E Premte, 03.29.2024, 02:56pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 

TEMPERATURË E LARTË NË LINDJEN E MESME!

Nga Doc. Dr. VASIL KURETA


E Hënë, 03.19.2012, 09:27am (GMT+1)

Një zonë e tërë që përfshin vende të Lindjes së Mesme dhe të gjirit Persik aktualisht po tërheq vëmendjen për shkak të zhvillimeve të rëndësishme dhe me rrezikshmëri të lartë. Temperatura në këtë zonë është ngritur mjaft dhe ka prirjen për të arritur ekstremin. Ka një erë lufte. Ka jo vetëm një lufte të ftohtë, por edhe probabilitet të lartë për luftë me përdorim të armeve.
Në fakt, nuk është hera e parë që Lindja e Mesme të bëhet zonë e nxehtë, me ngjarje që rrezikojnë jo vetëm rajonin, por dhe më gjerë. Por aktualisht zhvillimet në Siri dhe në Iran dhe lajmet që vijnë nga Izraeli, për një sulm ndaj bunkerëve iranianë, që mendohet se janë vende ku po prodhohen armë bërthamore, e kanë bërë shumë të rrezikshëm këtë rajon. Fuqi të mëdha si SHBA, KINA dhe RUSIA, në përputhje me përmbajtjen e objektivave strategjike të tyre po tregohen të kujdesshëm edhe pse nuk e fshehin dot shqetësimin që situata të mos dalë jashtë kontrollit. Rusia përmes njeriut të fortë të regjimit, Putin, ka kërkuar të mos bëhen veprime pa mandat të OKB, por nuk e ka dënuar aspak regjimin e Asadit dhe krimet që ai po kryen ndaj popullit të vet.
SHBA, që kanë prezence ushtarake në Irak, Afganistan, por edhe në ngushticën e Hormuzit, kanë dënuar ashpër krimet e regjimit në Siri, duke kërkuar largimin e Asadit nga pushteti, ndërsa i kanë kërkuar Izraelit të jetë i kujdesshëm, duke kritikuar dhe dënuar Iranin për përpjekjet e fshehta për prodhim të armës bërthamore. Kina është më e rezervuar ndaj Iranit, ndërsa ndaj zhvillimeve në Siri, edhe pse ka vendosur më parë veton në Këshillin e Sigurimit bashkë me Rusinë, ndaj një rezolute që dënonte regjimin e Asadit dhe i kërkonte atij të largohej nga pushteti, ka bërë një lëvizje së fundi me domethënien për të qenë "konstruktive" në përputhje me zhvillimet në të ardhshmen. Pasi dërgoi një përfaqësues të saj në Siri, Ministria e Jashtme kineze lëshoi një deklarate, ku u bënte thirrje të dy palëve të ndalonin dhunën. Edhe pse është e qartë për të gjithë, përfshi dhe kinezin që vizitoi Sirinë, se dhunën po e zhvillon regjimi kundër opozitës që kërkon liri dhe demokraci, madje me përdorim të gjithë arsenalit ushtarak që zotëron, Kina me metodën e saj kërkon të lërë një shteg për zhvillimet e ardhshme.
Në këtë zonë ka një problematikë komplekse që po gëlon, por në mënyrë të veçantë po shfaqen dy zhvillime kryesore me mprehtësi dhe rrezikshmëri të lartë: procesi i përballjes së demokracisë me autokracinë në Siri dhe përpjekjet e Iranit për të realizuar një rol dominues në një rajon të gjerë, nga Gjiri Persik dhe deri në Mesdhe. Këto mund të vlerësohen si përpjekje për ndryshime gjeostrategjike të balancave dhe të fuqisë në këtë zonë me probleme të mbartura historikisht dhe të reja. Kjo është arsyeja që në këtë kontekst kompleks, Siria dhe Irani paraqesin interes të veçantë.
Në Siri duhen analizuar qartë, me vete, por edhe në korelacion, përballja e ashpër mes autokracisë dhe demokracisë dhe pozicioni i saj gjeostrategjik, që e bën atë një aleat për interesat strategjikë të Iranit në këtë rajon. Gjithashtu ky pozicion të lejon të kuptosh më mirë interesimin strategjik të Rusisë dhe të qëndrimeve që po mban ajo ndaj zhvillimeve në Siri.
