E Premte, 03.29.2024, 09:46am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 
Nis punimet Konferenca e PD për Tiranën
E Hënë, 05.18.2009, 02:17pm (GMT+1)

Konferenca e Partisë Demokratike, dega Tiranë, nisi punimet të hënën në mesditë në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, me pjesëmarrjen e Kryetarit të PD-së, Sali Berisha dhe drejtuesve të tjerë të lartë të kësaj partie.
     Kryetari aktual i degës së PD-së të Tiranës, Sokol Olldashi, në fjalën e tij e cilësoi këtë moment "një ngjarje të rëndësishme politike jo vetëm për PD-në, por për gjithë vendin".
     "2005-2009 është periudha më intensive në jetën politike të kryeqytetit. Dega e Tiranës ka dhënë një kontribut të qenësishëm në realizimin e premtimeve tona elektorale të vitit 2005, duke vënë në dispozicion të qeverisjes së Shqipërisë burimet njerëzore", tha Olldashi.
     Prej disa muajsh, tha ai, "ne kemi hyrë në procesin e riorganizimit statutor të degës dhe i gjithë ky proces dëshmon se PD mbetet në mënyrë të padiskutueshme një forcë e rëndësishme politike në vend. Janë 5 mijë qytetarë që gjatë procesit të ristrukturimit janë anëtarësuar në PD, ku 30 % janë zonja, ndërsa 2304 janë të rinj që i bashkohen PD së Tiranës".
      Olldashi tha se "i gjithë ky proces dëshmon vetëm një gjë: që ne do të fitojmë në Tiranë dhe kudo".

 

Berisha: Qendra e djathtë, lokomotiva e reformave në Shqipëri

Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht Kryetar i Partisë Demokratike, deklaroi të hënën, se "qendra e djathtë shqiptare është lokomotiva e vërtetë e reformave, integrimit, prosperitetit dhe demokracisë", ndaj dhe shprehu bindjen se fitorja e 28 Qershorit do të jetë një fitore e madhe historike, që do të vendosë Shqipërinë në horizonte dhe nivele të reja.
     Në hapje të punimeve të Konferencës së PD-së për degën e Tiranës, ku do të zgjidhet edhe kreu i ri i PD-së për kryeqytetin, Kryeministri Berisha u shpreh se "me votën e saj 4 vite më parë, Tirana firmosi realizimin e projekteve të mëdha të qytetarëve të saj dhe mbarë kombit".
      "Dua të përshëndes të gjithë ata që 4 vite më parë votuan për Shqipërinë e sigurtë, për Shqipërinë, ku qytetarët e saj të enden të lirë dhe të qetë në rrugët e vendit, për një Shqipëri tjetër të pa administruar nga Nehat Kulla dhe bandat e tjera", tha Kryeministri, duke theksuar se "sot Tirana është kryeqyteti i një vendi me tregues kriminaliteti qartësisht më të ulëta se mesatarja e vendeve anëtare të BE-së".
     Vota që qytetarët e Tiranës i dhanë kësaj maxhorance 4 vite më parë, sipas Kryeministrit Berisha, "është vota që e shndërron Tiranën në një metropol europian, ashtu siç janë aspiratat e qytetarëve të saj".
      "Tashmë Tirana është kryeqyteti i një vendi anëtar të NATO-s, kryeqyteti i vendit që ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe brenda një viti do të marrë të drejtën të lëvizë në mbarë Europën pa viza", tha Kryeministri Berisha. 
     Sipas tij, "Tirana është djepi i ëndrrave dhe projekteve europiane të shqiptarëve dhe i sheh sot ato më realitet se kurrë më parë". 
     Tirana këto 4 vite, tha Kryeministri, "udhëhoqi vendin dhe kombin në reformat më të thella dhe transformuese në historinë e saj, të cilat bënë të mundur dyfishimin e rrogave dhe pensioneve".
      Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se "në 4 vite janë realizuar reforma të mëdha historike, të cilat vendosën Shqipërinë në një horizont të ri dhe lartësuan emrin e saj më tepër se asnjëherë më parë".
     "Ne e shndërruam vendin në një kantier të vërtetë ndërtimi dhe e bëmë Shqipërinë me një infrastrukturë tërësisht të re", tha Kryeministri, duke u zotuar se "28 qershori do të shembë murin e fundit që ka mbetur në Tiranë, murin e ndërtimeve pa leje dhe korrupsionit".
     "Qytetarët e Tiranës duhet ta dinë se kjo qeveri ka 5-fishuar grantin për qytetarët e kryeqytetit dhe në këtë 5- fishim nuk përfshihen ndërtimet e mëdha, si nyja hyrëse e Kamzës, një nga më të bukurat që mund të ekzistojë dhe as rrethrrotullimi te sheshi Rilindja", u shpreh Kryeministri. 
     Duke siguruar se "Qeveria është e vendosur t'i japë kryeqytetit infrastrukturën më moderne", Kryeministri i kërkoi Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që të dorëzojë projektin e unazës së madhe të Tiranës, të cilën "kjo maxhorancë është e gatshme ta përfundojë brenda 1 viti" . 
     "Ne do të zgjidhim në një kohë rekod problemet e trafikut të këtij qyteti dhe jemi të vendosur të nxisim biznesin dhe zhvillimin e tij në kryeqytetin e vendit. Kemi projekte për një seri parqesh industriale, që janë planifikuar në zonat për rreth Tiranës, ku do të punësohen shumë qytetarë", vijoi më tej Kryeministri Berisha.
     Sot, tha Kryeministri Berisha, "ne kemi startin e fuqishëm të fitores së ardhshme". "Nga kjo konferencë ne zotohemi se do ta bëjmë Tiranën në çdo qelizë të saj blu dhe fitimtare. Sot ne zotohemi se fitoren e 2005, do ta zgjerojmë në një masë të paimagjinueshme dhe se Tirana e 28 qershorit, për sa i përket votës, do të jetë Tirana e vitit '92", tha në përfundim Kryeministri Berisha.

