VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Aldo Bumçi kryetar i ri i Partisë Demokratike për degën e Tiranës
E Martë, 05.19.2009, 06:45am (GMT1)

Bumci mori 559 vota, kundrejt 175 vota që mori kandidati tjetër më i afërt, Gjergji Bojaxhi i ndjekur nga 41 vota që mori Lajla Përnaska. Pas shpalljes së rezultatit Bumçi falenderoi të gjithë votuesit dhe deklaroi se Tirana do të qeveriset bashkarisht me të gjitha anëtarët e kësaj dege. Bumçi urimet e para i mori nga kandidatët rivalë Bojaxhi dhe Përnaska, të cilët i uruan atij suksese në detyrën e re. Në konferencën për zgjedhjen e kryetarit të PD-së për Tiranën votuan 826 delegatë, nga të cilët 559 delegatë votuan në favor të kandidatit Bumçi. Fillimisht, kandidatët prezantuan platformat dhe vizionin e tyre për drejtimin e degës më të madhe të partisë qeverisëse. Kandidati për postin e kryetarit të degës së Partisë Demokratike, Tiranë, Aldo Bumçi, tha gjatë punimeve të konferencës se, "Partia Demokratike e kryeqytetit do të jetë e hapur për të gjitha grupet e interesit". Duke e marrë fjalën në këtë konferencë, kandidati Bumçi deklaroi se, "gjatë katër viteve të qeverisjes së saj, PD nuk u transformua nga pushteti, por ajo e përdori këtë pushtet për të ndryshuar jetën e shqiptarëve". Duke u ndalur në historikun e Partisë Demokratike, Bumçi tha se, "PD duhet të theksojë identitetin e saj politik, duke përfshirë në këtë proces çdo anëtar të thjeshtë". Ai vuri në dukje drejtimet për organizimin e degës së PD-së në kryeqytet, përmes nxitjes së debatit politik. "Ne na duhet të krijojmë hapësirë publike për debat në degën e Tiranës, i cili të përfshijë çdo seksion të saj për t'i ripërtëritur politikisht strukturat tona. Dega e PD-së së Tiranës duhet të jetë e hapur për të gjitha grupet e interesit. Gjatë prezantimit të platformës së tij, Bumçi tha se Partia Demokratike, dega Tiranë, duhet të lidhet me botën universitare, duke luftuar për nxitjen e liberalizmit politik, duke i ftuar të rinjtë të bëhen pjesë e vizionit politik. Bumçi theksoi se do të përkushtohet që dega e Tiranës të ketë sa më shumë anëtarë. Ai tha se dega e Tiranës do të ketë një aktivitet politik të ngjeshur dhe çdo anëtar i saj nuk do të mbetet anonim. Ndërsa kandidatja tjetër për postin e kryetarit të PD-së, dega Tiranë, Lajla Përnaska, u shpreh gjatë punimeve të konferencës së kësaj dege, se "me platformën tonë elektorale, ne do të çertifikojmë edhe një herë fitoren e madhe të zgjedhjeve të vitit 2005, e cila do t' i shërbejë jo vetëm kryeqytetit, por gjithë Shqipërisë". Në fjalën e saj, deputetja demokrate, njëkohësisht dhe kandidate për të kryesuar PD-në e Tiranës, Përnaska, tha se "mazhoranca ka qartazi një aksion për qytetarët dhe zhvillimin e vendit. Por, nga ana tjetër, ka një tjetër model qeverisjeje për Tiranën, bazë e së cilës është pasioni për pushtet i Edi Ramës, pasioni për kapitale marramendëse dhe për uzurpim të opinionit publik dhe mediave". Rama, vijoi ajo gjatë prezantimit të platformës, tashmë është përfshirë nga fobia e zgjedhjeve të qershorit, prandaj kërkon të baltosë në çdo vend dhe media progresin e këtij vendi. Kandidatja Përnaska tha se, "zgjedhjet janë e ardhmja që po e ndërtojmë së bashku, me vlera që përfaqësohen me dinjitet nga PD-ja. Besoj në modelin e lidershipit të PD-së, në pasionin dhe angazhimin e tij". Ajo theksoi se, "me PD-në e Tiranës, mazhoranca do t'i çojë më tej arritjet, për ta bërë degën e kryeqytetit forcën që ne duam". Përnaska bëri thirrje për t'i dhënë Tiranës "modelin e munguar, nga një model qeverisje me bojatisje, betonim e abuzime që është sot, në një qytet që do të shpalosë gjithë potencialin e zhvillimit dhe vlerave të përbashkëta". Kandidati i tretë për postin e kreut të PD-së së Tiranës, Gjergji Bojaxhi, gjatë prezantimit të platformës së tij për drejtimin e degës së kësaj partie shprehu bindjen se, Partia Demokratike e Tiranës do të ofrojë modelin konkret të qeverisjes së qytetit, i cili në ndryshim nga modeli klientelist Rama, do të bazohet në aftësitë drejtuese dhe në integritet të pacënueshëm". Gjatë punimeve të Konferencës së PD-së për degën e Tiranës, Bojaxhi u shpreh se, "kryesia e PD-së së Tiranës duhet të jetë në vijën e parë të sulmit kundër lejeve të ndërtimit, që kryebashkiaku Rama i jep në mënyrë jotransparente dhe klienteliste". Ne duhet të jemi në vijën e parë të mbrojtjes së parqeve, në të cilën do të luajnë fëmijët tanë, si dhe në vijën e parë të mbrojtjes së ajrit, i cili ndotet përditë, tha zoti Bojaxhi, duke shtuar se PD e Tiranës duhet të kryesojë prerjen e të gjitha lejeve të paligjshme të kryebashkiakut Rama. "Kam bindjen e plotë se 28 qershori do të jetë një ditë e madhe për PD-në dhe për gjithë Shqipërinë, pasi do të konfirmohet mbështetja e shqiptarëve ndaj kësaj mazhorance", tha ai. Bojaxhi shprehu bindjen se, "ekipi i ri udhëheqës i PD-së së Tiranës, në bashkëpunim me kryesinë e partisë, do të bëjë një punë efikase për të fituar shumicën e deputetëve në kryeqytet. Partia Demokratike do ta fitojë betejën elektorale të 28 qershorit, tha zoti Bojaxhi, duke u shprehur optimist se qyteti i Tiranës, pas dy vjetësh, do të kthejë një demokrat në krye të Bashkisë së Tiranës. RD

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.