E Enjte, 03.28.2024, 03:30pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
PERSONAZH
 
Havzi Nela triumfi i një morali brenda ferrit - Nga Petrit PALUSHI
E Enjte, 03.05.2009, 08:28am (GMT+1)

1. Është e nevojshme të thuhet se Havzi Nela nuk luajti asnjëherë rolin e viktimës, të lutjes a mëshirëkërkuesit, apo të fshehjes së asaj që ndjente, por u shfaq si njeriu i përballjes së madhe dhe që kërkonte vazhdimisht drejtësi.

Kështu ndodhi në dënimin e parë me 15 vjet burg, në ridënimin prej 8 vjetësh, në dënimin e tretë (internimi) dhe në dënimin e fundit fatal. Mbas dënimit të fundit, i kërkonte Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me kryesues Abdiun dhe anëtarë Robon dhe Laskën: "Të më japë drejtësinë që më takon". Edhe pak kohë para se t'i merrej fryma, në orën 3.30 të mëngjesit ende të terrtë të 10 gushtit të 88-s, ai gjeti forca të ruante profilin e njeriut që s'qe pajtuar asnjëherë me shëmtinë e atij regjimi, që s'u përvujtnua, gjunjëzua e s'u përshpirt kurrsesi t'i falej jeta.

"I keq kam qenë dhe ashtu po shkoj. Të këqijat e mia i mora me veti. Kërkoj që të afërmit e mi të trajtohen mirë, mos të merren nëpër kambë. Kam nëntëqind e dhjetë lekë dhe kërkoj që këto t'u jepen të afërmve të mi (nanës)".

Kjo ka të bëjë me thelbin e çeshtjes tek ky njeri: përpjekja dhe sakrifica për lirinë, për paqen sociale, duke mbetë ajo që është esenciale për një njeri veçanërisht në kohëra të jashtëkohshme, pikërisht VETVETJA, mostjetërsimi i VETVETES.

Herezia ndaj H. Nelës nuk ka nisë për shkak të arratisjes së tij me 26 prill të 67-s, por pikërisht dhjetë ditë më herët për shkak të reagimit civil ndaj tezave shkretuese të diktatorit Hoxha të shkurtit të 67-s. Në përballjen me pushtetarinë vendore, në Shishtavec, ai shfaq haptas pikëpamjet e veta:

"...Populli asht i sëmurë, tri gjylpana menjiherë nuk e shërojnë, por e shkatërrojnë. Mungon edhe fjala e lirë dhe shtypi i lirë për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut...".

Është fjala për mosfutjen në kooperativë, për mosprishjen e objekteve të kultit dhe në tërësi për lirinë e individit.

Në atë që shtron, ai është i kthjellët, me një ndjesi reaguese ndaj asaj ofensive që kërkonte prishjen e shtyllave të shenjta si prona, besimi te zoti, liria e individit. Fjala e këtij njeriu të thjeshtë qe një alarm, qe një thirrje për atë që do të ndodhte më pas dhe vendi do të futej në bunkerin e vetërrënimit.

Këtu ngre krye vizioni i këtij njeriu; ai përpiqej që programi zezonë i partisë-shtet të kthehej me kryeposhtë, dhe me ndërrimin e regjimit komunist, sot është e lejueshme prona, besimi te Zoti, veshja sipas shijes së vetë individit, etj.

Ndoshta qysh këtu nisin e jetëson dy gjëra të qenësishme:

1. Vizioni i kthjellët.

2. Raporti me diktatorin, të cilin në një poezi të vitit 1975, do ta cilësonte "Tirani ynë", apo dhe në një shënim të vitit 1983 në kamp-burgun e Qafë-Barit kur vinte në dukje se "Shtylla qëndrore e urrejtjes dhe e demaskimit tim qëndron Hoxha".