 

Bojaxhi: PD e TIRANËS, një model qeverisjeje me integritet ndryshe nga modeli klientelist Rama 

Kandidati për postin e kryetarit të degës së Partisë Demokratike, Tiranë, Gjergj Bojaxhi, shprehu bindjen të hënën se "PD-ja e Tiranës do të ofrojë modelin konkret të qeverisjes së qytetit, i cili në ndryshim nga modeli klientelist Rama, do të bazohet në aftësitë drejtuese dhe në integritet të pacënueshëm".
     Gjatë punimeve të Konferencës së PD-së për degën e Tiranës, ku do të zgjidhet edhe kreu i ri i PD-së për kryeqytetin, zoti Bojaxhi u shpreh se "kryesia e PD-së së Tiranës duhet të jetë në vijën e parë të sulmit kundër lejeve të ndërtimit që kryebashkiaku Rama i jep në mënyrë jotransparente dhe klienteliste".
      "Ne duhet të jemi në vijën e parë të mbrojtjes së parqeve, në të cilën do të luajnë fëmijët tanë si dhe në vijën e parë të mbrojtjes së ajrit, i cili ndotet përditë", tha zoti Bojaxhi.
     Sipas tij, "PD e Tiranës duhet të kryesojë prerjen e të gjitha lejeve të paligjshme të kryebashkiakut Rama". "Kam bindjen e plotë se 28 qershori do të jetë një ditë e madhe për PD-në dhe gjithë Shqipërinë, pasi do të konfirmohet mbështetja e shqiptarëve ndaj kësaj maxhorance", tha ai.
     Zoti Bojaxhi shprehu gjithashtu bindjen se "ekipi i ri udhëheqës i PD-së së Tiranës, në bashkëpunim me kryesinë e partisë, do të bëjë një punë efikase për të fituar shumicën e deputetëve në kryeqytet.
     Partia Demokratike do ta fitojë betejën elektorale të 28 Qershorit, tha zoti Bojaxhi, duke u shprehur optimist se "qyteti i Tiranës, pas dy vjetësh, do të kthejë një demokrat në krye të Bashkisë së Tiranës".  
     Konferenca e sotme e degës së Partisë Demokratike (PD) për Tiranën do të zgjedhë kryetarin e saj. Për këtë post konkurojnë tre kandidatura të paraqitura zyrtarisht, Aldo Bumçi, Lajla Përnaska dhe Gjergji Bojaxhi.

      

