bashkë. Në këtë kohë më kërkonte një familje e njohur e Mustafait. Më gjetën në makinë. Më vonë Myslymi mori vesh që më kishin zbritur. Më thanë për makinë tjetër, unë nuk doja. Shkova me makinën e Baba Fajës dhe erdhëm në Tiranë. Të gjithë ikën dhe mbeta unë me të shoqen e Baba Fajës. Mustafai ishte antizogist, por më shumë edhe antienverist. Edhe Enveri e dinte që Mustafai nuk e donte atë, por edhe Mustafai e dinte që Enveri nuk e donte atë.

- A mendon se është vënë në vend dinjiteti i Mustafa Gjinishit?

Jo, nuk është vendosur asnjëherë. Ata nuk e dinë akoma se kush e ka bërë punën që ka bërë Musafai, kush e ka mbajtur çetën e Pezës, ku kaluan të gjithë ata partizanë, nga çeta e Pezës kanë kaluar dhe atje ishte Mustafai që i organizonte. Kam qenë atje vetë edhe unë. Mustafai dhe Myslymi si komandant që ishte.

- Pse pati kaq shumë hakmarrje Enver Hoxha ndaj Mustafa Gjinishit?

Kishte hall se mos i zinte vendin. Mustafai ishte i zoti dhe bashkëpunonte me anglezët për të mirën e luftës. Ndërsa Enver Hoxha ishte xheloz dhe ishte i lidhur me jugosllavët.

- Çfarë do t'i kërkoje ti një qeverie demokratike për figurën e Mustafa Gjinishit?

Dua vetëm të dalë e drejta për figurën e Mustafait. Sa ka luftuar ai, s'kanë luftuar as Myslymi e as Enver Hoxha e asnjë. Enveri veçse krenohej, por Mustafai ishte njeriu i mendjes dhe i punës. Nuk krahasohet Enveri me Mustafanë, se Enveri shkoi në Francë dhe e la shkollën përgjysmë, as që e mbaroi ndonjë shkollë, kurse Mustafai ishte një njeri që jo vetëm shkollën e mbaroi, por ishte njeri i mendjes. Dua të mos vdes që qeveria shqiptare ta shprehë mirënjohjen për Mustafa Gjinishin, se kush ka qenë dhe çfarë ka bërë, se ai s'pati as familje e asgjë, veç mendoi për Shqipërinë, duke shkuar në çdo qytet të vendit, sa në Tiranë, Kavajë, Berat, Elbasan. Bile thuhet se ai harroi Peqinin, por Mustafai ishte i të gjithë Shqipërisë.

- A i ke kërkuar ndonjëherë ndonjë personaliteti për vlerësimin e figurës së Mustafait?

I kam kërkuar, por s'ma ka vënë veshin askush. Kam shtatë vjet këtu e s'më ka parë njeri. Tani që ka fol ky nipi im, por qenka e thënë, se po s'pate krahë, duhet që ta kthesh politikën nga të dy anët. Mustafai ishte vetëm me një anë. Atë që thoshte "Po", atë mbante. Mustafai e kuptonte që do ta vrisnin, se derisa Enveri s'e donte, Myslymi nuk ishte inteligjent dhe nuk i kuptonte kurthet që bënte Enveri.

- Po juve çfarë ndihme iu kanë dhënë, se edhe ju jeni e persekutuar?

Asnjë lloj ndihme, edhe shtëpinë ma dhanë me para. Morëm borxh për këtë shtëpi.

- Sa njerëz kanë qenë në familjen e Mustafa Gjinishit?

Të gjithë kanë vdekur. Për Mustafanë e kam pasur merakun më të madh. Në katër varre është varrosur Mustafai. I mbetën kockat rrugëve. U interesua vetëm Pjetër Arbnori. Nuk e di pse ndodh kështu, si e trajtoi kjo Shqipëri Mustafanë që i mbetën kockat rrugëve, kur ai që në vogëli mendonte për Shqipërinë dhe luftoi e u vra për Shqipërinë. Më duket se ky trajtim që i është bërë Mustafait, sikur ky vrau Shqipërinë dhe jo që Mustafai luftoi e u vra për Shqipërinë. Asgjë nuk gëzoi ai. Unë nuk di si rroj, që vëllait nuk iu bë asnjë nderim.

Intervista është marrë 5 vjet më parë në Peqin, ku jetonte Xhemile Gjinishi, e cila vdiq para pak kohësh. Intervista është e papublikuar për arsye personale dhe botohet për herë të parë.

Intervistoi:

Hyqmet ZANE



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.