VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Në Strasburg gjatë Konferencës për shtyp me gazetarët

Sali Berisha: Hyrja në NATO, Pasaportë për BE


E Djelë, 04.05.2009, 04:05pm (GMT1)

Voal-online - Strasburg - Pas punimeve të djeshme të Samtit të NATO-s, në Strasburg, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp. "Kamerat dhe mikrofonat tuaj, si dhe vetë ju u bëtë dëshmitarë të ngjarjes më të madhe në historinë e Shqipërisë, që nga data e shpalljes së pavarësisë deri më sot, anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO, kurorëzimin, në Samitin e 60-vjetorit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, të ëndrrës së shqiptarëve për të parë vendin e tyre aty, ku rilindësit e projektuan, Zonjë në Perëndim, aty ku studentët u përballën në dhjetor të vitit '90 me diktaturën dhe e gjunjëzuan atë; Shqipëria në NATO!. Sot, në këtë Samit, në të cilin NATO erdhi më madhështor, më e fuqishme se kurrë në histori, erdhi me një bilanc të jashtëzakonshëm në mbrojtjen dhe zgjerimin e lirisë. I takoi Shqipërisë të jetë një simbol i atyre parimeve mbi të cilat NATO u themelua. 60 vjet më parë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Harry S. Truman themeloi Aleancën e Atlantikut të Veriut me qëllim që armiqtë e djeshëm t'i bëjmë miq me Aleancën dhe së bashku të mbrojmë vlerat që ndajmë si shoqëri të lira", u shpreh Berisha në fillim të deklarimit të tij.
Duke kujtuar paska nga historia shqiptare, Berisha vijoi më tej duke deklaruar se, "Shqipëria, pas daljes nga Traktati i Varshavës, nuk ka qenë rrezik për NATO-n, por ideologjia toksike e saj adaptoi propagandën më të errët. Pra, në këtë kontekst NATO-ja është magneti i madh që arriti t'i bashkojë kombet me liritë dhe me vlerat. Për çdo komb anëtarësimi në NATO është një ngjarje e jashtëzakonshme, për ata që kanë vuajtur sa shqiptarët është ngjarja më e jashtëzakonshme se për të gjithë të tjerët. Mbyllet një kapitull shekullor pasigurish për vendin dhe kombin tonë dhe hapet një epokë e re, në të cilën shqiptarët do të ndërtojnë të ardhmen e tyre në liri të plotë. Një komb që për shekuj ia ka dalë vetëm të mbijetojë, tani do të ndërtojë të ardhmen e tij i sigurt. Tani shqiptarët nuk do ecin më të vetmuar, por do ecin së bashku me kombet më të lira, më të mëdha dhe më të lira të planetit". 

Më pas, Berisha ripërsëriti edhe një herë falënderimet e tij.

"Ky Samit, i cili u hap sot me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë, si ngjarja e parë e madhe e tij, sërish, shprehu urimet më të mira për Shqipërinë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer dhe të gjithë folësit e tjerë uruan anëtarësimin e Shqipërisë. Një urim të veçantë sapo bëri gjatë konferencës për shtyp Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama, përveç urimit që bëri në seancën e Samitit. Presidenti Obama u shpreh se jam krenar me arritjet e Shqipërisë, reformat e saj të jashtëzakonshme që bënë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Unë, në fjalën time, u ndala në dy momente. Momenti i mirënjohjes së thellë që ne shqiptarët ndjejmë ndaj kësaj ndihme dhe solidariteti i jashtëzakonshëm. Theksoj sërish se asnjë komb, në një periudhë të tillë të shkurtër, nuk ka njohur një solidaritet të madh, saç kemi njohur ne, shqiptarët nga vendet mike. Po të rikthehemi në vitet '90 dhe të shohim ku ishim dhe ku jemi sot, një mal i madh besimi u vendos mbi ne. E tëra është një përgjegjësi e jona për ta shndërruar me tej në një energji të madhe për konsolidimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë, si dhe për t'ju përgjigjur të gjitha kërkesave që Aleanca e Atlantikut të Veriut ka në misionet paqeruajtëse në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Por, natyrisht, një mirënjohje e thellë u takon të gjithë atyre në Shqipëri, të cilët bënë të mundur këtë ditë me reformat e thella që ndërmorëm dhe realizuam. Kjo mirënjohje i takon administratës, institucioneve dhe në mënyrë të veçantë Forcave të Armatosura, të cilët me misionet e tyre paqeruajtëse në Afganistan, në Irak, në Çad, në Bosnje- Hercegovinë dhe kudo, në mënyrë të padiskutueshme, kanë luajtur një rol cilësor në këtë proces. Pra, ju u bëtë dëshmitarë të një akti madhor të historisë. Që sot e tutje çdo qytetar shqiptar do të jetë qytetar i një vendi anëtar të NATO-s. Që sot e tutje, Shqipëria është anëtare e Aleancës më të madhe politike dhe ushtarake të lirisë që kohërat kanë njohur", u shpreh Kryeministri Shqiptar.