Bumçi: Dega e Tiranës, e hapur për të gjitha grupet e interesit
 
Kandidati për postin e kryetarit të degës së Partisë Demokratike, Tiranë, Aldo Bumçi, tha të hënën, gjatë punimeve të Konferencës së saj, se "PD-ja e kryeqytetit do të jetë e hapur për të gjitha grupet e interesit".
    Duke e marrë fjalën në këtë Konferencë, kandidati Bumçi deklaroi se "gjatë katër viteve të qeverisjes së saj PD nuk u transformua nga pushteti, por ajo e përdori këtë pushtet për të ndryshuar jetën  e shqiptarëve". 
     Sipas tij, "PD duhet të theksojë identitetin e saj politik, duke përfshirë në këtë proces çdo anëtar të thjeshtë". Ai vuri në dukje drejtimet për organizimin e degës së PD-së në kryeqytet, përmes nxitjes së debatit politik.      
     "Ne na duhet të krijojmë hapësirë publike për debat në degën e Tiranës, i cili të përfshijë çdo seksion të saj për t'i ripërtëritur politikisht strukturat tona. Dega e PD-së së Tiranës duhet të jetë e hapur për të gjitha grupet e interesit. Ajo, sidomos, duhet të lidhet me botën universitare, duke luftuar për nxitjen e liberalizmit politik, duke i ftuar të rinjtë të bëhen pjesë e vizionit politik", tha Bumçi.
      Konferenca e sotme e degës së Partisë Demokratike (PD) për Tiranën do të zgjedhë kryetarin e saj. Për këtë post konkurojnë tre kandidatura të paraqitura zyrtarisht, Aldo Bumçi, Lajla Përnaska dhe Gjergji Bojaxhi.

 

Përnaska: Me platformën tonë elektorale do të certifikojmë fitoren e zgjedhjeve të 2005

 

Kandidatja për postin e kryetarit të PD-së, dega Tiranë, Lajla Përnaska, u shpreh të hënën  në punimet e Konferencës së kësaj dege, se "me platformën tonë elektorale ne do të çertifikojmë edhe një herë fitoren e madhe të zgjedhjeve të vitit 2005, e cila do t' i shërbejë jo vetëm kryeqytetit, por gjithë Shqipërisë".
     Në fjalën e saj znj. Përnaska, konkurrente në garën për kreun e PD-së së Tiranës, tha se "maxhoranca ka qartazi një aksion për qytetarët dhe zhvillimin e vendit. Por, nga ana tjetër ka një tjetër model qeverisje për Tiranën, bazë e së cilës është pasioni për pushtet i Edi Ramës, pasioni për kapitale marramendëse dhe për uzurpim të opinionit publik dhe mediave". 
     Rama tha ajo, "tashmë është përfshirë nga fobia e zgjedhjeve të qershorit, prandaj kërkon të baltosë në çdo vend dhe media progresin e këtij vendi". 
     Kandidatja Përnaska tha se "zgjedhjet janë e ardhmja që po e ndërtojmë së bashku, me vlera që përfaqësohen me dinjitet nga PD-ja. Besoj në modelin e lidershipit të PD-së, në pasionin dhe angazhimin e tij".
     Ajo theksoi se "me PD-në e Tiranës maxhoranca do t'i çojë më tej arritjet, për ta bërë degën e kryeqytetit forcën që ne duam". Pernaska bëri thirrje për t'i dhënë Tiranës, "modelin e munguar, nga një model qeverisje me bojatisje,  betonim e abuzime që është sot, në një qytet që do të shpalosë gjithë potencialin e zhvillimit dhe vlerave të përbashkëta".

 

PROFIL/ KUSH ËSHTË ALDO BUMÇI

Aldo Bumçi, i cili konkurron për postin e kryetarit të Partisë Demokratike të qytetit të Tiranës, ka lindur në 11 Qershor 1974 në qytetin e Tiranës. Ai është diplomuar për Marrëdhënie Ndërkombëtare (1993-1997) në Universitetin e Mesdheut Lindor (Eastern Mediterranean University), në Famagusta, Qipro Veriore.
     Në vitet 1997-1999, zoti Bumçi ka kryer studimet pasuniversitare për Magjistër në Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Bilkentit në Ankara (Turqi). Ai ka marrë pjesë në disa kurse mbi shkencat politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, të cilat janë organizuar nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare.
     Zoti Bumçi ka ushtruar funksionet e Ministrit të Drejtësisë nga shtatori i vitit 2005 deri në Mars të vitit 2007. Ai është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë me 53.9 % të votave në Qarkun e Lezhës, gjatë Legjislaturës XVII të Kuvendit të Shqipërisë, ku ka qenë edhe anëtar i disa komisioneve parlamentare.   
     Zoti Bumçi është njëkohësisht anëtar i Këshillit Kombëtar dhe i Kryesisë së Partisë Demokratike, si dhe anëtar i Komitetit të Orientimit të Politikave.
      Gjithashtu ai është autor ose bashkëautor në disa botime mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe jurisprudencën.

 

PROFIL/KUSH ËSHTË LAJLA PËRNASKA 

 Lajla Përnaska, kandidate për postin e kryetares së PD-së së kryqytetit, u lind më 14 qershor 1961 në Tiranë. 
     Ajo u diplomua në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, në vitin 1985. 
     Në vitin 1994 u specializua në degën Pediatri e Përgjithshme në Paris, në Universitetin "René Descartes".
     Ajo ka kryer studime në Marrëdhëniet Ndërkombëtare (IRERIE 2006) dhe Studime Europiane (SHPUSE - Tiranë) Master (2008).

