VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

RUSI - PËRKUJTOHET UDHËHEQËSI I VRARË I OPOZITËS NEMTSOV

E Martë, 04.07.2015, 05:45pm (GMT1)


Në Moskë, disa qindra njerëz u mblodhën sot pranë mureve të Kremlinit për të përkujtuar 40 ditët që nga vrasja e politikanit të opozitës ruse, Boris Nemtsov. Zoti  Nemtsov u qëllua për vdekje më 27 shkurt kur ishte duke kaluar një urë në distancë të vogël nga Kremlini.

Lidhur me vrasjen janë arrestuar pesë të dyshuar por aleatët e zotit Nemtsov thonë se organizatori i vrasjes është ende i lirë.

"Njerëzit, të cilët, gjykuar nga faktet, kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në këtë vrasje tani fshihen në Çeçeni nën mbrojtjen e presidentit çeçen, Ramazan Kadirov. Për hetimin e vrasjes së Nemtsovit nuk ekziston vullnet politik dhe as dëshira e vërtetë për të ndëshkuar organizatorët. Kjo është arsyeja përse çështja do të kufizohet te ndjekja penale e ndonjë personi, që ata do ta përdorin si kurban, ndërsa organizatorët e vërtetë do të mbeten të lirë, që do të thotë se praktika e vrasjeve politike do të vazhdojë," thotë Ilya Yashin, veprimtar i opozitës.

Sot paradite ura ku u qëllua zoti Nemtsov ishte mbushur plot me mbështetës të tij, të cilët vendosën lule dhe qirinj në vendin e vrasjes.

"Çdo gjë ka ndryshuar me shpejtësi që nga kjo vrasje. Ne jetojmë tani në një vend të ndryshëm dhe duhet të kuptojmë se ose do të bëhemi si Koreja e Veriut ose ne të gjithë duhet të kontribuojmë në ndryshimin e vendit, në ndërtimin e demokracisë për ta kthyer Rusinë në një vend ku të sundojë ligji," thotë Dmitry Gudkov, ligjvënës i Dumës

E marta shënoi 40 ditë që prej vrasjes dhe konsiderohet si datë përfundimtare e përkujtimit në traditën ortodokse. za
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.