E Shtunë, 04.20.2024, 11:52am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 

Kryeministri Sali Berisha i vendosur për ligjin e “Spiunëve”&
E Hënë, 12.22.2008, 10:01am (GMT+1)

 

 "Jam sot këtu, para jush, për të shprehur edhe njëherë qëndrimin tim ndaj ligjit të lustracionit që do të votohet nesër në parlament. Së pari, dua të deklaroj se me këtë ligj mazhoranca aktuale nuk synon kurrfarë hakmarrjeje, po synon të përmbushë një detyrim madhor, moral të shoqërisë shqiptare, atë të dënimit të krimeve të komunizmit, të shprehjes së distancimit ndaj barbarive të këtij sistemi, të hedhjes poshtë të legjitimitetit të krimeve të kryera për 48 vjet me radhë në Shqipëri, në emër të parimit barbar të luftës së klasave.

Me ketë ligj, ne përpiqemi të lehtësojmë dheun mbi dhjetëra mijëra shpirtra të varrosur, që u ekzekutuan, u torturuan apo vdiqën nga uria, sëmundjet, barbaritë e tjera në burgjet dhe kampet e përqendrimit.

Me këtë ligj, ne synojmë të vendosim sadopak balsam shoqëror në plagët e rënda që rrodhën për 48 vjet gjak, lot, dhimbje, vuajtje, mjerim në qindra e mijëra shqiptarë. Ekzekutimet, varjet, pushkatimet, burgosjet dhe internimet në Shqipërinë e Enver Hoxhës, Hitlerit të pas luftës, siç do ta quanin në Konferencën e tyre 42 parti demokratike të Evropës, të mbledhura në Paris, në maj të vitit 1991, numerikisht ishin shumë më të mëdha, sesa në Hungari, Rumani, Çeki, Poloni të marra së bashku.

Me këtë ligj, ne duhet të hedhim një themel për paqen sociale, kushti mes disa kushteve për një shoqëri të lirë.

Ligji aktual i lustracionit është një variant qartësisht i zbutur i ligjit çek të vitit "˜91. Për ata që komentojnë kushtetutshmërinë e tij, dua të komentoj se ligji çek i vitit 1991është shqyrtuar në vitin 1992 nga Gjykata Kushtetuese e Çekosllovakisë dhe është gjetur kushtetues. Pas shpërbërjes së këtij shteti në dy shtete të pavarura, Çeki dhe Sllovaki, Gjykata Kushtetuese çeke në vitin 1993, e ka rigjykuar ligjin e lustracionit dhe sërish e ka gjetur kushtetues. Në vitin 2000, pasi u vendos zgjatja e afatit të veprimit të ligjit, Gjykata Kushtetuese çeke sërish e ka gjetur kushtetues. Një ligj lustracioni që është kushtetues për Çekinë, e cila ka përjetuar një shtypje, do të thosha mbi 10 herë më të vogël se Shqipëria, nuk mund të imagjinohet që të mos jetë kushtetues edhe për këtë të fundit. Por përveç kësaj, ligji shqiptar i 1995-s, kopje pothuaj identike e ligjit çek, është gjykuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në 30 janar të vitit 1996 si ligj kushtetues.

Ligj aktual i lustracionit ka pasur zbutje dhe jo radikalizim, në krahasim me ligjin çek dhe ligjin shqiptar të vitit 1995 dhe kjo zbutje është bërë vetëm e vetëm se kemi marrë parasysh sugjerimet e opozitës në procesin e diskutimit, të negociatave të zhvilluara për këtë ligj. Ne i qëndrojmë ndryshimeve që kemi bërë.

