VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

CHARLES V - MONARKU I PARË I EVROPËS

E Shtunë, 12.06.2014, 10:30am (GMT1)


    Ky perandor-mesia, i cili ndiente se kishte marrë shumë “detyra hyjnore”, shpesh herë është quajtur “spanjolli” sepse kishte pallatin mbretëror në Madrid; por në të vërtetë ai ishte lindur dhe rritur në Gand (në Fiandrat, sot Belgjikë). Dhe në ADN-në e tij kishte kromozomet e gjysmës së Europës. Spanjollë ishin vetëm e ëma e tij (Xhovana e Çmendur) dhe gjyshërit nga e ëma, Reyes Catolicos Ferdinandi i Aragonës dhe Izabela e Kastijës, sponsorë të Kolombit. Por babai i tij (Filipi i Pashëm i Habsburgëve) kishte lindur edhe ai në Belgjikë, nga një austriak (Maksimiliani I) dhe nga Maria e Pasur

“Si themel i parë dhe i fortë i qeverisë suaj, duhet që gjithmonë të pranoni se çdo e mirë e juaja, dhe vetë ekzistenca juaj, vijnë prej dashamirësisë së pafundme të Perëndisë. Dhe ndaj vullnetit të tij duhet të nënshtroni dëshirat dhe veprimet tuaja”. Nuk jemi përpara një predikimi të një asistenti të Veprimit Katolik, drejtuar një grupi deputetësh demokristianë në vitet pesëdhjetë: fraza është shkëputur nga një letër e një babai drejtuar të birit. Dhe fjala “ju” nuk nënkupton që i drejtohet disa personave: është vetëm një formë kortezie, një herë e një kohë e përdorur edhe mes njerëzve të afërt.

Në rastin në fjalë, “një herë e në kohë” nënkupton 18 janarin e vitit 1548. Dhe babai për të cilin flasim ishte Karli V (1500-1553), sovran i perandorisë së shenjtë Romake dhe mbajtës i titujve të tjerë “më të vegjël”, si mbret i Spanjës, mbret i Italisë, dukë i Borgonjës, dhe dukë i Austrisë. Shkurt, flasim për njeriun më të fuqishëm të Europës. Apo më mirë të themi, të të gjithë botës, pasi zotërimet e tij shtriheshin nga Azia, në Afrikë e deri në Amerikë, aq sa ishte në gjendje të thoshte me plot gojën, siç përsëriste shpesh se “në Perandorinë time nuk perëndon kurrë Dielli”.

Por të kthehemi tek letra e sipërpërmendur, që u dërgua nga Augusta dhe që është e rëndësishme për dy arsye. E para: teksti zbulon që Karli V, regjisor i tentativës më të rëndësishme për të bashkuar Europën në 12 shekujt që kanë kaluar, që prej Karlit të Madh deri në krijimin e Bashkimit Europian, thoshte se vepronte jo thjeshtë në emër të tij, por në emër të Perëndisë. E dyta: duke ditur se ishte më pak i paperëndueshëm se sa Dielli në perandorinë e tij, perandori shqetësohej sepse dëshironte të bindte më së miri Filipin II, djali trashëgimtar i tij, që të vazhdonte aleancën me të Gjithëpushtetshmin.

Në raste të tjerë Karli V ishte treguar edhe më eksplicit. Në vitin 1543, duke qenë në prag të shpalljes luftë ndaj Francës, e cila hezitonte që të integrohej në Europën perandorake, kishte shkruajtur: “Ikja ime nga këto mbretërime po afrohet tashmë dhe çdo ditë që kalon e shoh se sa e domosdoshme është. Në fakt, vetëm kështu mendoj se do të përmbush detyrat që më ka caktuar mua Perëndia”. Në vitin 1548, Franca ishte mposhtur tashmë por Karli ishte ende larg (në Bavari) pasi kishte marrë nga Perëndia një detyrë të re: të mbante nën mbikëqyrje të krishterët gjermanë, të tunduar prej Luterit.

