VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Çështja Durrës-Kukës, Gjykata e Lartë rrëzon Apelin dhe Faktin
E Enjte, 04.30.2009, 06:08pm (GMT1)

ATSH/ Gjykata e Lartë vendosi sot të shpallë të pavlefshëm vendimin e Gjykatës së Faktit dhe asaj të Apelit lidhur me afatet hetimore të çështjes së rrugës "Durrës- Kukës". 
      Gjykata e Lartë pranoi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila kishte bërë rekurs të  vendimit të Gjykatës së Faktit dhe Apelit që kishin shpallur të parregullt hetimin  tej afatit hetimor të  çështjen për rrugën "Durrës -Kukës".  Sipas arsyetimit të Gjykatës së  Lartë,  këto dy gjykata nuk janë  kompetente për shqyrtimin e kësaj çështjeje. 
     Gjithçka nisi në dhjetor të vitit 2008, kur mbrojtja ligjore e  ish- ministrit të  Transporteve,  sot,  ministër i Jashtëm,  Lulzim Basha, i  dyshuar për abuzime me ndërtimin e rrugës "Durrës- Kukës", iu drejtua Gjykatës së Faktit duke kundërshtuar  veprimet hetimore të prokurorisë,  pas datës 6 nëntor 2008.    
     Gjykata e Faktit pranoi kërkesën e palës mbrojtjese dhe e cilësoi të pavlefshëm ngritjen dhe njoftimin e akuzës ndaj Bashës pas kësaj date nga  prokuroria e  Përgjithshme.   Ky vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit në shkurt të 2009. Ndërsa,  prokuroria e Përgjithshme bëri rekurs në Gjykatën e Lartë,  me argumentimin se është Gjykata e Lartë kompetente për të shqyrtuar kërkesat penale të bëra nga personat që gëzojnë imunitet


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.