VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Berisha: Kompanitë franceze janë të mirëpritura në Shqipëri për t'i shndërruar investimet e tyre në histori suksesi E Premte, 04.24.2009, 02:39pm (GMT1) ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha nisi të premten vizitën e tij në Francë, me ftesë të Presidentit francez, Nikola Sarkozi, duke marrë pjesë në Konferencën e organizuar për nder të tij në Paris, nga MEDEF, Shoqata Franceze e Biznesit dhe nga Presidenti i Këshillit të Drejtuesve të Kompanive Franceze, Charles Paradis. Sipas burimeve të Zyrës së Shtypit të Qeverisë, gjatë fjalës së tij në këtë takim, Kryeministri Berisha ftoi investitorët e huaj të investojnë në Shqipëri, duke i siguruar ata se investimi i tyre do të jetë një histori suksesi. "Ekonomia shqiptare,- nënvizoi Kryeministri,- është ekonomi e re, dinamike dhe shumë entuziaste. Qeveria është e vendosur të vazhdojë të mbështesë fuqishëm biznesin e huaj dhe atë vendas". Përsa i takon zhvillimit të turizmit në vend, Kryeministri tha se 2.7 milionë turistë vizituan Shqipërinë vitin që kaloi, pa asnjë incident, pasi ata vizitonin një vend të sigurt. Ai vuri në dukje se janë rreth 400 kilometra bregdet, pjesa më e madhe e të cilit është ende i pashfrytëzuar. Kryeministri u ndal në politikat ekonomike të ndjekura nga qeveria shqiptare, duke theksuar se ajo ka prezantuar një buxhet, i cili lejon Shqipërinë që të ruajë ekuilibrin makro-ekonomik të vendit. Qeveria shqiptare ka mbështetur dhe ka marrë të gjitha hapat e nevojshëm për krijimin e një klime sa më të favorshme të biznesit dhe afrimin në këtë mënyrë të sa më shumë investitorëve të huaj në vendin tonë, tha ai. Sipas z. Berisha ekonomia shqiptare do t'u rezistojë pasojave të krizës globale, duke njohur rritje edhe për vitin 2009. Në këtë kontekst, ai tha se "të gjithë investitorët që kanë nisur projekte e tyre në Shqipëri, nuk kanë njohur lëkundje, ndalje, e aq më pak tërheqje prej tyre, me gjithë krizën ekonomike globale. Vetëm në muajin dhjetor janë nënshkruar kontrata koncensionare në fushë energjetike me një vlerë prej 3.5 miliardë dollarësh". Kryeministri tha se prioritet i qeverisë mbeten investime të mëdha në infrastrukturë, ku çdo vit ajo investon në këtë sektor 10 % të GDP-së, për modernizimin e akseve kryesore infrastrukturore dhe për zhvillimin e infrastrukturës rurale. |
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |