VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

RUSI - ISH DISIDENTI KOVALEV IU KËRKON EVROPIANËVE TË NDALIN 'EKSPANSIONIN RUS'

E Mërkurë, 04.09.2014, 02:08pm (GMT1)



MOSKË, 9 prill /ATSH-AFP/ Ish-disidenti rus, Serguei Kovalev kërkoi ndalimin e "shtrirjes ruse" në Ukrainë duke sjellë ndërmend Mynihun, marrëveshjen në vitin 1938 me Hitlerin, në një deklaratë drejtuar botës perëndimore dhe veçanërisht Këshillit të Evuropës.
"U kërkoj qytetarëve të mbarë botës të ushtrojnë presion mbi qeveritë e tyre për ndalimin e shtrirjes ruse", shkruan Kovalev, 84 vjeç, në këtë letër të hapur.
"Bota e civilizuar është vendosur përballë një zgjedhjeje që nuk mund ta shmangë. Pasi Rusia ndau Krimenë nga Ukraina, një kërcënim tjetër sa vjen dhe rritet, ai i  pushtimit të rajoneve në lindje të Ukrainës", shtoi ish-disidenti, dënuar me 7 vjet burg në vitin 1975 dhe deputet në Duma pas rrëzimit të regjimit sovjetik.
"Prej 10 vijetësh kam qenë anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (APCE). U kërkoj ish-kolegëve të mi, kur të votojnë një rezolutë mbi rreziqet që shfaq Rusia aktuale, të kujtojnë Mynihun dhe Jaltën, pasojat tragjike të këtyre dy konferencave", vijon Sergueï Kovalev.
APCE, që do të zhvillojë këtë javë seancën e saj plenare në Strasburg, do të prononcohet për një sanksion që konsiston në privimin e të drejtës së votës të 18 anëtarëve të delegacionit rus.
Qeveritë evropiane janë të ndara, veçanërisht për shkak të varësisë së tyre për gazin rus.
Kovalev iu referua deklaratës së tij në konferencën e Mynihut gjatë së cilës Franca dhe Britania e Madhe pranuan de facto në vitin 1938 aneksimin e territorit të sudetëve nga Gjermania hitleriane, dhe konferenca e Jaltës që vulosi ndarjen e Europës me ish-Bashkimin Sovjetik stalinian në vitin 1945./
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.