Ishte e pritshme që "Pranvera arabe" e Sirisë të kishte veçori specifike. Në Siri përballja mes autokracisë dhe demokracisë po shfaq një egërsi dhe tragjizëm të madh, po shfaq një brutalitet kriminal të regjimit që vret njerëz pa asnjë ndjesi njerëzore, "faji" i vetëm i të cilëve është se duan dinjitet njerëzor, duan të jenë të lirë dhe të vendosin për fatet e tyre, duan të jetojnë si të ngjashmit e tyre në vendet e civilizuara në botë. Kërkesa për demokraci është tërësisht e ligjshme dhe e pamohueshme. Fitorja e saj është vetëm çështje kohe, ndërsa kostoja e lartë njerëzore është vepër e njerëzve që me miopi duan të ndalin zhvillimin. Vendet arabe dhe Siria e meritojnë demokracinë.
Dominimi i gjatë i autokracisë në këtë vend i ka mundësuar asaj një përqendrim të madh të pushtetit ekonomik dhe politik, një përvojë konkrete të sundimit të fortë dhe me mjete të dhunës, shoqëruar edhe me një mbështetje nga vende të zhvilluara dhe me influencë. Edhe në rastin e Sirisë, Perëndimi kishte sakrifikuar çështjen e demokracisë për interesa strategjike dhe ekonomike.
Populli dhe opozita siriane filluan lëvizjen e tyre për demokraci me protesta paqësore, por u gjenden shpejt përballë dhunës dhe armëve të regjimit autokratik. Tashmë situata ka përshkallëzuar rrezikshëm me një numër të lartë të vrarësh nga dhuna dhe armët e regjimit sirian. Për luftëtarët rebelë në Siri nuk ka asnjë informacion të besueshëm se dikush nga jashtë po i armatos ata. Vetoja ruse dhe kineze në Këshillin e Sigurimit të OKB ka bllokuar çdo veprim të mundshëm në ndihmë të opozitës siriane, madje ka krijuar vështirësi serioze për të dërguar ndihma humanitare aq të nevojshme.
Në atë që njihet si konflikti sirian konstatohet një përballje mes minorancës Allavite dhe maxhorancës Sunite. Kjo përballje sa vjen e bëhet më intensive, por që tregon se fshatrat Allavite e Sunite po ndahen në enklava proqeveritare dhe kundër saj. Kjo dëshmon se boshti kryesor mbetet lufta dhe përpjekja për demokraci e liri nga shumica e popullit sirian. Kontradikta kryesore është mes regjimit dhe popullit opozitar, mes autokracisë dhe demokracisë.
Nëse mund ti krahasojmë këto zhvillime në Siri me ato që ndodhen në Libi, si pjese e "pranverës arabe", konstatohet se këtu zhvillimet po shfaqen më të përgjakshme dhe kaotike. Opozita siriane nuk po duket deri tani e mirëorganizuar dhe e mirëformatuar në kërkesat e saj. Nuk është bërë publike ndonjë strukturë drejtuese brenda Sirisë apo një lidership konkret, që me një alternative konkrete do ti jepte më shumë frymëzim, besim dhe organizim luftës për demokraci. Opozita duket disi e ndarë dhe me probleme brenda vetes.
Është fakt se opozita siriane dhe populli opozitar gjendet përballë një pushteti që përdor çdo armë që ka për ta shtypur lëvizjen për demokraci. Populli dhe pushteti ndodhen në pozita të pabarabarta, pushteti me armë gjithfarësh dhe populli me dëshirën, aspiratën dhe idealin për demokraci e liri. Opozita abandonoi të ashtuquajturin referendum që zhvilloi regjimi, si një taktike për zgjatjen e regjimit që tashmë i ka lyer keqas duart me gjak. Për opozitën, vetëm largimi nga pushteti i Asadit është kusht esencial, që vërtet ti hapte rrugën procesit real demokratik. Zgjatja e ditëve të regjimit të Asadit dhe mungesa e një ndihme konkrete për forcat opozitare, që është penguar nga qëndrimi ruso-kines, kanë sjellë një kosto të lartë njerëzore, që duhet të marrë fund. Pikërisht, nisur nga kjo situatë nuk po mungojnë kërkesa edhe nga senatorë në SHBA, si John Mc Cain, për një ndihme ushtarake amerikane për opozitën siriane. Megjithatë, SHBA akoma mendon se nuk mund të bëjë asnjë veprim ushtarak ndaj Sirisë.
