VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Socialistët përfundojnë listën e kritereve që duhet të plotësojnë kandidatët për deputetë
E Premte, 04.24.2009, 10:31am (GMT1)

Voal-online - Edhe pse shumë prej emrave të listës shumemërore tashmë janë përcaktuar, ndonëse jozyrtarisht, kriteret kanë përfunduar dhe pritet të miratohen në mbledhjen e afërt të kryesisë. Gazeta Shqiptare, cituar nga Balkanweb, njofton sot se pak prej tyre janë bërë publike nga burimet zyrtare. Kriteret më të rëndësishme dhe cilësitë që duhet të ketë një kandidat që do të jetë në listën e PS-së për deputet, kanë të bëjnë së pari me afërsinë që ai ka me këtë parti, por jo detyrimisht duhet të jetë anëtar prej vitesh i kësaj partie. Kjo, sepse shumë emra të listës do të jenë të rinj, nga shoqëria civile, persona publikë dhe që kanë krijuar një emër tashmë në profesionet që ushtrojnë. Një cilësi tjetër që duhet të ketë një kandidat, është figura e tij e pastër morale dhe mbështetja që gëzon në komunitetin ku ai pretendon të votohet, pra në rajonin ku do të jetë i renditur. Ky, madje është edhe një kusht i vendosur qysh në fillim dhe i kërkuar edhe nga komuniteti ndërkombëtar, që në listat e kandidatëve të mos ketë njerëz të përfolur për figurën e tyre morale dhe profesionale. Për këtë, kryesisë së PS-së, por edhe kreut të saj, Edi Rama i del për detyrë që në listat për deputetë të mos vendosë emra ish-ministrash apo ish-deputetësh të përfolur. Burimet bëjnë të ditur se lista e gjatë e kritereve është miratuar nga shtabi qendror elektoral i PS-së dhe u është vendosur në dosjet e punës, anëtarëve të kryesisë. Pritet që deri në fund të muajit të mblidhet forumi i lartë, në mënyrë që të kalojë edhe lista e kritereve.



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.