VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

GORBACHEV ISHTE I PARI QË KËRKOI SHEMBJEN E MURIT TË BERLINIT

E Martë, 11.04.2014, 08:47am (GMT1)



Zbulime të reja historiografike hedhin dritë në procesin që çoi në rënien e Murit të Berlinit, 25-vjetori i të cilit festohet këtë javë, më 9 nëntor, që solli edhe hartën europiane që ne njohim sot. Sipas këtyre zbulimeve, të njoftuar nga historiani Wladyslaw Subok, Mikhail Gorbachev filloi të promovojë ngjarjen përpara dy Gjermanive.

Të dhënat e reja dalin nga shënimet e marra në takimin që Presidenti sovjetik Mikhail Gorbachev dhe Ministri i tij i Jashtëm Eduard Shevardnadze, mbajtën në Berlinin Lindor më 30 maj 1987 me kreun e qeverisë së RDGJ, Erich Honecker.

Në atë takim, Gorbachev sugjeroi hapur dëshirën për "të hapur kufijtë" dhe konkretisht "hapjen e kalimeve të Murit të Berlinit", duke argumentuar efektet propagandistike pozitive që do të kishte shembja e tij, para vizitës që kishte planifikuar në Berlinin Perëndimor Presidenti amerikan i atëhershëm Ronald Reagan. Reagimi Honecker ishte negativ ndaj çdo lloj hapjeje.

"Reagimi i mikut tonë përballë kësaj ideje ishte i ashpër", raportoi atë ditë një nga bashkëpunëtorët e Shevardnadze në shënimet e tij mbi takimin. Historiani Subok mendon se kundërshtimi i kupolës së RDGJ-së ishte një përpjekje e dëshpëruar për të qëndruar në pushtet që në fund rezultoi joefektive.

Më 12 qershor 1987, Reagan tha në Portën e Brandenburgut frazën legjendare: "Zoti Gorbachev shkatërrojeni këtë mur. Zoti Gorbachev, hapeni derën". Dhe vetëm dy vjet më vonë, më 18 tetor 1989, nën presionin e një vale pakënaqësie popullore dhe një eksodi masiv të gjermanëve drejt Perëndimit, Honecker u largua nga detyra dhe u zëvendësua nga Egon Krenz.

Murit i kishte mbetur më pak se një muaj. Edhe pse minutat e këtij takimi janë mbajtur sekret, populli i Gjermanisë Lindore hodhi poshtë propagandën e shtetit dhe kuptoi qëllimet e Gorbachev-it dhe me mbërritjen e tij në Berlinin lindor për festimin e 40 vjetorit të RDGJ-së, u prit si çlirimtar.

Mesazhi i tij i fundit ndaj udhëheqësve komunistë gjermane ishte, "është populli gjerman ai që duhet të shprehë  vullnetin e tij". Që nga takimi i vitit 1987, diferencat me Honecker ishin eksplicite dhe përshpejtuan largimin e tij.

Reagan, në dijeni të këtyre ngjarjeve foli për të si një "komunist i transformuar". Megjithatë Gorbachev e hodhi poshtë rolin e tij në rënien e Murit të Berlinit dhe në një bisedë që pati në vitin 2009 me Hubert Vedrine, që ishte Ministër i Punëve të Jashtme i François Mitterrand, e përcaktoi rënien e murit  "si një pemë që bie sepse trungu është kalbur".

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.