VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LIGJI I DOSJEVE, BERISHA: TOPI REFUZOI TA FIRMOSTE
E Martë, 03.06.2012, 04:42pm (GMT1)

Në përvjetorin e 61-të të pushkatimit të 22 intelektualëve në vitin 1951, për ngjarjen e bombës në Ambasadën Sovjetike, kryeministri, Sali Berisha, përballë familjarëve, të afërmve e miqve të tyre akuzoi dje Presidentin e Republikës, Bamir Topin se me heshtjen për ligjin e lustracionit shpalli qartë qëndrimin, se ekzekutorët e diktaturës nuk duhen ndëshkuar. "Rreth 5 vjet më parë dërguam në Presidencë një përfaqësues, duke besuar se i përkiste të djathtës shqiptare. Por ai refuzon të firmosë ligjin për Lustracionin komunist, s'firmos ligjin për të zbardhur të vërtetat për atë institucion që ishte hanxhari që u përdor për të ekzekutuar këta burra dhe 5 mijë të tjerë. Madje thotë se unë e ktheva se do më gjuanin me gurë, (e kishte fjalën për ju apo për PD-në, ik e merre vesh këtë). Por kjo nuk ka rëndësi", deklaroi shefi i ekzekutivit. Gjatë kësaj ceremonie përkujtimore kryeministri theksoi se nuk mund të gjendet një tjetër akt si i 26 shkurtit, në të cilin 22 intelektualë u ekzekutuan para se të vendoste gjykata për ta, dhe u varrosën në një gropë të përbashkët të hapur shumë ditë para se të arrestoheshin.

Berisha vuri mandej në dukje faktin që u përzgjodhen njerëz që ndoshta nuk njihnin njëri-tjetrin, por që kishin të përbashkët vlerat në të cilat besonin, në lirinë e tyre dhe të popullit të tyre. Ndërkohë në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, që u mblodh pak orë më pas, kreu i qeverisë premtoi shpërndarjen e këstit të dytë për ish-të përndjekurit politikë brenda 2-3 javëve të para të Marsit. "Do bëhen gjatë dy javëve të para të marsit, 2-3 ndërhyrje nënligjore dhe do të nisë menjëherë disbursimi i këstit të dytë, për ata që janë për këstin e dytë, ndërkohë plotësimi i dosjes së këtyre për kastin e parë dhe këta do marrin këstin e parë", premtoi Berisha. Mandej ai komentoi tryezën e organizuar pak javë më parë nga Partia Socialiste për ish-të persekutuarit duke lëshuar akuza të forta ndaj lidershipit rozë. "Nuk ka kuptim, të marrësh ti njerëz, që kanë vuajtur për vite të tëra në burgje dhe ti vendosësh para Gramoz Ruçit dhe miliarderes Keti Bozhdari, se cilindo mund të vendoste ai në krah, por të vendosësh Gramozin, ministrin e fundit të torturës së regjimit komunist! Ai nuk mund të dilte aty, të paktën për anën më formale. Atë kishte zgjedhur për tua dhënë mesazhin", tha mes të tjerash Berisha. (bw)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.