VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TOPI: BERISHA KOMUNIST, ËSHTË BËRË SI LEJ FENI

Nga ADI KRASTA


E Hënë, 03.19.2012, 09:41am (GMT1)

 

Presidenti i Republikës, Bamir Topi në një intervistë të dhënë dje për emisionin "A Show" të gazetarit Adi Krasta në televizionin "Vizion +" e akuzoi kryeministrin Berisha si komunist duke e krahasuar me simbolin e revolucionin kulturor kinez, Lej Fenin.
Nga partia juaj janë gjashtë funksionarë publikë të shtetit shqiptar që marrin rrogën praktikisht që kanë një agjendë të hapur, fare-fare pa u fshehur, që merren sistematikisht dhe ju sulmojnë fort...
Ndonjë hall të madh duhet të kenë, sepse unë, përveç të tjerave, kam një të kaluar nga bota akademike. Kështu që jam marrë edhe me teorinë e dominantit. Kur në psiqikën e njeriut krijohet një dominant i caktuar, atëherë pa e kuptuar edhe ata vetë, fillojnë të merren pikërisht me dominantin. U takon atyre ta thonë nëse përbën ndonjë dominant apo jo. Unë jam i bindur në këtë lloj përcaktimi.
Është kërkuar hapur kohët e fundit, në një mënyrë jo elegante, për të shkaktuar dominant tek ju, kërkojnë dorëheqjen tuaj. Çfarë ndjesie ju jep kjo, të qenit nën një atak të vazhdueshëm? Absolutisht asnjë lloj efekti. Pra, kur shkon në atë pozicion, pikë së pari duhet të largohesh nga emocionet. Duhet të bësh një punë shumë profesionale që konturohet nga Kushtetuta. Pastaj, natyrisht unë jam një njeri, i cili patjetër ndikohet nga publiku. Unë do u bëja pikërisht këtë apel, që drejtojuni sondazheve publike, për të parë se sa zëra të izoluar janë këta, që kërkojnë pikërisht këtë gjë. Kjo shihet në të gjitha sondazhet, unë dëshiroj të dal pak nga modestia, pikërisht për të vërtetuar të kundërtën e asaj që pretendojnë. Ju shikoni, unë nuk dëshiroj të flas sot për sondazhet që bëjnë të tjerët, s'i bëj unë.
Z.President, festimet e Besëlidhjes...
Kam qenë pjesë e atyre festimeve dhe jam dakord absolutisht me ju, por sikurse di edhe këtë që Presidentit Napolitano, protokollin s'ia kishte bërë Kryetari i Bashkisë së Romës. Pra, 2 marsi i vitit 1444 është një datë shumë historike për shqiptarët, që lidhet me Skënderbeun, por lidhet dhe me një mision përbashkues, në një kohë kur princat shqiptarë ishin të ndarë dhe me shumë probleme. Dhe kjo datë meritonte pikërisht këtë simbolikë përbashkimi, ku aty duhet të ishin të gjithë, duhet të ishin jo thjesht për të qenë formalisht të pranishëm, por për të dhënë një mesazh publik, që jemi të gjithë së bashku, jemi së bashku për të vlerësuar që e ardhmja e Shqipërisë bëhet jo në mënyrë të izoluar, por bëhet së bashku, nga të gjitha faktorët.
Ngjarja që ndodhi, nga mënyra se si u zhvillua ngjarja, ju nuk u lejuat që të flisnit ose të paktën nuk u programua...
Kurrë nuk do ta ulja pozicionin e Kreut të Shtetit për t'u marrë me zëra që, s'dëshiroj tani t'i bëj asnjë lloj etiketimi, por që publiku i vlerëson vetë. Unë bëra detyrën time, duke i cuar mesazhin shqiptarëve, e bërë nga Salla "˜Skënderbej' e Institucionit të Presidencës, ndërkohë që ai fjalim mund të mbahej, edhe duhej të mbahej, pikërisht atje ku ishte simbolika, në Lezhë. Ndërsa pjesën e protokollit, patjetër që e trajton dikush tjetër. Unë dëshiroj t'i shfaqësoj ata që janë marrë me Protokollin e Shtetit, sepse janë djem jashtëzakonisht të mirë, janë profesionistë, por në një orkestër, sigurisht që orkestrimin e fillon dhe e