Ligji çek i vitit 91, të cilit Gjykata Kushtetuese e Çekisë në vitin 2000 pranoi t'i zgjasë afatin, në nenin 1, pika 4 të tij shkruan: ky ligj gjithashtu përcakton disa kushte shtesë për të shërbyer në postet e gjyqtarit, ndihmësgjyqtarit, prokurorit, hetuesit, prokurorisë, noterit shtetëror, arbitrit shtetëror dhe për persona që shërbejnë si pretendues gjyqësor, pretendues ligjor i prokurorisë, pretendues noterial dhe pretendues arbitrazhi.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg apo gjykata, e cila vendos mbi ligjshmërinë e veprimeve ndaj të drejtave të qytetarëve, nuk ka pranuar në asnjë rast të vetëm të shqyrtojnë themelin e ligjeve të lustracionit, sepse këto ligje janë vetëkuptuar si ligje legjitime dhe lustracioni si domosdoshmëri e madhe për paqen sociale dhe ardhmërinë e këtyre vendeve. Theksoj këtu se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg nuk ka shqyrtuar në thelb as edhe ligjet e lustracionit, që i kanë lejuar vetes të krijojnë me ligj prokurorinë e lustracionit, gjykatat e lustracionit për ndjekjen penale dhe dënimin ligjor të atyre që kanë marrë pjesë në proceset politike, gjatë diktaturave komuniste, siç është rasti i Polonisë. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka kërkuar që për ata që kanë kryer krime të realizohet një proces i ndershëm ligjor, i bazuar në rregullat e shtetit ligjor. Kjo Gjykatë ka porositur se nuk mund të përdoren ato metoda, që ata kanë përdorur gjatë diktaturës, për gjykimin e tyre në një shoqëri të lirë.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, të cilës i janë adresuar edhe me dhjetëra qytetarë shqiptarë, gjatë shqyrtimit të kërkesave të individëve të veçantë, të prekur nga ligjet e lustracionit për kufizimin e të drejtave të tyre, nuk u ka dhënë në tërësi të drejtë atyre. Ajo ka pranuar se në këto procese të lustracionit mund të ketë kufizime të përkohshme, jo të përhershme të të drejtave të njeriut, për raste të implikimit në hetimet kriminale të regjimit.

***

Në vitin 2007, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka vlerësuar se ish bashkëpunëtorët e regjimit paraqesin dy rreziqe potenciale. Ata mund të jenë moralisht të konvertuar, ose mund të jenë pre e shantazhit për shkak të veprimeve të tyre në të shkuarën. Prandaj duhet informacioni që siguron lustracioni. Për më tepër, lustracioni paraqet një mënyrë për të testuar integritetin dhe kredibilitetin moral. Ja se çfarë thotë Gjykata Kushtetuese polake: lustracioni provon cilësitë morale të nevojshme për ushtrimin e funksioneve publike, të përshkruara në bazë të ligjeve relevante të tilla si karakter të pastër, reputacion të pacenuar, reputacion të mirë civil dhe respekt ndaj vlerave fondamentale, të lirisë, të drejtave. Po ashtu Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut të Strasburgut shkruan në vitin 2007 se në Evropën Qendrore dhe Lindore mund të gjeni tani shumë njerëz të moshuar, të cilët kanë gjak në duart e tyre. Disa nga ata janë mbështetës të zellshëm të të drejtave të njeriut. Nëse dikush propozon hakmarrjen, le të themi, ndaj atyre që deri në një të kaluar jo fort të largët kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete, ata ngrenë zërin, me arrogancën tradicionale të mësuar nga pozicioni i tyre totalitar i kaluar dhe i tanishëm. Ata mbrojnë me mënyrën e tyre ato të drejta të njeriut, të cilat kanë kaluar jetën duke ua mohuar të tjerëve. Madje duke i mohuar me gjak të ftohtë, në mënyrë brutale. Ky është qëndrimi Evropës, i të drejtës së vendeve të lira ndaj lustracionit. Nuk ka as dhe një institucion të vetëm më të specializuar, më të besueshëm, sesa Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut për lustracionin.

Përveç këtyre, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në vitin 1996, miratoi rezolutën, e cila do të bëhej platformë legale ose bazë ndërkombëtare ligjore për lustracionin në vendet ish komuniste. Kjo rezolutë i jep përgjigje të prerë dhe të qartë dy çështjeve thelbësore të procesit të lustracionit. Çështja e parë, a mund të bëhet drejtësi retroaktive dhe a mund të konsiderohet krim veprimi, i cili ishte i detyruar, sipas ligjeve të sistemit. Çështja e dytë ka të bëjë me qëndrimin ndaj gjykatësve dhe prokurorëve në këto vende. Lidhur me çështjen e parë rezoluta thotë: gjykimi dhe dënimi i çdo personi për ndonjë veprim apo mosveprim, i cili në kohën kur është kryer nuk përbënte vepër penale, sipas legjislacionit kombëtar, por që konsiderohej krim në bazë të parimeve të përgjithshme të të drejtës së njohur nga kombet e qytetëruara, lejohet. Pra, me këtë tempulli i demokracisë evropiane, ka legjitimuar tërësisht drejtësinë retroaktive, ka shpallur krim çdo vepër të kryer, pavarësisht se cila ishte germa e ligjeve të vendit, por që përbënte krim në një vend të lirë. Ndërsa lidhur me gjykatësit dhe prokurorët që kanë dhënë vendime politike thuhet: nëse një gjykatës ka lejuar një vrasjet gjyqësore, apo një roje burgu ka lejuar që të torturohet një i burgosur, ai duhet të gjykohet dhe të dënohet, nëse gjendet fajtor. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në vitin 2006 shkon më tej. Ajo kërkon hetim ndërkombëtar për krimet e kryera nga komunizmi.

