VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë gjatë seancës së nesërme plenare ligjin për hapjen e dosjeve


E Djelë, 12.21.2008, 09:05am (GMT1)

Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë gjatë seancës së nesërme plenare ligjin për hapjen e dosjeve

Rumani, hapen dy milion dosje spiunësh, prokurorë dhe gjykatës të inkriminuar kanë lënë vendet e punës

Rilindja Demokratike, 21 dhjetor- Shqipëria është e vetmja mes vendeve ish-komuniste që nuk ka bërë ende publike dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Ndonëse përjetoi diktaturën më mizore në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste të Europës Juglindore, Shqipëria ende është në fazën fillestare të këtij procesi. Me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike në vitin 1992 ky proces nisi fillimisht me pastrimin e institucioneve më të rëndësishme nga ish-agjentët e Sigurimit dhe në vitin 1995 u miratua ligji që pengonte kandidimin dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën politike. Por ky proces u ndërpre pas rebelimit komunist të vitit 1997, kur në pushtet erdhën me dhunë forcat e majta, trashëgimtare të drejtpërdrejta të Partisë Komuniste. Ata rikthyen në administratën publike dhe në poste politike ish-agjentët dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit, duke e zhvlerësuar tërësisht procesin e nisur për pastrimin e saj. Deri në vitin 2005, mazhoranca socialiste mbrojti me fanatizëm të pashoq ish-agjentët dhe bashkëpunëtorët sigurimit të diktaturës, që tashmë mbanin poste shumë të larta në ekzekutiv, gjyqësor dhe legjislativ. Një rast shumë i pazakontë ishte drejtimi i Gjykatës Kushtetuese nga një ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit që njihej publikisht për dhënien e verdiktit për varjen e intelektualit Havzi Nela në momentet kur themelet e diktaturës ishin në prag të shembjes. Fehmi Abdiu vazhdon të jetë ende anëtar i Gjykatës Kushtetuese, një dëshmi kjo e mungesës së thellë të respektit ndaj qindra mijëra shqiptarëve që u pushkatuan, u vranë, u internuan vetëm se kërkuan të kishin një mendim ndryshe dhe kërkonin të jetonin si njerëz të lirë. Por Abdiu është vetëm një shembull, pasi ish-bashkëpuntorë të Sigurimit gjenden pothuajse në të gjithë shkallët e gjyqësorit dhe Prokurorisë. Në këtë aspekt, Shqipëria është shumë e vonuar për shkak të kundërshtimeve të vazhdueshme të opozitës së majtë ndaj këtij procesi. Pothuajse në të gjitha vendet ish-komuniste të Europës Juglindore prokurorët dhe gjykatësit që kanë dhënë vendime gjatë kohës së diktaturës janë larguar nga puna sapo janë bërë publike lidhjet e tyre. Në Rumani janë hapur mbi dy milion dosje spiunësh, dhe prokurorë dhe gjykatës që kanë rezultuar të inkriminuar janë pushuar menjëherë nga puna. Një gjë e tillë nuk është konsideruar cënim i pavarësisë së sistemit të drejtësisë në vende që tashmë janë anëtare të Bashkimit Europian. Kjo është një dëshmi tjetër që hedh poshtë pretendimet e opozitës shqiptare, se me anë të ligjit për hapjen e dosjeve, i cili pritet të miratohet gjatë seancës së nesërme në Parlament synohet goditja e sistemit të drejtësisë./Voal-online



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.