Mbas kësaj, do vinte përplasja në këshillin pedagogjik dhe organizatën e partisë, dhe po prap do të mbronte pikëpamjet e veta, që do të thotë se në mendjen e vet qe formësuar ideja se tezat e 6 shkurtit të diktatorit do t'ishin rrënuese për krejt vendin dhe ai s'kish kurrfarë zmbrapsje pavarësisht pasojave të mëvonshme. Ndërsa arratisja e tij është spektakolare, sidomos për gjestin në kohën e kapërcimit të kufirit, ku në letrën që la tek Piramida me shënimin:

"Lamtumirë, Atdhe i dashun,

Po të la, po zemërplasun".

po dëshmonte se rrethanat po e detyronin të kryente një gjë të tillë, dhe në rast se do të mbaronte ajo aventurë, ai do t'i përmbahej dëshirës së shfaqur në vitin 1962, se kish dëshirë të shkonte në Austri dhe të shkollohej edhe aty, ku kishin studiuar Poradeci dhe Çabej, më vonë prej aty e në Amerikë.

 

2. Po të kish pranuar ofertën e UDB-së, ai do t'i kish shpëtuar ferrit të këtejmë, por mu për shkak të pavarësisë dhe të moralit të moralshëm, ai mori dënimin e parë prej 15 vjetësh.

Në rast se do të kish ndejtë urtë, me gojë të mbylltë dhe njësh me rregulloren e burgut, pra në rast se nuk do të shprehej në 75-n, gjithnjë sipas dokumenteve arkivorë se "këta që flasin nëpër gazeta për burgjet e Spanjës janë bërë më të tmerrshëm nga Hitleri e Franko... Po të flasësh dy fjalë dënohesh me 10 vjet privim lirie e punë të rëndë. Kampet e riedukimit janë në të vërtetë kampet e shfarosjes graduale të njeriut... Në Perëndim ka liri e demokraci, se muzika, arti, kultura dhe standardi i jetesës kanë arritur kulmin pasi ke ç'të shijosh", apo se "... Tani Konferenca e Sigurimit Europian me vendimet e saj do t'i detyrojë edhe këta t'i zbatojnë patjetër... Liri për njerëzit ka në Amerikë... alamet presidenti bën betimin para kryetarit të Gjykatës federale. Fjalën e kishte për presidentin që zëvendësoi Niksonin"; etj, etj, dhe në këtë kontekst, po të mos raportohej nga 6 bashkëvuajtës, nuk do të ridënohej me 8 vjet të tjera, kur i kishin mbetë prej dënimit të parë edhe 6 vjet, 4 muaj e 18 ditë.

Po të kish dalë i penduar prej burgu, me një fjalë po t'ish tjetërsuar, po të kish ulë kryet dhe të merrte frymë përmes hundëve të konformizmit, dmth, po të mos ishte Havzi Nela, por maska e tij, po të mos e njihte fort mirë regjimtaria komuniste, me strukturat e veta dhe me spijuninë rreth e rreth, pra po të mos e shihte si mur të pakalueshëm, ai nuk do të internohej në Arrën, në një katund që të jepte imazhin e një mikrosiberie shqiptare.

Por fati qe gjithmonë mizor me të.

Po të shohim ndodhinë e ngjarjeve sipas konceptit të K.Popperit, atëherë ia vlen të besosh se po të mos ishte dënimi i tretë (internimi në Arrën), ndoshta rrjedha e jetës së tij do t'ish më ndryshe.

"Megjithatë, më shkonte shpesh mendja që mua do më internonin, por nuk më shkonte mendja kurrë se do të më internonin pikërisht në fshatin Arrën. Përkundrazi. Mendja më shkonte se do të më internonin në ndonjë rreth tjetër, larg Kukësit, ku unë të kisha mundësi më shumë për të krijuar familje dhe për ta shijuar jetën në këto vite që më kanë mbetur, sepse vitet më të mira të jetës i kam kaluar në burg".