Për të kuptuar problematikën dhe vështirësitë e zgjidhjes së konfliktit në Siri, kërkohet të mbahet parasysh edhe një rrethanë tjetër, që buron nga pozicioni strategjik i Sirisë në Mesdhe dhe në Lindjen e Mesme. Kjo është një referencë që shpjegon qëndrimin e Rusisë, e cila e ka rreshtuar veten në përkrahje të autokracisë dhe të regjimit të Asadit. Por nuk është vetëm Rusia. Irani tashme po zhvillon vendosmërisht përpjekjet për të realizuar ambicien e tij për një rol dominues në një zonë nga Gjiri Persik deri në Mesdhe.
Pjesë e kësaj strategjie iraniane është jo vetëm prodhimi i bombës bërthamore, por edhe përcaktimi i aleateve konkrete. Duket qartë nga qëndrimi mbështetës i gjithanshëm i Iranit ndaj regjimit sirian, se Siria është përcaktuar si një aleat i fortë për të në realizimin e kësaj ambicie. Për Iranin, rënia e regjimit të Asadit dhe futja e Sirisë në rrugën e demokracisë do të komprometonte dhe godiste rëndë strategjinë e tij për një rol dominues në këtë rajon, ku ndërthuren interesa të shumanshme.
Ambicia iraniane për dominim tashmë është qartësuar se përfshin një presion në lindje të Afganistanit drejt perëndimit të Irakut e deri në Mesdhe. Arabet nuk mund të harrojnë se si persët kanë zhvilluar për një periudhë të gjatë historike ëndrrën për dominim në të gjithë Lindjen e Mesme. Këtë ëndërr sot po e zhvillojnë drejtuesit e Iranit, që shpjegon edhe lëvizjet konkrete që po kryen, përfshi ndihmën për regjimin sirian dhe hezbollahun në Liban.
Kjo strategji në zhvillimin e Iranit dhe synimi për një rol dominues në rajon nuk mund të mos bjerë ndesh me interesat e vendeve të pasura të gjirit si Arabia Saudite dhe shtete të tjerë. Ato nuk mund të mos frikësohen realisht për ambicien e Iranit për tu shndërruar në një fuqi bërthamore. Me këtë kryqëzim interesash mund të shpjegohet në masë të ndjeshme dhe ai qëndrim dhe reagim i Lidhjes Arabe ndaj zhvillimeve në Siri dhe kërkesës së tyre për largimin e Asadit nga pushteti. Me këtë shpjegohet edhe mbështetja e politikës së sanksioneve ndaj Iranit nga SHBA dhe perëndimi, sepse shpresojnë se i ndihmojnë dobësimit ekonomik dhe ushtarak të Iranit si dhe për rrjedhoje, ambicies për dominim në rajon. Nga ana tjetër, Irani që i kupton synimet e politikës së sanksioneve, përpiqet të afrohet me Rusinë dhe Kinën, që ta minimizojë sa të mundet efektin e kësaj politike dhe ti shpëtojë një izolimi të mundshëm. Irani vazhdon me vendosmëri në realizimin e ambicies, prandaj bëri dhe lëvizjen e rrezikshme të nxjerrjes në Mesdhe, përmes kanalit të Suezit, të disa anijeve luftarake. Lëvizjen e SHBA për të larguar forcat ushtarake nga Iraku më parë dhe më pas nga Afganistani, Irani e mendon si një lehtësim të rrugës së tij për dominim në rajon.