Përzierje gjenetike

Ky perandor-mesiah, i cili ndiente se kishte marrë shumë “detyra hyjnore”, shpesh herë është quajtur spanjolli sepse kishte pallatin mbretëror në Madrid; por në të vërtetë ai ishte lindur dhe ishte rritur në Gand (në Fiandrat, sot Belgjikë). Dhe në ADN-në e tij kishte kromozomet e gjysmës së Europës. Spanjollë ishin vetëm e ëma e tij (Xhovana e Çmendur) dhe gjyshërit nga e ëma, Reyes Catolicos Ferdinandi i Aragonës dhe Izabela e Kastijës, sponsorë të Kolombit. Por babai i tij (Filipi i Habsburgëve) kishte lindur edhe ai në Belgjikë, nga një austriak (Maksimiliani I) dhe nga Maria e Pasur.

Nuk është gjithçka, sepse në venat e Karlit rridhte edhe gjak blu me tjetër origjinë, e trashëguar nga paraardhës edhe më të largët: polak (nga Plast-ët), italian (nga Viskontët), francez (nga Valois-ët), anglez (nga Lancaster-ët), gjerman (nga Hohenstaufen-ët). Me një fjalë, një potpuri gjenetike, të cilën vetë perandori e përmblidhte me një fjali të bërë të famshme: “flas spanjisht me Perëndinë, italisht me gratë, frëngjisht me burrat dhe gjermanisht me kalin tim”.

Por në të vërtetë, sovrani i asaj perandorie ku nuk perëndonte dielli ishte më shumë i fuqishëm se sa poliglot: shprehej mirë në frëngjisht, por në gjuhët e tjera ishte gjysmë katastrofë. Sa për spanjishten, dukej se kishte një version krejt të tijin, e ngjashme me atë të turistëve italianë të kohëve moderne, të cilët nga Ibiza në Havana pretendojnë të kuptohen duke i shtuar nga një “s” të gjithë fjalëve që thonë në dialekt venecian. Sido që të jetë, kishte një arsye përse Karli ishte i tillë: ishte bërë Mbret i Spanjës vetëm në moshë madhore; të gjithë vitet e fëmijërisë i kishte kaluar mes Gandit dhe Digiones (Francë).

Por dihet: për të bërrë karrierë, të lashtët që lëvdohen vlejnë më shumë se sa gjuhët që fliten. Dhe, siç u pa më lart, Karli lëvdohej me një prejardhje shumë të pasur paraardhësish të famshëm, pra edhe me një bekim trashëgimie. Trashëgimia e Habsburgëve, që ishte tashmë dinastia më e fuqishme e Europës, i përkiste për shkak të linjës së drejtpërdrejtë; ndërsa pjesa tjetër e perandorisë i takoi atij krejt rastësisht, për arsye se emrat e familjeve të Kastijës, Aragonës, dhe Borgonjës u zhdukën, duke i lënë kështu zotërimet e tyre në duart e nipit fatlum me mbiemër mitteleuropian, pasardhësi i tyre indirekt.

Pikërisht në këtë mënyrë Karli u bë më i madhi i Habsburgëve. Dhe e filloi shumë shpejt karrierën e tij, kur ishte vetëm 6 vjeç. Në fakt, babai i tij Filipi ndërroi jetë në ndërkohë në vitin 1506 dhe ai u bë trashëgimtar i parë i fronit (austriak) të gjyshit të tij, Maksimilanit dhe atij që kishte qenë i gjyshes së tij, që kishte vdekur prej kohësh. Natyrisht që një mbretëri nuk mund t’i jepet një fëmije, kështu që gjithçka mbeti në “frigorifer”, deri kur mbreti në fjalë mbërriti në moshën madhore, e cila megjithatë u shpall shumë më herët se sa të vdekshmit e zakonshëm, domethënë kur ishte vetëm 14 vjeç, ditën e Pagëzimit 1515.