Në rast se ndonjëherë do të rihapet procesi gjyqësor, dmth, një gjykim normal, do të mësohet se hetimi ka zgjatur vetëm në harkun e 7 ditëve, se vendimi për ekzekutim është marrë në Gjykatën e Kukësit dy dytë para seancës gjyqësore, se janë kapërcyer kryekëput edhe vetë ligjet e zeza të kohës, se ndëshkimi qe krejtësisht politik, me gjithë përpjekjet për ta zhvendosë të vërtetën dhe manipuluar faktet. Këtu na vjen në ndihmë edhe një pjesë nga Vendimi i Gjykatës së Kukësi, që u mor krejt i mirëqenë edhe prej Kolegjit Penal:

"I pandehuri paraqitet me një personalitet shumë të keq, armik i egër e i betuar, çka flet për një rrezikshmëri shumë të madhe të tij. Disa herë është dënuar dhe përsëri më me konseguencë ka vepruar si armik, si në kushtet e izolimit, ashtu edhe në gjendje të lirë. Asnjë lloj dënimi për këtë të pandehur nuk ka më efekt përveç atij kapital, sepse për të nuk ka më shpresë edukimi".

Në këtë rrjedhë, komisioni i marrjes së frymës së H. Nelës, bashkë me kreun R. Alia, praktikoi edhe aktin e parafundit ndaj H. Nelës, ekzekutimin me varje, si një përpjekje tjetër për të terrorizuar banorët e Kukësit, por që u kthye në të kundërtën e vet: qëndrimi-homazh i banorëve ndaj të martirizuarit qe një shenjë se regjimi qe në përpëlitjet e fundit.

Këtu, në vijueshmëri mund të mësohet gjithashtu se miratimi për dënimin fatal është dhënë nga 7 presidiumsa të K. Popullor: Rita Marko, Sihat Tozaj, Eleni Selenica, Kristaq Rama, Lumturi Rexha, Rrahman Hanku dhe Emine Guri (me votë përmes telefonit), çka do të thotë se ka votuar për marrjen e jetës më pak se gjysma e anëtarësisë, që mund të bëjë pjesë në një rrëfim absurd, të pabesueshëm për një njeri normal, sidomos votimi përmes telefonit, dhe kur bëhej fjalë për marrjen e jetës së një njeriu.

Në anën tjetër, në rast se do t'ishin hapur dosjet qysh në 92-in, madje edhe ato të proceseve gjyqësore, F. Abdiu, një prej firmosësve të dënimit të martirit Nela, nuk do të kishte shansin të futej në Parlamentin pluralist të Shqipërisë, as disa vite më vonë të merrte kreun e Gjykatës kushtetuese, as Laskaj s'do të kishte shansin të ishte në krye të një institucioni të kontrollonte pasurinë e Presidentit të Republikës, të Kryeministrit dhe të parlamentarëve të Shqipërisë, ndërkaq as gjitha shpura tashmë e njohur që punoi sistematikisht t'i merrej padrejtësisht jeta martirit Nela, nuk do të vijonte të punonte në sistemin demokratik të drejtësisë. Të ndalemi pak në Republikën Çeke: në dhjetor të vitit që shkoi një ish-prokurore në moshën 86 vjeçare u dënua nga Gjykata e Lartë me 6 vjet burgim, për shkak të dënimeve që u kishte dhënë disa politikanëve antikomunistë në vitet '50.

Në rast se historianëve tanë nuk do t'u rrinte ende përmbi sy perdja e marksizmit, atëherë në tekstet e historisë së shkollave të mesme dhe të larta do të pasqyrohej krimi ndaj njeriut të lirisë Havzi Nela, si një prej krimeve të shëmtuara të diktaturës komuniste, duke realizuar dënimin e fundit politik me ndëshkim me varje, në gjithë vendet e Evropës Lindore. Për fat të keq, kjo ndodhi për shkak të mosrefleksionit të plotë të shoqërisë sonë.

Ende nuk ka ndodhur shkundullima e domosdoshme e saj, ai reflektim që historia jonë tragjike të shërbejë edhe si mësim që n'asnjë formë të mos shfaqen edhe vijat më të holla të saj apo edhe imazhe të asaj zymtie.