Ligji i lustracionit që ne votojmë nesër në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk synon hakmarrjen. Edhe njëherë theksoj se ky ligj synon para së gjithash të lehtësojë gjendjen e shpirtrave të dhjetëra e mijëra shpirtrave që dergjen në varre për fjalën e lirë, për besimin tek Zoti, për pronën e tyre, për besimin tek Shqipëria. T'u lehtësojë dheun mbi varrin mijëra e mijëra burrave dhe grave, fëmijëve dhe pleqve që vdiqën në kampet e përqendrimit nga uria, sëmundjet, torturat.

Ky ligj synon të frenojë urrejtjen duke larguar nga postet një numër funksionarësh që kanë gjak në duart e tyre ose që kanë dhunuar me metodat e sistemit liritë e të drejtat e njeriut.

Ligji ynë është disa herë më i butë se ligji polak, ndonëse kur polakët udhëtonin pa viza për në SHBA, apo prisnin Gregory Pack duke mbushur sheshet e tyre, në Shqipëri, Xhelal Koprencka dhe bashkëvuajtësit e tij, të dënuarit e diktaturës ekzekutoheshin vetëm e vetëm se kishin kurajën të kërkonin që vendi i tyre të hapej drejt SHBA-ve.

Ligji ynë i lustracionit është qartësisht shumë më i butë, sesa ligji gjerman, ndonëse Gjermania Lindore prej 17-18 milion banorë numëronte gjithsej 250 qytetarë të pushkatuar në 45 vjet nga gjyqet e regjimit komunist, kundrejt mbi 6 mijë qytetarëve të pushkatuar në Shqipëri.

Ligji shqiptar i lustracionit që votohet nesër në parlament është qartësisht më i zbutur, sesa ligji çek, ndonëse, kur Çekia përjetonte pranverën e Pragës, ne, shqiptarët, përjetonim dënimet famëkeqe të pushkatimit dhe të histerisë, përjetonim revolucionin kulturor, kur çekët lexonin kartën 77, në Shqipëri, intelektualët shqiptarë pushkatoheshin, sepse kishin guxuar të përmendnin fjalën liri dhe të drejta njerëzore.

Pra, ky ligj është plotësisht kushtetues, aq sa është për Çekinë, vend sukses i integrimit në BE, vend sukses i integrimit në NATO. Një ligj i tillë nuk mund të mos jetë kushtetues për vendin që përjetoi barbaritë më të egra të kalvarit komunist.

Në të gjithë Evropën ish komuniste ligjet e lustracionit nuk janë miratuar me konsensus, madje ka ndodhur siç ndodhi në Shqipëri, që rikthimi në pushtetit i ish komunistëve i ka abroguar ato pjesërisht ose tërësisht, ose siç ndodhi në Serbi që partia e Sheshelit dhe Milloshevicit mbajnë peng ligjin.

Siç theksova më sipër, ka pasur raste që këto ligje janë miratuar edhe me 49.4 për qind të vota në parlamentit, duke shfrytëzuar absetinimin e të tjerëve. Unë nuk jam këtu për të zbatuar këtë praktikë, por zoti Rama, i cili në një ligjëratë të tijën, i lejoi vetës gjuhën e halabakut ndaj meje, dua t'i them sa vijon. Mbrojtja nga ana juaj zoti Rama e një grushti njerëzish në drejtësinë shqiptare, të cilët kanë vendosur vrasje publike të poetëve dhe intelektualëve, kanë urdhëruar lidhjen me tela me gjemba dhe zvarritjen në rrugët dhe sheshet e Shkodrës të kufomave të të rinjve shqiptarë dhe kjo dhe ne vitin 89-90, përdhos shpirtin e tyre të martirizuar dhe dëshmon se ti mban sot, po atë qëndrim që kanë mbajtur anëtarët e presidiumit famëkeq të kuvendit popullor, të cilët sipas dokumenteve origjinale kur kanë diskutuar për vendimet e tyre, lidhur me vrasje dhe pushkatime, në një nga rastet janë shprehur për të dënuarit se "ata janë plehra dhe duhet të dënohen, vetëm e vetëm se kërkonin fjalën e lirë.

