VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TRUMANËT
E Djelë, 02.14.2010, 10:11am (GMT1)

 

 

Ai e pa atë një të dielë në shkollë kur ai ishte gjashtë vjeç dhe ajo ishte pesë. "Ajo kishte kaçurela të arta dhe sy tejet të bukur blu," kujtonte ai. E mbaruan shkollën e mesme së bashku në vitin 1901, por morën rrugë të ndara në jetë ai u vendos në Qytetin Kansas dhe ajo në Kolorado derisa do të rinjiheshin nëntë vite më vonë. Pikërisht asokohe Truman, siç shkruante ai më vonë për Bess, "mendova se ajo ishte njeriu më i bukur dhe më i ëmbël në rruzull," e prej asaj kohe filloi fushata e tij e parë dhe më e gjatë ta fitonte zemrën e Bess Wallace.

 

Bess jetonte në shtëpinë e familjes së saj në Independence, Misuri. Harry ishte një fermer i palodhur nga Grandview, nja tridhjetë kilometra larg. Kështu që ai i vinte rrotull asaj, pjesërisht me letra. Letërkëmbimi i tyre do të vazhdonte për gati pesëdhjetë vjet një garë emocionuese përgjatë nëntë viteve të vardisjes, pesëdhjetë e tri viteve të martesës, familje, karriere, fateve politike të cilat i vunë ata mu në qendër të skenës botërore. Më shumë se 1300 letra nga Harry për Bess Truman mbijetojnë në koleksionin Truman Library.

 

Mjerisht shumica e letrave që ajo ia ka dërguar atij kanë humbur në histori. Pasi i kishte kushtuar vëmendje dhe letra Bessit për më shumë se një vit, Harry i propozoi asaj më 1911, pro ajo e ktheu mbrapsht. Ai këmbëngul, dhe ajo kështu ra në dashuri me të. Ai mori ftesa për darkë në shtëpinë e Wallace të dielave, shpesh duke fjetur pranë rrugëve, më vonë në dyshemenë e shtëpisë së kushëririt të tij, sepse udhëtimi midis Grandview dhe Independence ishte i vështirë. Për të fituar mirëdashjen e saj ajo ishte nga një familje e pasur dhe perspektivë më të mirë, ai hyri në një varg biznesesh në miniera, në nxjerrje nafte dhe të tjera si këto kryesisht duke përfunduar pakënaqshëm. Ai shërbeu si postier i Grandview dhe si inspektor i rrugëve të zonës, e ardhmja e tij mbeti e paqartë.

 

Kur Shtetet e Bashkuara hyn në Luftën e Parë Botërore në prill 1917, Harry Truman u fut në regjimentin e artilerisë fushore të Gardës Kombëtare të Misurit, përfshirë në strukturat federale si Regjimenti i 129të i Artilerisë Fushore i Divizionit të 35të, njësi e stërvitur që të luftonte në Oklahoma. Me të arritur në Francë në prill 1918, ai do të bënte stërvitje shtesë përpara se të merrte komandën e Baterisë D, një njësi e njohur për rregull dhe rreptësi. Ai fitoi respektin e udhëheqjes së tij dhe trimërinë nën zjarr, duke marrë pjesë në aksionin e Vosges Forest, dhe në mësymjen e Meuse-Argonne e afër Verdun. Përgjatë shërbimit ushtarak, Truman mbajti fotografinë e Bess Wallace në xhepin pranë zemrës. Duke i shkruar asaj rregullisht, në shpirtin e tij ishte brumosur nga premtimi i saj se ajo do të martohej me të pas kthimit nga lufta.

 

Harry Truman u kthye nga Lufta e Parë Botërore i vendosur ta ndryshonte jetën e tij. Ai dhe Bess Wallace u martuan në qershor 1919 dhe banuan në shtëpinë e familjes Wallace. Më 1922, Truman hyri në politikë me zgjedhjen e tij si gjyqtar i kontesë Jackson County, duke shërbyer dy vjet deri më 1934. Lindja e vajzës së tyre Mary Margaret më 1924 solli gëzim dhe realizim për Trumanët, dhe fëmijëria e saj përkoi me rritjen e reputacionit të Harry Truman si dhe me karrierën politike.

 

Harry Truman nuk e lëshoi nga dora shansin për të garuar për në Senatin e SHBA kur ia ofruan më 1934. Zgjidhet dhe shërben për çfarë ai do t'i quante "vitet më të lumtura të jetës sime".

 

Ai shpejt do të krijonte reputacionin për punë të palodhur dhe përkushtim, për përqëndrim në trasportin dhe tregtinë e brendshme gjatë mandatit të tij të parë dhe për hetimin e programit të mbrojtjes kombëtare në mandatin e dytë. Besnik ndaj New Deal,por gjithashtu i pranuar nga më shumë anëtarë të partisë konservatore, Truman u bë bashkëgarues për nënpresident të Franklin Roosevelt më 1944. Gjatë këtyre viteve, Bess Truman shpesh kthehej në Independence për periudha të tëra, duke e lënë Senatorin vetëm në Washington, por duke mbajtur një letërkëmbim ku i shkruanin njëri tjetrit gjerë e gjatë.

 

Më 12 prill 1945, me vdekjen e FDR, Truman e pa veten papritur në presidencë, por shpejt u mësua me përgjegjësitë që binin mbi shpatullat e tij. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, përdorimi i bombës atomike, themelimi i Kombeve të Bashkuara dhe Doktrina Truman, plani Marshall, dhe fillimi i Luftës Koreane ishin disa nga momentet të cilat ai duhej t'i kryesonte përgjatë tetë viteve në zyrë. Duke jetuar në Shtëpinë e Bardhë dhe në Shtëpinë Bleir gjatë rinovimit të Shtëpisë së Bardhë nga viti 1948 deri në vitin 1952, Trumanët ishin një familje dorështrënguar që nuk pëlqente të dëfrente tej mase apo të mbante darka të mëdha shtetërore. Kur ai udhëtonte apo kur ajo ishte në Independence, Harry dhe Bess Truman vazhduan të shkëmbenin letra pothuaj përditë ku kishte ngrohtësi, thashetheme, humor dhe përshkrime të ngjarjeve botërore. Të rritur të dy në kapërcyellin e shekullit, ata parapëlqenin të shkruanin letra, të bënin telefonata dhe t'i qëndronin njëri tjetrit pranë në çdo çast të jetës e t'ia kujtonin njëri tjetrit ndjenjat./Elida BUÇPAPAJ

Elida Buçpapaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.