Në rrugën e nisur ai mund të bëjë dhe gabime të rënda dhe aventura, madje dhe ushtarake. Me këtë mund të shpjegohet edhe deklarata apo kërcënimi për mbylljen e njëanshme të ngushticës se Hormuzit. Nuk mund të parashikosh dot saktësisht sjelljen e mundshme të Iranit, por një gjë mund të thuhet qartë, se duke siguruar armën bërthamore, çdo aventurë do të ishte e mundshme dhe e rrezikshme.
Në këtë zonë problematike tërheqin vëmendjen dhe lëvizjet e Turqisë, e cila është për më tepër anëtar i NATO-s. Më saktë duhet pohuar se dhe ajo ka ambicie për influencë në këtë rajon, pa përjashtuar edhe Pakistanin dhe Indinë. Lidhur me zhvillimet në Siri, Turqia ka qenë tepër e kujdesshme, duke lënë të kuptohet se do të jetë konstruktive. Brenda këtij konteksti, Turqia ka reaguar me idenë e vendosjes së një zone tampon për opozitën siriane në kufirin që ka me Sirinë. Me shqetësim konstant Turqia tërheq vëmendjen e opinionit botëror për situatën dhe dhunën që po ushtron regjimi ndaj opozitës, që kërkon demokraci dhe po shqyrton edhe plane humanitare. Interesante ka qenë gjithashtu ideja turke për një konference për promovimin e mirëkuptimit, pas vetos ruso-kineze në Këshillin e Sigurimit. Duke marrë parasysh faktin që nuk ka konflikt kufitar me Sirinë, Turqia e mendon ketë si një element që i jep asaj mundësinë, për të qenë pjesë e rëndësishme e zgjidhjes së konfliktit sirian.
Në raport me Iranin, marrëdhënia e Turqisë ka një specifikë të qartë. Ajo përfshin një rivalitet konkret, madje dhe të gjatë në kohë. Edhe pse organizmi i specializuar i OKB, mbështetur në investigimet në teren, kishte bërë publik shqetësimin për një prirje të fshehte të Iranit për të prodhuar bombën bërthamore para fillimit të "pranverës arabe", Turqia nuk shfaqi ndonjë qëndrim për tu vënë re. Tash konstatohet një vënie përballë mes Iranit dhe Turqisë, përsa i përket ambicies iraniane për dominim në rajon, që mesa duket është më e avancuar. Kështu, nëse në zhvillimet në Siri, Turqia mbështet opozitën e protestuesit, Irani është në mbrojtje të regjimit të Asadit.
Kjo diferencë qëndrimesh është shprehje e rivalitetit të tyre për dominim në rajon. Turqia e ka të qartë se sigurimi i bombës bërthamore i siguron Iranit epërsi në rivalitetin për dominim, duke e sfiduar direkt Turqinë në këtë rivalitet. Nga ana tjetër, Irani e atakon Turqinë duke shfrytëzuar anëtarësinë e saj në NATO dhe shekullarizimin e saj.
Diferencat mes tyre duken qartë dhe përsa i përket marrëdhënieve mes shiteve dhe suniteve dhe çështjes kurde. Popullsia kurde ecën drejt synimit të autonomisë, që kundërshtohet vendosmërisht nga Turqia. Kjo diferencë ka afruar qëndrimet mes Iranit dhe Irakut, sepse i bashkon interesi për të zvogëluar ndikimin turk në rajon. Turqia nga ana e saj qartësisht është në mbështetje të suniteve. Pra, e thënë ndryshe, Irani dhe Turqia tashmë kanë një lojë të hapur për dominim në këtë rajon.
Në këtë realitet kompleks nuk mund të mos tërheqë vëmendjen qëndrimi dhe lëvizjet e Pakistanit. SHBA, deri tani, nuk kane lejuar një rol të Pakistanit në objektivin për një zgjidhje të qëndrueshme në Afganistan, që të mbijetojë edhe pas largimit të trupave ushtarake amerikane. Nga ana e vet Pakistani e kërkon një rol të tillë edhe si një veprim për të zvogëluar rolin dhe ambiciet e rivalit të tij, Indisë, në këtë rajon. Prandaj Pakistanit i intereson edhe një afrim me Kinën, që gjithashtu nuk mund të pranojë një zgjerim të influencës indiane në këtë rajon.