     Në vitet 1985-1988 Lajla Përnaska  ka ushtruar detyrën e mjekes në Institutin e Pediatrisë, për të vijuar në vitet 1989-1994, si mjeke në spitalet Saint-Vincent de Paul dhe Necker, Paris, ndërsa në vitet 1995-1997 ka qënë këshilltare e ministrit të Shëndetësisë. 
     Znj. Përnaska në vitin 1998 ka qënë drejtore e Programit NESMARK, në vitin 1997-1999 drejtuese e Federatës së Gruas shqiptare, ndërsa nga viti 2000 ajo drejton Unionin "Gjinia dhe Zhvillimi". 
     Aktiviteti politik i znj. Përnaska fillon në vitin 1995, si anëtare e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Gruas, ndërsa në vitet 1992-1995 ka qënë drejtuese e Departamentit të Politikave Sociale e Gjinore pranë PD-së.
     Në zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut 2005, ajo u zgjodh deputete nga lista shumëemërore në Legjislaturën e XVII-të të Kuvendit të Shqipërisë, ku është pjesë e grupit parlamentar të PD-së.      
     Gjatë kësaj Legjislature, znj. Përnaska ka qënë anëtare e komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme dhe kryetare e nënkomisionit Parlamentar për Çështjen e të Miturve dhe të Barazisë Gjinore. 
     Znj.Përnaska është anëtare e Delegacionit Parlamentar të Shqipërisë në Këshillin e Europës. Në aktivitetin e saj ajo ka kontribuar me botime në fushën e mjekësisë pediatrike, si libri "Për fëmijën tuaj", "Zhvillimi psikologjik i fëmijëve", "Të rinjtë dhe shëndeti riprodhues" etj.

 

PROFIL/KUSH ËSHTË GJERGJ BOJAXHI


Gjergj Bojaxhi, kandidat për postin e kryetarit të degës së PD-së, Tiranë, mban aktualisht postin  e Drejtorit të  Përgjithshëm të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH). 
     I emëruar në këtë post në mars të 2007-s, ai e pranoi këtë detyrë me bindjen për të sjellë një fryme të re, për të përballuar me sukses sfidat e reja që e presin këtë Korporatë, veçanërisht në drejtim të shërbimit ndaj konsumatorëve të saj, si dhe në procesin e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.
     Z. Bojaxhi nga muaji shkurt i vitit 2007, është anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Më parë, në vitet 2005-2007 ai ka mbajtur postin e Zëvendësministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, periudhë gjatë së cilës mbuloi çështjet energjitike, të industrisë dhe të partneritetit publik dhe privat të Republikës së Shqipërisë (2005-2007).
     Para se të angazhohej si pjesë e kabinetit qeveritar, ai ka shërbyer si konsulent në Grupin e Bankës Botërore në Washington DC.
     Në vitet 1998-1999 punoi si field officer në Departamentin për Zhvillimin Ndërkombëtar (DFID), në Shqipëri. Në vitet 1997-1998 punoi si Analist për Menaxhimin e Riskut, në "Bankers Trust & Co".
     Në vitin 2003, z. Bojaxhi u diplomua me gradën Mastër për ekonomi ndërkombëtare, teori dhe histori të marrëdhënieve ndërkombëtare në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare (SAIS), pranë Universitetit "John Hopkins" (Washington D.C. 2003)
      Ai ka kryer studimet e larta B.A. në Filozofi dhe Histori Matematike e Shkence pranë Kolegjit St. John's (Annapolis MD, Maj 1997). Z. Bojaxhi ka lindur në Shqipëri, është i martuar dhe ka dy fëmijë.
/ATSH

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Aldo Bumçi në garë për kreun e Tiranës (05.17.2009)
Kryetari i LDD Nexhat Daci shprehet i shqetësuar për situatën e sigurisë në vend (05.15.2009)
AKR-ja thotë se El Salvadori do ta njohë Kosovën më 1 qershor (05.15.2009)
Rrritja e pjesëmarrjes së grave në Kuvend, risia e legjislaturës së ardhshme (05.14.2009)
Nga financohen partitë politike në Kosovë? (05.14.2009)
Greqia partneri kryesor për shkëmbime tregtare të vendit me rajonin (05.13.2009)
Kryetari i KQZ-së i Kosovës jep dorëheqjen (05.12.2009)
Edi Rama: Pas 28 qershorit do të zgjidhet përfundimisht çështja e pronës (05.11.2009)
PLL miraton listat e kandidatëve për zgjedhjet e 28 qershorit (05.10.2009)
PBDNJ zhvillon kongresin zgjedhor (05.10.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lart�]