VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

600 turistë nga Izraeli do ta vizitojnë Veriun e Shqipërisë gjatë verës 2009
E Premte, 05.29.2009, 12:48pm (GMT1)

 

Veriu i Shqipërisë është kthyer në destinacionin turistik të edicionit të 11 të turit turistik të grupeve nga Izraeli. Për gjatë gjithë verës rreth 600 turistë izraelitë pritet të vizitojnë vendin tonë, kryesisht pjesën veriore. Në një konferencë për shtyp të zhvilluar ditën e djeshme në mjediset e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për prezantimin e këtij turi, drejtori i Turizmit në MTKRS, Elton Noti, u shpreh se "përzgjedhja e Shqipërisë në edicionin e 11 të këtij turi, është për t`u vlerësuar". Sipas tij, "potencialet e shumta kulturore dhe turistike që ka Shqipëria kanë bërë që vitet e fundit, turizmi kulturor në vendin tonë të ketë tendenca në rritje, kjo jo vetëm gjatë periudhës së verës, por dhe në dimër". Që prej ditës së djeshme, vendi ynë është duke u vizituar nga një grup test prej 42 personash. Sipas përfaqësueses së "Destination Albania", Alma Balliu, që është dhe një nga organizatoret e këtij turi, grupet turistike që do të vizitojnë Shqipërinë sjellin me vete dhe një sërë risish. "Më e rëndësishmja prej tyre është se turistët do të sjellin në Shqipëri turizmin e aventurës, ata do të vizitojnë vende të ndryshme të veriut tonë dhe do të zhvillojnë në to aktivitete të shumta si alpinizëm, gara me makina, etj", tha Balliu. Në këtë tur do të marrin pjesë vetëm gra izraelite, të cilat kryejnë funksione të rëndësishme politike, kulturore, etj., në Izrael dhe në botë.

 

"Ky tur është një mundësi shumë e mirë për të reklamuar resurset turistike të Shqipërisë dhe kjo falë mbështetjes së Kryeministrisë dhe MTKRS", u shpreh Balliu.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Nada Kallçiu, theksoi se "kthimi i vendit tonë në një destinacion të rëndësishëm turistik ka qenë një ndër prioritetet e qeverisë në programin e saj në vitet 2005-2009". Sipas saj, për të realizuar promovimin e Turizmit janë marrë një sërë masash prej Agjencisë Kombëtare të Turizmit, me mbështetjen e plotë të MTKRS". Në masat e marra, drejtoresha e AKT renditi pjesëmarrjen në panaire të ndryshme ndërkombëtare, krijimin e 11 tureve turistike, organizime të ndryshme të ndërmarra në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, ekspozita, konferenca si dhe spote televizive të transmetuara si në CNN dhe Euronews. Grupi test, që është duke vizituar Shqipërinë, aktualisht gjendet në zonën e Bajram Curit. Turi i tyre do të zgjasë deri në fund të këtij muaji. Ndërsa një grup tjetër prej 60 turistësh izraelitë do të vijnë në Shqipëri në datën 3 qershor. RD

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.