VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Bruno Vespa vlerësime pozitive për gazetarinë artin dhe kulturën shqiptare
E Premte, 05.29.2009, 07:36am (GMT1)

Bruno Vespa, një nga gazetarët më të njohur dhe të vlerësuar në historinë e gazetarisë italiane, ka shprehur vlerësime pozitive për gazetarinë, artin dhe kulturën shqiptare në një takim që pati të enjten në Tiranë me Kryeministrin Sali Berisha.
     Zoti Vespa, që po zhvillon një vizitë në Shqipëri, nënvizoi veçanërisht në këtë takim talentin e mjaft artistëve dhe gazetarëve shqiptarë, të cilët ai ka pasur rastin t'i takonte më parë; njoftoi zyra e shtypit pranë Kryeministrit  Ai u shpreh i impresionuar nga zhvillimi i Shqipërisë si dhe vlerësoi vendosmërinë e lidershipit dhe qeverisë në ndërmarrjen e reformave të thella të cilat kanë ndryshuar vendin. 
     Kryeministri Berisha e cilësoi një ogur mjaft të mirë, që fillonte fushatën elektorale duke takuar një personalitet kaq të njohur të gazetarisë italiane dhe europiane. Ai vlerësoi kontributin që zoti Vespa ka dhënë në zhvillimin e një gazetarie të standardeve të larta, në mbështetje të mendimit dhe fjalës së lirë dhe përkrahje të së vërtetës.
     Temë e diskutimeve ishin edhe potencialet që ofron Shqipëria në turizëm, energji etj., si dhe reformat e gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe sukseset e tyre.      
      Bruno Vespa është fitues i çmimeve më prestigjoze për gazetarinë në Itali dhe gjetkë, në 30 vite (1978-2008). Të ngulitura në kujtesën e teleshikuesve janë kronikat si i dërguar i RAI-t dhe intervistat e tij të famshme në vitet "˜70-"˜80, veçanërisht intervista me Kardinalin Karol Wojtyla, Papa i ardhshëm i botës. Gazetari Vespa ka ngelur në arkivat e arta të gazetarisë italiane edhe për telefonatën e bërë nga Papa Gjon Pali i 2-të, gjatë një emisioni direkt të drejtuar prej tij.
     Bruno Vespa është autor i shumë librave, disa prej të cilave janë best-seller mbi eksperiencat e tij në gazetari ose historinë e vendit të tij. Në këtë drejtim, vlejnë për tu përmendur librat për personalitetet më të spikatura të politikës italiane si Ciampi, D'Alema, Prodi, Berlusconi etj.ATSH
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.