përfundon dirigjenti, pavarësisht nëse ajo lojë e atyre veglave të orkestrës, përfundoi e stonuar. Gjithsesi, unë dëshiroj të them që, aty ku marrin pjesë autoritetet më të larta të shtetit, duke filluar me Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin e me radhë, pavarësisht që organizimi bëhet nga një bashki e caktuar, patjetër këtu futet në lojë Protokolli i Shtetit. Dhe loja me protokollin pastaj ishte loja për të fshehur qëllimin real të realizimit të asaj skene që kurrsesi nuk kishte elementë përbashkimi, por për fat të keq, ndarjeje.
Z.Topi a e keni tradhtuar ju PD-në siç e thotë dikush vazhdimisht?
Në prillin e vitit 2008, kur ende nuk kisha mbushur gjashtë muaj në atë pozicion, menjëherë filluan të artikulohen zëra se cili do të jetë Presidenti i ardhshëm. Pikërisht në prillin e vitit 2008 ka pasur një marrëveshje, e cila sot konsiderohet nga analistët, edhe nga vetë politika, si një marrëveshje jo e ndershme e bërë nga kryetari i mazhorancës dhe nga kryetari i opozitës për ndryshime të forta kushtetuese, pa u konsultuar, pa e bërë debat me konstitucionalistë, por për hir të interesave personale të pushtetit të secilit. Secili mendonte se do të kishte të gjitha pushtetet e mundshme. Natyrisht në një marrëveshje jo të ndershme, dikush doli me të gjitha pushtetet dhe dikush i humbi të gjitha pushtetet. Presidenti, si Kryetar i Shtetit, patjetër edhe si garant i interesave të publikut, e bëri në kohë të ditur atë fenomen që po ndodhte, dhe sot, pas kaq vitesh, patjetër që vërtetohet plotësisht ajo që unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them. Dhe nuk është aspak e vërtetë që erdhi ky moment për të folur. Unë kam folur në mënyrë konstante. Natyrisht për t'u diferencuar nga të tjerët, që kanë folur ashpër, por në substancë apeli im ka qenë i qartë.
Përpara disa kohësh kryeministri tha se "Bamiri ka një hall dhe Flamuri, vëllai i vet, doktori i famshëm, do të votonte për mua." A ka një gjë që është diskutuar edhe mes vëllezërve Topi që ka lidhje edhe me pronën?
Unë nga kjo studio e nderuar, do t'i bëja prapë një apel, një apel që ai me siguri s'do ta dëgjojë: Që në gazetën "Rilindja Demokratike", aty ku për pesë numra rresht janë hedhur shpifje pa kufi, jo thjesht për Presidentin, po për familjen, ku bën pjesë edhe im vëlla, shumë i nderuar, të ketë kurajon të hapë e t'I japë hapësirë në faqen e parë të gazetës "Rilindja Demokratike" pikërisht për sqarimin me autor Flamur Topin dhe familjarët e tij, ku i nderuari vëllai im, i cili është personazh publik, i ka bërë një analizë reale, shkencore të gjitha atyre shpifjeve, që vinin pikërisht nga ajo gazetë dhe të vëna në gojën e një të moshuare, besoj të luajtur mendsh, do të thoja, më falni që unë e përdor këtë term sot, e cila, në moshën nëntëdhjetë e katër vjeçare kishte falsifikuar një dokument, që po t'i referohemi atij dokumenti, ajo sot duhet të ishte njëqind e gjashtëdhjetë e pesë vjeçare. Dhe kur një gazetë e nderuar do të thoja, që është gazetë e një partie historike sikurse është Partia Demokratike, vendos e bëhet "Parti e Hankes", sepse kështu e ka emrin e moshuara, dhe vendos në gojën e saj falsitete për të denigruar familjen Topi, atherë nuk mendoj se mund të ketë argument tjetër për t'i thënë atij njeriu që: "Stop! Mos u fut më tej tek familjet, sepse është bërë zakon që në të gjithë fjalorin e tij të futet nëpër