Zoti Rama, ligjin nesër do ta votojmë dhe pa ty, sepse ti duke mbrojtur ata që kanë urdhëruar varjen e qytetarëve të pafajshëm shqiptarë përdhos vlerat njerëzore të njeriut të lirë. Duke mbrojtur me fanatizëm ata që kanë urdhëruar pushkatimin, varjen, zvarritjen e kufomave të intelektualëve, qytetarëve të pafajshëm, kjo dëshmon se në shpirtin tënd sërish ruhet urrejtja klasore ndaj viktimave të sistemit barbar. Zoti e shëroftë shpirtin tënd nga kjo urrejtje.

Zoti Rama ligjin do të votojmë edhe pa ty dhe jo sepse dëshirojmë, por se muaj dhe muaj të tërë jemi përpjekur që ta votojmë së bashku, por sepse ti duke mbrojtur një grup të vogël njerëzish të cilët kanë urdhëruar ekzekutimin, varjen, zvarritjen publike, në rrugët e Shkodrës dhe të Sarandës të kufomave të të rinjve shqiptare, dëshmon se je vendosur të shpërblehesh prej tyre njësoj si etërit tuaj shpirtëror. Mirëpo Shqipëria tani është një vend tjetër, një vend i lirë. Ata kanë kryer krime monstruoze, ata do të largohen.

Edi Rama me gjuhën që i ke lejuar vetes dy ditë më parë, mund të them shumë gjera sot, mund të mobilizoj një fjalor të tërë, por unë do të përmbahem dhe se dua të theksoj se duke mbrojtur publikisht një grup personash që kanë urdhëruar varje, pushkatime, zvarritje kufomash në rrugët e qyteteve të Shqipërisë dhe kjo edhe pas rrëzimit të murit të Berlinit dëshmon se për ty drejtësia shqiptare nuk duhet të jetë tjetër veçse repart i asaj partie që ka kryer krime monstruoze dhe ka qenë arkitekte e krimeve të mëdha.

Ndërgjegjja e këtij kombi nuk mund të përdhoset më tej. Ky ligj nuk është asgjë më shumë se sa një grusht dhe më pak, mbi shpirtrat e dhjetëra e mijëra shqiptarëve që u martirizuan për fjalën e lirë, besimin tek zoti, besimin tek liria, vokacionit perëndimor i kombit shqiptar.

Së fundi, dua të theksoj se ligji dhe Sali Berisha nuk janë kurrë për hakmarrje. Në vitet 90 dy djem të rinj u afruan me lëvizjen që unë drejtoja bashkë me shokët e mi, dhe në takimin e parë me ta, ata u treguan aq radikal sa që më kërkonin dënimin me varje. Unë iu përgjigja se unë nuk isha për varje, por isha për të mos lejuar hakmarrje dhe ata u larguan nga unë. Këta intelektualë të rinj ishin Edi Rama dhe Adrian Klosi. Kjo është e vërtetë. Kam menduar se ky njeri nga një radikal që dëshmonte në 1991, të paktën do të kishte forcë dhe kurajë shpirtërore për tu ndarë nga e shkuara. Kurrë në jetën time as e kam pranuar dhe as do ta pranoj fajtor të birin për të atin. As Edi Ramën se kam pranuar të tillë, por i kam ofruar vendin e deputetit në vitin 1991, sepse edhe ai ka marrë pjesë në lëvizje, nuk e mohoj, dhe kam menduar se me këtë njeri do të gjej gjuhën. Nuk kam dashur të lëndoj dhe nuk lëndoj njeri. I takon zotërisë të distancohet dhe të dënojë ato veprime. Kam pasur dhe kam respekt të palëkundur për nënën e tij, kolege, mjeke. Por nuk mund të pranoj kurrë të hesht për krimet e Spiro Kolekës, i cili është kryeorganizator i pushkatimeve në tërësi të inteligjencës teknike shqiptare nga ata këneta e Maliqit, tek Shkëlqim Bumçi, të cilit edhe atij donte t'i bënte atë që i kish bërë të tjerëve, por që mori 20 e ca vjet burg.

