VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Edi Rama nuk do të kandidojë për deputet
E Shtunë, 05.09.2009, 08:43am (GMT1)

Këtë ka lënë të kuptohet dje kreu socialist, i cili shprehu hapur ambicien për të qeverisur vendin, dhe jo vetëm Tiranën, në rast të fitores së PS-së në zgjedhjet e 28 qershorit. Në fakt, ka qenë një bisedë e lirë me gazetarët, ku kreu socialist ka sqaruar edhe hamendësimet që janë bërë rreth kandidimit të tij gjatë këtyre ditëve. "Unë kandidoj për t'u bërë kryeministër i Shqipërisë, ndërkohë kam dhe një kontratë katërvjeçare me qytetarët e Tiranës, të cilën duhet ta respektoj", - u shpreh Rama. Ai tha se do t'u shpjegojë votuesve të tij se, duke e votuar atë si kryeministër, "do të kem mundësinë që të punoj 5-fish më shumë për Tiranën dhe të punoj më shumë për Shqipërinë". Ai u shpreh prerë se nuk ka asnjë lloj frike, duke hedhur poshtë ato që thuhen se, Rama nuk kandidon për deputet, pasi nëse nuk fiton mandatin, humbet edhe postin e kreut të Bashkisë së Tiranës. Nëse Rama do të vendoste të kandidonte për deputet, duhet të hiqte dorë nga Bashkia, sipas ligjit për pushtetin vendor dhe Kushtetutës. "Nuk e kuptoj ç'hyn frika këtu. Pse duhet që të jesh në Parlament për të qenë kryeministër, apo ministër? Ky shembull është edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, drejtuesit e ekzekutivit janë ekstraparlamentarë", - i është përgjigjur Rama, interesit të gazetarëve. Ai tha se ideja është që në të ardhmen, qeveritarët dhe deputetët të kenë pozicione të ndara nga njëri- tjetri. Ai që do të zgjidhet ministër të merret me punët e qeverisë dhe ai që zgjidhet deputet, sipas Ramës të ketë mundësi të bëjë detyrën në Kuvend.
Tashmë, edhe anëtarët e tjerë të kryesisë socialiste, apo edhe deputetët kanë filluar të lançojnë çdo ditë emrin e Edi Ramës si kreun e qeverisë që ata mund të krijojnë në rast se do të fitojnë zgjedhjet. Kjo është e përcaktuar edhe në statutin e PS-së. Por, ajo që do të duhet të zgjidhet pas kësaj fitoreje, është fakti nëse Rama do të mund t'i mbajë edhe postin e kreut të Bashkisë, edhe atë të kryeministrit. Kushtetuta nuk përcakton gjë për këtë pikë, por sipas konstitucionalistëve, Rama nuk mund t'i mbajë të dy postet. Megjithatë, kjo do të diskutohet në rast të fitores së PS-së, kur edhe Rama gëzon të drejtën e krijimit të qeverisë së re.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.