VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Presidenti Topi pret mediat
E Mërkurë, 12.24.2008, 01:22pm (GMT1)

Topi: Liria e medias nuk mund të mbetet më demagogji

24 dhjetor (Voal-online)- Presidenti i Republikës, Bamir Topi dha sot një pritje në ambjentet e Pallatit të Brigadave me rastin e Vitit të Ri 2009 me të ftuar drejtues, gazetarë, administratorë, studiues dhe përfaqësues të tjerë të medias së shkruar dhe elektronike shqiptare. Me këtë rast, Kryetari i Shtetit iu përcolli të pranishmëve urimet më të ngrohta dhe të mira për Vitin e Ri 2009 në një fjalë përshëndetëse, në të cilën u shpreh:
"Të nderuar gazetarë e drejtues të mediave, Është kënaqësi të takohemi në këtë fund viti e t'ju kem në Pallatin e Brigadave për t'ju përgëzuar për punën tuaj të jashtëzakonshme në shërbim të emancipimit të shoqërisë e sidomos përkrah publikut. Sepse tashmë është e qartë që jeni ju avokatët më të mirë të qytetarëve duke na përcjellë të gjithë neve shqetësimet e sensibilitetet e tyre. Zakonisht në çdo fund viti bëhen bilance mbi punën e bërë përgjatë dymbëdhjetë muajve. Dhe duhet pranuar se bilanci juaj është pozitiv në drejtim të investigimit, por edhe të pasqyrimit të asaj çfarë ndodh me shoqërinë shqiptare, institucionet e saj e politikën e vendit. Jo pak herë, institucionet janë vënë në lëvizje pas investigimeve tuaja edhe pse jo gjithmonë me ritmin e kohën e duhur.
Keni një mision sa të rëndësishëm aq edhe delikat, i cili nuk duhet të influencohet aspak nga interesa të kujtdo qofshin dhe besoj se edhe konkluzionet e Progres-Raportit të Bashkimit Evropian mbi punën e medias duhet të lexohen qartë si nga mediat ashtu edhe nga politika e biznesi. Liria e medias, edhe pse është një koncept i gjerë, nuk mund të mbetet më demagogji. Është në radhë të parë respekt për punën e një armate të tërë gazetarësh, por edhe korrektesë, etikë e përgjegjshmëri nga ana e tyre. Do doja t'ju falenderoja për rrugëtimin që kemi bërë së bashku gjatë këtij viti të nbushur me debate e ngjarje të rëndësishme për vendin! Ju siguroj se Institucioni i Presidentit do vazhdojë të mbetet transparent dhe mbështetës i medias së lirë e profesionale edhe në vitin e ardhshëm, i cili gjithashtu ka mjaft momente të rëndësishme për vendin tonë. Dhe pjesë e arritjeve të Shqipërisë, padyshim që jeni të gjithë ju. Prandaj, duke ju falenderuar, ju uroj Gëzuar Festat, një Vit të Ri sa më të mbarë e me energji pozitive për të përmbushur misioni tuaj fisnik! Suksese të gjithëve në profesion e mbarësi e begati në familjet tuaja dhe gjatë kësaj pritjeje do kemi mundësi të komunikojmë së bashku në mënyrë informale e për gjithçka!"

 

 



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.