familje, bën diversion midis burrit dhe gruas, midis motrave, midis vëllezërve! Pra, kjo është sjellja më e shëmtuar që është patjetër një inerci e dukshme jo thjesht e një mentaliteti komunist, por edhe e një njeriu të lidhur shpirtërisht me komunizmin, i cili në mënyrë shumë të suksesshme, ka filluar ta bëjë edhe pjesë të kësaj bote të lirë e demokratike ku jetojmë sot. Përsa i përket asaj që ju thatë, dhe natyrisht unë jam i mirëinformuar në çdo moment, do t'i thoja që nëse nuk e njeh Tiranën dhe nuk dëshiron ta njohësh Tiranën, në rast se nuk ke këshilltarë të aftë për të të orientuar në punë, atëhere do ta marr shumë miqësisht, përdore për t'i treguar se si është konfiguruar Tirana, sepse Tirana nuk është vetëm zyra e Kryeministrisë, por Tirana është shumë e madhe. Ka një popullsi, e cila sa vjen edhe rritet ku popullsia autoktone, i ka mirëpritur në vite dhe këtu është bukuria e këtij qyteti, që sot është gati një milion banorë, ku ka kultura të ndryshme përfaqësuese dhe falë këtij komunikimi qytetar, sot Tirana është një kryeqytet i jetueshëm mirë. Kjo për ta orientuar dhe për t'i thënë jo vetëm ku janë tokat e mia, të paraardhësve të mi. Dhe, unë e di që ai është bërë shumë humorist kohët e fundit, dhe padyshim që gjëja më e dhimbshme është kur të gjithë në kor fillojnë të qeshin nga shakatë, që më kujtojnë personazhin e famshëm të Revolucionit Kulturor kinez: Lej Fenin, por për t'i thënë që familjet e vjetra të Tiranës, vërtetë jetonin në qendër të Tiranës, por të gjitha me radhë kanë pasur toka bujqësore në periferi. Ka qenë një bollëk në Tiranë në atë kohë, të themi të drejtën dhe pikërisht për ta orientuar ekzaktësisht, aty ku përfundonte qyteti dhe është fjala pikërisht për Institutin e Kërkimeve Veterinare, në zonën e "Freskut", aty fillon Komuna. Edhe sot e kësaj dite është territori administrativ i Komunës. Pra, qyteti kishte truall, ndërsa Komuna kishte tokën bujqësore. Ai e ka një shans për ta njohur terrenin, në rast se, për kaq vite me radhë, ta eliminojë udhëtimin me teleferik, që e bën çdo ditë, duke harruar që kalon në një park kombëtar, sikurse është Parku i Dajti, me shumë familje, me shumë biznese, e që ka imazhin e një rruge që sapo është bombarduar. Pra në vend që të bëjë ironi e të japë një imazh mashtrimi për shqiptarët, duhet të kuptojë që familja Topi, të gjithë paraardhësit janë në tokën e vet. Nëqoftëse dëshiron, t'ia bëjmë me dije se ku i kemi tokat, madje mund t'i dhurojmë edhe një pjesë toke. Le të vijë e të jetojë aty në paqe dhe në harmoni dhe mund t'i japim edhe leksione qytetarie, se si jetohet në harmoni pa bërë sherre.
Ju, e keni deklaruar edhe më përpara, në mënyrë jo eksplicite, që ka shumë opsione pas përfundimit të Presidencës, por tashmë, nuk është një ngjarje e re në Tiranë që pritet të krijohet një parti në të cilën ju do të punoni e të tjera si këto....
Deri në fund të mandatit tim, që do të thotë deri në fund të këtij mandati, unë do të jem President i Republikës. Në Tiranë thuhen shumë gjëra, komentohen shumë gjëra, le t'ia lemë kohës, por e sigurtë është që deri në momentin e fundit, unë do të ushtroj të gjitha detyrimet e mia si President i Republikës. Pastaj, natyrisht unë jam njeri i lirë, kam mundësinë për të bërë zgjedhjen time, por në këtë moment unë flas si President i Republikës.

ADI KRASTA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.