VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LIGJVËNËSI NGA NJU JORKU NËN 20 AKUZA PENALE

E Martë, 05.13.2014, 06:08pm (GMT1)


Ligjvënësi republikan Michael Grimm, i Nju Jorkut, përballet me një mori akuzash penale që kanë të bëjnë me aktivitetet e tij të biznesit para se të zgjidhej si anëtar i Kongresit. Ndaj ish agjentit të FBI-së po hetohet gjithashtu për shkelje të mundshme të ligjeve për mbledhjen e fondeve për fushatë.
 
"Kjo gjueti shtrigash politike është projektuar për të arrituar disa gjëra, por mbi të gjitha, për të vrarë karakterin tim dhe për të më hequr nga detyra."

Kështu u shpreh ligjvënësi amerikan Michael Grimm duke folur para gazetarëve, pasi kishte deklaruar në një gjykatë federale se ishte "jo fajtor" për 20 akuza penale të lidhura me aktivitetet e tij të biznesit para vitit 2010, kur fitoi postin e tij në Dhomën e Përfaqësuesve.

Prokurorja Loretta Lynch lexoi akuzat e ngritura kundër ish agjentit të FBI-së, i cili gjatë asaj detyre hetonte vetë raste mashtrimi apo lloje të tjera korrupsioni.

"E akuzojmë për pengim dhe bllokim të punës së agjencisë së taksave (IRS), për konspiracion për të mashtruar Shtetet e Bashkuara, me anë të krijimit të të dhënave të rreme në dokumentet tatimore, për mashtrim financiar me postë, për mashtrim me anë të teknologjive të komunikimit, për mashtrimin të sistemit të kujdesit shëndetësor, për dëshmi të rreme, për pengim të një procedure zyrtare dhe për punësim të punonjësve pa dokumente. Këto akuza rrjedhin nga aktiviteti i Michael Grimm-it si administrator i një restoranti që kishte në pronësi dhe që drejtoi nga viti 2007 deri në vitin 2010."

Qeveria federale thotë se zoti Grimm fshehu më shumë se një milion dollarë në faturat e restorantit të tij në Manhattan, i quajtur "Healthalicious".
Gazetarja Alexandra Jaffee, e gazetës politike The Hill, tregon për një tjetër hetim ndaj ligjvënësit nga Nju Jorku, këtë herë lidhur me mbledhjen e fondeve për fushatë.

"Një rabin dhe mbështetës së tij e ndihmuan zotin Grimm për të grumbulluar gjysmë milioni dollarë. Dhe ka pretendime se këto fonde u mblodhën në mënyrë të parregullt, ndoshta duke u siguruar nga shtetas të huaj, të cilët nuk lejohen të japin para për një anëtar të kongresit amerikan, apo në mënyra të ngajshme. Hetimi është ende në vazhdim," thotë gazetarja.

Si pjesë e këtij hetimi, ish e dashura e zotit Grimm, Diana Durand, u deklarua "e pafajshme" ndaj tre akuzave kriminale për veprimtari të paligjshme financiare të lidhura me fushatën e tij të vitit 2010.

Ligjvënësi Grimm refuzoi të japë dorëheqjen dhe zotohet se do të rikandidojë në zgjedhjet e nëntorit.

"Unë e di që jam një njeri me moral, një njeri me integritet. Dhe e di që kam më tepër shërbim dhe udhëheqje për t'i dhënë këtij vendi."

Ndihmës Drejtori i FBI-së për Nju Jorkun George Venizelos e sheh atë krejt ndryshe, duke e publikuar kohët e fundit një deklaratë ku e akuzon zotin Grimm për shkelje të motos së FBI-së për besnikëri, trimëri dhe integritet duke e zëvendësuar me "mashtrim, dëshmi të rreme dhe bllokim."za

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.