Më pas, Kryeministri Sali Berisha, ju përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Cili është angazhimi juaj dhe i qeverisë për zgjedhjet e qershorit, duke pasur parasysh kontestimet e opozitës?

Zotimi im është i qartë; do të bëhen të gjitha përpjekjet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky është zotimi im dhe unë e kam shfrytëzuar edhe këtë Samit për të ftuar vëzhgues nga vendet anëtare të NATO-s në zgjedhjet e 28 qershorit.
 
Jeni pyetur shume herë, por duke marrë në këtë Samit sa është rritur përgjegjësia ne momentin që jeni ulur si të barabartë dhe çfarë do të bëjë kjo rritje përgjegjësie për zgjedhjet dhe standardet e tyre?

Siç theksova edhe në Samit, malin e besimit të vendosur mbi ne, unë e marr tërësisht si përgjegjësi të madhe dhe të gjithanshme, por dua të jem i sinqertë se parimi për zgjedhje të lira dhe të ndershme është një nga parimet më kryesore të përkushtimit tim. Ndaj, dhe unë jam i vendosur të bëj çdo gjë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. 
 
Zoti Kryeministër, ju u shprehët se keni zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme dhe mes tyre edhe Kryeministrin spanjoll Jose Luis Zapatero. Çfarë keni diskutuar në këtë takim dhe a ka qenë Kosova pjesë e këtyre diskutimeve?

Ky ishte një takim i parë imi me Kryeministrin Zapatero, me të cilin në radhë të parë diskutuam për marrëdhëniet bilaterale. Dhe i shpreha Kryeministrit Zapatero falënderimin tim për bindjen dhe mbështetjen që qeveria spanjolle i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë. Së pari, në fillim të vitit që vjen do të jetë kryetar i Bashkimit Evropian dhe ne jemi në procesin tonë të shtyrjes para të integrimit. Sigurisht që Kosova ishte një temë që u diskutua gjerësisht dhe ne do të diskutojmë në mënyrë miqësore të hapur me këtë vend dhe këtë qeveri mike.
 
Zoti Berisha një ndër vendimet e marra sot ishte dhe zgjedhje e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. A mund të na thoni se si u bind pala turke të japë dritën jeshile, e cila deri në orën 13:00 ata deklaronin se kjo ishte çështje e mbyllur?

Unë mendoj se në disa raste është më mirë të përshëndesësh rezultatet, sesa ti hysh labirinteve se si u arrit rezultati. Por, kjo ishte diçka shumë pozitive. Unë e përshëndes qeverinë turke për qëndrimin e saj plotësisht konstruktive, megjithëse nuk e di se deri ku kanë qenë diskutimet, por që nuk ka pasur një Jo të prerë, kjo është e sigurt. Për këtë kam qenë i informuar, por deri ku ka qenë hezitimi këtë nuk di ta them. Di që ka pasur negociata intensive nga udhëheqësit e NATO-s dhe u arrit rezultati më i mirë pasi Kryeministri Rasmussen është një personalitet i sukseseve të mëdha. Kishte dhe kandidatura të tjera, por NATO-s iu dhanë për pesë vitet e ardhshme një Sekretar i Përgjithshëm i shkëlqyer.
 
A keni ju informacione të mundshme për zëvendësimin e mundshëm të trupave të Shqipërisë, tashmë që Shqipëria është pjesë e NATO-s, me ato spanjolle. Pra, ka një informacion se trupat shqiptare do të zëvendësojnë trupat spanjolle që shërbejnë nën komandën e KFOR-it.

Nuk kam informacion se KFOR-i ka nevojë për trupa shtesë në Kosovë. Ju e shihni që qeveria e Kosovës dhe institucionet e këtij vendi, Forcat e Sigurisë së Kosovës po ecin me shpejtësi drejt konsolidimit dhe marrjes së roleve që u takojnë. Ndaj, për sa i përket Shqipërisë edhe një herë do të theksoj se është e gatshme të marrë përsipër çdo vendim që vjen nga kjo Aleancë dhe në përputhje me kërkesat e saj. Por, meqenëse jemi tek Kosova dua të them se kjo deklaratë ka një përmbajtje të gjerë si për Shqipërinë edhe për Kosovën. Shqiptarët duhet të jenë shumë të kënaqur dhe shumë të gëzuar nga ky Samit. Edhe Presidenti Obama në fjalën e tij e theksoi angazhimin dhe përkushtimin për Kosovën. Edhe lider të tjerë që folën në konferencë patën të njëjtin qëndrim. Shqiptarët kanë shumë arsye të jenë të gëzuar nga ky Samit.

 



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.