VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Kryeministri Thaçi vizitë private në Shkup
E Shtunë, 04.25.2009, 12:32pm (GMT1)

Voal-online - Agjencia INA bën të ditur se Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi mbrëmë në Shkup nuk ka dhënë përgjigje të qartë lidhur me shtyerjen e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shkupit dhe Prishtinës.

Thaçi ka qëndruar për një vizitë private në Shkup, duke takuar liderin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe ate të Demokracisë së Re, Imer Selmani, duke qenë në një drekë të përbashkët. Sipas agjencisë së lajmeve INA, kryeministri kosovar në agjendën e tij ka pasur edhe takime të tjera, të cilat nuk janë zbardhur nga Thaçi.

I pyetur se pse Maqedonia po shtyen vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, kryeministri Thaçi ka shtuar se "Maqedonia e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ai ishte një hap i drejtë, ajo ishte një zgjidhje e mirë e mundshme midis dy popujve. Këto marrëdhënie do të rezultojnë me përparime tjera".

Thaçi ka shtuar se duhet të krijohet një ambient i ri në rajonin e Ballkanit. Lidhur me raportet midis Maqedonisë dhe Serbisë, kryeministri kosovar ka theksuar se çdo përmirësim i marrëdhënieve midis shteteve është në interes të bashkëpunimit dhe stabilitetit.

Kjo është vizita e dytë e kryeministrit Hashim Thaçi në Maqedoni me një agjendë private dhe shumë të komentuar nga mediat për qëllimet e saj.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.