Bollëk titujsh

Në kryet e Karlit adoleshent u vendos shumë shpejt kurorëza e parë, ajo e Dukës së Borgonjës. Kësaj kurore, l’enfant prodige i aristokracisë europiane i shtoi më pas gjithë të tjerat, me një ritëm mbresëlënës: në vitin 1516 trashëgoi nga gjyshi nga e ëma mbretëritë e Aragonës dhe të Napolit; në vitin 1517 mori atë të Kastijës në vend të të ëmës, e cila kishte probleme psikike; në vitin 1519, me vdekjen e gjyshit nga babai, trashëgoi fronin austriak; dhe në fund, disa muaj më vonë, mori edhe kurorën e perandorit e cila në atë kohë përftohej (të paktën formalisht) me zgjedhje.

Kështu, brenda pak vitesh ishte unifikuar gjysma e Europës. Dhe Karli, në pjesën e mbetur të jetës së tij kultivoi projektin për unifikimin edhe të gjysmës tjetër, duke u përpjekur të detyrojë t’i binden edhe ata që rezistonin, domethënë perandorinë turke në lindje dhe Francën në perëndim. Nëse plani do të kish patur sukses, atëherë historia europiane do të kishte marrë një drejtim krejt të ndryshëm nga ai që mori: historiani i mesjetës Franco Cardini arrin deri aty sa të deklarojë se në vitin 800 nuk do të kish ardhur sezoni i madh i shteteve-kombe dhe në vitet 900 do të ishin shmangur dy luftërat botërore.

Atëherë, Karli V ishte një pararendës i Bashkimit Europian? Po dhe jo, por më shumë jo se sa po, pasi Europa e tij nuk ishte sigurisht një union mes shtetesh sovranë. “Uniteti politik të cilit duhet t’i referohemi nuk mund të ishte veçse ai i perandorisë romake, filtruar dhe transformuar nga Karli i Madh në përvojën e perandorisë së shenjtë romake, që kishte mirëpritur dhe përthithur vlerat morale dhe shpirtërore të krishtërimit”, saktëson Cardini. “Pra gjithçka që ishte shprehur nga Dante tek De Monarchia dhe kishte gjetur konfirmim në shkrimet e Erazmit të Roterdamit”.

Teza e Dantes ishte që “autoriteti i monarkisë perandorake i shkoin atij pa ndërmjetës prej burimit të autoritetit universal”, një perifrazim që i përket Perëndisë. Karli v ndodhej në të njëjtën linjë: perandoria e tij duhej nga i Gjithëpushtetshmi dhe duhej të përfshinte jo vetëm Europën, por të gjithë botën e krishterë, duke anashkaluar edhe vetë Papën. Ashtu si ajo e Dantes, Monarkia e Karlit kishte “M”-në e madhe, sepse ishte një fotokopje tokësore e “Mbretërisë së qiejve”.

Në të gjithë frontet

Duke nisur nga këto premisa, perandoria e Habsburgëve u shndërrua në teokracinë më të madhe që është parë ndonjëherë në perëndim, me të gjithë pasojat e këtij rasti: me Karlin V dhe birin e tij Filipi II, besimi katolik ishte motorri i gjithçkaje, që nga eksplorimet (shikoni misionet e Jezuitëve në Amerikën e Jugut), deri tek shtypjet e kundërshtive (përmes Inkuizicionit), që nga krijimi i kryeveprave të arkitekturës (si manastiri i Escorial në Madrid) deri në genocidet e konkuistadorëve (Hernan Cortes në Meksikë në vitet 1519-1521 dhe Francisco Pizarro në Peru në vitet 1532-1533).

Duhet thënë se Inkuizicioni spanjoll nuk ishte një krijesë e Karlit V, por i gjyshërve të tij nga e ëma, Ferdinand dhe Izabela. Ai u limitua në shfrytëzimin dhe eksportimin e tij: në Siçili, për shembull, ishte ai që vendosi si inkuizitor të madh Bartolomeo Sebastianin, Torkuemadën e ishullit. Në po të njëjtën mënyrë, masakrat që lidhen me pushtimin e Amerikës kishin nisur që në kohën e Kolombit; por ishte “perandori pa perëndime” që emëroi Pizarron si guvernator i Perusë dhe që i dha Cortes-it titullin “nënmbret i Spanjës së re”, domethënë zot i Meksikës.