Këto ambicie mund të shpjegojnë në një masë të mirë edhe reagimin e ashpër të Pakistanit ndaj SHBA, duke i mbyllur rrugë kalimin nga territori i tij të furnizimeve ushtarake për trupat amerikane në Afganistan. Kjo cilësi aktuale e marrëdhënieve mes SHBA dhe Pakistanit do të shfaqet më ndikuese pas largimit të trupave ushtarake amerikane nga Afganistani.
Në këtë situatë komplekse ku temperaturat janë të larta, BE e mbërthyer nga kriza e borxheve dhe e eurozonës e ka të vështire të jetë një aktor aktiv në menaxhimin e zhvillimeve në këtë rajon të nxehtë. Megjithatë, nuk mund të përjashtohet një rol i BE në ecurinë e zhvillimeve në këtë rajon, ku ajo ka realisht interesa të rëndësishme. Deri tani, BE ka shfaqur politikën e fqinjësisë së mirë, mbrojtjen e vlerave të demokracisë dhe të lirive e të drejtave të njeriut, përfshi dhe trysninë ndaj Iranit, për të penguar prodhimin e supozuar të bombës bërthamore. Megjithatë, këto qëndrime nuk i kanë siguruar vendeve të BE një rol domethënës.
Kuptohet që BE mund të kontribuojë në konsolidimin e demokracisë në vendet që u përfshinë në "pranverën arabe", por edhe duke zhvilluar marrëdhënie ekonomike e tregtare me ato vende që njihen si Maghreb,për ti ndihmuar ato të kryejnë reforma të nevojshme strukturore. BE mund të ndihmojë këto vende edhe përmes influencës e kontributit që ka në organizma të rëndësishme ndërkombëtare si FMN e BB.
Kuptohet që një rëndësi të veçante paraqet qëndrimi dhe roli i SHBA, si superfuqi botërore në ecurinë e zhvillimeve në këtë rajon, të cilat lidhen direkt me problemin e sigurisë, stabilitetit dhe paqes në botë. Në fakt, këto qëndrime janë bërë të njohura tashmë, si për zhvillimet në Siri dhe në qëndrimin ndaj Iranit dhe po vlerësohen në mënyra të ndryshme. Ka nga ata që flasin për "paaftësi të diplomacisë amerikane në Lindjen e Mesme", apo se SHBA nuk kanë një strategji konkrete dhe se po gjenden të papërgatitura ndaj këtyre zhvillimeve, siç u gjenden me rastin e rrëzimit të komunizmit.
Veprimtaria e SHBA si superfuqi botërore ka treguar se ka informacionin më të plotë dhe më të përditësuar se askush vend tjetër në botë. Ajo ndjek dhe studion në mënyrë sistematike dhe rigorozisht shkencore zhvillimet rajonale dhe botërore. Është vendi që përgatit edhe zgjidhjet alternative, që përfshijnë hapat konkretë që duhet ndërmarrë, kostot përkatëse dhe madje edhe alternativat e mundshme të daljes nga ngjarjet e komplikuara. Brenda kësaj metodologjie, të gjitha hallkat kanë kompetencat e tyre dhe natyrisht, vendimmarrja i takon politikës, Presidentit të vendit. Pikërisht, zbatimi rigoroz i kësaj metodologjie pune dhe vendimmarrje i bën disa të mendojnë se SHBA shpesh gjenden një hap prapa ngjarjeve, apo se nuk ka një alternativë konkrete zgjidhjeje.
Edhe në kohën kur filloi rrëzimi i shpejtë i komunizmit, u bënë pohime të tipit që, SHBA u gjenden të papërgatitura. Në fakt, po ta vështrojmë problemin me kujdes, çështja rezulton ndryshe. Përballja mes lindjes komuniste dhe perëndimit filloi në fakt që nga viti 1917, e cila pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe më pas, mori përmasa të mëdha, si një përballje në fushat ekonomike, politike, ideologjike, ushtarake, etj., dhe është vlerësuar si "Lufta e ftohtë".