Nuk është mirë që të përdor një fjalor siç e përdori ai. Ka sërish kohë deri nesër të reflektojë dhe të votojë këtë ligj I cili ka Brenda kompromisin me partinë e tij".

Pyetje: Z. Kryeministër, ju thatë se do ta votoni nesër ligjin pa opozitën, por, mesa duket, do ta votoni edhe pa mbështetjen e ndërkombëtarëve, të cilët gjatë ditëve të fundit kanë intensifikuar deklarimet e tyre, si dhe takimet me ju për këtë ligj. Sipas disa burimeve që ne disponojmë, Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit Daniel Fried ka biseduar sot me ju dhe ju ka kërkuar të mos cenohet pikërisht autoriteti, pra, pavarësia e sistemit të drejtësisë. Sa e vërtetë është kjo?

E shoh se je më e mirinformuar se unë. Sot, nuk kam pasur asnjë bisedë me Ndihmës Sekretarin e Shtetit Dan Fried. Ligji, është e vërtetë, që publikisht ka pasur disa deklarata, por unë dua të garantoj shqiptarët dhe çdo partner e mik të tyre se vota nesër nuk është sfidë ndaj askujt. Vota nesër është përmbushje e një detyrimi madhor moral që ne ndjejmë ndaj dhjetëra e mijërave shqiptarë, shumë prej të cilëve nuk u dihen varret. Ajo çka dua të them është se në mënyrë kategorike ky nuk është ligj revanshi, por kjo qeveri dhe ky shtet është i detyruar ta zbatojë atë në përputhje me rregullat e një shteti ligjor. Ajo që për çekët ishte kushtetuese, për shqiptarët ishte kushtetuese, nuk mund të jetë jo kushtetuese sot për shqiptarët, nuk mundet që ligji, neni, Kushtetuta, shpirti, fryma e saj të flenë mbi krimin. Jo, kurrë. Fryma e saj është integriteti, etika, jo fshehja dhe mbrojtja e krimit. Në asnjë rrethanë jo.

Pyetje: A ishte kjo përgjigje, që ligji është kushtetues, edhe një përgjigje për ambasadorin Withers dhe jo vetëm për z. Rama?

Nuk di që ambasadori Ëithers të ketë thënë se ligji dhunon Kushtetutën. Por, nga ana tjetër, gjykoj se ka një Gjykatë Evropiane të të Drejtave të Njeriut që është autoriteti suprem i vlerësimit të të gjithë pajtueshmërisë së veprimeve dhe garantoj qytetarët shqiptarë, të gjithë ata që do t'u cenohen përkohësisht të drejtat me këtë ligj do të mund t'i drejtohen lirshëm kësaj Gjykate.

Pyetje: Para votimit në parlament, në fjalën tuaj keni përmendur emrin e zotit Shtylla si një nga ekzekutorët e kohës. Më vonë ai ka deklaruar se ju keni qenë një nga personat që i keni kërkuar atij të bëjë edhe kryeprokurorin, madje i keni dorëzuar edhe çështjen e zonjës Nexhmije Hoxha. Sa të vërteta janë këto deklarata?

Vërtet? Shumë interesante kjo që thoni, gati një përrallë me mbret. Për sa i përket zotit Shtylla, së pari, është memoria. Zonja Nexhmije Hoxha është arrestuar në dhjetor të vitit '91, kohë në të cilën Sali Berisha ka qenë në opozitë dhe u tërhoq edhe nga qeveria e Stabilitetit. Se cila ishte forca ime mbi prokurorinë e sistemit, atë mund ta gjykoni vetë. Për dijeninë tuaj dhe këtë e them me sinqeritet të plotë, njeriu që e arrestoi Nexhmije Hoxhën ishte Ramiz Alia dhe këtë e ka thënë edhe ajo vetë dhe e arrestoi për të shpëtuar lëkurën e tij. Këto janë të vërtetat. Prandaj, të mos ngatërrohen gjërat. Vlerësimi duhet bërë kur ka hyrë në fuqi ligji i lustracionit.