Ia vlen të thuhet se në rastin Nela apo në raste të përafërta nuk bëhet fjalë për pendesë të atyre që ushtruan barbarinë, por përpjekje e hapur dhe e fshehtë që të funksionojë mekanizmi i harresës, justifikimi absurd se "E tillë ishte koha". Ndërsa edhe ky takim i sotëm është një solemnitet nderimi dhe njëkohësisht solemnitet kundër harresës. Është gjithashtu edhe meritë e medias që e ka bërë të njohur vazhdimisht çeshtjen Nela.

 

3. E ndjej si obligim të shpreh mirënjohje ndaj dy vëllezërve të martirit Havzi Nela, Shukri dhe Asllan, të cilët mundën të nxjerrin fletoret me poezi nga kampburgu i Qafë-Barit, t'i ruajnë me përvuajtje dhe fisnikëri, dhe përmes atyre poezive tashmë na vjen më i plotë profili i martirit Nela, me një poezi thellësisht politike, si një tablo e ferrit të kohës.

Gjithashtu respekt për Ministrinë e Kulturës dhe ekipin e shkëlqyer të fisit Nela me banim në Amerikë, të cilët mundësuan botimin e dy librave, esenë time dhe poezinë e zgjedhur të H. Nelës, si dhe dy botimeve të tjera të këtij formati që do botohen s'afërmi: Albumi me foto të Martirit dhe ribotimi i plotësuar i librit "Fjala në litar".

H. Hela është përfaqësuesi i denjë i asaj shtrese dhe i atyre njerëzve, veçanërisht nëpër kampburgje, që mbetën vetvetja në atë kohë mizorie.

Jeta dhe vepra e tij është dëshmi e madhe, është një institucion karakteri, qëndrueshmërie, ndjesie, veti të cilën e kanë kryesisht ata njerëz që në radhë të parë janë VETVETJA.

"Shpejt gjithçka ka me marrë fund. Ne do mbyllim shumë gjana dhe do sillemi si njerëz, se përndryshe nuk e merr kurrë vetin Shqipnija. A lahet gjaku me gjak? Nuk lahet se bahet nji pellg tjetër gjaku që s'e lan e s'mundet me e la kurrën e kurrës të parin".

Ky qe mesazhi i Nelës (sipas një bisede me bashkëvuajtësin Ismail Dida), mu nga zemra e ferrnajës, një mesazh qytetërimi, mesazh për një paqe sociale, dhe natyrisht për një Shqipëri ndryshe, për të cilën ai edhe u flijua, por "si njeriu që bëri detyrën e vet", po të perifrazonim një varg të Ricos-it. Prandaj, përsa parashtrova më sipër, ai mbeti triumfi i një morali brenda ferrit, mishërimi i një përpjekje që liria të mos mbetej vetëm iluzion.


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Me rastin e 75 vjetorit të lindjes së poetit të varur në litar nga diktatura komuniste (02.24.2009)
U shua Soks, "Macja e Parë" e Familjes Klinton (02.22.2009)
200 Vjetori i Lindjes të Ikonës Abraham Linkoln (02.12.2009)
Një baron dhe njohës i Evropës Juglindore - Ministri i ri i Ekonomisë në Gjermani (02.09.2009)
Franklin Delano Roosevelt, i vetmi President i SHBA-ve i zgjedhur për katër mandate (01.27.2009)
Mishelë Obama, Zonja e re e Parë e Amerikës (01.20.2009)
Martin Luther King vizionari gjenial i paqes (01.17.2009)
Xhulio Anderoti: kam ndonjë sekret shtetëror që do ta marr me vete në parajsë (01.14.2009)
Tina Fey një Primadona e komedisë televizive në SHBA (01.12.2009)
Me rastin e 100 vjetori (01.07.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
Lajme Aktuale

Poetesha që ka zgjedhur Obama

 
VOAL
[Shko lart�]