Ecuria e kësaj përballjeje, është ndjekur dhe studiuar në proces. Kuptohet që shpejtësia e rrëzimit nuk mund të parashikohej saktësisht. Megjithatë, ishin SHBA që e konstatuan rreth 2 vjet më parë sesa të ndodhte rrëzimin e shpejtë të komunizmit dhe kërkuan nga vendet e G7, në një takim, ndoshta në Kanada, që të merrnin pjesë në monitorimin e këtij procesi, me qellim zvogëlimin e kostove dhe pasojave ekonomike dhe sociale dhe që situata të mos dilte jashtë kontrollit. Qëllimi ishte të ndihmoheshin këto vende në instalimin e institucioneve të demokracisë pluraliste dhe të ekonomisë së tregut.
Diplomati i shquar amerikan H.Kizinger, në një intervistë të asaj kohe, duke shpjeguar "pse-në" e dukurisë sipas të cilës SHBA shpesh mbeten një hap prapa ngjarjeve, argumentoi se kjo nuk qëndronte. Ai argumentoi faktin se SHBA e kishin përcaktuar qartë objektivin strategjik të mundjes së BS, përmes dobësimit të tij. Por, duke e nënkuptuar pamundësinë e llogaritjes së saktë të shpejtësisë të rrëzimit të komunizmit, evidentoi nevojën e një monitorimi rigoroz për përballimin e kostove komplekse. Përndryshe, paralajmëroi ai, nëse nuk bëhej kjo do të thoshte se shumë shpejt në krye të BS do të vinte një Brezhnjev apo një Stalin.
Aktualisht konstatohet se SHBA kanë një strategji të qartë për zhvillimet në këtë rajon problematik, pjesë të së cilës janë bërë prezent përmes deklarimeve të Presidentit Obama, znj.Klinton dhe z.Paneta, si për zhvillimet në Siri, qëndrimin ndaj Iranit, stabilitetit në këtë rajon, etj. Këto qëndrime janë brenda standardit të metodologjisë së punës së kësaj superfuqie, që përfshin pjesëmarrjen aktive, ndjekjen sistematike e studimin rigoroz, prognozat përkatëse, kostot dhe vështirësitë e mundshme, alternativat e zgjidhjes, dialogun dhe bashkëpunimin me aktoret e tjerë. Tregues i aplikimit të kësaj metodologjie, është dhe deklarimi më i fundit i presidentit Obama për qëndrimin amerikan në proces, duke përjashtuar aktualisht një ndërhyrje ushtarake në Siri dhe kur evidentoi rëndësinë e rolit të diplomacisë, deri në dritaren e vogël të politikës së sanksioneve ndaj Iranit, por që nuk përjashton dhe veprimin e armatosur, në rast se Irani prodhon realisht bombën bërthamore. (bw)

Doc. Dr. VASIL KURETA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NE DHE GREKËTNga BEN ANTONI (03.19.2012)
BIBERAJ: SPIUNËT BRENDA NË QEVERI DHE GRUPIN E PDsëIsh-anëtari i kryesisë së selisë blu, akuza të forta ndaj Berishës (03.19.2012)
CEREMONI LAMTUMIRE PËR VULFIN, PËR FAT TË MIRËNga PETER STÃœZLE (03.19.2012)
LLOJI YNË I SË VËRTETËSNga IAN BURUMA (Project-Syndicate) (03.11.2012)
"MËKATI" I BERISHËS ËSHTË UDHA E KOMBITNga REXHEP SHAHU  (03.10.2012)
MURAT BASHA: NË VITIN 1990 E GJETA MBRETIN NË MËRGIM (03.10.2012)
HASAN LUÇI: KUR FUTA NË RRJETIN E SIGURIMIT ROJËN PERSONALE TË LEKA ZOGUT (Intervista e plotë) (03.10.2012)
LIGJI I DOSJEVE, BERISHA: TOPI REFUZOI TA FIRMOSTE (03.06.2012)
GREVA E MINTATORËVE 1989, NJË LEKSION HISTORIKNga AZEM VLLASI (03.05.2012)
MINI SHENGENI BALLKANIK (03.04.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lart�]