Dua të shtoj edhe diçka tjetër të rëndësishme. Ligji çek dhe ligji shqiptar i vitit '95 ka pasur një nen që autorizonte kryeministrin dhe ndofta edhe presidentin e vendit dhe ndonjë titullar tjetër që të bënte përjashtime. Këtë nen e kam hequr. Sepse edhe në atë kohë, ky nen u kritikua dhe krijoi përshtypjen se unë mund të abuzoja me të, sipas preferencave të mia. Dhe kam bërë shumë mirë që e kam hequr këtë nen dhe jo se ai është krejt i panevojshëm, por, sërish, më mirë të mos ketë asnjë lloj komenti.

Pyetje: A do t'i keni votat e nevojshme për të votuar nesër ligjin dhe në qoftë se do të merrni shumicën e votave, a mendoni se kjo riskon parlamentin, pasi mund të rezultojnë me dosje deputetë e politikanë të majtë e të djathtë?

Drejtësia do të bëhet. Ky është një detyrim i yni. Në 18 vjet, siç e keni konstatuar, shoqëria jonë është pasuruar me vlera shumë të mëdha, por nuk mund të them se është pasuruar me pendesën. Askush nuk ka shprehur pendesë, nuk ka kërkuar të falur përveç Sali Berishës në vitin '90, me tezën time "˜bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor'. Me këtë tezë, siç e kam përsëritur shpesh, nuk kisha kurrë ndërmend të persekutuari, por pjesën tjetër, sepse nuk mund të them se ne ishim të kënaqur e të lumtur të shtypur, sikundër nuk mund të them se nuk kishim përgjegjësi, pasi shkonim të votonim në automatin e frikës dhe terrorit, pasi nuk është se nuk bëheshin zgjedhje, por dilnin 99 për qind.

Pyetje: Z. Kryeministër, ju keni ardhur në pushtet në vitin '92 me një tezë mjaft të mbështetur atëherë nga shqiptarët me tezën e antikomunizmit dhe ligjin për lustracionin, në fakt, e hartuat vetëm në fund të vitit "˜95. Në vitin 2005, ju erdhët në pushtet me një tezë tjetër, me atë të luftës kundër korrupsionit, një problem shumë i madh për shqiptarët. Ndërkohë që ne të gjithë, në fakt, prisnim një përpjekje më të madhe të qeverisë për korrupsionin, ju i riktheheni tezës suaj antikomuniste, në prag të zgjedhjeve të vitit 2009. Sa do t'ju ndihmojë kjo, z. Kryeministër?

Të kthehemi në vitin '92. Sigurisht, Shqipëria duhet të ishte e para që për atë që kishte përjetuar, të hartonte ligjin më të rreptë të lustracionit. Por, unë personalisht përzgjodha ligjin çek dhe siç e kam shpjeguar, për shumë arsye. Nuk mund të them se mund të merresha me lustracionin në një kohë kur Shqipëria ishte në mjerim dhe uri, dyqanet absolutisht bosh dhe papunësia 80 për qind. Ne bëmë disa punë, u mbushën dyqanet nga liria e tregut dhe më pas u mor ligji çek.

Në vitin 2005, ne erdhëm në pushtet me tezën qeveri e duarve të pastra. A njihni ndonjë qeveri tjetër që të ketë spostuar vendin e saj nga 24 vendet e korruptuara në botë e të lërë mbrapa 95 vende? Përse ju citoni mijëra herë frazat që nxijnë Shqipërinë dhe jo ato që e zbardhin atë? Për cilën qeveri është shkruar se ishte kampione në reformat kundër korrupsionit? Dhe këto nuk janë thënie të miat, por të organizatës më serioze në botë për vlerësimin e luftës kundër korrupsionit. Ju thoni nuk po merremi me këtë luftë, kur ne muajt e fundit, ne kemi marrë një seri masash, të cilat, ju garantoj do të kenë efekte të shkëlqyera. Ne nxorëm lejet e ndërtimit nga kthetrat e zeza të korruptorëve. Lejet e ndërtimit janë një nga procedurat bazë të një shteti. Nga 333 ditë dhe 22 dokumente, në 45 ditë dhe te parimi "˜heshtja është pranim". Ju siguroj se kjo luftë mbetet përparësi e të gjitha përparësive.