Origjinale e Karlit V ishte në fakt ideja e Këshillit të Trentos (1545-1563), lëvizjes së gjatë të peshkopëve që i dha nismën kundër-reformës katolike, reagimi ndaj lëvizjes protestante (1520). Ndonëse i ashpër me Luterin (që e “gjykoi” dhe u përpoq ta dëbonte) Karli V e kuptonte që murgu rebel nuk ishte krejt gabim në sulmin e Selisë së Shenjtë; për këtë arsye bënte thirrje që Kisha të bënte një “ekzaminim të ndërgjegjes”. Por, Papa Klementi VII tregohej kokëfortë dhe nuk u përkul edhe kur në vitin 1527 një grup ushtarësh perandorakë rrethoi Romën dhe e detyroi që të arratisej për në Orvieto, i maskuar me veshjet e kryeshërbëtorit të tij.

Por ka një thënie që “rrugët e Perëndisë janë të pafundme”: në këtë rast rrugët kalonin nga një pjatë me Amanita phalloides, një kërpudhë shumë helmuese, që në vitin 1534 e çuan Klementin VII në botën e përtejme. Pak vite më vonë, pasardhësi i tij më pak i ngurtë, Paolo III hapi këshillin që çoi drejt fundit punët e tij, duke respektuar mbarëvajtjen e angazhimeve të luftës të perandorit, i cili bënte thirrje për një “pengesë legjitime” të epokës: nuk mund të ndiqte në të njëjtën kohë luftërat dhe këshillin “e tij”.

Dhe luftëra, Karli V bëri shumë. E megjithatë, Cardini thotë: “Nga shkrimet e tij del që sipas tij, finalizimi i monarkisë ishte paqja për të gjithë krishtërimin, i konsideruar si qëllimi i fundit i veprimtarisë së sovranit dhe aspirata maksimale e tij”. Si mund të shpejgohet kontradikta? Vetë perandori, në vitin 1548 përgjigjet: “E di mirë, nga përvoja, se shmangia e luftës nuk është gjithmonë ndër mundësitë e atij që e dëshiron, sidomos për atë që ka shumë shtete të mëdhenj, disa të largët, siç më ka dhënë mua perëndia me bujarinë e tij”

Mes armiqve që perandori ishte “i detyruar” të luftonte, më e natyrshmja për një mesiah të bekuar prej perëndisë ishte perandoria osmane. E cila në Mesdhe gjente mishërimin tek një kardinal berber, Khair El-Din i quajtur Barbarossa, kundër të cilit Karli V luftoi nga viti 1530 deri në 1541, me rezultate të ndryshëm në ndërkohë, por me një efekt jetëgjatë politiko-ushtarak: vendosjen përfundimisht në Maltë të Kalorësve të Shën Xhovanit, të destinuar ta qeverisnin ishullin për shekuj të tërë si dhe të shndërrohen në xhandarë kundër “të pafeve”.

E ashpër ishte edhe armiqësia që kundërvuri Karlin V me Francën dhe mbretin e saj, Francesco i cili nuk ishte aspak “i pafe”. Rivaliteti mes të dyve, shkak i plot katër luftërave (mes viteve 1521 dhe 1544) lindte pjesërisht nga mllefe personalë (Francesco ishte një ish kandidat për kurorën perandorake, të cilin Karli e kishte mposhtur), por “ndryshku” mes Francës dhe Perandorisë ishte më i lashtë: që në kohën e Maksimilianit I, në një tekst të vitit 1513, ai i kishte quajtur francezët “anchiens et natureiz ennemis de notre maison”, domethënë “armiq të lashtë dhe të natyrshëm të familjes sonë”.

E vërteta është që pas luftërave franko-perandorake, të shpërthyera formalisht për hegjemoni në Italinë veriore, kishte një përplasje mes dy kulturave politike të papajtueshme: nga njëra anë luftohej për globalizimin e parë të historisë moderne; nga ana tjetër për mbrojtjen e autonomive të kombeve. Përfundoi me Francën që humbi të gjithë luftërat. Madje në një rast, mbreti i saj u kap rob në fushën e betejës. Por parë në një këndvështrim për afatgjatë, Karli V ishte humbësi i vërtetë, për arsye se projekti i tij i globalizimit katolik u ndërpre në gjysmë të rrugës.

