VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Kirk Dagllas ëndërron Anzhelinë Zholinë
E Enjte, 10.08.2009, 11:51am (GMT1)

 

 

 

Në moshën 90 vjeç aktori Kirk Douglas shkroi librin e tij të nëntë dhe betohej- librin e tij të fundit. Libri kish kapituj si "Thinking About Death" (Duke menduar për vdekjen), "Dealing With Death" (Duke u marrë me vdekjen), "Almost Dying" (Gati duke vdekur), "Reading Obituaries" (Duke lexuar nekrologjitë) dhe "Sunset" (Perëndimi i diellit). Ndërsa titulli i librit është "Let's Face it" (Le të përballem me të). Me kapituj të tillë dhe me një titull të tillë të librit, lexuesi mund të mendonte se Douglas ose po përgatitej për një karrierë të dytë, ose e kish mendjen vetëm te vdekja, si personazhi i tij në filmin e Woody Allen. Por ai i siguronte miqtë e tij se njerëzit e moshës së tij mendojnë çfarë kanë bërë dhe a kanë bërë mjaft në jetën e tyre. Ai ka luajtur në rreth 90 filma dhe tani duket i fortë si atëherë kur ishte 20 vjeç dhe luante boksierin në filmin hit "Champion". Por, siç thotë ai, në libër kemi një tjetër Kirk Douglas: "Këtu unë përballem me 90 vitet e mia, me vështirësitëe  dëgjimit, vështirësitë e shikimit, vështirësitë e të folurit. Po të kisha vdekur në të 40-tat do të isha mbajtur mend si një Viking duke kërcyer në anijet me vela? Ndoshta." Disa nga mendimet e tij të parashtruara në libër janë plot me humore të tilla. Të tjerat janë serioze dhe shumë sosh janë kujtime tejet të dhimbshme për njerëzit që ka humbur gjatë jetës së gjatë. Për shembull, miku i tij i ngushtë

Burt Lancaster nuk është larguar kurrë nga mendimet e tij. Dhe prapë ai bën humor, duke kujtuar si e prezantoi Lancaster atë në një darkë: "Kirk duhet të jetë i pari që ta pranojë se është një njeri i vështirë. (Pushim) Unë duhet të jemi i dyti." Kur Lancaster pati një hemoragji në tru, gruaja e tij kërkoi që Douglas të merrte një çmim që i jepej atij, por ajo nuk e lejoi asnjëherë ta shihte prapë mikun e tij, për shkak se Lancaster ishte në gjendje shumë të keqe.

 

Kirk Douglas humbi të birin Eric, kur ishte 45 vjeç, nga një mbidozë droge. Douglas dhe e shoqja Anne i shkojnë te varri dy herë në javë. Douglas është i famshëm për interpretim të personazheve të fuqishme që përjetojnë vuajtje të mëdha. Ai është therur në "Ace in the Hole", kryqëzuar në "Spartacus", ka humbur një sy në "The Vikings", një vesh në "Lust for Life", dhe një gisht në "The Big Sky". Douglas thotë se më i pëlqyeri për të është Vincent van Gogh në "Lust for Life". Por veten e shikon më të plotë në "Spartacus". Dhe thotë se ka një qëllim për vitin e tij të 91-të. "Do të takohem me Angelina Jolie, nëse ma miraton ime shoqe."/Elida BUÇPAPAJ
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.