Ligji i lustrimit ka dy vjet në parlament dhe ne bëmë disa përpjekje për të. Gjatë një bisede para disa ditësh, një mik i huaj më tha se në qershor, opozita dukej sikur ishte dakord për ligjin. Dhe ne prandaj e shtynim, duke pritur të binim dakord e të bënim kompromis me njëri-tjetrin, por jo me gjërat më thelbësore, jo, nëse kompromisin e ke për të lënë në krye të drejtësisë një grusht të vogël njerëzish. Vendi ka 350 prokurorë, 350 gjyqtarë, 95 për qind e të cilëve kanë të bëjnë me krimet e komunizmit, aq sa ju keni të bëni. Shqiptarët, u dashka patjetër të meritojnë drejtësi vetëm nga ata që i kanë duart me gjak. Jo, kjo nuk mund të pranohet.

Pyetje: Miratimi i ligjit nesër, a mund të cenojë disa nga gjyqtarët që kanë disa nga dosjet më të nxehta, si ajo e Gërdecit apo e rrugës Durrës-Kukës?

Ky ligj ka shkuar në parlament në tetor të vitit 2006, kur nuk ka ekzistuar asnjë prej këtyre dosjeve. Mendoni se këto dosje duhet të shërbejnë si imunitet për ata që kanë gjak në duart e tyre. Kjo nuk mund të ndodhë. Mund t'u them se pas këtij ligji, do të shkojë në parlament ligji për Institutin e Kujtesës Kombëtare. Sërish nuk do të jetë hakmarrje, sërish do të mbahet varianti çek, i cili përcakton një platformë të gjerë për vetëdijen kombëtare për pasojat e komunizmit.

Pyetje: Duke e marrë të mirëqenë që as presidenti dhe as Gjykata Kushtetuese nuk do ta kthejnë ligjin në fjalë, për sa i përket autoritetit të verifikimit, sa i besueshëm do të jetë ky autoritet, po të kemi parasysh se dy nga anëtarët e opozitës nuk do jenë të pranishëm?

Të jeni i sigurt se vendet janë të hapura për anëtarët e opozitës. Por ka edhe një nen në ligj që autorizon shoqërinë civile të propozojë anëtarë, në rast se njëra nga partitë politike nuk mbush vendin. Por unë e ftoj opozitën të marrë pjesë. Se në këtë aspekt, ky është fundi i akuzave boshe, është fundi i retorikës banale, në kuptimin absolut të fjalës. Zotërinj, ato janë arkiva dhe askush nuk do të mund të cenohet pa dokumente të qarta. Shpresoj që opozita të marrë pjesë në komisionin, për ndryshe, do të thotë se ajo shkon "˜in extremis' për të sabotuar këtë proces, të cilin nuk do të mund ta sabotojë.

Pyetje: Në fakt, midis variantit të ligjit të vitit 2006 dhe atij të vitit 2008 ka ndryshime, është zgjeruar rrethi i gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të verifikohen.

Absolutisht nuk është zgjeruar. Ligji thotë gjyqtarë, ndihmësgjyqtarë, prokurorë e ndihmës prokurorë. Po, ka një ndryshim dhe ky ka të bëje me kalimin nga termi special në atë politik. Kjo për faktin se ky është termi që përdor rezoluta e Këshillit të Evropës, në sensin, edhe ato ndëshkime, të cilat nuk kanë përbërë krim me ligjet e vendit kur janë dhënë, konsiderohen si të tilla, në rast se janë të tilla për vendet e lira. Kjo është pasqyruar në ligj. Ndërsa kategoritë, ashtu siç janë në pikën 4 të nenit të parë të ligjit çek, siç janë në variantin e vitit 2006 janë edhe sot tërësisht të pandryshuara. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë tentacion për tek privatët. U bë një tentativë për të futur mediat private, por harrojnë se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e ka rrëzuar pikërisht këtë nen të ligjit çek në vitin 1996. Ndaj dhe ne nuk e kemi përfshirë. Pra, rrethi, në disa aspekte, është ngushtuar dhe mendoj se është vepruar drejt. U kërkua nga opozita dhe ne e bëmë lëshimin dhe nuk pendohemi për këtë.

(Voal-online)

 

 



Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë gjatë seancës së nesërme plenare ligjin për hapjen e dosjeve (12.21.2008)
Kodi i ri Zgjedhor ende peng i grindjeve PS-LSI< (12.17.2008)
Tema e Dosjeve (12.17.2008)
LIGJI I SPIUNËVE PËRSËRI PA PAJTIMIN E OPOZITË (12.15.2008)
Kuvendi i Shqipërisë riharton Kodin Zgjedhor, siç këshilloi Presidenti Topi (12.12.2008)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lart]