Në tërheqje

Po kush, apo çfarë ishte në gjendje të ndalte perandorin që kishte Perëndinë në anën e tij? Jo Francesco I, as Luteri e aq më pak Papa Klementi VII, që u ndanë nga jeta respektivisht në vitet 1547, 1546 dhe 1534. Rënia e sovranit-mesiah ishte shkaktuar për shkak të një teprie sigurie si dhe një aleancë e pamundur. Teprimi vinte nga vetë Karli, i cili në vitin 1552 u nis për ripushtimin e Lorenës, e pushtuar nga Luteranët. Aleanca e pamundur ishte ajo që mbreti i ri francez, Henriku II lidhi me të gjithë protagonistët e tjerë të epokës: papa, turqit dhe protestantët.

Erdhi kështu viti i zi i Karlit V, viti 1552: ekspedita e Lorenës përfundoi para mureve të Metzit, i rrethuar më kot për muaj të tërë, dhe aleanca franko-turke solli humbjen e flotës perandorake, e shkatërruar në Ponza. Ishte një dështim i dyfishtë. Më i madhi i Habsburgëve u vetëdijësua dhe në vitin 1556 hoqi dorë nga froni duke ia dorëzuar kurorat vëllait Ferdinand dhe birit të tij Filip. Më pas u tërhoq në një manastir në Yuste në Estremadura (Spanjë), ku qëndroi deri sa vdiq. Thonë se fjalët e tij të fundit ishin: “Po vij, Zot!”

Europa e Karlit tjetër

Më shumë se 700 vite përpara Karlit V ishte papati që ndërmori një aksion me karakter “europian”. Në Romë, ditën e Krishtlindjeve të 800, Papa Leoni III kurorëzoi Karlin e Madh (742-814) perandor i perandorisë së shenjtë romake. Papati kishte nevojë për një aleat të fuqishëm për t’u mbrojtur nga armiqtë që kërcënonin zotërimet e tyre në Itali. Dhe Karli i Madh, luftëtari i frankëve që në tre dekadat e mëparshme u kishte shkëputur territore Longobardëve, Saksonëve, Avarëve dhe Sllavëve, përfaqësonte krahun laik ideal. Historianët këmbëngulin megjithatë ta bëjnë Karlin e Madh, “baba” të Europës. Kurorëzimi i tij ishte më shumë një tentativë për të ringjallur perandorinë tashmë të varrosur romake në emër të krishtërimit. Aquisgrana, që me Karlin e Madh u shndërrua në kryeqytet të Perëndimit, i kundërvihej asaj që përcaktohej si “Roma e re”, apo më mirë Kostandinopoja bizantine. Edhe nga pikëpamja territoriale, perandoria e shenjtë romake e Karlit të Madh nuk ishte kaq e zgjeruar: nuk përfshinte ishujt britanikë, as edhe gadishullin iberik (dominuar nga myslimanët, bashkë me Italinë jugore dhe Siçilinë).

Mizoria e përdorur në Amerikë nga konkuistadorët e Karlit V kundër indigjenëve, e maskuar me qëllime ungjillizimi, nxiti reagimin e një peshkopi dominikan, Bartolome de las Casas, i cili në vitin 1542 shkruajti një “Relacion të shkurtër mbi shkatërrimin e Indive”, një akuzë e fortë kundër kolonëve. Teksti goditi dhe Karli V nxorri ligjet e rinj, që ndalonin skllavërinin e indianëve dhe kufizonin reduktimin e tyre në skllevër.

Megjithatë, shpesh herë këta ligje mbeteshin në letër: në Peru, një guvernator që donte t’i zbatonte u vra; dhe në Spanjë një teori pohonte që vendasit e Amerikës nuk kishin shpirt. Ai që e mbështeste ishte Juan Gines de Sepulveda, autor i “Zbulimi i njerëzve të egër”. /Focus Storia/

PERSHTATI: www.bota.al
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.