VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LDK dhe LDD, bashkohen apo jo?

Nga Zijadin Gashi


E Martë, 02.02.2010, 06:27pm (GMT1)

 

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë mund të jenë pjesë e një blloku të ardhshëm politik që anon kah spektri i djathë, por, tash për tash, mbeten dy parti rivale, thonë zyrtarët e këtyre dy partive politike. Idetë për ribashkimin e këtyre dy subjekteve politike, sipas zyrtarëve të LDK-së dhe LDD-së, mbeten ende vetëm propozime individuale.



Afrimi apo edhe ribashkimi i Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës mbetet vetëm një ide e disa zyrtarëve të të dyja partive politike.

Përderisa LDK-ja është në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, kurse LDD-ja në opozitë, zyrtarët e LDD-së nuk shohin asnjë mundësi për një afrim mes këtyre dy partive politike. Kurse, LDK-ja vazhdon t’u bëjë thirrje zyrtarëve dhe anëtarësisë së LDD-së që të kthehen në LDK.

Zëdhënësi i LDK-së, Vehbi Miftari, thotë se LDD-ja, e dalë nga LDK-ja pas kongresit të fundit zgjedhor, ka program identik me LDK-në. Madje, edhe elektorati i këtyre dy partive politike, shton Miftari, është i konceptit të njëjtë, pasi që mbështet filozofinë dhe politikën e presidentit të ndjerë, Rugova.

Ne konsiderojmë se struktura politike e LDD-së është strukturë që profilin e vet politik e ka ndërtuar në LDK dhe po ashtu, çka është më e rëndësishme, programi i LDD-së është i përafërt me programin e LDK-së. Ne presim që në një skenë të rikonfiguruar politike të kemi mundësi më të mëdha bashkëpunimi, sidomos me këtë subjekt”, shprehet Miftari.

Thirrjet e Lidhjes Demokratike drejtuar anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Dardanisë për t’iu bashkuar LDK-së, sekretari i përgjithshëm i LDD-së, Lulëzim Zeneli, i sheh si lojëra politike. Zeneli thotë se LDK-ja në vazhdimësi ka shantazhuar LDD-në, duke aplikuar një luftë speciale ndaj saj.

“Ato lojërat e LDK-së vazhdojnë të jenë. Por, fatbardhësisht, elektorati i LDD-së i ka kuptuar dhe asnjëherë nuk ka rënë pre e luftërave të tilla speciale apo shantazheve të tilla që i ka lansuar LDK-ja. Pavarësisht kësaj, LDD-ja vazhdon të ketë respekt për elektoratin e LDK-së, që fatkeqësisht po përjeton momente jo të mira”, deklaron Zeneli.

LDD-ja, nënvizon Zeneli, ka ndërtuar profilin e saj politik dhe mbi këtë bazë të gjitha subjektet tjera politike konsiderohen si parti rivale. Ndërkaq, përderisa LDK-ja është në pozitë dhe koalicion qeverisës me PDK-në, Zeneli thotë se LDK-ja dhe LDD-ja mbeten dy bota të ndryshme.

“LDK-ja është partnere e koalicionit qeveritar dhe së bashku me PDK-në vazhdojnë të qeverisin vendin, kurse në raport me LDD-në këto dy subjekte politike ndajnë një botë tjetër, duke ditur se ne si parti opozitare kemi qasje kritike ndaj të gjitha këtyre zhvillimeve, ku në nivel institucional janë PDK-ja dhe LDK-ja”, thotë Zeneli.

Duke mos folur vetëm për gjendjen e sotme në spektrin politik, zëdhënësi i LDK-së, Vehbi Miftari, thotë se në Kosovë mbase duhet pritur rikonfigurimin e skenës politike, ku LDK-ja dhe LDD-ja mund të jenë pjesë e një blloku dhe profili të njëjtë politik, që anon kah qendra e djathtë.

“Mendojmë se është jetike për skenën politike në Kosovë që gradualisht të krijohen blloqe të fuqishme politike dhe këto blloqe të jenë të mbështetura edhe në parime programore që i afrojnë”, thekson Miftari.

Propozimi i parë për afrim apo ribashkim të LDD-së dhe LDK-së qe lansuar nga Berim Ramosaj, i cili, pasi nuk arriti të siguronte përkrahjen e strukturave të LDD-së për këtë ide, kaloi vetë në LDK.

Tash, së fundi, edhe zyrtari tjetër i LDD-së, Naser Rugova, ka ftuar dy partitë politike të ulen e bisedojnë për afrim mes tyre, marrë parasysh konceptin dhe programin e njëjtë që kanë.

Sidoqoftë, tash për tash, në nivel partiak kjo çështje nuk është diskutuar dhe mbetet ende vetëm si ide e zyrtarëve të caktuar të të dyja partive që dikur i përkisnin një subjekti të vetëm politik. (http://www.evropaelire.org)
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.