VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Berisha: "Kompania 4 mijë" të shpallen martirë të lirisë E Martë, 03.31.2009, 09:21am (GMT1) Kryeministri Berisha i kërkoi dje Parlamentit që të shpallë "Martirë të Lirisë" anëtarët e grupit "Kompania 4 mijë", të cilët u vranë nga regjimi komunist shqiptar në përpjekje për të çliruar shqiptarët nga kthetrat e diktaturës. Duke folur gjatë seancës së djeshme parlamentare, ku po diskutoheshin disa amendime në ligjin e ish-të përndjekurve politikë, kreu i qeverisë theksoi se anëtarët e kësaj kompanie ishin të stërvitur dhe të sponsorizuar nga vendet anëtare të NATO-s. "Nga vitet '45, Presidenti i SHBA-së Harri Truman dhe kryeministri i Britanisë së Madhe, krijuan komitetin e përbashkët. Ky komitet kishte qëllimin që t'u jepte shqiptarëve lirinë, kishte qëllim që t'i çlironte nga regjimi që sapo doli nga lufta dhe u dhunoi zgjedhjet. Ekzekutoi opozitën. Ky komitet mobilizoi resurse të mëdha, elitë intelektuale dhe politike shqiptare. Ky komitet financoi stërvitjen e qindra burrave trima shqiptarë dhe me ta kishte vetëm një qëllim: çlirimin e shqiptarëve nga diktatura", u shpreh kreu i mazhorancës. Ai tha se ky operacion, ndër më të mëdhenjtë në histori, i kryer për të rrëzuar perden e hekurt, pati fatin e keq pasi një tradhtar, sikundër ndodhi, ishte një kryeagjent rus, i cili i jepte Rusisë të gjitha detajet. "Ai mori dënimin kapital nga Britania, por ne duhet të njohim jetën, sakrificën, përpjekjen e të gjithë atyre që ranë për t`u bërë të lirë. Këta ishin nacionalistë të vërtetë, luftëtarë që luftuan katër vite kundër okupacionit dhe kur panë se Enver Hoxha po vendoste një pushtim të ri, u larguan dhe ranë në pritat e një tradhtari, që u jepte rusëve të gjitha të dhënat. Krahas shpalljes së tyre 'Martirë të Lirisë', unë i propozoj Parlamentit që të ketë një amendament për dëmshpërblimin e tyre, sepse ata ranë që ne të bëheshim të lirë", theksoi më tej kryeministri. Duke iu referuar qëndrimit të opozitës, Berisha theksoi se nuk është normale që të kalojmë në luftën e gjyshërve, sepse kjo nuk i shërben të ardhmes. "Këta që po them, po vinin nga NATO dhe ishin financuar nga Presidenti Truman. Ata erdhën për të na çliruar ne", theksoi kreu i shumicës së djathtë. Ai theksoi se ndonëse kjo veprimtari ishte flagrante me programin e paraardhëses së PS-së, Partisë së Punës, "Kompania 4 mijë" u sponsorizua tërësisht në territore të NATO-s. Berisha tha se ata erdhën në emër të lirisë dhe vlerave për të përmbysur diktatorin më të egër të Europës, Hitlerin e Pasluftës. Duke u ndalur tek amendamentet e paraqitura për votim gjatë seancës së djeshme, kreu i qeverisë e cilësoi këtë si një akt ligjor e moral, por nënvizoi se me asgjë vitet e rinisë së tyre nuk mund të dëmshpërblehen. "Me këtë vendim që marrim sot, më së shumti, ne shtojmë moralitetin e këtij Parlamenti dhe kësaj shoqërie. Mendoj se këtu duhet të jemi të bashkuar. Unë jam i vetëdijshëm se fatura është jo e thjeshtë, por shumë e rëndë, për këtë shoqëri që ata të mbikalohen. Po bëhet një akt i madh njerëzor. Një pjesë e jona këtu kemi përjetuar kohërat kur vëllai i mbyllte derën vëllait, pasi ai ishte rrënuar në burg", vijoi më tej kreu i ekzekutivit. Ai tha se është keqdashëse trillimi se po shpërblehen kriminelë lufte. "Asnjë, por përkundrazi, viktimat e krimeve të komunizmit. Le të lexojmë aktet e krimeve kundër njerëzimit. Të gjitha krimet që u kryen në emër të një regjimi dhe ideologjie të caktuar konsiderohen të tilla", vijoi Berisha. Kreu i qeverisë tha se mbrojtja e divizioneve është politika e re e PS-së. "U kthyet tek forcat e ndjekjes ju si politikë e re. Pas zgjedhjeve, kryetari juaj do të bëhet Hysni Milloshi", nënvizoi kreu i ekzekutivit. Bode: Brenda majit, 25 milion dollarë për ish-të përndjekurit |
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |